Mendime
Xhevat Bislimi: Shteti dhe sovraniteti që mbrohet nga shoqatat
E enjte, 27.05.2010, 09:59 PM
Shteti dhe sovraniteti që mbrohet nga shoqatat
Nga Xhevat Bislimi
Para do dite pata bërë një shkrim me titull: “Kosova nuk është shtet”. Ky shkrim u botua në shumë faqe interneti, por nuk u botua në asnjë gazetë ditore në Prishtinë. Nuk e di në është botuar apo jo në ndonjë gazetë në Tiranë. Ngjarjet dhe zhvillimet e këtyre ditëve veç sa ma forcuan mendimin se Kosova nuk është shtet. Kjo ndoshta edhe për faktin që Kosova nuk ka pse të jet shtet. Ajo, bashkë me krahinat tjera shqiptare do të duhej t’i ktehej vendit dhe shtetit që i ishte marrë, Shqipërisë. Serbia vazhdon me tërë arsenalin e saj propagandistik të thotë dhe të «dëshmojë» se «Kosova është Serbi»!? Ndërsa, disa politikanë, disa media të shkruara dhe elektronike dhe një grusht kalemxhinjsh të sojit të H. Matoshit e N. Spahiut, këmbëngulin që Kosova nuk është shqiptare!? Ky grusht kozmopolitësh besojnë që, pasi vetë kanë hequr dorë nga identiteti i tyre kombëtar, shembullin e tyre duhet ta ndjekin gjithë shqiptarët e Kosovës dhe të thonë: «Nuk jemi shqiptarë»!! Gjë që shqiptarët, të cilësdo krahinë, nuk e kanë bërë dhe nuk do ta bëjnë as sot, as mot. Kush do të bëhet, individualisht, kosovar-evgjit, serb, rom, francez, turk, amerikan, arab, etj., le të bëhet!! Madje të tillët bëjnë mirë që heqin dorë nga identiteti i tyre dhe nuk paraqiten si shqiptarë.
Heqja dorë nga ribashkimi i Kosovës dhe i krahinave tjera me trungun e tyre, me AMËN e tyre, Shqipërinë, dhe kërkesa për “pavarësi”, për “shtet”, etj., dëmtuan shumë çështjen shqiptare në Ballkan dhe dobësuan pozitat e kombit shqiptar. Ishte dhe është bindje dhe mendim i padiskutueshëm se Kosova është Shqipëri. Mirëpo, Kosova, grupi që fliste në emër të saj, hyri në bisedime me kërkesën për “shtet të pavarur e sovran” dhe “doli” nga bisedimet me një gjysmë pavarësie dhe gjysmështeti!! Kosova sot qeveriset ose më saktë sundohet nga UNMIK-u, EULEX-i, ICO-ja dhe Serbia, por më së paku nga institucionet e zgjedhura nga vota e lirë e qytetarëve të saj!! Deri më sot këto institucione vendore kanë shërbyer vetëm sa për t’i legjitimuar dhe legalizuar misionet e huaja dhe projektet e tyre antishqiptare. Pa këtë klasë politike dhe institucionale të vendit Kosovës nuk do të mund t’i imponohej një flamur-leckë, që as një “dasme” synetie nuk do t’i bënte nder. Pa këtë klasë politike nuk do të bëhej bosnizimi i Kosovës. Shikojeni dhe krahasojeni modelin e “decentralizimit” (kantonizimit), “flamurin” dhe “himnin” me atë të Bosnje-Hercegovinës! Pas miratimit pa debat të këtyre simboleve dhe ligjeve për kantonizimin e Kosovës, EULEX-UNMIK-u dhe ICO-ja (Piter Fajti) nxorën brinat dhe treguan dhëmbët. Arroganca e tyre ishte e pashembullt. Agresiviteti dhe brutaliteti i tyre ngjante më shumë me logjikën, sjelljen dhe veprimet e një pushtuesi se sa me një mision ndihmës. Në emër të ligjit këto misione bëjnë dhe zbatojnë ligjin, në emër të luftës kundër korrupcionit këto misione luftojnë dhe përdhosin lirinë, krenarinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe të popullit shqiptar. Nuk ka ligj as normë ndërkombëtare në botë që lejonë dhunimin, poshtërimin dhe linçimin e institucioneve dhe organeve të zgjedhura në mënyrë demokratike nga një mission i huaj dhe nga një polic a prokuror i huaj. Ka korrupcion sa të duash në shtetet e Bashkimit Evropian, ka sa të duash në SHBA dhe nuk po flasim për korrupcionin në Rumani, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe vende të tjera të botës. Cili prej këtyre shteteve do të pranonte misione të huaja që do t’ua bënin dhe zbatonin ligjet, që do t’ua poshtëronin, dhunonin dhe ironizonin institucionet shtetërore dhe krerët e tyre gjithë ditën e gjithë natën, sipas dëshirës!? Ani kush? Ushtarakë, prokurorë, gjykatës dhe policë të njohur nga publiku për bëmat e tyre kundërligjore, për kontrabandë, trafik dhe vrasje!! Po, në fund të fundit, sikur të ishin edhe lulja e qytetërimit, e respektimit të ligjit dhe humanitetit nuk do të duhej të lejoheshin të silleshin, të flisnin dhe të vepronin si pushtuesë në një shtet të pavarur dhe sovran, siç është deklaruar dhe pranuar Kosova. Cili shtet në Ballkan dhe Evropë ka bërë krime më shumë se Serbia në fund të shek. XX? Megjithatë asnjë mission “shpëtimtar” nuk u vendosë në Serbi!! EULEX-UNMIK-u vazhdon t’i kërkojë kriminelët në radhën e viktimave, te shqiptarët, që përjetuan dhunën, masakrat, gjenocidin dhe holokaustin gati njëqindvjeçar serb!! Në vend se Kosova dhe krahinat tjera shqiptare t’i ktheheshin Shqipërisë, misionet e OKB-së po copëtojnë Kosovën edhe njëherë dhe po këmbëngulin ta deshqiptarizojnë, ta realizojnë ëndrrën e krajlave të Serbisë!? Në vend se këto misione të vendoseshin në Serbi dhe të merrnin në mbrojtje shqiptarët e atjeshëm, Kosovën Lindore, ato po bëjnë projekte, si plani I Atisarit, se si ta “decentralizojnë” (copëtojnë) Kosovën!? Të gjitha këto, sepse Kosova nuk është shtet. Po të ishte shtet, Kosova do ta bënte dhe zbatonte ligjin vetë, do ta luftonte korrupcionin dhe krimin e organizuar vetë, do t’i kontrollonte kufijtë dhe doganat vetë, etj. Kush na ka faj? Fajin kryesor, pa përjashtuar edhe trysninë ndërkombëtare dhe projektin e saj antishqiptar, e kishte dhe e ka ajo që po e quajmë klasë politike ose ai grusht i njerëzve që kanë marrë përsipër dhe kanë uzurpuar të drejtën me fol dhe me hesht, me vepru dhe mos me vepru në emër të Kosovës kundër saj! Deklaratat, qëndrimet dhe sjellja e kësaj klase politike na bënë të mendojmë dhe të besojmë se është një klasë politike e “kapur”. Një faj edhe më të madh e ka Tirana zyrtare, e cila vazhdon të mbaj qëndrim “neutral” ndaj krahinave të saja!! Serbia i del zot Kosovës dhe viseve të saj (Kosovës Lindore), kurse Tirana zyrtare flet si për një tokë të huaj!! Kush ka më shumë të drejtë dhe detyrim se Tirana të flas dhe të angazhohet për tokat e Shqipërisë, të pushtuara dhe të mbetura jashtë kufijve pa vullnetin e saj dhe pa vullnetin e shqiptarëve të mbetur jashtë këtyre kufijve? Nuk ka dhe nuk mund të ketë pronar më të ligjshëm të këtyre tokave se Tirana zyrtare. Madje, po të kishte një qeveri dhe institucione shtetërore kombëtare në Tiranë, do t’ua tërhiqte veshin fort dhe do t’i disiplinonte edhe “politikanët” në Shkup, Prishtinë, Ulqin e Preshevë dhe do të merrej intenzivisht edhe me çështjen e Çamërisë. Por, jo. Në Tiranë, si e majta, si e djathta janë të gatshme të lënë kokën për pushtet, por jo edhe për çështjen shqiptare!!! Janë të gatshëm, njësoj si në Shkup e Prishtinë, t’i dëgjojnë dhe t’u nënshtrohen të huajve pa kushte, por jo ta dëgjojnë dhe kuptojnë njëri-tjetrin!!
Kjo gjendje brendashqiptare i ka trimëruar qarqet e huaja jomiqësore, të cilat me vendosmëri po përpiqen ta shtyjnë përpara projektin e tyre, që në thelb synon përjetësimin e copëtimit të Shqipërisë dhe të tokave të saj!? Grindjet dhe përçarjet ndërpartiake në Prishtinë, etja dhe lakmia për poste e pasuri, lidhjet e vjetra dhe të reja politike, ideologjike dhe ekonomike me të huajt, si dhe hipotekat nga e kaluara po mbajnë peng lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe sovranitetin e Kosovës. Kjo klasë politike dhe “shtetërore” nuk është e zonja ta vendosë kontrollin dhe autoritetin e ligjit dhe të shtetit në tërë territorin e Kosovës. Veriu i Kosovës vazhdon të kontrollohet tërësisht nga Serbia. Logjistikë e sigurtë e Serbisë në Veri dhe në shumë enklava e zona të mbrojtura ishte dhe mbetet UNMIK-EULEX-i dhe ICO-ja. Pjesën tjetër të Kosovës dhe të institucioneve të saj i kontrollon dhe mbikëqyrë EULEX-UNMIK-u dhe ICO-ja me ndihmën dhe përkrahjen e parezervë të Serbisë dhe strukturave të saj brenda Kosovës. Këtë të vërtetë të hidhur po e kupton gjithnjë e më qartë populli shqiptar i Kosovës e më gjerë. Serbia po organizon zgjedhje në territorin e Kosovës njësoj si në Serbi dhe askush nuk po e pengon!!! Madje, as një deklaratë nuk e japin institucionet e Kosovës për këtë punë!! Ministri i punëve të brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi, shkon në Shkup dhe përulet me ndjenjën e thellë të fajit para atyre që po vrasin shqiptarët, kurse kur vjen puna për Veriun e Kosovës dhe Mitrovicën e tij hesht ose, nën presionin e popullit, i lutet EULESHIT të ndërmarrë diçka dhe të mos i lejojë zyrtarët e lartë shtetëror të Serbisë të hyjnë në Kosovë me eskorta të armatosura dhe të paktën të na njoftojnë që po hyjnë në Kosovë!! I njëjti Ministër, në pyetjen e deputetit Nait Hasani, se pse shkove në Shkup, u përgjegj me fodullëk se “unë jam Ministër dhe përfaqësoj shtetin e Kosovës…”. Sa mirë do të ishte sikur të bëhej Ministër një ditë edhe në Veri të Kosovës!?
Ata që morën pjesë në Luftën Antipushtuese Çlirimtare dhe luftuan me armë në dorë për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, të organizuar në Shoqatën e Veteranëve të UÇK-së, duke parë dhe kuptuar drejtë këtë gjendje të institucioneve qendërore dhe lokale të Kosovës morën vendim që të organizojnë protestë më 30 maj në Mitrovicë kundër shkeljes dhe dhunimit të tokës shqiptare të Kosovës nga Serbia!! Në Kohën që jemi “shtet”, kemi Qeveri, Kuvend, Kryetar shteti, Ministër të brendshëm, Ministër të Mbrojtjes, e hajt-hajt, duhet të ngrihet një Shoqatë dhe ta mbrojë dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia!!! Natyrshëm do të pyeste çdo shqiptar dhe qytetar i Kosovës: Kujt i duhen këto institucione? Kosovës dhe mbrojtjes së saj, popullit shqiptar dhe interesave të tij apo projekteve antishqiptare të të huajve? Kjo klasë politike dhe institucionale dy rrugë ka: Të ulet, të meret vesh dhe të bëjë strategjinë jo për Veriun, por për Kosovën, e cila, përveç tjerash, do t’i ridefinonte qartë raportet me Bashkësinë Ndërkombëtare, duke dëbuar nga Kosova misionet që nuk respektojnë pikë për pikë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe të popullit të saj shqiptar për të vetëvendosur për fatin e tij të mëtejmë ose të tërhiqet nga politika dhe institucionet e vendit. Rruga e tretë, që tashmë po ndjek kjo klasë politike dhe institucionale, rruga e kolaborimit, e nënshtrimit, e servilizmit dhe e vazalitetit ndaj të huajve vetëm e vetëm për t’i ruajtur pozitat e tyre politike, “shtetërore” dhe ekonomike është rruga e dështimit dhe e turpit për ta, nga njëra anë, dhe rruga e dëmeve të kushtueshme, dhe e humbjeve të mëdha për Kosovën dhe popullin e saj shqiptar, nga ana tjetër. Mbrojtja e vendit nga shoqatat dhe nga populli, pa përkrahjen e krerëve të institucioneve “shtetërore” nënkuptonë fundin e tyre…