Mendime
QKSGJ: Imazhi i Hipokrizisë
E enjte, 03.06.2010, 08:02 PM
Imazhi i Hipokrizisë
Kjo sjellje nuk është hiç më pak se një disiplinim publik i grave dhe vajzave që marrin guximin të bëjnë punën e tyre profesionale pa u frikësuar se ato mund të ndëshkohen nga dikush.
Qendra Kosovare për Studime Gjinore - QKSGJ
Do të ishte shumë gabim nëse sjellja skandaloze e gazetarit Milaim Zeka disa ditë më parë në një konferencë për shtyp të Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, të kuptohet e trajtohet vetëm si një incident i izoluar dhe i pakëndshëm, e të harrohet për tri ditë, aq sa edhe zgjasin “çuditë” mediale.
Ky rast, përveçse duhet trajtuar nga aspekti profesional e ligjor, duhet parë edhe në aspektin kulturor e social, aq më parë për faktin se sjellja e tij ndaj një gazetareje nuk dallon prej sjelljes së shumë burrave në jetën e përditshme ndaj grave të tyre, të dashurave, vajzave, motrave, fqinjave, grave dhe vajzave të njohura e të panjohura.
Dallimi është se Milaim Zeka, edhe pse i vetëdijshëm për praninë e gazetarëve, kamerave e mikrofonave, pa pikë hezitimi e bëri publik kapadaillëkun, arrogancën dhe agresivitetin e tij duke sharë, fyer, kërcënuar e ngacmuar jo vetëm gazetaren në fjalë, por edhe të gjitha gazetaret që kanë qenë prezente në atë konferencë, e në mënyrë indirekte edhe ato që nuk kanë qenë, si dhe të gjitha gratë dhe vajzat në Kosovë, në përgjithësi.
Kjo sjellje nuk është hiç më pak se një disiplinim publik i grave dhe vajzave që marrin guximin të bëjnë punën e tyre profesionale pa u frikësuar se ato mund të ndëshkohen nga dikush. Të gjithë e dimë se ky rast nuk është aspak i veçantë në Kosovë dhe është hipokrite të pretendohet se kjo sjellje e ka habitur opinionin kosovar, sepse atëherë do të kishim pretenduar se kjo nuk është sjellje me të cilën ndeshemi në jetën e përditshme, ndërsa fyerjet që u thanë në këtë rast ne nuk i dëgjojmë në rrugë, shtëpi, kafene apo vende të punës.
Hipokrizia qëndron aty se ne nuk reagojmë derisa ato nuk thuhen e shihen në TV, si në rastin në fjalë, dhe se ky është fakti që na detyron të përballemi me këtë rast së paku për një kohë. Sulmi që iu bë gazetares së Radio Dukagjinit, Liridona Lluka - Gashi, tregon jo vetëm mungesë profesionalizmi në gazetarinë tonë dhe cenim të lirisë së shprehjes, por pasqyron në mënyrë të vrazhdë mjerimin kulturor dhe emancipues në shoqërinë kosovare.
Milaim Zeka, me shembullin e vet, vetëm sa e konfirmoi hipokrizinë e tij personale, por edhe atë të shoqërisë sonë. Ai shpesh nëpër debate televizive i ka shprehur pikëpamjet e tija lidhur me nevojën e emancipimit të shoqërisë sonë në raport me gratë dhe vajzat, pikëpamje këto të cilat nuk dallonin shumë nga ato të shoqërisë suedeze, të cilës i referohej. Zeka ishte kritikues i rreptë i sjelljes së burrave dhe djemve të Kosovës dhe qasjes së tyre të gabuar ndaj grave dhe vajzave. Mirëpo, sjellja e tij në atë konferencë në mënyrë cinike konfirmon se ato fjalë kanë qenë vetëm retorikë e zbrazët dhe asgjë më shumë. Ky është një rast i cili na rikujton se në shoqërinë tonë sot e kësaj dite konsiderohet më se “normale” që gruaja apo vajza të thirret me emra poshtërues, të sulmohet në mënyrë fizike, psikike, morale, profesionale, e për ketë të mos jepet llogari.