Mendime
Mehmet Zymeri: LDK-ja e bëri luftën dhe paqen
E diele, 06.06.2010, 06:56 PM
FJALA E MBAJTUR NE 20 VJETORIN E THEMELIMIT TE DEGES TE LDK- SE NE GJERMANI
L D K - JA
Dega e LDK-së në Gjermani e mbështetë fuqimisht sugjerimin e dr. Isa Mustafës, kryetar i Komunës të Prishtinës, për rishikimin e koalicionit me PDK-në, duke arsyetuar se kjo qeveri ka dështuar tërësisht dhe nuk funksionon; se PDK-ja është e zhytur në krimin e organizuar dhe korrupsionin galopant; se qeverisja po përjeton krizën e thellë, madje pa shpresë rrugëdaljeje. Vazhdimi i këtij koalicioni, krejt të panatyrshëm, do ta bënte LDK-në pjesë të krimeve të PDK-së.
SHKRUAN: MEHMET ZYMERI, anëtar i Kryesisë të Degës të LDK-së në Gjermani
Jemi tubuar sot këtu për të festuar përvjetorin e 20-të të themelimit të Degës të LDK-së për Gjermani.
Dega jonë u organizua një vit pas themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga kryetari dr. Ibrahim Rugova me shokë. Ishin kohë të rënda, madje në të gjitha hapësirat shqiptare.
Pushtuesi serbosllav kishte vënë në përdorim të gjitha metodat satanike, që nga humbja e perspektivës, me largime masive nga puna e deri ke vrasja e ushtarëve dhe helmimi i nxënëve shqiptarë.
Pushtuesi gërshetoi harmonishëm metodat përfide të komunizmit, me elemente të bollshme të fashizmit, si dy ideologji regresive, konkuruese për pozicione sunduese, me dhunë e gjak.
Në këto kushte organizimi partiak, në mungesë të një lobi kombëtar, ishte zgjidhja e vetme e mundshme, për organizimin e mërgatës, në shërbim të Atheut të pushtuar dhe në nevojë.
Dega e LDK-së në Gjermani, e favorizuar edhe nga numri i madh i mërgimtarëve të hershëm, të viteve `70-a, nën drejtimin e kryetarit të parë të saj, zotit Hafiz Gagica, me shpejtësi rekorde u organizua në skemën e njohur: aktiva, nëndegë, për të kulmuar në degë. Duke qenë dega më masive dhe më e organizuar, fitoi primatin për ta udhëhequr Kolegjiumin e Degëve në Diasporë, me të njëjtin kryetar.
Dega e LDK-së në Gjermani ka qenë prijetare e të gjitha nismave në shërbim të Atdheut, duke filluar nga hapja e Fondit Humanitar në Achen; begatimin e Fondit Shtetëror të Kosovës, të shprehur në 3%-in obligativ dhe ndihma të tjera, si Aksioni "Ta mbrojmë Kosovën për vetëmbrojtje", ndihma për Shqipërinë, për Drenicën, për luftën dhe për dhjetra aksione të tjera lokale, brenda Kosovës.
Në fillimet e proceseve demokratike në Shqipëri, Dega jonë ka ndihmuar me dërgimin e shumë makinave, të ushqimeve, veshmbathje, barna dhe lloje të tjera ndihmash. Aksioni ka zgjatur deri me kalljen e Shqipërisë, nga falangat komuniste - bolshevike, të përkrahura edhe nga halabakët stalinistë të Kosovës.
Kuadrotë, anëtarët e Degës të LDK-së për Gjermani, kanë kryesuar dhe drejtuar edhe disa shoqata humanitare, mjaft të zëshme dhe të suksesshme për kohën, si Shoqatën "Nëna Tereze", Shoqatën "Rugova" dhe të tjera, kontributi i të cilave ka qenë transparent dhe pa hile.
Dega e LDK-së në Gjermani ka bashkëpunuar ngushtë me degët simotra në Evropë. Vlen për ta veçuar Degën për Beneluks, me qendër në Bruksel, por ja vlen me përmend edhe dy emrat e shquar të kësaj dege si Ramadan Gashin dhe Gani Azemin, si dhe Degën e Zvicrës.
Dega e LDK-së në Gjermani ka pasur bashkëpunim korrekt edhe me partitë e spektrit të djathtë në diasporë, në veçanti, me Partinë Demokristiane Shqiptare si dhe me Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Dega jonë, me nëndegët e saj, kanë lobuar dhe kanë koordinuar shumë takime, me personalitetet gjermane, për çështjen e Kosovës, madje deri në nivelet më të larta. Në lobim, në mediat e shkruara dhe vizive gjermane, është shquar nënkryetarja e kësaj dege, zonja Donika Gërvalla
Dega e LDK-së në Gjermani ka qenë e angazhuar maksimalisht për luftën, si në furnizimin me ushtarë e kuadro, po ashtu edhe me kontributin për logjistikën e luftës. Ajo i ka edhe heronjtë e vetë, të rënë dhe të gjallë, të prirë nga Sali Çekaj, "Hero i Kosovës", me shokë.
Paslufta ndryshoi shumëçka. Pas një sfilitjeje të madhe, nga robëria e gjatë, liria shëroi shumë plagë, por hapi edhe plagë të reja, siç janë vrasjet seriale politike nga bandat shqipfolëse staliniste. Dega jonë reduktoi aktivitetet, por mbajti të gjallë frymën e organizimit. Kremtimi i festave kombëtare, përkujtimi i dëshmorëve të lirisë dhe të demokracisë, mbetën gjithmonë në agjendën e kësaj dege. Siç ka thënë një kuadër i PDK-së, ata që i vramë ne, po i vajton LDK-ja!
Në përvjetorët jubilarë është traditë të bëhet bilanci i sukseseve dhe i dështimeve; i fitimeve dhe i pësimeve.
Të të gënjejë dikush tjetër, është mashtrim, ndërsa ta gënjesh veten, është mjerim.
Ju garantoj se ju flas hapur dhe sinqerisht, andaj, ju lutem, edhe për mirëkuptim.
Shuarja fizike e Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova ishte dhe mbeti gjëma e madhe për LDK-në dhe Kosovën. Orekset e shtuara të kuadrove të lartë për pushtet partiak, çuan në ndarjen e LDK-së. Kjo ndarje shokoi anëtarësinë numerike dhe elektoratin simpatizantë të Partisë të Presidentit Rugova. Hatërimi dhe zemrimi - njëherësh, shkaktoi abstenimin masiv në votime, duke e hedhur LDK-në në opozitë.
Dështimet në vijimësi në qendër - Prishtinë, reflektohen edhe në bazë, si në Kosovë, ashtu edhe në diasporë. Për rrjedhojë, edhe Dega jonë është në udhëkryqin: - të vazhdojë ekzistencën apo të shuhet.
Pas Kuvendit të 6-të të LDK-së, në Degën tonë kanë dominuar zërat mbështetës për Kryesinë Qendrore në Prishtinë, por nuk kanë munguar as zërat kundër, madje edhe në mediat e shkruara dhe elektronike.
Zhvillimet dramatike dhe thellimi i humbjeve të LDK-së, kanë lëkundur besimin dhe kanë zvetënuar përkrahjen për Kryesinë, e cila ka anashkaluar bazën, madje edhe organet tjera drejtuese, përfshirë këtu edhe vetë kolegjialitetin e Kryesisë në vendim-marrje!
Edhe subjekti i ndarë, LDD-ja, pësoi rënie të ndjeshme. Ofërta fisnike, e bërë nga akademik Nexhat Daci, për koalicion parazgjedhor LDK-së, ra në vesh të shurdhër. Paradoksin e madh, nuk e kapërthen logjika e shëndoshë. Preferohen më shumë ata që e kanë gjakosur LDK-në ndër vite, se sa ata që kanë këmbyer ca grushtime brenda një minute!!! Sikur është harruar loti dhe dhembja e përbashkët, për kuadrotë dhe veprimtarët e vrarë të demokracisë, nga radhët e subjektit, dikur të bashkuar!
Ka ardhur koha e reflektimit dhe e reformave të njëmendëta dhe jo retushime formale e mashtrime. Eshtë jetike për fatet e Kosovës forcimi i LDK-së, si parti e painkriminuar, serioze dhe shumë e përgjegjëshme.
Largimet e disa kuadrove nga LDK-ja dhe strehimi i tyre në partitë e ekstremit të majtë, madje të dyshuara për shumëçka, pavarësisht nga paknaqësia e ligjshme, nga mos funksionimi i demokracisë të brendshme, cinizmi neveritës dhe mungesa e kolegjialitetit në vendim-marrje në LDK-e, është gabim i rëndë dhe parimisht i dënueshëm, që dëshmon për papjekuri politike dhe karierizëm. Në dy partitë e ekstremit të majtë, PDK dhe AAK, të cilat manipulojnë elektoratin e Kosovës, duke u vetëquajtur të djathta, ka zero demokraci. Ka dëshmi faktike se ata që provojnë të kundërshtojnë, sado pak, krerët, grushtohen dhe heshtin, pa guxuar të denoncojnë dajakosjen!
Çdo ndarje bart fajësinë e përbashkët, ashtu si edhe rrjedhojat. Këtë e provuan edhe dy subjektet e ndara, pra, LDK-ja dhe LDD-ja. Kuadrotë dhe anëtarët e thjeshtë, që i kthehen prsëri LDK-së, duhet të jenë të mirëseardhur dhe të mirëpritur. Ata duhet t`i gëzojnë të gjitha të drejtat, për të zgjedhë dhe për t`u zgjedhur, njësoj si të gjithë anëtarët e tjerë të LDK-së.
Eshtë koha, madje edhe shansi i fundit, për LDK-në dhe LDD-në, të mendojnë dhe të veprojnë seriozisht për koalicion dhe bashkim, ngjajshëm siç veproi e djathta në Shqipëri, për të marrë në dorë fatin e Kosovës, tashmë të përdhosur keqas.
Dega e LDK-së në Gjermani e mbështetë fuqimisht sugjerimin e dr. Isa Mustafëes, kryetar i Komunës të Prishtinës, për rishikimin e koalicionit me PDK-në, duke arsyetuar se kjo qeveri ka dështuar tërësisht dhe nuk funksionon; se PDK-ja është zhytur në krimin e organizuar dhe korrupsionin galopant; se qeveria po përjeton krizën e thellë, madje pa shpresë rrugëdaljeje. Vazhdimii këtij koalicioni, krejt të panatyrshëm,
do ta bëte LDK-në pjesë të krimeve të PDK-së,
Dhe, krejt në fund, përshëndes të gjithë anëtarësinë dhe simpatizantët e LDK-së, duke i ftuar të bëhen pjesë e vizionit të Presidentit Rugova, në të mirë të kombit, për prosperimin e Kosovës tonë të shumëdashur.
Ju falemnderit!
Gjermani, maj 2010