E marte, 06.05.2025, 06:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Fillon Viti i Nënë Terezës

E diele, 06.06.2010, 07:11 PM


Nga Elsa Demo

 

Profili i Nënë Terezës në 100 vjetorin e lindjes sipas aktiviteteve protokollare të qeverisë dhe institucioneve të varësisë.

 

Programi nga sot deri më 26 gusht, në ditën e lindjes së misionares katolike

 

"Viti i Nënë Terezës" në Shqipëri, më saktë në Tiranë, është një program me data dhe orare që është afishuar në hyrje të Teatrit të Operës dhe Baletit. Misionarja e përbotshme katolike e Kalkutës me veshjen e njohur të bardhë me vija blu që e mbajti prej vitit 1948 kur hoqi rrobën e zezë të murgeshës, e deri sa vdiq më 1997.

Poshtë kësaj fotografie shkruhet: "Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar..."

 

I përket fragmentit të letrës dërguar Akademisë së Nobelit në Oslo e cila i akordoi më 1979 çmimin për Paqen. "Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë i luti Zotit, që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjithë botën. Lutem shumë për fukaratë e mi-dhe për mua dhe motrat e mia. Unë lutem për Juve. Teresa Bojaxhiu".

 

Profili i Nënë Terezës në 100 vjetorin e lindjes është ai i aktiviteteve protokollare që qeveria dhe institucionet e varësisë organizojnë "nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha".

 

Aktivitetet nisin sot, ora 09.00 në hollin Teatrin e Operës dhe Baletit, me ekspozitën "Nënë Tereza në shtypin shqiptar", "nën kujdesin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj.

 

Në 10.00 nis Konferenca Përkujtimore "Nënë Tereza në 100-vjetorin e lindjes" ku Qendra e Studimeve Albanologjike i dëshiron të gjithë "në përkujtim të Nënë Terezës, siç na deshi Nënë Tereza të gjithëve".

 

Anton N. Berisha referon temën "Nënë Terezë: I desha njerëzit me dashurinë e hyjit".

Aktorët Tinka Kurti dhe Ema Andrea recitojnë vargje dhe citime nga Nënë Tereza.

 

Ka një libër me titullin "Mendime të Nënë Terezës", një doracak që përmbledh thënie të formuluara nga Nënë Tereza në auditorë të ndryshëm, gjatë intervistave apo bisedave të saj për problemet më ekzistenciale të shoqërisë së sotme njerëzore.

 

Edhe mendimet e saj, qofshin këto për aspekte më të rëndomta të jetës së përditshme apo për problemet më të ndërlikuara sociale, ideologjike e filozofike, si jeta e vdekja, dashuria e varfëria, paqja e dhuna, gëzimi dhe falja e etj., janë shprehur me thjeshtësi, karakteristikë e Nënë Terezës.

 

Ky botim është bërë në prag të shpalljes së lumturimit të saj nga Ati i Shenjtë, papa Gjon Pali II, për të plotësuar një boshllëk përpara lexuesve shqiptarë për të cilët Nënë Tereza e Kalkutës është kthyer në simbol të krenarisë së kulturës dhe qytetarisë sonë kombëtare.

 

Në orën 11.00 ka pushim dhe vizitë të lirë në ekspozitën "Nënë Tereza". Ora 11.30 ka përkujtimore. Fjala është për Mgr. Gjergji Frendo: "Gëzim dhe buzëqeshje tek e Lumja Tereza". Renato Farina flet për Nënë Terezën dhe provat e besimit.

 

Përsëri vargje dhe citate nga Kurti dhe Andrea, derisa sa të vijë radha e Dr. Gëzim Alpionit për të folur për Nënë Terezën: një jetë në shërbim të njerëzimit.

 

Dom Gjergj Meta e merr fjalën për Kongregatën e "Misionareve të Dashurisë" në Shqipëri. Kurse për gjurmët e familjes, me sa duket e vetmja temë laike e konferencës, flet Kolec Çefa.

 

Aktivitetet e sotme mbyllen me koralet e Korit "Pax Dei", nën drejtimin e Suzana Turkut.

Në ditët dhe muajt e ardhshëm programi thotë se do të ketë nga një aktivitet deri sa të vijë 26 gushti, dita e lindjes së Anjezë Gonxhe Bojaxhiut.

 

Kinema Imperial shfaq gjatë qershorit filma dokumentar kushtuar kësaj gruaje.

Biblioteka Kombëtare organizon në korrik Ekspozitën e 12 shenjtorëve. Po në korrik është menduar për "Mbrëmje muzikore, letrare me prozë dhe poezi për Nënë Terezën, në Teatrin Kombëtar.

 

Gushti është më i ngarkuari nga muajt: ekspozitë kushtuar asaj, një panair libri vetëm për të, një çmim për krijimtarinë më të mirë muzikore me emrin e saj, çmim për esenë më të mirë me emrin e saj, prapë ekspozitë kushtuar asaj, pak metra larg Operës, në Muzeun Historik Kombëtar, shfaqje më 26 gusht në Sheshin "Nënë Tereza" e dokumentarit të RAI-t mbi jetën e saj, botim i albumit me foto dhe lutje të Nënë Terezës nga fotografi Roland Tasho, promovim i botimit "Autorët botërorë për Nënë Terezën".

 

Në tetor, në prag të përvjetorit të Lumturimit të saj, organizohen: Kupa "Nënë Tereza", maratona e paqes që do të ndjekë itinerarin Prishtinë-Shkup-Podgoricë-Tiranë; vihet në skenë një dramë për Nënë Terezën, dhe i fundit, Festivali ndërkombëtar i koreve më 19 Tetor.

 

Gjithë këto duhet të jenë sipas kryeministrit Berisha nderimi i merituar që shqiptarët kanë "ndaj shqiptares më të shquar të të gjitha kohërave, gruas më të madhe të njerëzimit për kohën që jetoi."

 

Në shkurt 2010 qeveria shpalli "Vitin e Nënë Terezës". Atëherë kryeministri tha se aktivitetet duhet të jenë "jashtë pompozitetit, shkëlqimeve protokollare, gjithçka në sensin më njerëzor dhe kjo është mënyra më e mirë e nderimit të saj."

 

U parashikua atëherë ngritja e një muzeu, në sheshin me të njëjtin emër, kushtuar jetës dhe aktivitetit të Nënë Terezës.

 

U ngrit me urdhër të kryeministrit dhe grupi i punës që do të hartonte një projekt i cili sipas fjalëve të shefave politikë do t'i nënshtrohej "një debati e oponence publike" dhe më 26 gusht mendohej të hidhej guri i parë i muzeut.

 

Urdhri i prerë i kryeministrit, ngarkonte grupin e punës që të kërkojë gjithandej nëpër botë, si në Indi, Vatikan, Maqedoni, Kosovë, Irlandë, etj., sende e gjëra që lidhen me jetën e veprën e Nënë Terezës dhe të cilat do të rrinin mirë për Memorialin.

**********************

Anjez Gonxhe Bojaxhiu në 100 vjet

 

26 gusht 1910 u lind Anjez Goxhe Bojaxhiu në një familje shqiptare në Shkup të Maqedonisë. I ati, Kola, i diplomuar për farmaci, vdiq kur ajo ishte 7 vjeçe. U rrit me të vëllanë dhe motrën nga nëna Drane.

 

Në 1928 në moshën 18 vjeçe, kërkon të pranohet nga motrat e Loretos, që punonin në Bengal, në afërsi të Kalkutës.

 

Në vitin 1929 Fillon ngjitjen në Darjeling në këmbë të Himalajeve dhe tre vjet më pas vjen në Kalkutë për të dhënë mësim. Ndërron emrin e saj civil me atë fetar, Tereza.

Prej vitit 1943 dhe gjatë Luftës së Dytë, Nënë Tereza kërkon të shkëputet nga kuvendi dhe t'i dedikohet tërësisht të varfërve.

 

Në 18 gusht 1948 vjen përgjigja nga Roma. Papa Piu XII pranoi që ajo të linte kuvendin dhe t'iu dedikohej nevojtarëve. Zhveshi rrobën e zezë të murgeshës, për të veshur rrobën e bardhë, si gratë e varfra të Indisë.

 

Në 19 mars 1949 vjen Subashimi Das, vajza e parë që vendosi ta ndiqte.

Në 1997, viti i vdekjes së saj, numëroheshin 4 mijë të tilla nga 123 vende.

Nënë Tereza hap në 1953 shtëpinë "Zemrat e Pastra". Pas 20 vjet aktivitet, numëroheshin: 27 mijë persona të vdekur në paqe, 14 mijë të shëruar e të kthyer në jetë.

 

Në 1958 arriti të transferonte lebrozët në një ndërtesë jashtë qytetit.

Deri në 1973 janë 600 në pesë kontinente.

 

1979, merr çmimin Nobel për Paqe.

 

Në 1986 Papa Vojtila shkon në Indi dhe takon Nënë Terezën.

Merr një atak në zemër në 1989 dhe rri për dy muaj në spital.

 

Në mars 1997 Papa pranon dorëheqjen e saj për arsye shëndetësore dhe zëvendësohet nga motër Nirmala.

 

Në 5 shtator, në orën 21.30 vdes në shtëpinë "Nëna e Kalkutës". Qeveria indiane kërkon funeral të përmasave shtetërore.

 

Në 19 tetor 2003 Papa Gjon Pali deklaron fillimin e procesit të shenjtërimit të Nënë Terezës nëpërmjet Lumturimit. Ceremonia bëhet në Vatikan, ku marrin pjesë mijëra shqiptarë.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx