Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Lumturia, dhembja dhe galeria e jetës në poezi
E diele, 06.06.2010, 07:38 PM
R e c e n s i o n
Sejdi BERISHA:
LUMTURIA, DHEMBJA DHE GALERIA E JETËS NË POEZI
(Skënder Buçpapaj: “Frika nga Atdheu”, poezi - botoi Shtëpia Botuese “Nacional”, Tiranë-2009)
Kërkimet e lumturisë dhe të dhembjes për jetën, pastaj, labirintet shpirtërore që nganjëherë i hapin të gjitha rrugët për të treguar e dëshmuar atë peshën e zërit dhe të ankthit, por që, asnjëherë nuk dalin në tërësi as nuk nxjerrin stolinë artistike, ashtu siç e do poeti. Por, sipas të gjitha rropatjeve dhe përplasjeve poetike, të gjitha këto, fuqishëm reflektojnë në librin “Frika nga Atdheu” të autorit Skënder Buçpapaj, nga i cili, në të njëjtën kohë, mesazhi shndërrohet në dashuri dhe në drithërim karakteristike për çdo gjë që jetës i jap kuptim. Veç kësaj, duke lexuar këtë vepër, që në fillim sikur na bën me dije se lumturia kurrë dhe asnjëherë nuk blihet, por ajo vjen çuditshëm duke e ushqyer po ashtu çuditshëm jetën.
Autorin e kësaj vepre e hasim edhe si krijues të mirëfilltë edhe si publicist, andaj, në librin “Frika nga Atdheu” dëshmon për qëndrueshmërinë e tij por edhe për tërë atë energjinë, të cilën rrallë mund ta ketë gjithkush për të bërë ndërlidhjen në mes të unit dhe jetës, e aq më tepër, kur kemi parasysh se asnjëherë nuk jetohet pa begatinë e filozofisë së jetës. Them kështu, sepse, njeriu para vetes ka shumë dëshira, shumë detyra, shumë gëzime, lumturi dhe hidhërime, të cilat, nganjëherë të bëhet se të gjitha së bashku e bëjnë atë sfidën, të cilën, jo rrallë, duhet ose të detyrohet për ta bartur e transferuar nga një në një rrafsh tjetër. Këtë udhë apo këtë rrugëtim, Skënder Buçpapaj na imponon që në fillim të veprës me një poezi antologjike, e cila jo vetëm se lexuesin e bën për vete, por vargjet e saj shndërrohen në histori të tërë, në arkitekturë ndijimi dhe në rrugëtim të natyrës deskriptive, veçori këto të cilat, mallin mbase edhe mesazhin e vejnë dhe e projektojnë në shumë rrafshe dhe këndvështrime. Është kjo poezia “Udhës për tek nëna”, që përjetimi dhe shkrimi i saj besoj se kurrë nuk do të mund të përsëriten në asnjë periudhë, në asnjë kohë dhe në asnjë situatë.
“Shpirti i saj si një ortek meditues drite u ngjit, lartë madhërisht fluturim krejt parrëmujshëm, krejt heshtur”. Ky varg, thuaj se është formula kryesore edhe e poezisë në fjalë, edhe e jetës, edhe kohës dhe periudhës për të cilën shkruan poeti, por, është edhe formulë e tërë këtij libri me titullin kaq indikativ dhe provokativ. Nëna, është qumështi më i përçudët i dashurisë, është fjala më hyjnore, e cila edhe trishton edhe obligon, është rrugëtimi me tharmin e lumturisë dhe të krenarisë, që të përcjellë deri në varr, e, edhe përtej! Për këtë arsye, poeti këtë poezi e ka shndërruar meritueshëm në antologji, por, nëse lexohet me peshën mendjes, e mallit dhe të përvetësimit të periudhave kohore, ajo është edhe poezi enciklopedike e tërë asaj që quhet jetë.
Ndërkaq, toponimet, sinonimet dhe emrat e shumë vendeve dhe të shumë njerëzve dhe personaliteteve, kanë vlerë shumëdimensionale, sepse historinë: “...nëna ime e mbante gjithmonë poshtë jastëkut, kur pushonte, kur flinte, kur ishte pa qejf apo e sëmurë”!
“Frika nga Atdheu” që përfshinë shtatë njësi cikle, sikur shpreh atë mllefin për mungesën e rrëfimit të mëkatit dhe anasjelltas; të mëkateve të rrëfimit, sepse, ndoshta nuk është shumë apo fare e njohur, por edhe rrëfimi i ka mëkatet e veta, të cilat, gjithnjë qëndrojnë apo fshihen brenda një si guace karakteristike, në të cilën ëndërrohet për xhevahiret e virtytit. Kështu, duke ndier afshin dhe mallin për vendlindjen, për tokën dhe zjarrminë e saj pezmatuese dhe karakteristike, autori në shumë prej poezive shpreh etjen e njeriut, por edhe begatinë e këngës, dhe këndimin e bën ëndërr dhe përrallë edhe të moshave fëmijërore, sepse, njeriu i ngjanë lumit: “Ai rend gjithnjë drejtë burimit të vet/...Rërën e ka prej syve të zogjve/Që u plasën/Nga mallkimi i foleve”.
Si në këtë vepër, rrallëkund mund të hasim prezantimin e biografisë por edhe të historisë, përmes vlerave dhe tablove aq të fuqishme dhe të ngrohta artistike dhe letrare, të cilat krijojnë imazh dhe vizualitet të këndshëm për krajatat e jetës, të cilat, nganjëherë, nga përjetimi i fortë, i ngjajnë “ëndrrave përrallore”, që kujtimin gjithnjë e bëjnë të fortë, mendimin të palëkundshëm, pa marrë parasysh motivimin, temën apo edhe periudhën kohore dhe historike, edhe pse rruga nganjëherë: “Është fshehur nën palat e gjetheve të ahave/Nën myshqet e trungjeve”, kurse, “Krojeve u ka fluturuar trupi/Dhe u ka mbetur shpirti/Etjen time e shuaj/Veç me helmin tim”!
E tërë kjo histori e këndimit, jo vetëm se imponon kënaqësinë dhe detyrimin e vargëzimit, por, deshe apo nuk deshe, të detyron ta komentosh pelegrinazhin jetësor, i cili, s’është gjë tjetër veçse një pasqyrë krenare por e dhembshme e tërë asaj e cila quhet ecje me ngritje e rënie, me dhembje e lumturi, që, të gjitha së bashku sikur përbëjnë një trung, dhe njëra pa tjetrën dot nuk qëndrojnë tek njeriu por edhe as tek poeti. Kjo, ngase edhe këto elemente përcjellëse e kanë pasur, por edhe sot e kësaj dite edhe e kanë të njëjtin fat në ecjen aq kacafytëshe, por edhe aq brilante, që njeriut, jetën ashtu siç e kishte dhe siç e ka, ia shndërron në lakmi të pashpjegueshme, e cila gjeneron dashuri e ngrohtësi, butësi, afërsi e harmoni edhe “Në kohë Kallukanxhësh”, kur, “Mjegullat s’të lënë të shohësh/As gishtin që të futet në sy”!
Harta poetike e krijuesit, vlerat dhe karakteristikat e formës shprehëse
Panoramat më të mundshme që mund të realizohen ndonjëherë, sikur ia shkarkojnë shpirtin poetit, i cili gjithnjë është i mbushur me plotë vrer vetëm e vetëm për ta thënë të tërën atë që i vlon brendapërbrenda; pra, edhe të madhërishmen, edhe të bukuren, edhe hidhërimin. Por, bashkë me të gjitha këto, e shpreh edhe lumturinë dhe përmallimin, të cilat i krijojnë por edhe i frenojnë Alpet dhe Valbona, për çfarë, fuqishëm dhe katërçipërisht, poeti shpjegon, rrëfen dhe porositë. Andaj, me të drejtë dhe bukur, e ndoshta
A, nuk është ky varg si kambanë, jo për të na i shurdhuar veshët, siç janë edhe shumë vargje dhe poezi të tjera?! Kështu, pothuaj se në të gjitha poezitë tek libri “Frika nga Atdheu” trumbeton nga diçka që ta kujton hartën e mendimit atdhetar, e cila shpeshherë del e gjymtuar dhe ndonjëherë edhe e përbaltur! Këtu qëndron edhe ajo madhështia e vargut, a cila lë përshtypjen që vepra të kuptohet si një enciklopedi e “çuditshme”, dhe ndoshta e para e këtij lloj këndimi poetik aq të përkushtueshëm, por edhe e përcjellë me një idilikë, e cila qëndron si flori tek gjërat më të çmueshme, më të shtrenjta,... siç është atdheu.
Atdheu dhe vendlindja, por edhe tërë ajo që i përcjellë, janë “ditari” më i përpiktë i shkrimtarit, i cili në asnjë moment nuk e ka harruar këndimin as për psherëtimën dhe as për thesarin që ka toka. Po ashtu, ai na “obligon” edhe këndimin për ta ruajtur dhe kujtuar tërë atë begati e histori, për t’i bërë edhe amshim, por, po qe nevoja, edhe feniks se obelisk po se po. Pothuaj se të kësaj “çmendurie” janë të gjitha poezitë e kësaj vepre, dhe se, secila lë gjurmë në mënyrën e vet, të bëjnë për vete dhe të lënë pa gjumë po ashtu në mënyrën e vet.
Për këtë arsye, autori i kësaj vepre përpiqet dhe ia arrin ta shprehë tërë atë që ka për ta thënë. Bile, këtë e bën edhe me ngulm, por edhe me mall dhe me peshë dhembjeje, e që, të gjitha këto së bashku sjellin lumturi. Andaj, nuk është i rastit edhe rrëfimi: “Krijimtarinë time e kam filluar/Në fëmijërinë time të hershme/Si ndërtues/ Krojesh në bjeshkë”. Kjo, do të thotë se poeti është si kroi dhe dot nuk shteron. Kjo simbolikë është prezent kudo në veprën “Frika nga Atdheu”. Për këtë dhunti Buçpapajt, flasin edhe vargjet: “Dielli del prapa malit/Si merimanga pëlhurën e vet/End rrezet e veta/Për t’i zënë pritë/Ditës së re”. Shih, se çfarë mesazhi na sjellin këto vargje. Në këtë rast, duke përjashtuar të gjitha përplasjet dhe rrugëtimet aq interesante dhe të dhembshme që i ka pasur dhe i ka populli dhe njeriu gjatë jetës, në këtë aspekt, ecjen dhe rrugëtimin e ri, poeti e sheh si forcën dhe dashurinë më të veçantë për atë që ai dhe njeriu do t’i sjell kombit e njerëzimit, por gjithnjë duke ngritur zërin për punën e pagjumë, sepse, “Pakohësi e dëmshme/Është vonesa”!
Po ashtu, duke kënduar për të gjitha këto gjëra, që poeti në një mënyrë i shndërron në vulë të “çuditshme” të historisë, apo më mirë për të thënë, të kohës, ai gjithnjë kërkon rrugë të reja, forma të reja dhe njerëzore, kërkon motiv tjetër, ndër të tillë edhe më të çuditshëm: “Të çohet një erë mbi botë/T’i lerë shtatzëna njëherësh/Lulet/Dhe gratë/Gjithë/Gjininë femërore/Të bimëve/Dhe frymorëve/Mbi planet/Amen”! Një lutje e tillë shpjegon edhe për një tjetër fenomen; për fisnikërimin e ndjenjës dhe të mendjes së njeriut...
Përveç vargëzimit në këtë mënyrë, S. Buçpapaj, di edhe, kushtimisht të hidhërohet, apo ta shpreh atë idhëcimin e brendshëm për rrjedhat e jetës, që janë koloriti apo konglomerati më karakteristik, duke filluar nga koekzistenca, qëndresa, dashuria, pajtimi e mospajtimi e deri tek shkapërderdhja dhe ikja e detyrueshme nga atdheu, si shqiponjat kur atyre ua prishin dhe ua djegin foletë. Për këtë, ai, gjithnjë është në kërkim të njeriut dhe të veprës së tij të mirëfilltë , e jo të jetë dëshmitar i “Qytetit pa poetë”, pa shkencëtarë, pa intelektualë, pa njeriun e urtë e të ndërgjegjshëm të tokës dhe të vendit të vet. Ndërkaq, kurbeti, si njëra prej plagëve më të rënda dhe më shpirtthyese e gjëmëprurëse, është pjesë e dhembjes dhe e trishtimit edhe e poetit. Andaj, ai, makthin e shtron dhe e pedat në sofrën e vet në mënyra e forma të ndryshme, por që, dëshiron t’i gjejë rrugëdaljet fatlume duke u mbështetur në fanatizmin e atdhedashurisë: “Të gjithë të ikurit/Kanë gjetur/Mënyrën e tyre/Të rikthimit./Nga ato/Më e përkryera/Është moskthimi”! Vargu i fundit, mjeshtërisht nxjerr në pah pezmatimin por edhe dashurinë e amshueshme për atdheun, që në këtë rast, moskthimin duhet kuptuar hiq ndryshe, pos si revoltë, se atdheu është aty ku fillon dhe mbaron jeta e secilit.
Një mori poezish në këtë vepër prej afro treqind faqesh, nxjerrin në shesh lëngun më të ëmbël dhe më pelin që madhështojnë çdo gjë që lidhet me tokën, me vendlindjen, me atdheun. Andaj, shprehjet dhe fjalët, si: pishat, kodra, gargulli, Shkumbini, Valbona, Nikaj, Mërturi, bokat, qershitë e egra, pyjet e gështenjave, Curraj, flora, fauna dhe shumë e shumë shprehje e toponime të tjera, janë harta më e mirë e poetit dhe galeria e jetës, të cilat merr ngjyrën e përjetësisë, të mallit e gjakut, që nuk shlyhen dot dhe kurrën e kurrës.
Frika nga atdheu si kuptim i artikulimit të vetëdijesimit të njeriut
Duke pasur parasysh, se, S. Buçpapaj, në lëkurën e vet, përveç shumë përplasjeve dhe vuajtjeve, e ka ndier edhe mërgimin, ai e di dhe e çmon peshën e këtij fenomeni të njeriut tanë, i cili këtë e ka përjetuar për shkaqe të ndryshme dhe në mënyra po ashtu të ndryshe. Ndërsa, Kosova, autorin, normalisht, e ka bezdisur dhe pa hyrë në shpjegime për këtë, atë e ka pjesë të shpirtit, të tokës, të atdheut dhe të zemrës. Nga pesha që ka Kosova tek ai, poeti sikur frikshëm dhe prej mallit që ka, kapë mendimin për ta shkruar poezinë: “Udhëtimi im i vetëm në Kosovë”: “...Isha hije e butë ylberi/Për të udhëtuar në Kosovë/Fjalë me gojë për të mos folur”!
Çfarë do të thotë kjo?! Të gjitha këto dhe vargjet e tjera, sikur i ka shndërruar ai në provokim, ose lexuesve për tu thënë: komentojeni Ju lirshëm këtë vargëzim timin! Ky është mesazh, përmes të cilit, lexuesit ia artikulon shumë gjëra jo vetëm për vetëdijesim e ndërgjegjësim... Ndërsa, dhembja e autorit dhe mungesa e atdheut, këto gjëra, ndonjëherë atë e kanë shndërruar në rebel të pafuqishëm prej poeti dhe atdhetari, i cili nuk ka mundur dhe as nuk ka qenë në gjendje t’i thotë të gjitha. Ndoshta e tërë kjo ndodhë, edhe nga nostalgjia e cila nganjëherë t’i kapërthen dhe t’i grabitë të gjitha, edhe ndjenjat, që pastaj i ngjajnë një makthi.
Ikjet nga vendlindja gjithnjë përjetohen rëndë, dhe ato i ngjajnë kufirit në mes të jetës dhe çmendurisë: “...Kam ikur i përcjellë gjer larg nga të gjithë/Kam ikur duke i lënë të gjithë në gjumë/...Ik e ik gjithnjë/E më shpesh/Nga vendlindja”. Janë këto ato dhembjet dhe akuzat për braktisjen e atdheut, që të mbushin helm e hidhërim. Ky është mesazhi me shumë se mësim, i poetit: “Kam ikur i përcjellë,,,. Kam ikur duke i lënë në gjumë”! Nga kjo nxjerr kokë frika nga atdheu, e cila frikë mund të ketë shumë konotacione, sepse, atdheu sido që të jetë, ai mbetët djep, ëndërr, dëshirë, zjarr e mall, tokë për tu kthyer e për të jetuar por edhe për të përfunduar për te dhe në te!
Duke e pasur këtë frikë e këtë ëndërr në të njëjtën kohë, poeti ligjëron me peshën e mallit sa nuk ka ku shkon më: “...Nëpër udhët e udhëkryqet e botës/Shpesh emigrantët/Përplasin këpucët/Se mos iu është ngjitur Atdheu/...Mëngjeseve në botën e huaj/Emigrantët hapin dritaren/E banesës së tyre/Fshijnë sytë/Nga frika/Se mos në oborr/Iu shfaqet Atdheu/Që ka ardhur të kërkojë strehim/Nëpër botë”! Kjo shprehje e dufit, mund të ketë dy kuptime të pandashme; atë të shkrumbit dhe të dhembjes se njeriut ndaj atdheut, dhe atë, që gjendja e Atdheut është përplasëse, dhe si fotomorgamë të bëhet se do të ikën edhe ai. Sa e fuqishme dhe qortuese është kjo metaforë për realitetin që na sjellë autori i veprës, i cili tërë këtë e plotëson dhe i jep kuptim edhe më të thellë rrugëtimit të atdheut por edhe të njeriut, varri i të cilit në dhe të huaj “...dallohet lehtë/Nga ferrat, kashtrajat, hithrat/Sipër tij/...Mos iu afroni/Varrit të mërgimtarit në dhe të huaj/Duart e tij do t’ju kapërdijnë”!
Edhe këtë, poeti e konsideron pjesë të frikës nga Atdheu. Andaj, Skënder Buçpapaj, në këtë vepër ka prezantuar ndijimin sublimë të tij dhe të njeriut, i cili në këtë rast shndërrohet në histori, bëhet Atdhe, dhe ëndrrat i shkrinë në vendlindje. Këtu edhe përmbyllet mesazhi fondamental i kësaj vepre poetike e cila i ngjanë një antologjie, e pse jo edhe monografisë specifike. “Frika nga Atdheu”, pos tjerash, sikur t’i detyron tre faktorë, të cilët, nganjëherë kur i mendon njeriu, të kaplojnë drithërimat. Ata faktorë janë: ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia për ta dashur tokën dhe njeriun, pastaj vetëdijesimi dhe përgjegjësia për tërë atë që e bën dhe e krijon, dhe faktori i tretë është rrugëtimi historik, pjesëtarë të të cilit është çdonjëri me bagazhin që brenda tij ka begati e varfëri nga gjithfarësh. Andaj, si vepër e tillë dhe padyshim me veçanti, i begaton letrat shqiptare dhe më gjerë.