Faleminderit
Luan Rama: "Dominus” Merkur Bua, Historia e një pasardhësi të denjë të Gjin Bua Shpatës
E enjte, 18.03.2010, 09:35 PM
"Dominus” Merkur Bua, Historia e një pasardhësi të denjë të Gjin Bua Shpatës
Nga Luan Rama
Në historinë evropiane Mërkur Bua njihej si një nga stratiotët më të famshëm, i cili do të merrte gradën «gjeneral» të kavalerisë franceze të mbretit Louis XII. Madje në dokumentet venedikase, ai cilësohej «magnifico conte Mercuri Bua» apo «Dominus Mercurio Bua». Nga të parët kronistë të vjetër, është italiani Marino Sanudo ai që na përshkruan prestigjin e këtij luftëtari, edhe pse i vjen keq që ai ishte angazhuar tek një prej armiqve të betuar të Republikës së «Shën Markut». Megjithatë ai e di lidhjen e llojit, apo të gjakut që i bashkonte shqiptarët, pavarësisht se ç’mund të ndodhte. Pra ata nuk e luftonin asnjëherë njëri-tjetrin edhe po të ishin në ushtri kundërshtare. Pas fitores venedikase të vitit 1513, Mercurio Bua pranoi tu shërbejë venedikasve dhe u propozoi të tërheqë me vete dhe shqiptarët që i kishin mbetur besnikë perandorit. Sanudo përshkruan pritjen e organizuar për nder të këtij stratioti në pallatin dukal, kur ai është i veshur me rroba të bukura dhe tepër të çmuara. Kronikanët venecianë, milanezë, etj, shkruajnë për ndihmën e madhe që ai i dha princit Malatesta Baglioni në luftën kundër spanjollëve, duke marshuar së bashku drejt Veronës, për ta çliruar atë. «Shpesh, Mercurio Bua quhej dhe Maurizio, - shkruan historiani i sotëm francez Doumerc. - «Ai ishte me origjinë nga Nafplio dhe babai i tij quhej Alessio. Ai e kishte lënë Shqipërinë në moshën 14 vjeçare, kur vëndi i tij u pushtua nga osmanët dhe menjëherë u angazhua në ushtrinë venedikase. Por ai bëri gabimin që i shërbeu zotit të Milanos, Ludovico Sforza (Il Moro), edhe pse kjo u ndalohej stratiotëve. Pas fitoreve, ai u cilësua «comte de Rocasseca» dhe i priu një ekspedite kundër Gjenovës dhe më pas u vu nën urdhërat e perandorit kundër Venedikut».
Në moshën 40 vjeçare, ai u martua me Maria Boccali (Bokali), vajzën e Catarina Arianiti, një nga krushkat e Skënderbeut. Por më vonë u martua me një patrice të re, vajzën e italianit të pasur Alvise Balbi nga San Julian, duke u instaluar më vonë në Treviso, ku dhe vdiq në vitin 1542. Por kush ishte në të vërtetë ky stratiot legjendar?
Në fakt, Mërkuri quhej më parë Morik dhe ai vinte nga Nafplio e Moresë, apo Napoli di Romania, siç quhej në atë kohë ky vend i njohur historik dhe ku kishte një pjesë të familjes. Atje buzë detit, ishin ngritur fortesat veniciane. Përballë, lart shkëmbinjve të frikshëm, ngrihej fortesa e Palamedës, ndërsa poshtë, pingul, në një rënie marramëndëse, mund të shohësh sot një plazh gati të virgjër që banorët e Nafplios e quajnë ende «plazhi i arvanitasve». Kur i vdiq i ati, Petro, atëherë ai erdhi në Venecie dhe ndryshoi emrin në Mercurio. Eksperiencën e parë ushtarake jashtë Moresë, ai e provoi në luftrat e dukes bolonjez Baglione dhe më pas nën flamurin e Venedikut, Republikës së Shën Markut, apo të «Serenissime»-s. Madje ai ishte dhe në betejën e famshme të Fornova-s kundër francezëve, që tërhiqeshin drejt jugut të Francës Por në fillimet e tij, në krye të një trupe stratiotësh, ai do të shquhej gjithashtu dhe në Toskanë, kundër ushtarëve të Pizës. Më vonë do ta gjejmë në shërbim të Federico Sforza-s, dukës së Milanos. Madje ai e shoqëroi atë gjatë arratisjes së tij në Insbruck, kur u përndoq nga francezët. Më 1500, Mërkurin e gjejmë në krye të 300 stratiotëve duke luftuar në Mortava, në Pavia dhe më pas në Vigevano. Më vonë në Piemont, në mbrojtje të Novaras. Në vitin 1503, ai u bashkua me francezët, duke mbështetur gjeneralin La Tremouille në betejën e Rocassecca-s, ku bashkë me një kapiten francez thyen sulmin e 300 kalorësve spanjollë. Prandaj dhe mbreti francez e nderoi me titullin «kont i Aquinos dhe Rocasseccas». Në dhjetor të vitit 1503, atë e gjejmë në beteja të ndryshme si në Lazio, Garigliano (në mbrojtje të një ure strategjike), etj. Po në shërbim të Francës, ai luftoi me stratiotët e tij në Bentivoglio, duke mbështetur njëkohësisht dhe Vatikanin. Me këtë rast, Papa Giuglio II, i dhuroi 1000 fiorini. Historianët tregojnë dhe se gjatë një betejë kishte vrarë kapitenin Faccendino, i cili e kishte fyer më parë gjatë një dyeli midis dy «kondotierëve» italianë.
Nga viti në vit, Mërkur Bua krijoi kështu figurën e tij legjendare. Në prill të vitit 1506, ai shkoi në ndihmë të monegaskëve, (Monaco), duke luftuar kundër 200 këmbësorëve gjenovezë ; në maj, bashkë me mbretin francez Louis II, hyri në qytetin e Milanos; në korrik, po në Milano, morri pjesë në garat kalorsiake që organizoheshin atje dhe është në krye të 400 stratiotëve. Në vitin 1508, ai luftoi në Flandre të Belgjikës, kundër trupave të dukës Gheldria dhe pastaj u sul drejt Gjermanisë, ku morri pjesë në një betejë të Bavarisë. Asgjë nuk e përmban vrullin dhe guximin e tij. Një vit më vonë, kronistët shkruajnë për luftrat e tij në kranihën e Venetos, ku plagoset nga bashkëpatrioti i tij Domenik Buziki (Domenico Busicchio). Më 1510, morri pjesë në rrethimin e Padovës dhe pastaj u kthye me shpejtësi në Friuli. Ishte koha kur otomanët po përparonin me shpejtësi drejt Italisë së veriut. Ata duheshin ndalur. Në betejën kundër tyre, ku morrën pjesë dhe trupa të tjera stratiotësh shqiptarë e grekë, nga kompania e tij u vranë vetëm 7 stratiotë, kokat e të cilëve turqit i prenë dhe i morrën me vete si trofe. Në korrik të po atij viti, ai luftoi kundër kalorësve kroatë dhe kapi rob një komandant të tyre që çuditërisht ishte kushëriri i tij, të cilin e kishte armik, pasi ai kishte dashur ta shmangte nga titujt e trashëgimisë. Më kot venecianët kërkuan që ta shkëmbenin atë për 6000 dukate si dhe 6 kuaj turq.
Bua ishte burrë i fjalës. Madje i ndodhte t’i falte robërit kur i jepnin fjalën e besës. Kështu kishte ndodhur me veronezin Giaccomo Mamalucco. Por meqë ai nuk e mbajti fjalën, në një betejë tjetër, kur i doli përpara, ai e vrau atë. Më 1513, në Verona, ai u printe 400 kalorësve dhe 3000 këmbësorëve. Me vete kishte tashmë dhe tetë topa të vegjël artilerie. Në Frassine luftoi kundër spanjollëve dhe mes robërve kapi dhe komandantin e tyre Alfonso Carvajal. Pas kësaj, kur shkoi në Venecie, ai u prit plot nderime nga dozhi Leonardo Loredan, i cili i dhuroi 200 dukate. Ishte koha kur Bua lidhi miqësi lufte me “kondotierin” tjetër të famshëm të Italisë, Bartolomeo d’Alviano. Bashkë me të luftoi në Padova, ku morri dy plagë në trup. Pastaj luftoi në Creazzo, ku theu sulmin e 4000 këmbësorëve spanjollë dhe shpëtoi nga vdekja proveditorin Niccolo Vendrammi. Bartolomeo d’Alviano e lëvdoi atë në mënyrë publike. Ndërkohë Bua shkoi në Venecie. Ai kërkoi nga Senati të marrë titullin e fisnikut venecian, pra të bëhet «Gentiluomo venezziano»; të ketë një rrogë mujore prej 100 dukatesh, një shtëpi në Nafplio të Moresë, si dhe të ketë një trupë («condotta») prej 200 kalorësish stratiotë dhe 100 këmbësorësh.
Në vitin 1514, Bua ndërkohë ishte bërë mjaft i njohur në luftrat e Italisë. Bashkë me Bartolomeo d’Alviano-n, ai u prit nga «Consiglio dei Savi» dhe kërcënoi të largohej nëse kushtet e tij nuk pranoheshin. Në maj të atij viti, kronistët shkruajnë se ai “është në krah të dozhit të Venedikut në disa mesha e ceremoni publike”. Në korrik, Këshilli venecian vendos t’ia plotësojë të gjitha kërkesat, ku «150 stratiotë do t’i vijnë nga Levante», pra nga Nafplio.
Jeta e Mërkur Bua-s ishte tashmë një sinonim betejash: kur hyri në Rivigo, ai i sulmoi papritur spanjollët, duke kapur prijësin e tyre; në Camisano Vicentino, sulmoi këmbësorët spanjollë, i vrau të gjithë dhe kapi robër 100 kalorës; në Montagnana, burgos ca kalorës gjermanë; morri pjesë në «Battaglia Treme»; në Conselve, në krye të 200 stratiotëve shpartalloi spanjollët, duke i kapur robër të gjithë. Proveditori i përgjithshëm i Venedikut Domenico Cantarini, (pra Komandanti Ushtarak i Vendedikut), e lëvdoi atë në mënyrë publike. Në dhjetor, stratiotë të shumtë i vijnë nga Nafplio. Janë bashkëpatriotët e tij. Por shumë shpejt lufta e thërret në Bergamo. Në vitin 1515, ai u kthyr në Venecie. D’Alviano mbështeti kërkesën e tij drejtuar Senatit që të gjithë stratiotët e ushtrisë venedikase të viheshin nën komandën e tij. Por kjo ishte e vështirë për bashkëpatriotët e tij që ishin jo pak të lavdishëm. Gjergj Buziki, Petro (Pjetër) Reneshi dhe kapitenë të tjerë, e lanë Padovën dhe shkuan pranë «Collegio» të Venedikut për të mos e pranuar atë si komandant të tyre, por që të kishin si prijës më mirë një proveditor venecian. Ndërkohë, Bua u printe 400 kalorësve dhe morri pjesë në betejën e Malegnano-s, ku u plagos në mjekër. Por ai i përndoqi zviceranët dhe milanezët, duke u kapur katër topa artilerie dhe dy flamuj. Në Cremona, ku ka burgosur ca të rrebeluar kundër mbretit të Francës, «kondotieri» Trivulzio ishte gati ta pagonte shtrenjtë që ai t’i lirojnte ata, Bua i liroi pa i kërkuar shpërblim. Në krah të tij, qëndronte tashmë dhe nipi i tij Marcantonio, i cili e nddoqi ngado nëpër beteja. Më 1516, ai luftoi përsëri në Cremona, Beregamo, Verona, Adige. Italinë e veriut tashmë e njihte me pëllëmbë. Më 1517, «condotta» e tij paguhej shumë shtrenjtë nga Senati: 4000 dukatë në vit.
Eshtë interesant fakti që në dokumentet veneciane, kur shkruhet për kthimin e tij në Venecie me rastin e «pagëzimint të djalit të tij në kishën e Santa Maria Formosa», i biri i tij quhej Pirro, çka tregonte se Mërkur Bua kishte si idhull Pirron e Epirit të lashtë. Madje atë kohë, në Venecie, ai morri pjesë në një mbledhje të Senatit, çka ishte një privilegj i madh. Më 1520, tregohet se Bua është pritur nga dozhi venedikas; se «Këshilli i të Dhjetëve» («Consiglio des Dieci») i ka pranuar të gjitha kërkesat e tij dhe se në korrik të atij viti, ai ka filluar dhe ndërtimin e një shtëpie në Treviso. Në shtator, merr pjesë në Këshillin e Luftës, ku diskutohet për pushtimin e Parmës që e mbajnë ende spanjollët. Dhe ai niset. Asgjë nuk mund t’i rezistojë vrullit të tij. Por ja që në gjithë këto beteja, nuk ka vetëm fitore. Kur ishte në mbrojtje të Milanos, ai ra nga kali, çka solli që ta kapin rob. Federoico Gonzaga e dërgoi atë në Mantova, por në sajë të famës së tij, më pas e liroi, pa kërkuar shkëmbim. Në korrik të vitit 1523, Bua u prit përsëri nga dozhi venedikas Gritti dhe një vit më vonë, po në Venecie, i vdes gruaja e tij, vajza e bashkëpatriotit të tij Niko Bokali, e cila varroset në kishën e San Biagio-s.
Vite më vonë, Mërkur Bua do të vazhdonte luftën kundër spanjollëve, madje dhe kundër gjermanëve apo trupave të Brunsëick. Më 1529, «Consiglio des Savi» e emëroi atë guvernator të Rovena-s. Më 1537, me tërheqjen e trupave otomane nga Korfuzi, ai i kërkoi Senatit venecian të ndërmerrte operacione luftarake në Moré, por Senati nuk donte të largoheshin trupat e tyre aq larg. Një nga takimet interesante dhe të fundit të Mërkur Bua-s, ishte dhe ajo e vitit 1541, kur ai priti dhe përcolli drejt Francës ambasadorin francez, që vinte nga Stambolli, fisnikun Antoine Rincon. Tashmë Bua nuk ishte më në moshë të përdorë shpatën si dikur. Ai u tërhoq në Trevizo për të kaluar vitet e fundit të jetës së tij. Kur vdiq, trupi i tij u varros në kishën e Santa Maria Maggiore, ku më vonë skulptori italian Agostino Busti ndërtoi një ansambël skulptural për nder të tij bashkë me mbishkrimin, ku jepeshin shërbimet e tij ndaj Venedikut, mbretit të Francës, perandorit të Gjermanisë, etj: “MERCVRIO BVA COMITI E PRINCIBYS PELOPONESI, EPIROTARYM EQVITVM DVCTORI QUI GALUS IN ARAGONEOS DOMICANTIB…», duke vazhduar me shërbimet e tij ndaj pizianëve, Ludovico Sforza-s, Papës, perandorit Maximilian, mbretit francez François I në betejën e Marignane-it, etj.
Nga lavdia e Mërkur Bua-s na ka mbetur dhe piktura e famshme e piktorit italian Lorenzo Lotto, i cili kishte pikturuar dhe dozhin Loredan. Një tablo e mrekullueshme, që mban titullin “Fisniku” (“Gentiluomo”) dhe ku sipas ekspertit të artit italian Ricciardi, bëhet fjalë për “kondotierin” Mercurio Bua. Qyteti në sfond të kësaj figure është vetë Trevizo dhe në rrethinat e qytetit tregohet “Shën Gjergji” duke luftuar, një simbol mbrojtës i grekëve dhe shqiptarëve. Lotto na e paraqet heroin e vet në këmbë, me një beretë të zezë, me dorën e djathtë mbi një tavolinë, ku duket një kafkë e vockël rrethuar nga petale trëndafili e jasmini (simbol i vdekjes së gruas së parë, Bokali) dhe ku në dorën tjetër, ka vendosur një unazë në gishtin e vogël (pra unaza për gruan e tij të vdekur) dhe në gishtin tregues, unaza e martesës që dytë që do të bëhej me një fisnike veneciane.
Nga stratiotët e tjerë Bua, kronistët mesjetarë, veçanërisht ata të epokës së “luftrave të Italisë”, përmendin dhe Alessio Bua-n apo stratiotin tjetër Pradano Bua, nipi i vet Mërkur Bua-s.
Alessio apo Aleksi, kishte ardhur nga Nafplio e Moresë në Venedik në vitin 1509 dhe më vonë kishte luftuar në Veneto, në krye të 30 stratiotëve (1510); në Mestre, në krye të 130 stratiotëve, etj. Në Veneto, gjatë një beteje ai u kap rob, por shumë shpejt u shkëmbye me robin kundërshtar Francesco Maldonaldo. (1511). Alessio morri pjesë në mbrojtjen e Veneto-s në vitin 1514 dhe vdiq në vitin 1526. Lidhur me Prodano Bua-n, ai shërbeu në fillim në ushtrinë e Federico Gonzaga dhe më pas u bashkua me trupën e Mërkur Bua-s. Në fillim ai i printe një skuadre prej 15 stratiotësh, por në Crema, e gjejmë në krye të gjashtëdhjetë stratiotëve. Morri pjesë në luftën për pushtimin e Pavias në vitin 1528 dhe vdiq në vitin 1540.
Ndër emrat e stratiotëve shumë të lavdishëm rradhitet dhe familja Buziki apo familja tjetër Albanese. Nga familja Buziki (Busicchio) shquhen Reposhi, Pjetri, Domeniku, Gjergji dhe Viero Buziki. Në vitin 1473, pak kohë pas vdekjes së Skënderbeut, Pjetër (Piero) Buziki mori pjesë në luftën për rrethimin e Micra-s në Licia. Kronistët e kësaj kohe shkruajnë se kur Isa Bej, që erdhi në ndihmë të të rrethuarve u shfaq në betejë përballë Pjetrit, ky e vrau kapitenin turk me një goditje të shpatës. Pas kësaj ngjarje, stratiotët u kthyen bashkë me kapitenin e përgjithshëm venecian Piero Mocenigo dhe me 115 koka të prera dhe 64 robër turq. Dy vjet më vonë, Pjetri u shfaq në Venecie. Atje ai u shpall “Kalorës i Shën Markut” në një ceremoni të veçantë dhe bashkë me proveditorin Bernardo Cantarini, ai u dallua në betejën gjatë rrethimit të Novarës, ku ishte dhe Domenik Buzikin, por një vit më vonë, më 1496, në Troia të Puljes ai vdes papritur nga ethet. Reposh Buzikin, stratioti tjetër i famshëm dhe pinjoll i kësaj familje, në vitin 1495 e gjejmë në rrethimin e Novarës bashkë me Domenik Buzikin. Ai u shpall kalorës nga duka i Milanos, Ludovico Sforza dhe luftoi gjatë kësaj periudhe kundër fiorentinasve në rrethinat e Pizës. Por ngjarjet e rënda në Moré e thirrën për të luftuar kundër otomanëve: së pari në mbrojtjen e Nafplios e pastaj në pushtimin e kështjellës Tremisi, të cilin e mbanin turqit. Një betejë e rëndësishme në Moré ishte ajo e vitit 1502, kur në krah ai ka dhe Domenik Bizikin, Stin Buxi dhe stratiotin tjetër shqiptar Domenik Manasi. Në vitin 1504, kur hynë në Venecie, ata u pritën si triumfatorë. Madje dozhi Leonardo Loredan i priti në mënyrë të veçantë. Në vitin 1508 ai shkoi të bashkohet me Bartolomeo d’Aviano në Friuli. Por po atë vit, ai vdiq papritur në Candia (Kreta). Senati venecian i dha të birit një pension prej 25 dukatesh. Betejat e këtij heroi kanë qënë të lidhura ngushtë me ato të Domenik Buzikit, i cili në citimet ushtarake rreth stratiotëve është cilësuar “Capitano valoroso”, “capitano di soma autorita” dhe “capitano favosissimo”. Pasi luftoi nëpër Italinë e ndarë në disa dukate e mbretëri, në vitin 1519, ai u nis nga Nafplio për në Zante dhe që andej drejt Venedikut, ku erdhi të merrte pjesë dhe në kurorëzimin e Mesa Grebesit, bashkëpatriotit të tij, si “Kalorës i Shën Markut” nga dozhi Loredan. Kronikat shkruajnë se ai vdiq po këtë vit në Cassiano dhe funeralet u zhvilluan në kishën San Biagio.
Gjergj Buziki citohet së pari kur ai shpallet “Kalorës i Shën Markut” në Venecie. Pas kësaj ngjarje, bashkë me proveditorin venecian Bernardo Cantarini, ai shkoi drejt Napolit, të mbështeste aragonezët. Më pas u kthye në Veneto dhe luftoi gjithashtu në Padova. Në vitin 1514, në krye të 43 stratiotëve, atë e gjejmë në Brentelle, bashkë me Mërkur Bua-n dhe Malatesta Baglioni, duke luftuar kësaj rradhe kundër spanjollëve. Në nëntor të atij viti, bashkë me bashkëpatriotin e tij Teodor Reneshi, luftojnë në Breschia kundër spanjollëve. Teodori vritet gjatë luftimeve të vitit 1515, pranë Zogianos, dhe ai, për të shpaguar vdekjen e shokut të tij, bëri një reprezalje të tmerrshme kundër Zagianos. Për këtë, Bartolomeo d’Aviano e qortoi rëndë. Në shtator të atij viti, në krye të 100 stratiotëve, ai luftoi në krah të Mërkur Bua-s në Valeggio. Në vitin 1520, Gjergjin e thërrasin për ndihmë në Udine. Një vit më vonë, gjatë luftimeve në Reggio Emilia, ai u bllokua në një kënetë bashkë me 14 kalorës që i kishte kapur robër, por kësaj rradhe ra rob vetë. Megjithatë, disa ditë më vonë, ai arriti të arratisej dhe të bashkohej me kampin venecian. Pas kësaj ngjarje, ne e gjejmë tashmë në Kroaci, ku lufton në rrethinat e Zara-s kundër otomanëve. Më 1527, kronikat shënojnë se ai është duke luftuar në Bologna, ku kapet rob, meqë kali i tij refuzonte të kapërcente një gropë para tij. Por princi Orange e liroi. Pikërisht në këtë mjedis shkruhet dhe për luftëtarin Ferrante Kastrioti, i cili luftonte krahas Teodor Bokalit. Gjergj Buziki vdes gjatë një beteje të po atij viti, në afërsi të Napolit. Viero (Vittore) Buziki, ishte djali i Gjergjit dhe me vdekjen e të atit, atij i jepet një “condotta” (e drejta për të udhëhequr një trupë) prej 30 stratiotësh. Në korrik të atij viti, ne e gjejmë atë në mbrojtje të Trani-t. Por shpejt ai u kthye në Moré për të luftuar në mbrojtje të Nafplios, i cili kërcënohej parreshtur nga turqit. Nga Nafplio, ai u nis drejt Argos, jo larg qytezës së tyre, e cila mbahej nga një kështjellë në majë shkëmbenjsh. Pasi vret atje 150 turq ai kthehet në Nafplio bashkë me 30 koka të prera. Por sulmet turke ndaj Nafplios nuk rreshtin. Ajo është pika kyçe që mban Morenë. Të rrethuar prej shumë kohësh dhe duke ndjerë nevojën e ujit, bashkë me 60 kalorës dhe 300 këmbësorë, ai del për të kërkuar ujë në puset përreth, por papritur sulmohet nga otomanët dhe në tërheqje e siper goditet në qafë. Disa ditë më vonë, në kështjellën e rrethuar, ai vdes.
Arkivi i Venedikut ka dokumente të shumta rreth këtyre stratiotëve, të cilëve u lidheshin pensione apo sistemoheshin me familjet e tyre në rrethinat e Venecies apo në zotërimet e Venedikut si në ishujt e Greqisë, Zante (ku u jepnin toka për tu vendosur dhe për t’i kultivuar), etj. Në një nga këto dokumente të datës 22 shtator të vitit 1480, Senati vendos “një pension për familjen e të ndjerit Dhimitër Bokali, i cili ka lënë në varfëri gruan dhe një vazë 7 vjeçe dhe që ishte një prej krerëve të stratiotëve të dërguar në Durrës bashkë me 300 stratiotë për të ndihmuar Krujën. T’i jepen gruas 3 dukatë në muaj dhe vajzës 150 dukatë për prikën e saj.” Më 7 qershor të vitit 1487, vendoset nga Senati “të shpërblehen dy vëllezërit stratiotë Manesi (Mandi dhe Demetrio), dy bijtë e Marin Manesit, i cili në kohën e luftës së Peloponezit, ishte rrjepur mizorisht nga turqit”.1 Me vendime të posaçme janë trajtuar stratiotë si Miko Golemi, Saraçin Mazi, Dhimitër Staçi, Andrea Kuçi, Neri Klementi, Barbi Manashi, Ilia Zanga, Kosta Kuçi, Gjin Skuri, Nikolla Bua, Gjin Karapsa, Llazar Kalenxhi, etj. Më 24 shkurt 1489, shkruhet se “Venediku i jep rrogë Anton Zamblakut, birit të stratiotit të vdekur Miço Zamblaku (Zamblaco)”. Në një dokument tjetër tregohet për stratiotin e famshëm Duma Buzukio (Buzuki), i cili kishte ardhur prej kohësh në Venedik në krye të 50 stratiotëve. Meqë Duma sapo ka vdekur, tani është biri i tij 22 vjeçar, po aq i aftë në mjeshtërinë stratiote që i paraqitej Këshillit. Ai kërkonte të udhëhiqte stratiotët e të atit bashkë me Reposh Buzukin, xhaxhain e tij. “Të merret vendim që t’i jepen Nikollës 12 dukate në muaj, të cilat do të paguhen nga Dhoma e Kretës, sikundër paguhej dhe i ati. Të vendoset që për martesën e motrës së tij, të jepet një ndihmë prej 100 dukatesh, që ajo të shkojë tek burri i saj”. Në 17 tetor 1493, Senati vendos “për sistemimin e familjes së të ndjerit stratiot Pjetër Reneshi (Piero Renesi): Leka, gruaja dhe tri bijat e tij”. Më 23 shkurt 1493, “Këshilli i të Dhjetëve” i Republikës së Venedikut, vendos “të rekrutojë si stratiot Gjergj Golemin nga Drishti dhe Progan Bazlakun, dhe ky nga Drishti, të cilët që të dy kanë qënë në ekspeditën turke drejt Himarës, por më pas kanë dezertuar… Janë burra të ndershëm e besnikë”. Ndërsa një vit më parë, po Senati kishte vendosur “të marrë në shërbim të vet Comini dhe Theodori, dy bijtë e stratiotit besnik Pjetër Frashina (Piero Frassina), i cili kishte qënë guvernator i stratiotëve në ekspeditën e Peloponezit”. Me interes është dhe një dokument i 6 shtatorit të vitit 1496, ku Venediku urdhëron lëvizjen e stratiotëve shqiptarë për tu vendosur në Dalmaci, të cilët më parë kishin qënë në shërbimin e mbretit të Napolit si, “Dhimitër Lascari me 20 kuaj, i caktuar të shkojë në Zara; Alexio Gambura, Camin Frossina dhe Zorzi Pagameno, po me nga 20 kuaj të vendosen gjithashtu në Zara; Nikolo Bokali me 50 kuaj në Shebenik dhe Zorzi Malakaso me 40 kuaj në Tran (Trogir)…”
Në librin e tij Rrugët e mërgimit, (Les chemins de l’exil) bizantologu Alain Ducellier, pohon se «në Venedik, në vitin 1447, ishin së pari shqiptarët dhe stratiotët, të cilët fituan të drejtën të organizohen në një ndërtesë që i takonte komunitetit, pas një regjistrimi pranë San Maurizio.» Kështu në qëndër të Venecies, u krijua ajo që do të quhej “Scuola degli albanesi” dhe ku do të linte gjurmët e artit të tij të madh Vittorio Carpaccio me pikturat e tij të famshme të viteve 1504-1508, apo ciklin e quajtur Historia e Virgjëreshës, të cilat hynë në historinë e artit. Ishin gjashtë skena të jetës së Shën Marisë, ku spikasnin veçanërisht Lindja e Virgjëreshës, Martesa e Virgjëreshës dhe Lajmërimi.
(Footnotes)
1 Dokumenta të shekullit XV për Historinë e Shqipërisë, Vëll.14, Botim i Universitetit Shtetëror të Tiranës, 1967
Komentoni
Artikuj te tjere
Rozi Theohari: Me rastin e 45-vjetorit të vdekjes së Theofan Stilian Nolit
At Viktor Volaj, mbërrijnë dorëshkrimet e vyera në Arkivin e Françeskanëve
Fran Buzhala: Dëshmorët e Kombit
Kalosh Çeliku: Mehmedali Hoxha vizionar dhe burr? i pen?s
Jahë Sadrija: “Ose ta ndërtojmë Kosovën, ose të shuhemi të gjithë”
Bedri Tahiri: Prekazi kurrë nuk e vrau këngën e vet
Engjëll Koliqi: Një dhembje e përhershme
Fritz Radovani: Një za ''ushton'' edhe sot: ''A ka Shqipni edhe për mue..?!''
Ramiz Dërmaku: Një kujtim për Kolonel Tahir Zemën
Selman Hoxha: Bali Fehë, njeriu i zakonshëm!
Arben Llalla: Në kujtim të atdhetarit dhe mësuesit Rexhep Voka - Tetova (1847-1917)
Besim Muhadri: Shaban Lajçi - Artisti që mundohet të mbajë gjallë frymën kombëtare në mesin e shqiptarëve të Amerikës
Thanas L. Gjika: Duke lexuar veprën Ali Tepelena të F. Pukevelit
Mexhid Yvejsi: Shejh Ali Kruja (1884 -1976)
Azem Hajdari : "Kisha e Shen Palit dhe Dom Anton Kçira rrezatojne drite ne Komunitetin shqiptar te Detroitit
Neki Lulaj: Akademi Përkujtimore për Atdhetarin Haxhi Dobraj
Xhevat Rexhaj: Cerrcasi - Isa H. Rexhaj veprimtar i kauzës kosovare
Xhevahir Spahiu: Poeti që hapi një portë të mbyllur
Remzi Limani: Afirmimi i vlerave shqipe në diasporë
Halit Bogaj: Adem Jashari