E diele, 01.12.2024, 08:50 PM (GMT)

Kulturë

Thani Naqo: Triptik me lirika fshati

E shtune, 13.02.2010, 05:52 PM


Thani Naqo

TRIPTIK ME LIRIKA FSHATI...  

(shkëputur nga vëllimi me lirika SIMFONITË E STINËVE botuar në vitin 2009)

MËNGJES I FLORIZUAR

Thëllëzkat e n' çuara ia morën këngës,
firon nata nëpër korie,
i përhimti agim shtrin drapërin e hënës,
kosit pllajave dritë-hije 

E kaltra qiellore shkrin e venitet,
yjet treten porsi thëngjij,
hëna lëkundet dhe përdridhet,
florizon kashtë dhe kallinj

Florizon çatitë, kalldrëmet e fshatit,
përmes kortinave shkon e vjen,
kur dielli dritëson kokën e shtratit,
dalt' e qerpikëve ëndrra gdhend...

1972


UNË,PERANDORI, I PERANDORISË
SË GJELBËR 

Zhytur, i vetmuar, në jeshil livadhi,
aromë lulesh Atdheu e freski ahu,
poleni më pudroi, me spërka nektari,
nën tumba fierishtash mbeta tulatur.

Mbi krye kam qiell krejtësisht të gjelbër,
ndihem perandor i botës me klorofil,
nuk ka hënë, të më shohë vëngër,
me brirët e turpshëm më kqyr një kërmill.

Këtu s' ka presidentë, as kryeministra,
as gjeneralë e buzëqeshje djallëzore,
gushëkuqët vocërakë thurin kanistra,
vargan i milingonave, zënë për dore.

Mburrem, e mburrem, pse mos krenohem?
dirigjoj simfonitë e thëllëzave e bilbilave,
në hotelin e fierishtave të fle e mos zgjohem,
gjersa t' më trokasë e Bukura e Dëshirave! 

2007



PËRNDEZJE

Ç'janë përndezur sonte stërnishtat,
lëngëzon rrakita e filiz'i shelgut,
trëndafili i egër më shpoi gishtat,
kolloshtër e hënës mbi gjoks derdhur.

Platitur gu-gu-ja e tufës gjumashe,
trungjet e shelgjeve, si barinj të prapë,
shpalosin gunat në vallen çobançe,
ngjeshin çalikët me kulloshtër e djathë,

Flakërojnë lajthishtat e thanat në korie,
qyqja e vetmuar strukur nën degë,
buzët e përndezura fërgëllima magjie,
mbi gjoksin vajzëror florizojnë dy shegë.


 POLEN E NEKTAR

Polen e nektar e aromë livadhi,
polen e nektar mbi pulpat e tua,
pjekur mbi gjoks dy ftonj mali,
ç'ditë e bukur t'i them  të dua!

Me hatër për ty, një tjetër zambak,
medalion poleni në varg luleshqerash,
ç'na u ngjitën buzët me pjalm e nektar,
lëng luleshtrydheje e manaferrash!

Ç' dreqin rrëmojnë gishtat mbi ftonj,
mbajmë njëri-tjetrin, oh, jemi dehur!,
nën kërthizën e saj djalëria kërkon,
Moll'e Ndaluar s'ishte bërë për të vjelur!...


NJËHERË E NJË KOHË...

Njëherë e një kohë...Ç' mu kujtuan,
cironkat e thara lëndinave mbi bar,
opingat, peliçja, pantollonat, mballuar,
njëherë e një kohë...Isha fshatar.

Çapkën'i varfër pranë vatrës me prush,
kadet me turshi, bërsitë e athta të rrushit,
mullaja e bakërt ngjitur me brumë,
xhigeri i perlës që piqet mes gushtit.

Njëherë e një kohë...Ja, që mu kujtuan,
vajzat lozonjare, lëndinat me bar,
qeshnim e grindeshim e, aty dashuruam,
pyyy...njëherë e një kohë kur isha fshatar! 
  
2009 


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora