E premte, 29.03.2024, 07:38 AM (GMT)

Kulturë

Mexhid Yvejsi: Çmimi, refuzimi dhe arsyetimi

E shtune, 13.02.2010, 04:15 PM


ÇMIMI, REFUZIMI DHE ARSYETIMI

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë 
                                
Çmimi

   Dy javë para dy vjetorit të ditës së pavarësisë së Kosovës,  Rexhep Hoxha dhe Nazmi Rrahmani janë fitues të Çmimit Kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli”, të cilin e ndan Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
  Në pajtim me nenin 3 e 21 të Rregullores për Çmimin Kombëtar Letrar “Azem Shkreli” dhe për çmimet vjetore letrare të MKRS-së dhe vendimit të jurisë së themeluar për ndarjen e këtyre çmimeve vjetore, ministri Valton Beqiri, mori vendim që për vitin kalendarik 2009, në pajtim me vendimin e datës 3 shkurt 2010 të jurisë në përbërje: Jusuf Buxhovi, Ibrahim Kadriu, Sali Bashota, Vehbi Miftari dhe Vjollca Dibra, të jepen pesë çmime letrare.
   Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” i ndahet Rexhep Hoxhës dhe Nazmi Rrahmanit. Çmimi letrar për librin më të mirë të vitit 2010 në prozë i ndahet Gëzim Aliut, për romanin “Në klubin e të shëmtuarve”, çmimi letrar për librin më të mirë të vitit 2010 për poezi i ndahet Ag Apollonit për veprën “Zomb”.
    Për veprën “Konvergjenca intelektuale”, Ibrahim Berishës i ndahet çmimi letrar për librin më të mirë të vitit 2010 për kritikë, eseistikë, ndërsa çmimi letrar për librin më të mirë 2010 për vepër të përkthyer i ndahet Bekim Bejtës, për veprën “Raga – afrim i kontinentit të padukshëm” nga Zhan-Mari Gystav le Klezio, të përkthyer nga gjuha frënge.
     Dorëzimi i çmimeve letrare do të bëhet në një ceremoni solemne, në prani të personaliteteve të kulturës sonë dhe të përfaqësuesve të institucioneve kulturore, artistike dhe shkencore, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e përvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës...
   
REFUZIMI DHE ARSYETIMI

     Ditën e hënë, me 8 shkurt 2010, nëpërmjet një komunikate, shkrimtari Rexhep Hoxha ka bërë me dije publikun se refuzon Çmimin Kombëtar “Azem Shkreli”. Në njoftimin e shkrimtarit Rexhep Hoxha thuhet: 
     “Nga mjetet e informimit u njoftova se më është ndarë Çmimi Kombëtar për vepër jetësore "Azem Shkreli". Mirëpo, duke qenë se çmimin e jep një qeveri servile ndaj të huajve dhe mashtruese ndaj të vetëve, me zyrtarë të lartë të pangopur për t'u pasuruar në kurriz të Kosovës së varfër, me deputetë rrogash shumëfish me të mëdha se mjekët, mësuesit, policët, gjyqtarët, pa i përmendur kategoritë më të ulëta të nëpunësve me rroga të mjerueshme, pensionistë lëmoshash, të kërkojnë edhe nga një veturë për kokë, shofer për vete dhe beneficione të tjera në një kohe varfërie të hatashme e papunësie të përvajshme, me vetëvrasje si kurrë më parë nga humbja e besimit në jetë, për t'u lënduar çdo zemër njeriu, këtë çmim e refuzoj. Së dyti, duke e njohur mirë Azem Shkrelin, shpirti, nderi dhe karakteriim nuk e pranon asnjë çmim me emrin e tij. Me shkrimtarin merr frymë kombi. Ai për asgjë as nuk shitet as nuk blihet”.


KUSH ËSHTË REXHEP HOXHA?

Rexhep Hoxha Lindi në Gjakovë, më 1929. Shkollën fillore dhe të 
mesme, (Normalen)) i kreu në Gjakovë, ndërsa Fakultetin Filozofik në Beograd.
    Ka punuar si mësues në Pogragjë të Gjilanit, e më vonë profesor në Normalen e Gjakovës, të Prishtinës, në Gjimnazin e Mitrovicës si dhe në shkollat Pedagogjike në Gjakovë e Prishtinë. Gjithashtu, ka punuar në gazetën " Rilindja", në Radio Prishtinë sikurse që ishte anëtar redaksie në revistën për fëmijë " Pionieri".
    Rexhep Hoxha, përveç këtyre shërbimeve, është marrë edhe me shkrime letrare.
   Me shkrime letrare ka fillue të merret si nxënës i Normales së Gjakovës. Ka shkruar poezi, prozë për të rritur e fëmijë dhe kritikë  letrare.    
    Deri më sot, shkrimtari Rexhep Hoxha ka botuar mbi 40 libra...
    Në vitin 1953 boton librin e parë me vjersha “Gjethet e reja”, kurse më 1959 romanin e parë për fëmijë në gjuhën shqipe në ish-Jugosllavi, “Lugjet e Verdha”
Ka botuar vëllimet me poezi: “Mbi krahët e fluturës” (1959), “Vjersha” (1963), “Lulet e frashënjetit” (1965), “Pika vese”, (1966), “Qielli e poeti” (1971), “Vargu idhnak” (1971), “Lulëzo, vendi im”, (1973), “Zëri i pyellit” (1974), “”Micimiri” (1976), “Tokë trëndafililash” (1976)...
     Ka botuar vëllimet me proza: “Gecatarët” (1969), “Pipereku” (1975) dhe romanin “Verorja” (1983).
     Përveç këtyre veprave, ka botuar edhe disa publikime kritikash: “E po ku jemi” (1972), " Shpata e Aliut dhe Gjuha e Sadiut" (1991), " Allahu e shpëtoftë Kosovën" (1996) dhe " Kosova dhe lajkat" (1996) etj.
     Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, përveç vlerës morale, kishte edhe vlerën materiale prej 2.500 euro, që shkrimtari Rexhep Hoxha e refuzoi dhe për këtë guxim intelektual, ky burrë kreshnik, dha një shembull fisnik. Një shembull fisnik, siç thoshte Gëte te Fausti, i lehtëson vështirësitë....


(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora