Speciale
Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XII)
E merkure, 30.12.2009, 08:53 PM

FILOZOFIA E KRROKAMËS
(Rexhep Qosja në pasqyrë)
“Babai i kombit”
Përmbajtja “babai i kombit”, siç pranon i ngazëllyer të quhet
Rexhep Qosja nëpërmjet shërbyesve të tij të mllefeve të egra, po të shpjegohet
në shtrirjet biologjike, jo vetëm është bizare, por të shtynë të kërkosh edhe
mamanë e kombit. Derisa ekzistuaka (edhe figurativisht) një baba i tillë,
domosdo ky komb do të duhej ta kishte dhe një mama! Deri tash kjo mama nuk
është gjetur, kurse “babai i kombit” rron me trauma të mëdha dhembjesh dhe
gjithnjë përpiqet të gjejë mamanë e birit të tij, që quhet komb, fare pak në
letërsi e më shumë në politikë. Kombi i tij (shqiptar) tash rron në kujtesë të
mirë të mamasë serioze letërsi dhe me mamanë e tij të tashme, që quhet
politikë. Mamaja e kombit, që quhet letërsi, “babanë e kombit” duket sikur e ka
flakur për shkak të impotencës dhe klimaksit të hershëm, por dhe të potencës
shumë produktive në marrëdhëniet e tij me mamanë mantenutë, që quhet politikë,
me të cilën tash jeton mjaft sëmurshëm “babai i kombit”, sa për të fshehur
pasojën e shterpësisë intelektuale. Megjithatë, ky “baba”, tashmë me impotencë
krijuese, ka vendosur të ngarendë që të gjejë mama të tjera të kombit, duke e
marrosur përfundimisht birin e tij komb, duke e shtrirë mbi të kurvëri
mantenutash, të cilën nuk pranë ta quaj vlerë të padiskutueshme morale. Atij
nuk i bën përshtypje se kombi qesh me të, se kombi kërkon të mos jetë pjellë e
tij dhe e mantenutave përfituese parash të “babait të kombit”.
I dëshpëruar me zërin e tij pa jehonë dhe i dëshpëruar që nga
shfaqja e penave të zellshme, të cilët me punë tregonin se s’e kishin “baba të
kombit” njeriun e sëmurë nga vetvetja, i denoncoi dhe u përpoq t’i rrënonte.
Nuk i arriti këto synime, por arriti që të bëhet aq i neveritshëm sa njerëzit e
penës së zellshme nuk donin ta merrnin mundimin që t’i thoshin gjë, që t’ia
shpjegonin vetveten e tij të sëmurë dhe vetveten e tij brenda një dosjeje të
trishtueshme veprimesh të fshehta të deritashme ndaj “birit“ të tij, që quhet
komb. Ai tash rron me “mrekullitë” e përditshme të injorantëve, para të cilëve
vjen edhe si “hije e Zotit”.
Po ky “baba i kombit”, krejtësisht i heshtur brenda zhurmës së
vetë thuaja të çdoditshme, është edhe “revolucionar i vonuar demokratik” kundër
të gjithë atyre që ia rrënuan epokën enveriste dhe u bë krah i renegatëve që e
përgjakën Shqipërinë më 1997, që e zhbënë thuaja tërësisht. Po ky “baba i
kombit”, pas vajit të madh që kishte bërë për vdekjen e Titos dhe pas
denoncimit publik të të gjithë intelektualëve të viteve ’70-të në “Morfologjinë
e një fushate”, Kosovën e shndërroi në “fermë qensh”, kurse popullin dhe
intelektualët në qen e në bushtra në pamfletin e tij kundërkombëtar “I
ringjalluri i penduar”. Megjithatë, “këta qen e bushtra“ dhe kjo „fermë qensh”
përsëri heshtën, që të mos bien në nivelin e përllomur të “babait të kombit –
qen”, pa iu vajtur mendja se heshtja e tyre ishte edhe pajtim i plotë se edhe
Kosova është “fermë qensh“, kurse populli dhe ata vetë ishin „qen e bushtra”.
Intelektualët, përsëri në emër të urtisë, nuk bëjnë gjë
tjetër, përveç talljes me të nëpërmjet heshtjes së plotë. Kjo iu mjafton të
pranojnë në heshtje se janë edhe vetë banorë dhe pjesëtarë të kësaj “ferme
qensh”, të cilët i shërbyen “babait të kombit”, që quhet Rexhep Qosja me gjithë
parashtesën respektuese “akademik”, duke pranuar të jenë personazhe
poshtëruese, fyese dhe mallkimesh të tij. Disa nga këta intelektualë thonë se
ai është krejtësisht i çmendur me të tilla pamflete. Thonë kështu, jo për ta
fyer atë, por për të treguar se sa të urtë janë vetë ata, që thonë kështu. Por
ai nuk ndalet, sepse është në kërkim të madh të gjetjes së mamave të tjera të
kombit në shtëpinë publike të politikës dhe të definicioneve rrënuese të të
gjitha dimensioneve njerëzore, kombëtare dhe morale.
Halucinacionet e “patriotëve”
Varfanjakët shpirtërorë janë heronjtë më të guximshëm të
llafeve. Zhurmën e tyre e shndërrojnë në rrahagjokse dhe e keqpërdorin për të
fshehur hilenë e zezë për kombin dhe për gjeografinë kombëtare. Që të dëgjohet
më shumë dhe më qartë kjo zhurmë dominuese, ata bëhen agresivë. Duke u bërë
agresivë, hilja e tyre e zezë manifestohet si sëmundje psikiatrike. Ata bëhen
dëbues, refuzues, rrënues, mohues… sepse vetëm nëpërmjet këtyre formave të
veprimit anormal, atyre u bëhet se shquhen, duke mos llogaritur se janë dhe
mbesin gjithnjë e më të vetmuar. Vetminë e tillë nuk e krijon pazakonshmëria,
por zakonshmëria neveritëse e frikës së tepruar, që manifestohet me
veprime të sëmura dhe amorale të tyre. Prandaj përpiqen të tregohen me aftësi
të veçanta rrënuese mbi secilin ndërtim shoqëror, majave të të cilave gërmadha
pastaj kokorisin pandalshëm. Të tillët bëjnë sikur harrojnë vetveten e
njëmendtë, si formë kundërpërgjigjeje ndaj harresës për ta të mjedisit të
shëndoshë ku jetojnë. Duke harruar vetveten, ata flasin për heronjtë e vdekur,
si mënyrë e tyre e zgjedhur për t’u identifikuar me ta. Përpiqen t’i
përvetësojnë mënyrat e vdekjes së heronjve, duke dashur që kështu ta mundin
frikën dhe t’i riushqejnë ambiciet e ngritjes së pameritueshme të tyre.
Duke folur dhe duke bërë zhurmë amorale, duke lozur pa
mjeshtëri fatin e heronjve të vdekur, ata përpiqen ta vdesin edhe të sotmen dhe
shëndetin e galerisë së re të heronjve, të cilët nuk flasin, të cilët janë të
heshtur më shumë se ç’duhet, të cilët duken më të nënshtruar nga dhuna e varfanjakëve
shpirtërorë. Kur arrin zeniti i “nënshtrimit” të tillë të të pasurve
shpirtërorë e intelektualë, varfanjakët shpirtërorë, të cilët njëmend duhet të
zënë vend në psikiatri, hidhërohen dhe pëllasin edhe më shumë, duke akuzuar se
mjedisi ku jetojnë u bëka për ta aq injorues dhe aq i tmerrshëm, i cili nuk iu
bindka halucinacioneve të tyre, të cilët përpiqen të ngrihen nga frikacakë në
heronj të guximshëm. Fjala e ngulmët e të cilëve, edhe pse e nxitur nga frika
dhe nga inferioriteti i zakonshëm i frikacakëve debilë, mund të rrënojnë
qetësinë e madhe të pasurisë shpirtërore e intelektuale të të tjerëve. Dhe
njëmend, ndodhë kështu. Trillojnë hapësirën e vet të dominimit dhe, të mbushur
me halucinacione të sëmura, fillojnë t’i ekzekutojnë publikisht meritat morale
të të tjerëve. Ata që mund të shpëtojnë nga halucinacionet e sëmura të të
tillëve, ngarendin shpejt e shpejt dhe ikin nga këto hapësira të ndotura
sëmundjesh halucinunative të këtyre varfanjakëve moralë e intelektualë. Ikjen e
tillë, këta varfanjakë e kuptojnë si triumf të tyre, që do të thotë si
ngadhënjim i sëmundjes së tyre dhe jo si ikje normale e të shëndoshëve nga
skizofrenia e pashërueshme e varfanjakëve intelektualë e shpirtërorë. Ky veprim
përngjan në anekdotën e lepurit frikacak, nga i cili u trembkan, megjithatë,
bretkosat. Lepujt e tillë njerëzit i shohin si bretkosat dhe mburren si
“heronj”.
Kategoria e tillë e “heronjve” të zhurmës së fjalëve dhe të
agresivitetit për pushtimin e hapësirave për sëmundjen e tyre të pashërueshme,
nga frika se mund të duken të parëndësishëm, bëhen inspiratorë të gënjeshtrës
dhe të një servilizmi të ndotës. Kjo kategori, ku prinë Rexhep Qosja, ngrihet
kundër urtisë së mendimit dhe kundër strategjisë së fjalës së urtë. Të tillët
bëjnë jetën e urithit dhe shëmtojnë fushën kombëtare të shëndetit. Psikiatrit,
siç thotë filozofi Herman Hese, këtë kategori njerëzish, të cilët duken të
vertikaltë, i quajnë psikopatë. Ata i karakterizon agresiviteti, i cili s’ka
burim tjetër pos frikës dhe inferioritetit në mjedisin shoqëror. Ata janë të
vetëpërjashtuar nga respekti dhe nga shoqërimi. Duke u vetëpërjashtuar që të
duken se të vetmuar do të duken më të guximshëm dhe më heronj, ata brenda
sëmundjes së tyre të nënvlerësimit, bëhen akuzues të pashembullt. Nëpërmjet akuzave
të tilla shpifëse, bëhen gjithnjë e më të vetmuar dhe gjithnjë e më të
neveritshëm si imponues të situatave fare të parëndësishme. Bëhen “patriotë” të
përsëritshëm dhe të bollshëm, kurse nga përsëritja e shpeshtë dhe e bollshme
patriotike, ata fshehin vetveten e mjerë dhe të vetmuar, të strukur dhe qyqare.
Kur të arrijnë që në kuadër të mëshirës dhe të mirëkuptimit të të tjerëve për
gjendjen e rëndë shpirtërore të tyre, të pushtojnë skaje hapësirash, u bëhet
vetja hero, duke mos menduar se heronjtë nuk ishin dhe nuk janë të sëmurë si
ata.
Poetika negative e frymëzuesit rrënues
Të gjitha përsëritjet publike të autorit dhe të “revolucionit
të vonuar demokratik” janë të njëjta. Mjetet e përparshme rrënuese dhe
përçarëse (urrejtëse) i përdorë edhe sot pas një vere të tij krejtësisht të
thatë politike të ndërsimeve të egra. Ka të njëjtën qasje të organizuar
negative ndaj të gjitha ndërtimeve kombëtare. Është ky autor i “revolucionit të
vonuar demokratik”, i cili e preferonte zhbërjen e Shqipërisë nga renegatë
ultra progrekë dhe ultra proserbë, si mundësi e triumfit të ideologjisë së kuqe
mbi kombin, që nuk ishte “ideologji lokale”, por që kishte një shtrirje të
gjerë dhe që arrinte deri në Moskë dhe deri në Kinë, ku i kishte lënë “eshtrat”
e interesit të kombit edhe Enver Hoxha.
Në Akademinë përkujtimore të marsit 2002, kushtuar sakrificës
sublime dhe kapitale të Adem Jasharit, ky autor bëri promovimin e mendimit të
gjithmonshëm negativ të vetvetes, të cilin u përpoq ta fuste si energji
lëkundjesh dhe si energji urrejtjesh të tij, jo vetëm ndaj individëve të
caktuar në historinë tonë të politikës, por edhe ndaj institucioneve të reja
dhe të brishta të Kosovës. Ai përdori dhe keqpërdori autoritete të njëjta, që
kishte përdorur dhe kishte keqpërdorur gati një dekadë të tërë. Për të s’kishte
rëndësi të dinte se rrethanat reale tashmë kishin ndryshuar krejtësisht. Për të
kishte rëndësi të shpjegonte se ai ishte dhe kishte mbetur i njëjtë dhe me të
njëjtat energji të një strategjie të mbrapsht ideologjike, me fuqinë e së cilës
ai kërkon t’i përmbysë ndërtimet e reja demokratike. Çështjet e tij ideologjike
nuk janë të rëndësishme, sepse tash ai ka mbetur si një mohikan e vetëm. Dikush
mund ta lavdërojë këtë autor të “revolucionit të vonuar demokratik” dhe këtë
autor të apelit, kur i gjithë populli dëbohej nga fashizmi serb, “që të mos e
lëshojmë Kosovën, sepse shqiptarët e saj s’kanë atdhe tjetër”, për shkak të
respektit për mosndryshueshmërinë e energjive të tij negative. Megjithatë
fjalët “shkencore” të tij më nuk i dëgjon askush. Nuk i dëgjon, sepse
brenda tyre sillet e pështillet qëllimi i organizuar i tij për të rrënuar, për
të penguar dhe për të bërë diferencimin e njerëzve, që ai i kishte dhe i ka si
mjete personale të ngritjes mbi rrënoja. Meqenëse nuk e dëgjon kush, qëllimet e
tij bëhen më të vrara dhe më te tejdukshme.
Në këtë Akademi përkujtimore ai u përpoq, në radhë të parë, të
shembte autoritetin e Kuvendit të Kosovës, në të cilin janë ulur “edhe ata
që këtij vendi nuk i kanë dhënë asgjë, ama bash asgjë asnjëherë”, për të
shtuar vetëm pak më vonë se “ne dhamë diçka për Kosovën, sepse ia kishim
borxh atdheut”. Ai me këto pohime i referohet popullit të “mallkuar”, që
paska votuar për “ata që s’kanë dhënë asgjë, ama bash asgjë asnjëherë”, për të
mbjellë te ai një urrejtje të shfrenuar, çfarë e ka ai ndaj tij dhe ndaj atyre
që kishin krijuar me shumë sakrifica dekadën më të vështirë shtetformuese të
Kosovës. I fyen edhe deputetët. Fyerja e tij ndaj këtij togu ligjvënës
parlamentar, nuk është vetëm shfrim emocionesh të ndërtuara nga dështimet e
filozofisë së tij kolektive të egocentrizmit të tij privat dhe krejtësisht të
sëmurë, por janë këto qëndrime hilesh të dëshmuara deri tash ndaj çdo
përpjekjeje ndërtimesh a institucionesh. Në këtë Akademi përkujtimore për të
madhin Adem Jashari, realisht nuk do të duhej të lejohej keqpërdorimi nga ky
autor i vlerave të luftës dhe keqpërdorimi politik i emrit të kësaj legjende
(Adem Jashari) për të shfryrë, në emër të tyre, gjithë vrerin urrejtës ndaj të
gjithë atyre që, edhe politikisht, edhe luftarakisht, e hoqën kthetrën serbe
nga truri shqiptar.
“Ne dhamë diçka për Kosovën, sepse ia kishim borxh atdheut”
tha ky autor filozofimesh rrënuese. Ai thotë “ne dhamë…”, duke futur edhe veten
në shumësin heroik të sakrificës kolektive. Po, ç’dha ai, përveç mjekrës dhe
tebdilosjes në grua për të ikur nga Kosova para rrebeshit fashist serb, edhe
pse kishte ftuar popullin që të mos e lëshonte Kosovën? Ç’ishte kjo thirrje e
“moralshme” e tij? Duhej që populli të kundërshtonte e të qëndronte në Kosovë
dhe në Kosovë të vritej e të masakrohej nga kanibalët serbë dhe vetëm ai,
mjekërruar dhe i tebdilosur në grua si është më zi, të shpëtonte? Duhej që ai,
vetëm ai të arrinte të shpëtonte, duke lënë kolona të mëdha shqiptarësh të
dëbuar? Si një grua të shenjtë, atë dhe vetëm atë e pritën borxhlinjtë e tij
ideologjikë. Pastaj nga pritja e këtyre borxhlinjve plot respekt për të, ai,
pasi kishte hequr shaminë prej gruaje, kishte ikur në Shqipëri, ku sipas
informacioneve të sakta, miqtë e tij ideologjikë, e kishin vendosur në shtëpinë
e majës ideologjike, në vilën e Enver Hoxhës. Prej atje, pas përfundimit të
luftës në Kosovë, kur i gjithë populli i dëbuar kishte mësy nga të gjitha anët
të kthehej vrullshëm në atdheun e tij të djegur, Rexhep Qosja, tash me mjekër
të rritur, u pati deklaruar gazetarëve se “shumë nga ata që kanë qëndruar në
Kosovë janë lojalë të Serbisë”! Ky është morali i këtij autori që thotë se “ne
dhamë diçka për Kosovën, sepse ia kishim borxh atdheut”. Përveç mjekrës, çfarë
dha tjetër ky „baba“ shumëfytyrësh i „kombit“?
Në Akademinë e madhe përkujtimore për të madhin Adem Jashari,
ky autor tha se në parlamentin e Kosovës nuk gjeti vend njeriu që kishte kaluar
28 vjet nëpër burgjet serbe (Adem Demaçi), duke u bërë se harronte se pikërisht
për këtë “simbol qëndrese”, pasi e kishte stërshfrytëzuar për nevojat e veta
rrënuese, kishte deklaruar se “ai është tash si një limon i shtrydhur”. Tash e
rivë në përdorim të tij për të njëjtat qëllime. Ai thotë, gjithashtu, se në
Kuvendin e Kosovës nuk zunë vend as ata që dhanë miliona dollarë dhe marka për
Kosovën. Kjo deklaratë e tij në fjalën keqpërdoruese në këtë Akademi të
dhembjes dhe të kujtimit tregon se “kishte harruar” se shqiptarët nuk kishin
dhënë “miliona dollarë dhe marka” për të blerë vende në Parlament, por për ta
çliruar Kosovën. Ata që dhanë kaq shumë dollarë e marka nuk e kishin mendjen te
biznesi politik dhe, sigurisht, nuk do të duhej të lejonin të keqpërdoreshin
kështu nga ky autor, keqpërdorim ky që ka qëllimet e veta tradicionale
ndërsimesh, urrejtjesh dhe përçarjesh, deri te shembja e ndërtimeve të
deriatëhershme të marrëveshjeve dhe të institucioneve në Kosovën e lirë nga
pushtuesi serb.
Shileri dhe Qosja
Në qytetin Marbach të Gjermanisë është vendlindja e shkrimtarit
të madh Fridrih Shiler. Në qytetin e tij të lindjes është edhe shtëpia e tij
muze. Në këtë shtëpi, në monitorë të mëdhenj, “shfaqet” krijimtaria e tij e
madhe letrare e shkruar me penë dhe me dorë. Vizitorët e shumtë fitojnë
përshtypje dhe emocione të veçanta në këtë shtëpi-muze dhe përballë
dorëshkrimeve klasike të këtij shkrimtari të madh gjerman. Të gjithëve iu bëhet
se aty, në gjysmëdritën e ambientit krijues, është edhe shkrimtari.
Po në këtë qytet është biblioteka e madhe dhe marramendëse
fondesh të jashtëzakonshme librash, e cila mban emrin e shkrimtarit të madh
vendas “Fridrich Shiler”. Para objektit kolosal të kësaj biblioteke shtrihet i
bukur parku i madh “Fridrich Shiler”. Në mes të këtij parku rri krenar
monumenti i Fridrih Shhilerit, që zë majat e qiellit dhe që nga atje vështron
popullin e tij të vyeshëm dhe të etur për artin, për dijen.
Flitet kështu për Marbachun, për Shilerin, për popullin
gjerman, i cili kontributin e heroit të mendjes dhe të artit kombëtar ka ditur
dhe di ta ruaj edhe në shtëpinë muze të Shilerit, edhe në bibliotekën e madhe
dhe të pasur, edhe në parkun e bukur, të mbushur me lule e freski, edhe
monumentin gjigand të këtij shkrimtari kombëtar. Por nuk mund të flitet kështu
për asgjë të njëjtë në Kosovë. Duket sikur në Kosovë s’ka heronj të dijes dhe
të artit. Duket sikur në Kosovë ka heronj të tillë të dijes dhe të artit, por
të cilët nuk duam t’i njohim, nuk duam t’i duam, nuk duam t’i kemi. Nëse do të
dëshironim t’i duam dhe nëse do të dëshironim t’i kemi, pastaj, ne do të
dukeshim fare të vegjël përballë kujtesës për ta. Nuk e bëjmë, do të thotë,
këtë punë kurrën e kurrës. Ata që ishin heronj të dijes dhe të artit, duhet të
harrohen dhe të mbulohen me “madhështinë” tonë të trilluar. Megjithatë,
heronjtë e dijes dhe heronjtë e artit te ne nuk bëjnë pjesë në repartet e
përpunimit patriotik të politikës dhe si të tillë janë të papërdorshëm, ose
janë me afat të kaluar përfundimisht. Heronjtë e dijes dhe heronjtë e artit
janë mesazhe ndërgjegjeje dhe mesazhe morale, për të cilat sot nuk ia ka ngenë
askush.
Flitet gjithashtu se qe disa vjet është bërë gati një
përmendore e plakut të urtë krijues, të ndjerit Anton Çetta, studiues, që të
vihet në oborrin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku punoi dhe krijoi
kohë të gjatë. Nuk e kanë lënë të vendoset aty kjo përmendore. Instituti
Albanologjik, i cili s’ka ndonjë emër tjetër dijetarësh, krijuesish dhe
studiuesish, është pa përmendore. Oborri i tij është pa asnjë simbolikë dhe
është si çdo oborr tjetër objektesh të banimit a të zyrave burokratike. Thuhet
se këtë përmendore të të urtit Anton Çetta nuk e lanë të vendoset aty, sepse
vendi do të duhej të rezervohej për krijuesit e gjallë politikë dhe
patriotik-folklorikë. Hapësira monumentale e oborrit të këtij Instituti është mjaft
e gjerë që të zë edhe shumë përmendore krijuesish të ardhshëm kombëtarë. Por
nuk duam se nuk duam të kemi përmendore të shumta, përmendore kolektive, sepse
atëherë, ai që e ka rezervuar vendin e përmendores për vete (Rexhep Qosja, siç
thonë miqtë e mendimit të tij brenda këtij Instituti), do të duket i
parëndësishëm me të tjerët, sepse ai dëshiron të jetë i pari dhe të jetë i
vetmi, duke dashur që edhe kështu të tjerët të kenë mundësi më të mëdha ta
quajnë “baba i kombit”, që është një ambicie jokrijuese, por politike të një
egocentrizmi banal dhe mohues.
Shkrimtarët e mëvonshëm e të mëdhenj gjermanë nuk iu trembën
famës së pavdekshme të Shilerit. Përkundrazi. Jo vetëm shkrimtarët, jo vetëm
shtetarët, por i gjithë populli gjerman mburren me gjenitë e vetë. Kjo i ka
bërë dhe i bën fisnikë dimensionesh të mëdha kulturore dhe kombëtare. Vetëm në
mjediset tona s’ka të tilla monumente të kulturës monumentale. Në ambientet
tona nuk mungojnë monumente të tilla monumentale, por ato ne vetë i bëjmë të
harrueshme, ne vetë i përdhosim. Qosja prinë në të gjitha fushatat përdhosëse
të këtyre monumenteve të dijes kombëtare, fushatë këtë që e ka nisur me
„Morfologjia e një fushate“, ku përpiqet të rrënojë një varg emra krijuesish të
veçantë në Kosovë, siç përpiqet nga Kosova të rrënojë emblemat kombëtare
krijuesish e humanistësh në Shqipëri e më gjerë, të cilët tash janë në majat më
të larta të autoritetit krijues e human në gjithë botën. Thuhet t’i rrënojë
këta nga Kosova, sepse kur në raste të rralla, ngjet të gjendej në Shqipëri,
deklaronte ndryshe. Në raportin e ministrit të Punëve të Brendshme, Simon
Stefani, dërguar Ramiz Alisë (1989) (Gazeta 55, datë 09-10-2009), thuhet: Rexhep
Qosja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe pedagog në Universitetin e
Prishtinës, është shprehur: “Me është bërë qejfi për faktin se televizioni i
Tiranës ka dhënë një emision për mua, por unë nuk i meritoj gjithë ato
vlerësime që më bëhen nga Shqipëria, sepse në Shqipëri ka figura më të mëdha se
unë si: Aleks Buda, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, etj. (Gazeta 55,
datë 09-10-2009)
Kur akademiku ligjëron me trillime
Është e trishtueshme se si “fjalët” e këtij akademiku nuk
bëjnë asnjë jehonë. Flet e shkruan dhe askush nuk ia vë veshin. Nuk ia vënë
veshin as ata që e “duan”, as ata që e nxisin. Në të vërtetë, tashmë s’ka kush
t’ua vërë veshin “llafeve” të tij të shkruara rrjedhshëm, sepse tashmë Rexhep
Qosja i ka rrënuar të gjithë. Duket se atij i mjafton vetëm vetja në Kosovën e
rrënuar nga ai dhe njerëzit e saj, të cilët e kanë “komprometuar idenë e
shtetit”. Kjo duket nga larg në serinë e tij të shkruar me të njëjtin mbititull
në një gazetë të përditshme (Epoka e re).
Edhe ata që nuk binden të rrënohen, detyrohen t’i përballojnë
krejtësisht në heshtje intelektuale britmat e tij të shkundura përfundimisht
nga çdo realitet. Punë e madhe! Janë intelektualë këta, prandaj mund t’u
përballojnë ligjërimeve shpifëse të këtij akademiku nostalgjik, duke u futur
thellë në heshtjen e plotë. Edhe në këtë thellësi të heshtjes së tyre,
akademiku Qosja arrin t’u thotë të gjitha ato që s’i kap mendja e njeriut
normal dhe të gjitha ato që, as janë thënë, as janë bërë ndonjëherë. Po të
ligjëronte ky akademik ato që thuhen dhe ato që bëhen, nuk do të dukej më
akademik, por do të dukej (ironi) një njeri i zakonshëm dhe i rëndomtë fare, mu
si akademikët dhe intelektualët e tjerë të Kosovës, të cilët, megjithatë
vazhdojnë të mos u përgjigjen shpifjeve dhe trillimeve të tij.
Megjithatë, fjalët e tij, edhe të niveleve të shpifjeve, të
cilat thuhen me pezëm e trill, nuk do të duhej të mbeteshin kështu pa jehonë. E
di burri i botës, ky akademik, i cili Kosovën dhe popullin e saj e quajti si
“fermë qensh”, se si ndërtohet shteti dhe se si mbrohet ideja e shtetit nga
komprometimi! Deri tash ai ka ndërtuar shumë shtete, sidomos Shqipërinë e
djegur nga “revolucionarët e vonuar demokratikë”. Po të mos ishin kryetari i
tashëm i Kosovës dhe ai i Kuvendit të Kosovës, shteti i Kosovës do të ishte
ndërtuar moti. Por kryetari i tashëm i Kosovës (fjalën e ka për dr. Rugovën- shënim
imi), i cili, siç shkruan ai në gazetën Epoka e re,“Sot, qindra vjet pas
Lekë Dukagjinit, bajraktari, i quajtur president, shpërfill të vogël e të madh
(bile edhe akademikun tonë ligjërues shpifjesh – vërejtja jonë) dhe të
vegjëlve e të mëdhenjve të Kosovës u del përpara me flamurin e tij, me himnin e
tij, me darkën e tij, me kristalet e tij, me dekoratat, urdhërat e medaljet e
tij… dhe me të shpërblyerit e tij privatë!”, deklaron ai në këtë
intervistë. E shihni? Akademiku Qosja, i cili ka mungesa mbi gjashtëvjeçare në
ASHAK, vetë konstaton se të gjitha këto të numëruara qenkan “të tij privat”(Të
dr. Rugovës, vërejtja ime). Askush nuk merr guxim t’i thotë askujt diçka kaq
shpifëse për gjërat private. Guxon dhe guximi ia jep këtë të drejtë Rexhep
Qosjes, i cili nuk rresht së foluri dhe së shkruari dhe, megjithatë, të gjitha
këto shkrihen në një tallje të heshtur. Vetëm unë nuk dua që të përfundojnë
fjalët dhe shkrimet e tij në këtë mënyrë. Ju them se ai ka të drejtë të thotë e
të shkruaj gjithçka. Ka të drejtë aq më parë kur askush s’e dëgjon dhe
rrallëkush e lexon në gazetën e përditshme. Them se ka të drejtë, sepse të
vërejturit e ka të mprehtë mu sikur fjalën. E ka parë ai me vëmendje analitike
dhe me shqetësime barku se si kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, me
të zbritur nga aeroplani, jo vetëm që nuk e mbante vetë mantelin e tij, por atë
ia lëshon në dorë truprojës së tij. Ky gjest i kryeparlamentarit, vërtet, ishte
i tmerrshëm dhe i padurueshëm për ndjenjën akademike të Qosjes. Do të duhej të
ndodhte e kundërta: truproja do të duhej t’ia jepte mantelin e tij
kryeparlamentarit që ta bartte, sepse kështu akademik Daci kishte shansin e
vetëm në jetën e tij që të tregohej se sa popullor ishte dhe që i përkiste
tribunit të proletariatit, për të cilin aq shumë angazhohet Rexhep Qosja. Por
kryeparlamentari nuk bëri kështu dhe nuk e shfrytëzoi këtë shans hyjnor.
Një njeri si kryetari i Kosovës, i cili, sipas Qosjes, e
paska „privatizuar“ krejtësisht jetën e tij private, veprimet dhe “të
shpërblyerit e tij privat”, nuk mund ta ndërtojë shtetin e Kosovës. Një njeri
si kryeparlamentari akademik Nexhat Daci, që është një „nepotist flagrant“, i
cili ia jep mantelin e tij ta bartë truproja, nuk mund të ndërtojë shtetin e
Kosovës. Kështu ata e “komprometojnë idenë e shtetit”.
Të gjithë ata që fjalët dhe shkrimet e këtij akademiku i lënë
të derdhen në boshin e heshtjes, do të duhej të kujtoheshin se si veproi Qosja
kur ishte në
Akademik Qosja, vërtet, ditka të bëjë shtetin, mu sikur kishte
ditur të bënte partinë e tij, e cila sot, edhe pse nuk ekziston, është shumë e
fuqishme në arenën tonë politike. Ajo ka fare pak anëtarësi, ama, ajo që është,
është shumë e fuqishme. Është aq e fuqishme sa nuk e mori as edhe një për qind
të votave. Do të ishte edhe më e fuqishme sikur Kosova të mos kishte fare
kryetar të vetin e as kryetar të Kuvendit. Do të ishte edhe më e fuqishme sikur
ai të ishte edhe kryetar i Kosovës, edhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, me
kusht që të mos kishte zgjedhje, nga të cilat pastaj nuk do të merrte as edhe
një votë nga populli!