Kulturë
Kastriot Marku: Pjetër Bogdani dhe “Çeta e profetëve” 320 vjet pas vdekjes
E hene, 14.12.2009, 09:31 PM

Nga Kastriot MARKU, Milosao
Sikurse edhe jetën e Pjetër Budit, ashtu edhe atë të Pjetër Bogdanit (1630-1689), mund ta rindërtojmë falë të dhënave që na kanë lënë ata vetë në relacionet periodike dërguar Propagandës Fide në Romë. Por gjithsesi penda e Bogdanit ka qenë më bujare. Pjetër Bogdani lindi në Gur të Thatë të Hasit afër Prizrenit rreth viteve 1625-1627 (Shih: Marlekaj 1989), ku si famullitar atëbotë shërbente i ungji i tij Andrea Bogdani (1600-1683), në fillim arqipeshkëv i Ohrit dhë më pas i Shkupit, i cili do të ndikojë mjaft në shkollimin e tij. Studimet Bogdani i nisi në vitin 1642 në Kolegjin Urban të Propagandës Fide, për të kaluar pas pesë vitesh në vitin 1647 në Kolegjin Ilirik të Loretos, ku studionin edhe shqiptarë të tjerë të njohur si: Martino Kryeziu, Gerard Gallata, Nikollë Vladanji dhe Martin Spica, për t’i përfunduar në Universitetin e Padovës, duke u shuguruar meshtar në vitin 1650. Punën baritore e filloi në dioqezën e Pultit. Më pas do të shkojë sërish në Itali ku edhe doktoroi në teologji dhe filozofi në Kolegjin e Propogandës Fide, dhe ku sipas dokumenteve u laurua „con applausa di tutti” doktor në teologji. Me t’u kthyer ai sjell dekretin panor për emërimin e të ungjit arqipeshkëv të Ohrit. Më 26 tetor të vitit 1655 emërohet ipeshkëv i Sapës në vend të Simon Sumës, ndërsa me 6 mars 1656 emërohet ipeshkëv i Shkodrës, për tu shpërngulur me 8 nëntor 1677 si Arqipeshkëv i Arqipeshkvisë Metropolitane të Shkupit. Jetoi vazhdimisht i përndjekur nga pushtuesit osmanë për shkak të veprimtarisë së tij aktive kishtare e atdhetare, ndaj për t‘u shpëtuar këtyre ndjekjeve për një kohë iu desh të merrte malet e të jetonte i fshehur. Mori pjesë në organizimin e kryengritjeve për lirimin e vendit nga sundimi osman. Relacionet e shumta që i ka dërguar Bogdani Vatikanit, dëshmojnë për aspektet e kësaj lufte të pandërprerë prej tij dhe përbëjnë një korpus me rëndësi dokumentare për historinë dhe gjeografinë historike të Shqipërisë mesjetare dhe të disa krahinave të tjera kufitare me të. Më 1685 në Padovë me ndihmën e kardinal Gregor Barbarigos (1625-1697), ia doli ta botojë veprën e vet Cuneus Prophetarum – Çeta e profetëve, e cila sipas vetë Bogdanit në variantin e dorëzuar për botim në vitin 1675 titullohej Flavissae Prophetarum. Vdiq në Prishtinë më 6 dhjetor 1689 i prekur nga epidemia e kolerës. Pas disa ditësh trupi i tij u zhvarros nga turqit dhe iu hodh qenve në shesh të Prishtinës.
Pjetër Bogdani është padyshim përfaqësuesi i fundit dhe më i shquari i letërsisë shqiptare të shek. XVI-XVII, mendja më universale e botës shqiptare përgjatë periudhës mesjetare. Vepra kryesore e tij, sikurse e thamë është Cuneus Prophetarum, Çeta e profetëve, botuar në Padovë më 1685, cilësuar si një nga kryeveprat e letërsisë shqiptare. Teksti është dhënë në dy shtylla për çdo faqe shqip dhe italisht. Çeta e profetëve është një traktat teologjik-filozofik që trajton, duke shkrirë të dhëna brenda saj nga burime të ndryshme, çështje kryesore të teologjisë, një histori biblike të plotë, si dhe probleme të ndërlikuara të skolastikës, të kozmogonisë, të astronomisë, të pedagogjisë etj. Me këtë vepër Bogdani solli diçka të pazakontë në kulturën shqiptare, duke vlerësuar rolin e dijes e të kulturës në jetën e njeriut. Ai me veprën e tij të shkruar me një shqipe e stil të përpunuar këndshëm, shënoi një kthesë vendimtare në historinë e letërsisë shqipe. Trajtat origjinale në aspektin ndërtimor sikurse, njëmbëdhjetërrokëshi elegjiak i Sibilave dhe rrafshi përmbajtësor-motivor i tillë tek ato dhe tek Pashtriku, që të kujtojnë malin Sinaj dhe zanat shqiptare, fitojnë vlera simbolike të veçanta. Kjo vepër mund të quhet laboratori më i madh i përpunimit të vetëdijshëm e mjeshtëror të shqipes mesjetare, e cila prej këtij autori u bë e aftë të shprehte koncepte të vështira teologjike e filozofike të kohës. Për veprën jetën dhe veprën e Pjetër Bogdanit një kontribut të madh kanë dhënë: Faik Konica, At Justin Rrota, At Shtjefën Gjeçovi, Ibrahim Rugova, Injac Zamputi, Wili Kamsi, Androkli Kostallari, Dhimitër Shuteriqi, Shefik Osmani, Zija Xholi, Engjëll Sedaj, Anton Berishaj, Engjëll Sedaj, At Luigj Marlekaj, Kolë Ashta, Anila Omari, Kristo Frashëri, Martin Camaj, Shefqet Hoxha, Shaban Demiraj, Mateo Sciambra, Italo Costante Fortino, Zef Mirdita, Giuseppe Valentini, Rexhep Ismajli, Sabri Hamiti, Mahmud Hysa, Odette Marquet, Matteo Schiambra, Selman Riza, etj.
TEKSTET E VJETRA SHQIPE DHE BOTIMI KRITIK I TYRE
Korpusi i teksteve të vjetra të gjuhës shqipe, relativisht të pak ta për nga numri i tyre, përbën materien bazë mbi të cilën mund të përvijohet rindërtimi i vijueshëm i gjendjes së gjuhës shqipe përgjatë mesjetës. Mungesa shqetësuese e burimeve dorëshkrimore, para së gjithash për shkak të rrethanave historike të kohës, rritet proporcionalisht me këtë mungesë.
Gjithsesi duhet theksuar se hulumtimet tona të deritanishme kanë qenë të pamjaftueshme në arkivat europiane për të gjetur botime a dorëshkrime, që paraprakisht do t’i jepnin vlerë të posaçme secilit burim të ri dhe do ta pasuronin e do ta qartësonin vetvetiu dhe më tej gjendjen e shqipes së kësaj periudhe. Duhet të theksojmë se për një periudhë të gjatë kohore studimet filologjike shqiptare kishin mbetur mjaft mbrapa në krahasim me studimet gjuhësore. Botimet kritike ndihmojnë në njohjen, leximin, interpretimin dhe botimin e teksteve shqipe, qoftë ato në gjendje dorëshkrimore, ashtu edhe ato tekste botimesh të rralla, në formën e tyre gjuhësore origjinale, shoqëruar me aparatin e tyre shpjegues për “lexim masiv”. Kjo bën që tekstet e vjetra të hyjnë në komunikim me lexuesin e sotëm, sepse në fund të fundit prania e tyre mbi të gjitha është mjet shumë i rëndësishëm i identitetit tonë historik dhe kulturor, por edhe i praktikës sonë gjuhësore dhe letrare. Për letërsinë e shekujve XVI-XVIII, por edhe më këndej, ne tashmë duhet të kemi botime kritike, bazuar mbi kritere shkencore filologjike, mbështetur mbi dorëshkrimet apo botimet e para, mungesa e derisotme e disa prej të cilave ka bërë që lexuesit dhe në mënyrë të veçantë studiuesit të hasin në versione të ndryshme të të njëjtit tekst, për pasojë dhe i kanë përcjellë ato me interpretime të ndryshme. Kjo kërkon një detyrë të ngutshme të filologjisë shqiptare, e cila ka dhe duhet të ketë si model pune, sa i takon teorisë së botimit kritik të teksteve shqipe, punimin e Eqrem Çabejt, pa dyshim albanologut më të madh të shekullit të kaluar, i cili në vitin 1959, boton artikullin me titull: “Tekstet e vjetra shqip dhe disa kritere rreth botimit të tyre”, botuar në Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës, Seria e Shkencave Shoqërore, Tiranë 1959, Nr. 2, f. 104-115, në të cilin trajton problematikën lidhur me botimin e teksteve të vjetra shqipe. Në këtë artikull, i cili është një përmbledhje udhëzimesh në trajtën e një doracaku, Çabej me një formimim filologjik shembullor nga Universiteti i Filologjisë Klasike të Universitetit të Vjenës, trajton parimet dhe kriteret themelore dhe hapat që duhen ndjekur për botimin e teksteve të vjetra, mënyrën e riprodhimit të një teksti, duke dalluar fototipinë nga transliterimi dhe transkribimi fonetik. Këtu ai na njofton edhe përfundimin e punës për botimin kritik të Mesharit, punë të cilën e kishte përfunduar në muajin gusht të vitit 1958, por edicioni kritik i Meshari-t doli në dritë dhjetë vjet pas përgatitjes, kur u botua në Rumani, për shkak të mosgjetjes së një shtypshkronje, ndërkohë që ai kishte punuar mbi njëzetë vjet mbi të. Me këtë botimi kritik, Çabej çeli hullinë e praktikës ekdotike, tashmë tradicionale në filologjinë e teksteve shqipe, e cila dalngadalë me studiuesit Rexhep Ismajli, Anila Omari, Bardhyl Demiraj, Gëzim Gurga, Matteo Mandala, Francesco Altimari do të bëhej shkollë.
Duhet theksuar se filologjia shqiptare ka arritur suksese të shënuara vitet e fundit dhe kjo falë kërkimeve arkivore e bibliografike, studimeve dhe botimeve albanologjike bërë nga studiuesit arbëreshë. Që prej vitit 1994, me nismën e Prof. Françesko Altimarit ka nisur dhe është afër përmbushjes projekti BETA (Biblioteca Elektronike e Teskteve Arbëreshe), ose Leksikografia Tekstuale e Kompjuterizuar, e cila përveç botimit kritik të veprës së autorëve arbëreshë, pra përmes mbledhjes dhe dokumentimit lëndor mbi bazën e metodës korrekte ekdotike, mbi të gjitha synon që tekstet gjuhësore të këtyre veprave t’i katalogojë dhe t’i përpunojë në mënyrë elektronike në kompjuter në një perspektivë të re solide filologjike për hartimin kështu të fjalorit të plotë të arbërishtes dhe sipas konkordancave gjuhësore, me qëllim nxjerrjen në pah të frekuencave të përdorimit më të zakonshëm, gjë që më pas do ta bëjë më aktive kujtesën gjuhësore të botës arbëreshe në nivel retrospektiv, dhe pse jo edhe asaj shqipe që prej Mesjetës. Ajo që është e rëndësishme është se Matteo Mandala dhe Francesco Altimari, njohës të shkëlqyer të Shkollës së Filologjisë Italiane, kjo ndër më të njohurat sot në këtë fushë, ofrojnë një mënyrë dhe një procedurë studimi krejtësisht të re dhe moderne, e cila i bën këto tekste lehtësisht të përdorshme, pasi origjinali nuk preket, ndërkohë që shpjegimet u pranëvihen teksteve si aparate leximi. Tani pas 15 vjetësh projekti i nisur në mënyrë mjaft domethënëse me Bagëti e Bujqësia të Naim Frashërit, për të vijuar më pas me veprat e Lekë Matrëngës, Nikollë Brankatit, Nikollë Filjës, Jul Varibobës, Nikollë Ketës, Jeronim de Radës, Zef Serembes, Gravil Darës, Zef Skiroit, Françesko Krispit Galvianos, Françeko Antonio Santorit etj, si dhe teksteve të botuara dhe atyre dorëshkrim të letërsisë gojore arbëreshe etj, është drejt realizimit të tij të plotë, kjo edhe falë mbështetjes dhe bashkëpunimit model midis universiteteve të Kalabrisë dhe Palermos. Disa tekste si: E mbsuame e krështerë, Kodiku i Kieutit, Gjella e Shën Mëris Virgjërë, të cilat ishin botuar edhe më parë, u është bërë ribotimi kritik më i kujdesshëm në një perspektivë filologjike tekstore më solide, sipas metodologjisë korrekte ekdotike tashmë të stabilizuar, duke ndrequr kështu gabimet e bëra në botimet e mëparshme.
“Çeta e Profetëve” I pari botim i plotë kritik
Cuneus Prophetarum, (Çeta e Profetëve), Botim kritik me një studim hyrës, faksimile të origjinalit, transkriptim e shënime, përgatitur nga Anila Omari, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 2005. 950 faqe. ISBN 99943-773-8-2.
Cuneus Prophetarum, (Çeta e Profetëve), është një botim kritik i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, botim sipas origjinalit, Padovë 1685.
Botimi i kësaj vepre është rezultat i punës shumëvjeçare të studiueses filologe Anila Omari, i vetmi botim i plotë, tërësor, që i bëhet Çetës së Profetëve, ndonëse botime të pjesshme e ribotime ka pasur ky libër që me kohë. Ndër këta studiues, ajo përmend botimet e Venecies (1691 dhe 1702), Dom Ndre Mjedjen (1930), At Mark Harapin (1940-43), Rudolf Trofeniku-n (1977), dhe Engjëll Sedaj-n (1989-1997) etj. Libri hapet me një Parathënie të autores, (faqe 3-5) përmes së cilës ajo shtjellon përmbledhjet dhe studimet e autorëve të ndryshëm për veprën e Bogdanit, arsyet e marrjes së këtij botimi si dhe kriteret që ka përdorur ajo në botimin e pranishëm dhe ndjekja e shembullit të Eqrem Çabejt, i cili na ka lënë si model botimin kritik të Meshari-t të Gjon Buzukut (1968).
Më pas vjen Hyrja (faqe 7-83), në të cilën autorja ka trajtuar jetën dhe personalitetin e Bogdanit, veprën dhe procesin e hartimit të saj, botimin e veprës, grafinë e veprës dhe kriteret e transkriptimit të saj, si dhe një tabelë krahasuese të alfabetit të përdorur nga Bogdani me alfabetin e sotëtm të shqipes dhe alfabetin fonetik ndërkombëtar (IPA). Në fund autorja jep Literaturën (Bibliografinë), (faqe 84-88), mjaft të pasur ku ajo është mbështetur, e cila përmban plot nëntëdhjetë autorë dhe studime.
Botimi përmban: faksimiljen e plotë të veprës në faqet majtas, shoqëruar në faqen djathtas me transkriptimin (përkthimin) shqip, shoqëruar në fund të faqeve me mjaft shpjegime e shënime për fjalët dhe shpesh për ndërtimet gramatikore, çfarë nënkupton një aparat të plotë shkencor i cili paraqitjet kështu për mjaft lexues me formim gjuhësor ose me kulturë të përgjithshme, rrjedhojë kjo e një pune të vazhdueshme dhe sistematike të autores.
Pas frontespicit, më pas vjen letra e Bogdanit drejtuar kardinal Barbarigos, shkruar në Padovë, më 18 tetor 1695, si Arqipeshkëv i Shkupit. Më tej vjen një poezi kushtuar kardinalit Gregor Barbadikus-it, shkruar prej Mateus Thomaseus. Në vijim kemi një kushtim që i bëhet veprës së Bogdanit prej xhaxhait të tij, Andrea Bogdanit, Arqipeshkëv i Shkupit më 10 tetor 1683. Në faqen XI kemi letrën e Joan Klerikatit mbikëqyrës i titullit të Shenjtës Trini të Padovës drejtuar Gregor Barbadikus-it kardinal, Ipeshkv i Padovës, letër në të cilën Joani jep pëlqimin e botimit të veprës Çeta e Profetëve, në gjuhët italisht dhe epirotisht, letër kjo e lëshuar në Padovë më 6 qershor 1685. Abat Gjon Bogdani, vikar i përgjithshëm i Kishës metropolitane të Shkupit, pasi shqyrton librin e Pjetër Bogdanit Cuneus Prophetarum de Christo Salvatore Mundi et eius Evangelica Veritate, jep garanci për këtë vepër, duke lëshuar edhe dëshmi më 1 tetor 1684 në Serbi. Po këtë garanci për veprën e Pjetër Bogdanit e jep edhe Nikolla i Andre Bratiqit nga Prizreni me banim në Venezie, lëshuar në këtë qytet, më 1 prill 1685. Faqja XIV nis me Hyrjen, Parathënien e Bogdanit për veprën e tij, parathënie të cilën autori e quan Të primitë përpara letërarit. Më pas ndjekin mjaft poezi, ode, këngë të autorëve të huaj, klerikë e shekullarë kushtuar Bogdanit dhe veprës së tij. Vepra e Bogdanit ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përmban Çetën e Profetëve me 182 faqe (italisht e shqip), ndërsa pjesa e dytë përmban Jetën e Jezu Krishtit, Shëlbuesit të Botës (gjithnjë italisht e shqip), me 162 faqe, por që autorja i ka paraqitur në faqe çifte, me transkriptim e shënime.
“Çeta e Profetëve” ngërthen katër shkallë, ku secila shkallë ndahet në ligjërata, si më poshtë: Shkalla I (f.1-53): Si krijoi Zotynë nierinë, Ligjërata I: Si ashtë Hyji ndë vetëhe. Ligjërata II: Si asht ndër tre vetë, Nja i vetëmi Hyj.
Ligjërata III: Si e kallëzuenë profetëtë të Shënë Tritatnë (Trinitetin). Ligjërata IV: Si e krijoi Zotynë Qiellnë. Ligjërata V: Si e krijoi Zotynë Dhenë. Ligjërata VI: Si e krijoi Zotynë Adamnë et (dhe) Evënë të Parëtë tanë Print. Ligjërata VII: Si fëjyenë (mëkatnuan) Adami et Eva. Shkalla II: Profetitë (Profecitë) e metaforat e tyne përmbi t’ardhunitë Mesisë, Krishtit, Shëlbuesit shekullit. Ligjërata I: Qish (qysh, çka) do me thanë Profetia. Ligjërata II e disa shembëlltyrave Përmbi t’ardhunitë të Mesisë, Krishtit, Shëlbuesit shekullit. Ligjërata III së dy fije rrezje së profetisë. Ligjërata IV Shumë duer vështëria. (Këto ligjërata vazhdojnë nga faqet 54-83). Shkalla III: Jeta e Profetëvet me profetitë (e) tyne. Ligjërata I: Jeta e profetitë e Mojze Profetësë. Ligjërata II: Jeta e Davidit Profetë. Ligjërata III: Profetit e Davidit Profetë. Ligjërata IV: Jeta e Salomonit Profetë e profetit e tinaj. Ligjërata V: Jeta e Jobit Profetë e profetitë e tinaj. Ligjërata VI: Jeta e Izaisë Profetë. Ligjërata VII: Jeta e profetitë e Jeremisë Profetë. Ligjërata VIII: Jeta e profetit’ Exekjelit Profetë. Ligjërata IX: Jeta e profetit’ e Danielit Profetë. Ligjërata X: Përmbi Profetëtë (e) vogjëlë e Profetitë e tinaj. Ozea Profetë. Ligjërata “X (për së dyti herë): Jeta e Joelit Ptofetë. Ligjërata XI: Jeta e profetitë e Amos Profetë. Ligjërata XII: Jeta e profetitë e Abdisë Profetë. Ligjërata XIII: Jeta e profetitë e Jonësë Profetë. Ligjërata XIV: Jeta e profetitë e Mikesë Profetë. Ligjërata XIV (për së dyti herë): Jeta e profetitë e Nahumit Profetë. Ligjërata XV: Jeta e Profetitë e Abakuk Profetësë. Ligjërata XVI: Jeta e profetitë e Sofonisë Profetë. Ligjërata XVII: Jeta e Profetitë e Agjesë Profetë. Ligjërata XVIII: Jeta e profetitë e Xakari Profetësë. Ligjërata XIX: Jeta e profetitë e Malakis’ Profetë (këto ligjërata gjenden në faqet 85-155). Shkalla IV përshkruan jetët e Sibilave. Ligjërata I: Jeta e dhjetë Sibilavet e kankët e tyne. Ligjërata II: Jeta e ndivënesëtë (profecitë, orakujt) e Sibilësë Kumea. Ligjërata III: Sibila Libika. Ligjërata IV: Sibila Delfika. Ligjërata V: Sibila Persika. Ligjërata VI: Sibila Eritrea. Ligjërata VII: Sibila Sarnia. Ligjërata VIII: Sibila Kumana. Ligjërata IX: Sibila Elespontika. Ligjërata X: Sibila Frigja. Ligjërata XI: Sibila Tiburtina. Po në këtë shkallë jepen edhe dise ligjërata të tjera, si Ligjërata I: Përmbi të gjashtë jetëtë (e) shekullit. Ligjërata II: E dyjta (dyta) jetë e shekullit. Ligjërata III: E treta jetë e shekullit. Ligjërata IV: E katërta jetë e shekullit. Ligjërata V: E pensta (pesta) jetë e shekullit. Ligjërata VI: E gjashta jetë e shekullit (të gjitha këtë ligjërata përmbledhin në faqet 157-182). Këtu përfundon dhe pjesa e parë e Veprës.
Pjesa e dytë fillon me “Mbi jetën e Jezu Krishtit, Shëlbuesit të Botës dhe të vërtetën e Tij ungjillore”. Edhe kjo pjesë ndahet në shkalla e ligjërata. Përsëri, edhe kjo përmban katër shkallë, me ligjëratat përkatëse, si vijon. Shkalla I: Jeta e Jezu Krishtit Shëlbues (të) Vërtetit Mesi. Ligjërata I: Jeta e së Lumesë Virgjinë Mri, s’Amësë Tinaj. Ligjërata II: Të lemitë e së Lumesë për herë Virgjinë Mri. Ligjërata III: Cihariqi i Engjëllit së Lumesë Virgjinë Mri. Ligjërata IV: Të lemit’ e Jezu Krishtit, Zotit Tinë (tonë). Ligjërata V: Të rrethpremit’ e Zotit tinë Jezu Krisht. Ligjërata VI: Të adhëruemit’ e tre Regjinjet (Mbretërve). Ligjërata VII: Si u ndal Jezu Krishti ndë Jeruzalemt (në Jerusalem) ndër dotorët e të Tretënë ditë u gjet. Ligjërata VIII: Të pagëzuemit’ e Jezu Krishtit, njineset e tëndimit (tundimit) së Tinaj ndë shkretit(ë). Ligjërata IX: Si Jezu Krishti xgodh apostujt’ e vet. Shkalla II: Mrekullit’ e Jezu Krishtit Zotit Tinë. Ligjërata I: Si e kthej Jezu Krishti Ujëtë ndë venë ndë Kana Galilet. Ligjërata II: Ndjekënë të tjera mrekulli të Jezu Krishtit. Ligjërata III: Predikimet e Jezu Krishtit e mrekullit’ e Tinaj. Ligjërata IV: Si Jezu Krishti shumoi bukëtë e nginji (ngopi) shumë mijë gjindje. Ligjërata V: Si Jezu Krishti vu (vuni) Pjetërë për gur të temelit Kishës së vet. Ligjërata VI: Si Jezu Krishti e ngjalli Laxarinë (Lazrin) e si hini ndë Jeruzalemt. Ligjërata VII: Darka e Jezu Krishtit me Apostuj të vet’. (Kjo shkallë me këto ligjërata, përmbledhin faqet 1-96, natyrisht me një numërim të ri faqesh në pjesën e dytë). Shkalla III: Pësimi e mortja e Zotit tinë Jezu Krisht. Ligjërata I: Si Jezu Krishti djersi gjak ndë kopësht e tradhëtija e Judësë. Ligjërata II: Si e shpunë Jezu Krishtinë përpara Pilatit e si Aj e dërgoj Herodit. Ligjërata III: Si e vunë Jezu Krishnë mbë Kryjt (në Kryq). Ligjërata IV: Si e hojnë (hoqën) Jezu Krishnë Kryqet e ja dhanë së Lumesë Virgjinë. Shkalla IV: Së ngjallunit e së ardhunit së dyjti të Krishtit Shëlbues. Ligjërata I: Si u ngjall Jezu Krishti të tretënë ditë. Ligjërata II: Si hipi Jezu Krishti mbë Qiellt Ditën e Shëlbuemit. Ligjërata III: Të zdripunit’ e Shpirtit Shenjt Ditënë e Rrshavet. Shkalla IV: Pas kësaj ligjërate shkëputet me një gravurë, e cila parqet Çetën e Profetëve të Krishtit. Pas kësaj vjen “Çeta e Profetëve” (Cuneus Prophetarum) në tetë gjuhë (fq.145-149), si në latinisht, greqisht, armenisht, sirisht, hebraisht, arabisht, italisht dhe epirotisht, natyrisht në mënyrë fragmentare. Menjëherë ndjek një faqe (150), me titull Njerëzia e Jezu Krishtit Shëlbuesit (të) Shekullit. Në fund, vjen Ligjërata IV e shkallës së IV, me këtë nëntitull: Si ka me ardhunë Jezu Krishti me gjykuem Shekullinë, Ditët së Gjyqit, por që ndiqet nga një nëntitull tjetër më i gjerë: Jeta e Antikrishtit si ka për të kjanë (qanë, qenë) (në faqet 155-159), kur edhe vjen Mbarimi siç e shprehet vetë Bogdani.
Bogdani në fund të veprës së tij, për të ndihmuar dhe drejtuar lexuesit, harton një tregues, “Kallëzori” sikurse e quan ai në italisht “Indice”, në të cilin rëndit alfabetikisht fjalët më kryesore të përdorura në veprat e tij, shoqëruar me numrin e faqeve përkatëse. Këta tregues përfshijnë 14 faqe e gjysmë, edhe pse pa numër faqesh. Pjesën në shqip Anila Omari e ka transkriptuar duke e shoqëruar edhe me shpjegimet e nevojshme, sikurse ka vepruar në të gjithë veprën.
Vijnë pastaj sërish faqe të panumëruara, në të cilat Bogdani vijon me historinë e shtëpisë dhe fisit të tij, duke e titulluar Pleqënia e Shtëpisë Bogdananjet, ku aty jep edhe përpjekjet e mundimet e Pjetrit gjatë kohërave, sidomos në shërbimet fetare dhe në veprimtaritë e tij politiko-kulturore. Kjo përmbledh më tepër se dy faqe. Libri mbyllet me një letër të shkruar latinisht (e përkthyer kjo nga studiuesja A.O) të Papa Aleksandrit të VII, të shkruar nga një sekretar G. Gualtierius, drejtuar ungjit të Pjetrit, Andre Bogdanit, Arqipeshkëv i Ohrit dhe më vonë Arqipeshkëv i Shkupit. Kështu, numri i faqeve të këtij botimi kritik arrin 950, meqë mjaft prej tyre si në fillim, ashtu në fund të saj janë të panumëruara. Me këtë botim, filologjia shqiptare, gjuha dhe letërsia shqipe pasurohen më një gur të rëndësishëm, i cili do të zërë një vend të rëndësishëm në bibliotekën tonë, e që padyshim i jep vlerën e merituar punës së autores.
Komentoni
Artikuj te tjere
Poezi nga Peter Kapp, përktheyer nga Remzi Salihu
Ilir Sefaj: Kur flasim për librin - Alternativa letrare shqiptare
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Dyzet vjet mërgim
Shazim Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Lumenjtë e dritës'' (V)
Përparim Hysi: Kulaku i "katërt?!"
Albert Zholi: Taulanti
Flamur Struga: Mirëseerdhe në gjuhën shqipe
Naser Aliu: ?Akuza
Bilall Maliqi: Edhe një prezantim i vlerave letrare
Duro Mustafaj: Për të qarë dhe për të qeshur - një libër i ri i Luan Çipit
Shevki Sh. Voca: Norman H. Gershman dhe libri i tij fotoalbum
Cikël poetik nga Ismet Tahiraj
Engjëll Koliqi - Poezi të 20-21 tetorit
Halit Bogaj: Brus Li
Hilmi Saraçi: Bishti
Sokol Demaku: Përkufizime bashkëkohore
Naser Aliu: Jeta e tretë
Halit Bogaj: Flamuri dhe Çajupi
Alfred Beka: Nobelistja shqiptare
Gazi Buxheli: Kujdes lirinë (Cikël poetik)