E premte, 02.05.2025, 06:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Dyzet vjet mërgim

E hene, 14.12.2009, 08:04 PM


FARUK TASHOLLI

ME TETOVARËT NË GJERMANI

DYZET VJET MËRGIM,
LARG E AFËR FAMILJES

Në periferi të qytetit, ku mali prehet rrallë, në një oborr të madh bujqësor, e takova burrin 63 vjeçar  nga Liseci i Tetovës, Sytki Rexhepin. Në atë hapësirë pronari e kishte shndërruar shtëpinë e dikurshme në restoran luksoz, ndërsa pak më tutje, i kishte mbajtur ahuret e kuajve, por tash të kuajve sportivë. Aty ishte edhe Sytkiu, që duke pritur pensionin e merituar, ende po vazhdonte të punonte duke u përkujdesur për kuajtë dhe qentë e pronarit. Ai këtë punë e bënte me kënaqësi, me kujdes dhe vazhdimisht duke menduar që t’i kursejë paratë e fituara.
- Eh mor lalë, - më tha. - Unë këtu në Gjermani veç kam punuar. Njëherë për familjen prindore, pastaj për familjen time, e tash edhe për vete, edhe për djalin.
     Ndalemi në një kënd të stallës, ku në mur janë të varura fotografitë e kuajve sportivë.
Lala Sytki i njeh që të gjithë. Të gjithëve ua din biografinë, kohën kur i ka marrë pronari, kohën kur kanë garuar dhe kohën kur janë larguar nga stalla e që janë zëvendësuar me kuaj të rinj. Katër kuaj i ka Sytkiu në mbikëqyrje. Stalla ka pjesën e ushqimit, pajisjet e kalërimit e gjithçka që i duhet këtij sporti fisnik. Pak më larg në një qoshe, nga shtretërit e tyre të butë, turren dy qenë të na lehin. Lala i qetëson menjëherë. Derisa qentë na sillen rreth këmbëve duke lëvizur bishtin, po në mur, shohim fotografi qensh.
Fotografi të tjera qenkan këto?, - i themi.
- Po, ky qeni që është këtu, ka ngordhur prej vitesh. Ka qenë i mirë. Vazhdimisht më vinte pas. Këtë tjetrin nuk e kam mbërri. Ky më poshtë ka qenë një kohë të shkurtër këtu. Ky tjetri me lara-lara, kur ka ngordhur, unë e kam varrosur...Nuk se m’u ka dhimbtë shumë, por kur e varrosëm, më shpëtuan lotët.
Aty e more vesh se e paske dashur, a?
- Nuk lalë. Por kur kishte ngordhur, më tha shefja e restoranit, zonja Schmitz që t’ia bëja gropën atje te mali. Shkova, i bëra gropën, aty ku i kishte edhe dy qenë të tjerë të varrosur. Pasi gropa ishte gati, u nisëm unë, zonja Schmitz dhe një koleg imi i punës, Sigi. Qenin e mbështjellur me batanije e bartja me karrocën e dorës njërrotëshe. Shkuam deri te gropa, ndërsa zonja, në duar mbante lulet. Unë bëja punën time. E hodha qenin me kujdes në gropë bashkë me kolegun tim gjerman Sigin dhe e mbuluam me dhé. Kur e kryem punën, zonja ia hodhi tufën e luleve përmbi, ndërsa, derisa qëndronte gatitu me shikim nga varri, filluan t’i rrëshqasin lotët faqeve. Lotët iu bashkuan nën mjekër dhe në atë moment, kur e pashë atë, më erdhi një ndjenjë dhembshurie dhe, ia plasa vajit te rrënjët e lisave edhe unë...
Derisa  shkëput këtë kujtim nga puna, ndërrojmë temën e bisedës, duke u interesuar të dimë se kur dhe si ka ardhur lala Sytki në Gjermani, si është gjendur këtu e gjëra të tjera rreth mërgimit.
-  Unë jam nga Liseci, flet ai. Kur isha i ri, kishim një dajë që ishte brigadier në një ndërmarrje që shpërndante rrjetin elekrtik nëpër fshatrat e Malësisë së Sharrit. Ai na jepte punë akord dhe ne punonim, në fillim në fshatrat e afërta Borocë, Veshallë, Brodec…Kur vdiq daja, babai im u bë brigadier dhe punën e zgjatëm nëpër Tetovë e nëpër Gostivar. Fitimi ishte i mirë, por i vogël. Familja rritej e të krijonim mirëqenie, e kishim vështirë për nevojat tona.
Dhe ia mësyve Gjermanisë?, - ia premë shpejt.
- Truku bre!, - më thotë. - Ishim në arat tona, në Lisec. Po korrnim thekën. Verë. Zheg. Erdhi një shok nga Tetova dhe na tregoi se Byroja e punës po çon punëtorë në Gjermani. Ai vëllain dhe babën i kishte tashmë në Trier. Si mund të vij më shpejt? - i thashë. Edhe vëllai im donte të vinte. Baba nuk na linte. Rrini, thoshte, këtu se do t’iu blej limuzina. Po çfarë limuzinash, o lalë. Ne as udhë për limuzina nuk kishim. Mua dhe vëllain tim Nadiun nuk kishte njeri të na ndalte. Atje në Tetovë ishte një njeri, një udhëheqës që i bënte këto punë, një Hysen Riza Krali. Për pak kohë i bëmë kontrollet mjekësore, i nënshkruam kontratat e punës për dy vjet, për punë në minierë. Hipëm në tren ku ishin nja tre-katërqind vetë nga Malësia e Tetovës. Të gjithë për ngut. Merre me mend, unë jam nisur me tren pa pasaportë, e ai Hysen Riza Krali pasaportën ma ka pru në Nish. Nisuni thoshte, se pasaportat ua sjell unë. U nisëm me vëllain. Donim së paku nga një shtëpi ta bëjmë e të kthehemi.
Ishe  i martuar lalë, atëherë?
- Si nuk? Isha i ri, i martuar. Sa kisha ardhur prej ushtrie. Kisha dy fëmijë. Po u nisa. Madje i gëzuar se do të bëj diçka. Së paku një shtëpi. Në minierë nuk ishte puna e vështirë. Paga ishte e mirë, dyfish më shumë se diku tjetër. Merrnim bukën me vete dhe, derisa zbritnim nëpër horizonte, secili te vendi i vet, bënim nja dy orë. Së pari hanim bukë e pastaj 4 orë nxirrnim qymyr. Bëheshim gati dhe dy orë derisa dilnim mbi tokë. Pastaj vinte ndërrimi tjetër e kështu me radhë.
Po me mërzi si kalonit?
Lala Sytki hesht. Nga thellësia e tij lexohet mërzia e dikurshme e edhe e tashmja. Sytë ngadalë fillojnë t’i mbushen përbrenda. Përpihet pak, po lotët nuk i dalin jashtë syrit… Por prapë e vazhdon rrëfimin. Flet se për 3-4 vite i ka bërë dy shtëpi më vëllain në Lisec, pastaj më vonë kanë ble edhe një tjetër në Tetovë, që së paku t´i shkollonin fëmijët. Për pesë vite, thotë Sytkiu, në shtëpi shkonim dy herë në vit, derisa fëmijët  rriteshin shpejt. Në minierë  punova veç nja dy vjet e diçka, sepse, shokët më thoshin se ka para më shumë në fabrika, në ndërtimtari etj. Ata krejt më kishin pas rrejtur. Në këto vende edhe puna ishte më e rëndë edhe paga përgjysmë, po unë tashmë kisha dalë nga miniera. Banonim bashkë. Gjashtë vetë në dy dhoma.
Kur djali im Numani i mbushi katër vjet, e mora me vete në Gjermani se i kishte gurët në veshkë. Djalin e bënë operacion në spital dhe kaloi mirë. Pas dy vitesh e solla sërish në kontrollim. Kur punoja unë, dikush nga shokët ishte në banesë dhe djali kurrë nuk ishte vetëm.
- Eh, mor lalë!, - sërish përpihet Sytkiu. - Mërgimi, robëria, lufta. Unë jam djegur me këto, por dikush është djegur më shumë. Sidomos në Kosovë. Në vitin 1991, po ky djali im, Numani, derisa ishte ushtar në Trebinje, pra në atë ushtrinë jugosllave, u vra. Më thirrën urgjent: Hajde më shpejt se baba është i sëmurë! Ngarenda me ndihmën e shokëve, po aeroplani më iku për tre minuta nga aeroporti i Dyseldorfit. Ia mësyva Zvicrës dhe atje gjeta një fluturim për Shkup. Me shpresë se do ta gjej babën gjallë. Po çfarë babe, ore?! Nuk e di si më kanë treguar, por kur e mora lajmin, kam ra përtokë. Djali im Numani ishte i vrarë. Trupi i tij i pajetë, kishte mbërri para meje. Mërzi e madhe. Vdekje pa hak. Po luftë, bre lalë. Deri në momentin kur nuk e kanë pru trupin e djalit, nuk e kishte ditë as gruaja. Në skaj të katundit, pjesëtarë të familjes kishin bërë roje, që kush mos të bie kumt për vrasjen e djalit, derisa të mos vinte kufoma. Pas varrosjes së djalit, u ktheva sërish në punë në Gjermani, por flaka më dilte nga mërzia. Me mua ishin shokët e mi të mërgimit, si Ameti, Qerimi, Shafiu, Kadriu, Mahmuti, Afeti…Ata m’u gjendën pranë në ato momente të rënda. Ata ma kishin ndërruar banesën që e kisha pasë në plan dhe ma kishin rregulluar mirë. Tash kam dy vajza dhe një djalë. Janë të martuar. Kanë fëmijë. Kam shtëpi të re dhe dyqan në Tetovë. Aty punon djali.
Tek para dhjetë vitesh e kam marrë gruan këtu në Gjermani. Me të shkojmë e vijmë në Tetovë e nga Tetova. Tridhjetë vjet kemi jetuar ndaras. Dy herë në vit jemi takuar, e fëmijët janë rritur pa mua.
Ky është vetëm një rrëfim i vogël, rastësisht i shkëputur nga mërgimtari i vjetër Sytki Rexhepi, që tash e dyzet vite jeton e punon në Gjermani, ndërsa mendjen e ka në Tetovë. Te familja e madhe…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx