E premte, 02.05.2025, 11:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Alfred Beka: Nobelistja shqiptare

E shtune, 12.12.2009, 11:49 AM


Nobelistja shqiptare

Me rastin e tridhjetë vjetorit të marrjes së çmimit Nobel për Paqe nga Nëna Terezë, në Teatrin Kombëtar u mbajt një akademi përkujtimore, me ç’rast, nga ana e Presidentit Sejdiu, viti 2010 u shpall ‘Vit i Nënës Terezë’.

Nga Alfred Beka, Express

Para tridhjetë viteve për herë të parë një çmim Nobel ka rënë në duart e një shqiptareje. Ka qenë pikërisht Nëna Terezë shqiptarja e parë që është laureuar me çmimin Nobel për Paqe. Në tridhjetë vjetorin e dhënies së këtij çmimi, të enjten, nën patronazhin e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, është mbajtur një akademi përkujtimore në nderim të figurës së Nënës Terezë.

Duke folur para të pranishmëve, Presidenti Sejdiu tha se Nëna Terezë ishte shqiptare e lindur në Shkup, me prindër nga Kosova, të cilët e kishin edukuar në frymën e vërtetë të shpirtit shqiptar, në frymën e dhembshurisë, të humanizmit dhe të dashurisë për njeriun.

"Ndaj, lutja e saj njeh shkallëzimin ngjitës dhe zgjerohet në tërë botën, bëhet universale, ashtu siç ishte zemra e saj", tha ai. Duke e cilësuar si bijë të urtë të popullit shqiptar, Presidenti Sejdiu tha se ajo është personalitet i rrallë edhe i Kishës Katolike Shqiptare.

Sipas tij, Nëna Terezë e ka vazhduar në mënyrë shembullore udhën e madhe të Papa Klementit, Pjetër Budit, Atë Shtjefën Gjeçovit dhe shumë e shumë misionarëve të tjerë, që dhanë aq shumë për fe e për atdhe. Sejdiu, po ashtu, theksoi se Nëna Terezë, padyshim, është bijë dhe nënë e gjithë njerëzimit. "Ajo është shqiptare, po, gjithashtu, është edhe indiane, italiane, amerikane, angleze. Të gjithë duan ta identifikojnë si të tyren, të gjithë duan të shëmbëllejnë me të. Dhe kanë të drejtë, sepse ajo nuk ishte vetëm jona, vetëm e ne shqiptarëve, por ishte e botës mbarë, e gjithë njerëzimit", tha Sejdiu. Duke i përmendur disa prej çmimeve që i ka marrë Nëna Terezë anekënd botës, Sejdiu tha se “më 28 tetor 1996, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova e shpalli Nënën Terezë ‘Qytetare Nderi e Republikës së Kosovës’.

Më tutje, Presidenti Sejdiu tha se duke i pasur parasysh të gjitha virtytet dhe cilësitë e rralla njerëzore e kombëtare të Nënës Terezë, duke pasur parasysh veprën e saj të madhe jetësore, ka marrë vendim që të shpallë vitin 2010, vitin që shënon njëqindvjetorin e lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, "Vit të Nënës Terezë". Ai po ashtu tha se jep Patronazhin e tij për të gjitha veprimtaritë që Ministria e Kulturës dhe institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore do të organizojnë për ta nderuar e për ta lartësuar emrin e ndritur të Nënës Terezë. “Nëna Terezë botërisht u shpall ‘Personalitet i Shekullit XX’. Shpallja e vitit 2010 ‘Vit i Nënës Terezë’ është një mirënjohje jona e vogël për këtë bijë të madhe të botës shqiptare dhe të gjithë njerëzimit”, tha në fund Presidenti Sejdiu.

Ndërkaq, në fjalën e tij, Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, tha se tridhjetë vite më parë, ne të gjithë shqiptarët, ishim nën prangat e diktaturës dhe jetonim në terrin e ideologjisë që na i impononte koha. “Atëherë, pra, kur kjo motër e jona, me veprën e dashurisë kishte arrit të bëhej Nënë e botës së varfër, kur kishte arrit të merrte merita dhe dekorata të shumta, falënderime dhe mirënjohje nga institucionet dhe shtete të ndryshme të botës, siç ishte edhe Çmimi Nobel për Paqe, ne as që e dinim se si në këto kohë të errëta diku në horizont ishte një yll drite që shkëlqente dhe denjësisht na përfaqësonte të gjithë neve kudo në botë”, u shpreh Imzot Gjergji. Ai tregoi se me pesë shtator të këtij viti, që është dita e Festës së Nënë Terezës, që shënon edhe ditën e kalimit të saj në amshim, në Katedralen “ Zoja e Këshillit të Mirë” në Prizren, e ka shpallë vitin 2010 “Vit jubilar të Nënë Terezës” për Kishën tonë në Kosovë.

Gjergji shtoi se populli ynë dhe kisha jonë, në të kaluarën e largët dhe në atë të afërm që mbajmë mend, ka nxjerrë figura të shumta që kanë dhënë kontribut të çmuar: për shkrim e lexim, për dije dhe kulturë, për fe dhe Atdhe, për liri dhe shtet. “Por, ndër të gjitha këto janë dy figura të pakontestueshme dhe fuqiplote që meritojnë të nderohen nga të gjithë:

Gjergj Kastrioti i quajtur Skënderbe, vigani i qytetërimit tonë dhe frymëzuesi i përhershëm për liri dhe Gonxhe Bojaxhiu, që e gjithë bota e quan Nënë Tereza, simboli i dashurisë dhe i paqes për të gjithë”, tha ai. Gjergji e falënderoi Sejdiun për dekretin e tij me të cilin e shpall vitin 2010 vitin e Nënë Terezës. “Dekreti Juaj i jep dimension më mbarë-shtrirës kësaj iniciative dhe iu mundëson të gjithë institucioneve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës tonë, pa marre parasysh dallimet që i kemi, të reflektojnë mbi veprën dhe figurën e shkëlqyeshme të dashurisë dhe të paqes, që është Nënë Tereza”, tha Imzot Gjergji. Sipas tij, Nënë Tereza ishte dhe mbetet simbol i përkryer i ushtrimit të dashurisë ndaj të afërmit, dashuri kjo që, siç u shpreh ai, tejkalon kufijtë njerëzorë e mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me dimensionin hyjnor.

Ndërkaq, Dom Lush Gjergji, njëri prej biografëve më të njohur të Nënës Terezë, duke e vlerësuar si nënë të gjithë njerëzimit, tha se Nëna Terezë ishte kulminacioni i punës vetëmohuese. “Nëna Terezë është kulminacioni i punës vetëmohuese, i mirësisë dhe dashurisë”, tha ai, duke shtuar se “Nëna Terezë e pranoi çmimin Nobel për Paqe, vetëm në emër të të varfërve, për të ndihmuar të varfrit ndër më të varfrit, duke vënë në qendër të vëmendjes dy shtylla, Zotin dhe njeriun”.

Duke qenë se viti 2010 është vit jubilar i Nënë Terezës, pasi që shënon njëqind vjetorin e lindjes së saj, ky vit është shpallur si “Viti i Nënë Terezës” dhe me këtë rast, gjatë këtij viti, nëpër tërë Kosovën, do të mbahen aktivitete të llojeve të ndryshme kushtuar Nënës Terezë.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx