Kulturë
Demir Krasniqi: Analizë këngësh nga folklori ynë muzikor
E merkure, 09.12.2009, 08:56 PM

Nga Demir Krasniqi
Me kërkesë të një mikut tim, i cili më është drejtuar me nofkën “Kronisti” dhe me dëshirat më të mira që t’i disponoj , respektoj dhe nderoj të gjithë lexuesit e “Zemrës Shqiptare”, së bashku me të gjithë miqtë, adhuruesit e mi dhe të këngës popullore shqiptare në përgjithësi, do të përpiqem që t’i analizoj dy këngë të vjetra qytetare , ku krahas analizës , do t’ua sjell edhe tekstet e tyre origjinale .
Kënga e parë titullohet :”Hej, moj Dukane”, që është një këngë tipike autoktone nga rrethi i Gostivarit, e të cilën për herë të parë përmes valëve të Radio Prishtinës, na e ka sjellë këngëtarja e mirënjohur, tani e ndjera Hanife Sejfullahu – Reçani , që në fillim të viteve të 70-ta .
Kjo këngë që i përket ciklit të lirikës së dashurisë, për kah ritmi, melodia dhe mënyra e interpretimit , na jep përshtypje se ka elemente të këngës së traditës qytetare . Por, nëse e analizojmë motivin e tekstit të saj, atëherë na jep të kuptojmë se vargjet e kësaj kënge e kanë burimin nga ambienti, jeta dhe motivet e punës në fshat.
Personazhi kryesor i kësaj kënge me emërtimin Dukane, nuk na e jep emrin e vërtetë të vajzës së bukur dhe punëtore, të cilës i përkushtohet kjo këngë, por ky emërtim ose ka të bëjë me toponimin e vendbanimit të asaj vajze për të cilën është thurë e kënduar kënga, ose mund të jetë edhe vet mbiemri i saj, nga se kemi shumë njerëz që e mbajnë mbiemrin Duka.
Djali i dehur nga bukuria magjepse e Dukanes , e cila ishte duke punuar diku në punët bujqësore të fushës, e që kënga nuk e përcakton se çka në të vërtetë ishte duke punuar ajo , i afrohet me ngadalë me dëshirë që së paku t’ i thotë vajzës :”Puna e mbarë!” dhe të njihet me te më për së afërmi !
Por, përpjekjet e djalit për të vënë kontakt me vajzën (Dukanën) dështojnë, nga se në ato momente paraqitet babai i saj , i cili del papritmas nga mali dhe po të afrohej djali aty pari, do të sulmohej nga babai i vajzës dhe do të shkaktohej rrezik për jetën e djalit!
Këtë akt, djali i dashuruar në Dukanën, do ta përshkruaj se ishte i sulmuar dhe i rrezikuar nga babai i saj, të cilin e krahason me një gjarpër i cili do t’ i hajë që të dy dhe në asnjë mënyrë nuk do t’ i lejonte dy të rinjtë që të kënaqen !
Më tutje, djali i dashuruar marrëzisht ndaj bukurisë së Dukanes, nuk do të heq dorë në asnjë mënyrë nga kjo dashuri e imagjinuar dhe përmes vargjeve të këngës, do t’i drejtohet asaj nga larg , duke e pyetur se ku do të rrimë nesër mbrëma ?
Vajza, duke e pa se djali nuk do të heqë dorë nga ajo, i preferon djalit që të shkojë nesër mbrëma si mysafir në odën e vogël të babait të saj, ku do të mirëpritet, shërbehet dhe gostitet nga vajzat e reja, të cilat sipas traditës i shërbenin mysafirët .
Djali i dashuruar , me kënaqësi shkon mysafir në odën e vogël të familjes së vajzës, ku në atë odë të vogël nuk kishte ndriçim të mjaftueshëm nga se në atë kohë kishte vetëm llamba të vogla të vajgurit. Por, për ta ndriçuar më shumë atë odë, do të ndihmonin tri vajza të bukura të cilat po u shërbenin mysafirëve me të gjitha të mirat dhe begatitë që kishin, por që mbi të gjitha , ishin aq të bukura sa dukej se po bënin dritë më shumë se sa tri llamba të vajgurit!
Djemtë e ri, të cilët shërbeheshin me gjëra ushqimore, pemë, rrush, leblebija dhe kafe të herë pas hershme që nuk do t’i linte çunat të bien në gjumë, do të dehen nga bukuritë përrallore të atyre vajzave edhe më shumë se sa të kishin konsumuar raki !
Një pjesë e vargjeve të kësaj kënge, këndohet edhe nëpër ahengjet popullore të traditës gjakovare, por me një motërzim tjetër melodik , ritmik dhe tekstual, ku ata e këndojnë :”Dola n’ bahçe , moj, me ledhë lula – lumi une, moj, po m’ vjen pula “!
Por, të dëgjojmë tani vargjet origjinale të kësaj kënge , të kënduar në variantin e Gostivarit:
HEJ, MOJ DUKANE
Hej, moj Dukane, moj Dukane ,
Puna e mbarë , deshta me t’ than-e,
Hej, hej, hej,
Puna e mbarë deshta me t’ than-e !
Hej, puna e mbarë , deshta me t’ than-e,
Duel ni gjarpën me na ngran-e,
Hej, hej, hej,
Duel ni gjarpën me na ngran-e !
Hej, me na ngranë e me na kaq-e ,
Nuk na la ne me u kënaq-e,
Hej, hej, hej,
Nuk na la ne mu u kënaq-e !
Hej, ku po rrina nestër proma ?
-N’ odë të vogël rreth me xhama,
Hej, hej, hej,
N’ odë të vogël rreth me xhama !
Hej, n’ odë të vogël rreth me xhama,
Aty rrijshin dy – tri zana,
Hej, hej, hej,
Bajshin dritë sa dy – tri llama !
Hej, bajshin dritë sa dy – tri llama ,
Bajshin kafe me sahana,
Hej, hej, hej,
Bajshin kafe me sahana .
Hej, me sahana, me çinija ,
Rrush të bardhë e leblebija,
Hej, hej, hej,
Rrush të bardhë e leblebija .
Hej , rrush të bardhë e leblebija ,
Krejt k’ta çunat i zu rakia ,
Hej, hej, hej,
Krejt k’ta çunat i zu rakija !
NJË KËNGË E VJETËR QYTETARE QË KRIJON KONFUZITET TEK DËGJUESI
Njëra ndër këngët e vjetra popullore me motive qytetare , që është kënduar nëpër shumë dekada nëpër të gjitha krahinat shqiptare, sidomos nëpër ahengjet me karaktere qytetare, e që vazhdon të këndohet me të madhe edhe në ditët e sotme , është kënga me titull:”LULE MOS PREK”!
Kjo këngë, që për kah struktura e saj melodike, ritmike dhe tekstuale , duket se e ka prejardhjen nga Shqipëria e Mesme, edhe pse këndohet kaq gjatë brenda shpirtit të popullit, nga se melodia e saj i bënë për veti shumë interpretues të këngës popullore dhe dëgjuesit që i konsumojnë vlerat e saj artistike , brenda tekstit të saj fshihet një konfuzitet që krijon huti tek dëgjuesi dhe interpretuesi i saj, e që as sot e kësaj dite nuk u dhanë sqarime profesionale se për çfarë teme vërtetë bëhet fjalë në këtë këngë?!
Fillimisht, teksti i kësaj kënge na bënë të kuptojmë se kjo këngë i takon ciklit të këngëve lirike të dashurisë , por strofa e fundit e saj është aq konfuze , sa krijon një mjegullnajë të pa kuptueshme në mes të dashurisë së dy të rinjve , ku nuk dihet se për çfarë dashurie këndohet këtu?!
Në fillim të këngës , vajza e cila figurativisht i prezantohet djalit që e dashuron , si një lule e malit që është e pa prekshme ! Kur djali i dashuruar tenton që t’ia vë dorën mbi krah vajzës , për t’i dhënë shenj se e dashuron – vajza e kundërshton atë, duke e refuzuar dorën e tij nga krahu i saj, të cilin ajo e krahason me gemin e lules i cili nuk bënë të preket !
Më tutje, ajo ia bënë me dije djalit të dashuruar se gjatë ditës ajo nuk bënë të preket, por kur të vijë nata mund të ulet dhe të bije !Me këtë, ajo nuk ia këputë shpresat djalit, por e kurrajon se dashuria mund të vazhdojë në orët e mbrëmjes, kur nuk do t’i shohë askush!
Pas një dashurie të këtillë, do të vjen koha e ndarjes në mes të këtyre dy të rinjve , por që e vetmja lidhje e komunikimit në mes tyre për të mos u harrua , do të jenë letërkëmbimet !
I tërë konfuziteti , mjegullnaja , paqartësia në këtë këngë dhe përshkrimit të një dashurie të pa fat në mes të dy të rinjve , na paraqitet në vargjet e strofës së fundit të saj, kur raportet në mes të këtyre dy të rinjve na paraqiten si raporte të një dashurie si vëllai me motër dhe si motra me vëlla , të cilët janë rritë në një sofër dhe tani si do të mund të ndahen ?!
Kur e dëgjojmë këtë këngë, me të vërtetë nuk mund të dihet se për çfarë dashurie bëhet fjalë:- Dashuria normale dhe natyrale në mes të dy të rinjve, apo dashuria anormale dhe amorale në mes të vëllait me motrën?!
Se është vërtetë kështu, të lexojmë vargjet origjinale të kësaj kënge dhe do të bindemi se për çfarë dashurie në të vërtetë bëhet fjalë këtu !
Këngët e tilla , me porosi të dyshimta morale , edhe kur të joshin me meloditë dhe ritmet e tyre, duhet pasur kujdes që t’i flakim nga repertori dhe konsumimi , nga se mund të ndikojnë negativisht në edukimin e gjeneratave të reja !
LULE MOS PREK
O, djalë, prej gemit ,
Dorën ma hjek-e ;
Se unë kam emnin –
Lule mos prek –e !
Unë jam nji lule ,
Që rri n’ saksi-e ;
Kur t’ erret nata –
Ulem e bije !
Ndër male t’ shkreta ,
Unë du me shkue ;
Ndiçëm me letra –
S’ kem me u harrue !
T’ kam dashtë si motër ,
M’ ke deshtë si vëlla-e;
Jem rritë me i sofër –
Qysh domë me u nda-e ?!
Gjilan, më 09.12.2009.
Mblodhi dhe analizoi:
Demir KRASNIQI
Komentoni
Artikuj te tjere
Halit Bogaj: Vështrime të shkurtëra për 4 filma shqiptarë
Sabile Keçmezi-Basha: Natë kobi
Kalosh Çeliku: Nuk t? z? n?ma e njerk?s po n?ma e n?n?s
Halit Bogaj: Gjahtari i kaprojve
Albert Zholi: Artisti për veten, familjen dhe shokët
Halit Bogaj: Muri i Berlinit
Cikël me poezi nga Përparim Hysi
Halit Bogaj: Braveheart
Kalosh Çeliku: Komunist i arratisur
Pal Sokoli: Tahiri, Mala dhe Marku
Agim Rexhaj: “Shtatoret e përjetësisë”, një libër që ka vlerë jo vetëm për familjen Gojçaj
Halit Bogaj: Ahmet Delia
Albert Vataj: Diagnoza dhe terapia e një lëngimi politik
Demir Krasniqi: Mediumet publike - Flamurtarë të degradimit të vlerave tradicionale të kulturës sonë kombëtare
Zef Mulaj: Ngjarje në vitet 1974 në Shqipëri
Halit Bogaj: Zhan Pol Belmondo
Kalosh Çeliku: Teutat e soçme kuqezi, gra ''besnike'' në parti
Arben Kallamata: Trimat e mençur të UÇK-së
Trimrron Rexhepi: Nocion i brendshëm
Albert Zholi: Doli ne treg monografia e “Artistit të Popullit” Luftar Paja