Kulturë
Demir Krasniqi: Mediumet publike - Flamurtarë të degradimit të vlerave tradicionale të kulturës sonë kombëtare
E hene, 07.12.2009, 08:58 PM
MEDIUMET PUBLIKE – FLAMURTARE TË
DEGRADIMIT TË VLERAVE TRADICIONALE TË KULTURËS SONË KOMBËTARE
Nga Demir KRASNIQI
Në mungesë të kriteriumeve
redaktoriale dhe në mungesë të strukturave profesionale , të cilat do të duhej
të merreshin me ruajtjen e vlerave dhe eliminimin e antivlerave nga skenat
programore të emisioneve muzikore, sot mediumet publike elektronike, në veçanti
televizionet, janë bërë flamurtare të degradimit të vlerave tradicionale të
kulturës sonë kombëtare .
Shembuj
të këtillë, me të cilët ballafaqohemi për çdo ditë dhe në çdo emision, kemi me mijëra , por kësaj radhe do të
ndalemi shkurtimisht vetëm në disa prej tyre, për të cilat mendojmë se edhe
opinioni publik duhet ta thotë fjalën e vet profesionale.
1. Si mund të shkojnë vaporët bregut të detit?
Duke i përcjellë emisionet e
muzikës popullore që transmetohen nëpër televizionet tona publike, ndër shumë
këngë të vjetra tradicionale, shpeshherë na ka rënë që ta dëgjojmë një këngë të
vjetër popullore dibrane e cila titullohet :”Shkojnë
vaporat rrethit t’ detit”, e që
pa dyshim se është njëra ndër perlat më të bukura të këngëve tona të ciklit të
nizamisë .
Fatkeqësisht, këtë këngë pjesa
dërmuese e interpretuesve të saj , e këndojnë pa logjikë dhe e deformojnë
tekstin e saj që në strofën e parë, ku në vend se ta këndojnë:”Shkojnë vaporat, moj nane, rrethit t’
detit”, ata e këndojnë:”Shkojnë vaporat bregut t’ detit”?!
Interpretuesit e tillë, ose nuk e
dinë se çka janë vaporët, ose nuk janë në gjendje që ta dallojnë se kush mund
të shkojë rrethit të detit dhe kush mund të shkojë bregut të detit?!
Por
një gjë është më se e sigurt , se vaporët (anijet detare) në asnjë mënyrë nuk
mund të udhëtojnë nëpër breg të detit !
Deformimi
tjetër tekstual që i bëhet në vazhdimësi kësaj kënge, janë vargjet e strofës ku
thotë:”Mos u kthefshim , moj nane, për
shtatë vjet – le t’ i marrin, moj nane, burrat pleq”! Ndërsa interpretuesit që këndojnë pa logjikë, këtë
strofë e këndojnë:”Mos u kthefshim , moj
nane, për shtatë vjet – le t’i marrin , moj nane, burrat vet”?!
Vargjet origjinale të këngës ,
tregojnë për një të vërtetë të hidhur historike, ku djemtë e ri kanë shkuar për
të shërbyer në ushtrinë e mbretit turk, ku kanë qëndruar edhe nga 12 vjet,
kurse nëpër shtëpitë e tyre kanë ngelur vetëm njerëzit e moshuar, përkatësisht pleqtë
! Andaj, nuset e mbetura pa burra, po qe se do të donin të martoheshin, do të
duhej që të martoheshin me burra pleq, e jo me djem të ri, nga se ata nuk do t’
i gjenin!
Pra, këtu në asnjë mënyrë nuk bëhet fjalë për gratë
e veja, të cilat do t’i merrnin burrat vet!
Për
hir të së vërtetës dhe për hir të lexuesve , në vazhdim po ju sjellim tekstin
origjinal të kësaj kënge:
Shkojnë vaporat , moj nane, rrethit
t’ detit,
Dil e shihi, moj nanë, asqerët e
mretit !
Gjysa kajnë, o moj nane, gjysa
knojn-e,
Ka ni letër, moj nanë, n’ vilat pe
çojn-e!
Ka ni letër, moj nanë, pe çojnë n’
vilat-e:
“Për shtatë vjet, o moj nanë, t’ na
presin grat-e!
Mos u kthefshim, moj nane, për
shtatë vjet-e,
Le t’i marrin, moj nane, burrat
pleq-e!
Burrat pleq, o moj nane, pleq me
mjekër,
Ishalla vjen, o moj nanë, noj devre
tjetër!”
2. A thuhet “None” , apo “Nane”?
Ndër deformimet tjera, që po iu
bëhen teksteve të këngëve tona tradicionale pa mëshirshëm nga ana e
interpretuesve , kohëve të fundit ka dalë një “modë e re”, ku në vendet ku
përmendet emërtimi i shenjtë prindëror:”Nanë”,
ata e deformojnë duke e kënduar:”None”?!P.sh.
“Shkojnë vaporat, moj none”!
Një gjë dihet mirëfilli, se në
dialektin toskë thuhet:”Mëma”, ose “Nëna”, kurse në dialektin gegë thuhet:”Nana”, por në asnjë krahinë shqiptare
nuk më ka rënë që të dëgjoj se Nënës , ose Mëmës i thuhet “Nona”, e aq më tepër tek kosovarët, që kurrën e kurrës nuk mbahet
mend që dikush ta ketë thirrur Nënën:”Nona”,
ose “Oj None”!
3. A thuhet “Tirana”, apo “Tirona”?
Deformuesit e teksteve të këngëve
tona popullore, gjatë këndimit të tyre të palogjikshëm , përveç që e deformojnë
emërtimin :”Nënë” duke e kënduar si:”None”, nuk ndalen me kaq .
Ata, kohëve të fundit me të madhe
kanë filluar që ta deformojnë edhe emërtimin, apo toponimin e kryeqytetit
shqiptarë – Tiranës, ku në vend se ta këndojnë atë:”Moj Tirana jonë”, ata e
këndojnë :”Moj Tirona jonë”?! Pra,
gati se në të gjitha këngët ku përmendet Tirana, ata e këndojnë:”Tirona”?!
Me kësi lloj këndimesh të
deformuara, s’ ka dyshim se në opinionin publik automatikisht krijohet një huti
dhe hamendje, ku njeriu i pa informuar mirë, me doemos do ta shtrojë pyetjen:”A thuhet Tirana, apo Tirona”?!
4. Kur kanë këndua kosovarët polifoni me çifteli?
Interpretuesit amatorë të dehur
pas karriere dhe përfitimeve materiale pa djersë, të pa kontrolluar dhe
mbikëqyrur nga askush që e njeh traditën e folklorit muzikor shqiptar, jo
rrallë, duke u munduar që të dalin në parajsë , e humbin rrugën dhe dalin në
serrnishtë! Të tillët , shkojnë aq larg me interpretimet e tyre “artistike”, sa
në shumë raste sprovojnë që të këndojnë këngë polifonike me përcjellje të
çiftelisë?!
Është për t’u dhimbsur ata që nuk
dinë, por nuk është e turpshme kur të padijshmit mund t’i pyesin të dijshmit,
më të vjetrit dhe njerëzit e profesionit:
”Vallë, po kur kanë këndua kosovarët këngë polifonike me
çifteli?!”
Është më se e sigurt që përgjigjen
në këtë pyetje, do t’ua jepnin edhe gjyshërit dhe gjyshet pa asnjë ditë
shkollë!
5. A mund të bëhen humoret pa banalitet dhe amoralitet?
Duke i shikuar shou- programet
humoristike të cilat i servohen publikut nga ana e televizioneve tona publike,
që nga përfundimi i luftës e këndej, konsumuesi i padjallëzuar i këtyre
programeve do ta formonte bindjen se në Kosovë nuk mund të bëhen emisione
humori pa përdorimin e zhargonit të banalitetit dhe amoralitetit deri në
ekstrem ?!
Kështu ndodhë me ne, kur njerëzit
e penës dhe mjeshtrit e vërtetë të humorit lihen anash, kurse në skenat publike
na dalin lloj-lloj matrapazësh, të cilët me shou-programet e tyre humoristike
krijojnë një pasqyrë të gabuar ndaj teleshikuesit kosovarë , gjoja se ky popull
nuk po ditka të qeshet po qe se nuk përdoret zhargoni i humorit banal, fjalori
i rrugaçërisë dhe mentaliteti i mullinxhinjve !
Në këtë drejtim, prijnë dy shou-
emisione të titulluara :”PËRRALLË ME
TUPAN” , që projektohet dhe
drejtohet nga shoumeni Valon Maloku dhe transmetohet në kanalin televiziv KTV
dhe i dyti titullohet :”OXSYGEN SHOU”,
që projektohet dhe drejtohet nga shoumeni Besim Dina dhe transmetohet në
kanalin e televizionit publik RTK.
Në emisionin “Përrallë me tupan”,
nuk zgjidhen as aktorët, as fjalët e shprehjes e as gjestikulacioni, të cilat
komplet shkojnë në favor të banalitetit dhe amoralitetit. Madje, në këtë
emision rregullisht na paraqiten “aktor” meshkuj të veshur me rroba femrash dhe
që luajnë role të femrave?!
Një
angazhim i meshkujve në role të këtilla, na rikthen me shekuj prapa dhe na i
rikujton rolet e “këngëtarëve kastrat”
në operat e para, kur nuk kishte femra për t’i luajtur rolet përkatëse. Në anën
tjetër, angazhimi i meshkujve në role të femrave dhe në veshje të femrave, na e
rikujton kohën e “ashikëve dhe
dylberëve” për të cilët madje janë thurur edhe shumë këngë të kësaj gjinie.
Nga
një bagazh shumë i madh i skeçeve humoristike të cilat janë transmetuar nga ky
emision, po e shkëpusim vetëm njërin prej tyre, sa për ilustrim për ta parë se
deri në çfarë shkalle ka shkuar humori ynë:
-E
kishte takuar një plak në rrugë një vajzë të re, e cila kishte të veshur një
mini-fustan. Atë ditë ishte bukur kohë e ftohtë.
Plaku i tha
vajzës:
”Pse axhës ,
je veshur kaq shkurt, po a s’po e sheh se është kohë e ftohtë e do të mërdhihesh
?!”
Vajza ia
ktheu plakut:
“Hajt, o axhë, hajt e mos ma
mbajë gajle ti mua, se unë e kam një
shporet me veti”!
Plaku i tha
vajzës:
“E po shumë mirë , pra axhës! Mbasi
e paske shporetin, a bënë ta pjekë axha një shtalb në shporetin tënd?!”
Me
kësi humoresh, jo vetëm që irritohen të gjithë shikuesit me familjarët dhe
fëmijët e tyre, por bien në kundërshtim me normat morale të pleqve dhe burrave
shqiptarë të cilët kanë qenë të dëshmuar për moral të fortë dhe vajzat e reja
gjithmonë i kanë trajtuar si vajzat e veta, e jo me sy të një veprimtarie të
këtillë !
Nga
banalitetet dhe amoralitetet e dëgjuara në emisionin “OXYGEN SHOU”, po e
shkëpusim vetëm njërin që i ka tronditur shumë teleshikues dhe familjarë
kosovarë.
Në
pjesën e “Kuzit” të këtij emisioni, Besim Dina kishte para veti një vjehërr
shumë intelektual së bashku me rejën (nusen e djalit të tij) e cila po ashtu
ishte shumë e kulturuar , inteligjente dhe shumë e bukur.
Gjatë
pyetjeve të kuizit dhe provokimeve të lloj-llojshme të cilat ua bëri gjatë tërë
emisionit mysafirëve të vet, Besim Dina , kah fundi i emisionit iu drejtua
vjehrrit të nuses me këto fjalë:
“E paske këtë nuse (re) për mashallah ! A kishe pranua ti, që unë të
bëhem djali yt?!”
Mysafirët e emisionit: vjehërr e re, vetëm u skuqën
dhe e ulën kokën, kurse edhe ne teleshikuesit u skuqëm nga ekrani dhe kjo
pyetje tepër provokative.
6. Kur kanë bartur kosovarët fustanella të jugut?
Në njërin prej kanaleve të
televizionit RTV-21, gjatë 24 orëve emitohet vetëm muzikë popullore.
Në këto emisione, gati se secilin
interpretues të këngëve popullore vazhdimisht e shoqërojnë një grup i madh
statistësh, të cilët gjoja e luajnë rolin e valltarëve, madje edhe në ato këngë
që fare nuk vallëzohen !
Vallëzuesit e tillë, jo që nuk
dinë të vallëzojnë , por bëhen edhe qesharak para publikut, nga se ata bëjnë
hapa dhe lëvizje që nuk përkojnë aspak me këngën, por sidomos vajzat e mbajnë
në duar nga një shami dhe lëvizin me to poshtë e lartë, thua se janë duke e flladitur
vet-vetën dhe janë duke ua pritur mizat këngëtarëve?!
Ajo që i irriton më së shumti
shikuesit e këtyre programeve, nga ana e këtij grupi të valltarëve është fakti
se valltarët meshkuj vazhdimisht vishen me fustanella tradicionale të jugut?!
Redaktorët , regjisorët dhe
bashkëpunëtorët e muzikës së emisioneve të këtilla, do të duhej ta pyesnin
vet-veten dhe ekspertët tjerë të lëmenjve të kësaj natyre:”Vallë, po kur kanë
bartur kosovarët fustanella të jugut?!”
7. Kujt po i duhen vallet me shpata, jataganë dhe me pushkë?
Në lajmet qendrore të RTK-së, para
ca kohësh u transmetuan dy reportazhe që kishin të bënin me dy ngjarje në
fshatrat e Rugovës. E para , kishte të bënte me inaugurimin e një fabrike të
vogël për përpunimin e prodhimeve të qumshtit, kurse e dyta kishte të bënte me
një manifestim përkujtimor të këtyre fshatrave .
Përpos informacionit dhe fjalimeve
që u mbajtën në këto dy ngjarje, reportazhet u shoqëruan edhe me një valle
burrash të Rugovës, të cilët po vallëzonin me shpata, jataganë dhe me pushkë?!
Në këso skenash, çdo njeri me
mendje të shëndoshë do të pyeste:
-Vallë, po kujt i duhen vallet me
shpata, jataganë dhe me pushkë luftarake?
Vallja popullore luhet për argëtim e disponim, e jo
për dyluftime, kasaphane dhe luftë!
Në
mileniumin e XXI, kur e kemi gojën plotë aspirata për integrim në BE dhe në NATO,
mendojmë se këtyre koreografive ju ka tejkaluar koha dhe duhet t’i flakim këto
dukuri njëherë e përgjithmonë, nga se as Evropa, as NATO-ja nuk kanë më nevojë
për shpata, jataganë dhe pushkë !