E premte, 02.05.2025, 08:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Kulaku i "katërt?!"

E hene, 14.12.2009, 07:23 PM


Kulaku i "katërt?!"

Tregim

Kujtimit të Ymer Efendi-Hoxhës

Nga Përparim Hysi

 Nuk e di se si u gjend në fshatin tonë,në Petovën e
re,Ymer Efendiu.Qe kosovar(më duket,nga Gjakova),por ndryshe nga
gjithë kosovarët e tjerë(se kishte në Petovë të re:edhe kosovarë,edhe
bosnjakë,edhe skraparlinj,edhe çamë,por edhe arixhinj),ky,Ymer
Efendiu,u ngul në fshatin tonë aty prag viteve '50-të.Pra,i gjithë
fshati banohej nga jambanxhinj,se vëndasit,që të gjithë myzeqarë,
jetonin në atë fshatin tjetër që quhej Petova e vjetër.Kjo,Petova e
vjetër,aso kohe kishte gati 100 shtëpi,kurse,Petova  e re,laj-thaj
kishte 29 shtëpi.Këtu nuk futen familjet e arixhinjëve se rrallë
nguleshin në një vënd.Ngrinin rreckat iknin.Kur them ndryshe,për Ymer
Efendinë,nuk shkruaj kot.Me vonesë po se po(kosovarët etjerë kishin që
nga vitet e paraçlirimit aty!);por,ky,Ymer Efendiu,nuk kishte një
shtëpi të vërtetë si gjithë  të tjerët,po jetonte në një barakë prej
purpuliti,e vetmja në gjithë fshatin.Veç kësaj,Ymer Efendiu dukej që
atje tej që nuk ishte nga fshati.Në fshat e kishte sjellë rastësia apo
kushedi se ç'hall.Vishej me kostum,vinte çdo ditë kollare dhe,veç
këtyre,nga koka nuk e hiqte republikën.Shkurt,i veshur shik dhe,kur
thonë në fshat,sikur do shkonte  krushk.Po dhe e shoqja,e nderuara
Zonja Sahime,çap  pas çapi,si i shoqi.Kur shkonin gjëkundi për
vizitë,sado që të qe rruga e ngushtë,ata do t'i shihje o krah për
krah,o në ngushticë,zonja dilte para Ymer Efendiut.Graria,kur i
shikonin nga larg që Zonja printe para burrit të saj,mënd shkulnin
faqet,se ku mund të ndodhte kjo gjë:që gruaja të dalë para burrit?Por
nderimin për këtë çift të çuditshëm e kishin në tërë fshatin:me okë!Të
gjithë xha Ymerit,i drejtoheshin  me Ymer Efendi dhe,po të
gjithë,Sahimes:zonja Sahime!Këta tituj që në fshat,aso kohe(po dhe në
qytet),kishin rënë nga sëra,nuk u hoqën nga goja e asnjërit deri ditën
që ata lanë fshatin tonë.Zonja Sahime qe një zonjë e vërtetë se,kur e
shihje,të mbetnin sytë.Edhe kjo,si i shoqi,jo vetëm vishej bukur,po
kurrë,kur dilte për vizita,nuk e hiqte nga koka një kapele në të
cilën,siç e kish kërkuar koha dikur,kishte dy pëndë.Tamam qenë si të
rënë nga qielli.Them kështu kur i krahasoja me të gjithë fshatarët e
tjerë në atë kohë.Kur për të shkuar mik,ndonjë fukara në fshat(dhe
kishte shumë të tillë),shkonte merrte hua o pallton o këpucët.Kurse
Ymer Efendiu dhe zonja Sahime dukeshin si qiellorë.Po brënda në
shtëpi,në atë barakën prej purpuliti?Çuditeshe dhe mbetje me gojëhapur
se sa mirë qe ujdisur nga brënda ajo karakatinë( e vetmja në
fshat).Mbetje me gojëhapur edhe për një gjë tjetër:zonja Sahime kishte
makinë qepëse dhe,ndaj  gratë e fshatit tonë,nuk e linin të mbinte
përdhe.E ftonin për darka e dreka dhe,kur shkonin për të qepur,e
dorovisnin me zahiretë  e kohës.Po dhe me vezë e ndonjë gjel
shqirak,se lekët qenë të pakta.Pra,ende,kishte shkëmbime në natyrë:si
në mesjetë!Familja e Ymer Efendiut kishte tre djem e dy çupa.Fshati( i
gjihtë fshati kishte tokë me bollëk),bëri si bëri,dhe i dhuroi nja 4
ha tokë dhe me pak kursime që pati,vet Ymer Efendiu,bleu nja tri dhi
për qumësht.Edhe,kur shkonte me dhi,qe me kostum;me kollare e me
republikë.Veç me dhi,në verë,mbante një kostum doku si gri.Djali i
madh i Ymer Efendiut kish bërë shkollë andej,nga Kosova,dhe filloi
punën si mësues.Në fillim,në fshatin tonë,po  pastaj...


                                *    *   *
         Ndërkaq,Enver Hoxha,pasi kish takuar nja dy herë Stalinin,për
t'i dhënë prova besnikërie "atit të tij"(siç  thoshte:baba
Stalini!),dërgoi urgjent që në saj të përvojës sovjetike,të
shpalleshin kulakë në fshat.Kishte plan edhe për kulakë.Për Petovën e
vjetër dhe të re,plani qe  për 4 kulakë.Do mblidhej organizata e
partisë së fshatit dhe do të piketonte emrat.U mblodh organizata dhe
pa që në Petovë të vjetër nuk kishte asnjë emër për kulak.Kështu që
plani do të realizohej me Petovën e re.Pra,nga 29 shtëpi që kishte
fshati,4 do shpalleshin kulakë.Petova   e re do të paguante se qe e
gjitha me jambanxhinj dhe tre emra qenë kandidatë që,sipas organizatës
bazë,i plotësonin ato kushtet për kulakë.I pari qe Nasuf
Nikoçi(kosovar nga Prizreni),se vëllai i tij,Ethem Alia,pati qenë
gjatë luftës komandanti i një çete nacionaliste dhe jo vetëm kaq:në
prag të çlirmit të vëndit,u arratis në Jugosllavi.Pati zëra që vet
Nasufi kishte qenë partizan,po nuk quhej hiç se kë do bënin kulak më
parë se të?I I dyti,Sadria.Edhe ky kosovar.Se dhe ky,gjatë luftës,kish
anuar nga Ethemi.I treti,Brahimi.Ky e hëngri kot:se vetëm shikonte
punën e tij dhe nuk u afrohej zyrave të pushtetit.Po që të dy ama,si
Sadria ashtu dhe Brahimi,nuk e donin as partinë dhe as pushtetin.Mbeti
emri i katërt.Vini vërdall dhe nuk dilnin në kut.Kur një dashakeq
është ngritur dhe ka thënë:-Sh Enver për vizitë tek baba Stalini mori
pallto hua,dhe Ymer Efendiu në Petovë të re,na rri me kostum dhe me
republikë.Epo kulaku s'ka brirë si dem që të pëllas.Atë të bëjmë kulak
se është armik.Pale,ajo Zonja Sahime,që do të na bjerë fashizmën
këtu.A ja kini parë atë kapelën me pëndë?Dhe u vendos:kulaku i katërt
u shpall Ymer Efendi Hoxha!Erdhën shokët e partisë e të
pushtetit,mblodhën fshatin(me burra e gra.Bilez,u lejuan dhe fëmijtë
që të merrnin dhe ata veshë) dhe filloi komunikimi.Të gjithë ,të
cilësuarët kulakë,morë fjalën dhe kundërshtuan.E çuditshme se i gjithë
fshati ,mbështeti të cilësuarët,por vendimi qe marrë.Shokët e ardhur
porositën rrept:që sot e tutje,nuk ka më vajtje-ardhje dhe asnjë lloj
ndihme mos u jepet kulakëve.Se janë armiq.Nuk duan pushtetin popullor
e tërrci-vërci.Edhe unë,sado fëmijë,qeshë në atë mbledhje.Qeshë ulur
mes Bashkimit(djalit të vogël të Ymer Efendiut) dhe Hajredinit,djalit
të madh të Nasufit.Ne qemë shokë të një klase dhe veç kësaj,kur kemi
ardhur nga Skrapari,tre muaj,famijarisht kemi banuar në shtëpinë e
Nasufit(që sot po e shpallin kulak).Më vinte inat dhe,sa për vete,as
që mendoja se do të ndahesha ndonjeherë as nga Bashkimi dhe as nga
Hajredini.


                                   *    *    *

              Ndryshe nga fshatarët e tjerë,kulakët,u ngarkuan me
detyrime dhe tatime të papërballueshme.Më kujtohet mirë që,djali i
vogël i Ymer Efendiut,mblidhte kallëza gruri në mes të një vape që të
çante kaptinën.Punonte bashkëmoshatari im,se nuk u dilte për të
ngrënë.Nga kjo punë,në mes të vapës,e goditi tifoja në kokë,dhe ai,i
bukuri dhe aq i miri,Bashkim,vdiq.Kjo vdekje qe e rëndë jo vetëm për
familjen e Ymer Efendiut,por gjithë fshati ndjeu dhimbje.Që atë
ditë,fshehurazi,kur errej(se dhe gardhi kishte veshë!),shkonin njerëz
dhe ndihmonin sa të mundnin këtë familje fatkeqe.Djalin e
madh,Fatosin,që qe mësues në fshat,e syrgjynosën larg në një fshat të
Mallakastrës.I shkreti Bashkim!U bë kurban dhe u flijua nga një marri
e asj kohe të pistë.Të atij regjimi që,gjithmonë,deri sa u
përmbys,shpikte armiq.U godit familja e Ymer Eefendiut,po respekti për
të jo vetëm nuk ra,po,përkundrazi.tani fshati sikur e donte më
tepër.Qe një padrejtësi që bënte mu.Po,kur ke gjyq me kadinë,nuk ka
kush ta bën davanë.

                                                  *    *   *

            Tek bashkëfshatari ynë,Isuf Jaupllari(skraparli,ky!)
,kishte ardhur për vizitë vet kryetari i pushtetit në rreth.Mikpritës
dhe i hanin brirët për miq(se qe shumë dashamirës i rakisë).ky,Isufi,e
merr mikun dhe e vendos në një anë të oxhakut dhe përballë tij,u
vendos vet.Sa bënë qokat e para, ndjeu  që e thirrën në emër.Kur
del,sheh se kishte ardhur për vizitë(apo për hall),dora vet:Ymer
Efendiu!Isufi,pa ia bërë syri tërr që në buxhak kishte dora vet të
madhin e pushtetit të rrethit,bërtiti:-Mirëse erdhe,o Ymer
Efendi!Dhe,pasi e përqafoi ngrohtësisht mysafirin(kulakun),e udhëhoqi
dhe e vendosi mu përballë të madhit të pushtetit.Ky,pushtetari,erdhë
dhe u nxi sikur e zuri e  keqja dhe as fliste dhe as kundonte
më.Isufit as që i bëhej vonë dhe ia shtroi  me të dy miqtë,ashtu siç e
kish zakon ai.Kur iku pushtetari,i thotë:-Ore,po ç'qe ajo prroçkë që
bëre?Mu përballë meje më vë kulakun?Pale po m'i thoshe:-Urdhëro,Ymer
Efendi!T'u bëfsha,Ymer Efendi!Çfarë kemi thënë ne për kulakët?-Aha,- u
shpjegua Isufi,- në shtëpi time miqtë i kam njësoj.Nuk di unë kulak
apo komunist.Kështu,ë?!!!Dhe iku pushtetari si era me shi.
             Jo më vonë se pas dyjavësh,pushtetari u kthye prapë.Dhe
prapë e mblodhi fshatin.Aty i zbrazi të tëra.Dhe që atë ditë(mbasi
kishin rëmuar dhe andej nga Skrapari),Isuf Jaupllari u shpall
kulak."...se jo vetëm gjatë luftës ka përkrahur Ballin,- tha,-
kryetari,por dhe tani mban mardhënie miqësore me kulakët.Po kështu do
bëj,se një vëllai i  tij,Orhani,ka vdekur në burg.Kështu që u bëmë me
5 kulakë.
            Ndërkaq,Ymer Efendiu,që nuk qe ngatërruar hiç në këto
punët e luftës,pas fatkeqësisë që pësoi,shkoi u uankua andej,nga
Tirana.Ata të Tiranës,kur hapën kartat,panë se jo vetëm Ymer Efendi
Hoxha nuk qe për kulak,por as më pak dhe as më shumë qe kushëri i
afërt i Bajram Currit dhe kish qenë sekretar komune në rrethinat e
Gjakovës.Ky status prej nëpunësi i ish bërë si natyrë e dytë
dhe,megjithëse në fshat,vishej si një qytetar i vërtetë.Ia hoqën
kulakllëkun(në fshat mbetëm prapë 4 kulakë,se e pësoi
Isufi!),por,ama,e pagoi keqas:humbi një djalë gati 12
vjeç.Dhe,menjëherë,sa shpëtoi nga kjo damkë,la barakën prej purpuliti
dhe u vendos në qytetin e Durrësit.Deri sa vdiq,i mbajti lidhjet me
miqtë e Petovës së re.Njëri nga djemtë e ti,ai mësuesi,për shumë kohë
në Durrës ka qenë drejtor në një instuticion shkollor:sa në shtëpinë e
pionierit aq dhe në shkollën artistike.
Sidoqoftë,gjithë Petova e re, e kujton këtë familje"kulakësh" me
respekt.Unë,veçanrisht,se jo vetëm pse të ndjerin Bashkim e kisha
vërsnik,por dhe djalin e  madh të Ymer Efendiut,Fatosin,e pata mësues
deri sa e transferuan në Mallakastër.
Ç'kohë e pistë!Sa njerëz të ndershëm u morë në qafë!...
                              


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx