Kulturë
Shazim Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Lumenjtë e dritës'' (V)
E hene, 14.12.2009, 07:59 PM

LUMENJTË E DRITËS
MOS DERDH LOTË, MAESTRO!...
Mos derdh lotë, maestro!
Ajo s’qe një fytyrë e bukur hëne
as s’zbriste në liqene t’i freskojë zullufet!
Ajo qe vetëm një femër e brishtë
e mishtë e këndshme e lezetshme për qen!
Dhe qielli qe flakadani mashtrues!
Dhe nata qe farfuritja (po)etike!
Nuk e kam gabim, maestro!
Qentë qenë ata që lehën dhe e hëngrën!
BALADË PËR NJË ZOG…
Dhe ishte i bukur, i bukur!...
Dhe këndonte bukur, bukur!...
Ishte për të mos qenë!...
JO YJET ATJE LART!...
Jo yjet atje lart!
As pushi i argjendtë i natës
mbi supet e territ!
Reja e pikëllimit tim
dhe shiu i dënesjes sate
janë
shenjat
e
jetës
së
kësaj
nate!...
RE MENDIMI
Lavire është kjo re.
Një pikë tharm pikëllimi
i mjafton
që të jetë një vetëtimë.
BIRRË…
Kujtoji të mirat e jetës
dhe pi birrë!
Kujtoji të këqijat e jetës
dhe pi birrë!
Pi birrë!
Pi birrë!
Pi birrë!...
Të gjitha harroji në një cast!
ASHTU, SI PA LIDHJE KUPTOJENI KËTË VJERSHË…
Ashtu, si pa lidhje kuptojeni këtë vjershë!
Vargun e sipërm, të parin
merreni si lindjen e një fëmije.
Si një ecejake stërmunduese nëpër jetë
merrini vargjet e ndërmjetme.
Vargun e fundit kuptojeni
si vdekjen natyrore të një të moshuari.
Thjesht kuptojeni këtë vjershë,
të pa lidhje, si jetën e njeriut.
PLAKJA E DIELLIT
Nga pamja ime
mund të plasësh
Në ballin tim të plasur
një ditë do të plaket dielli
BALADË PËR NJË VAJZË TË PËRDHUNUAR
Gjithë mllefi i bishave
mbi gjinjtë e saj zbarkoi!…
…dhe Zoti qe ai
që veç i mblodhi psherrëtimat!...
NË NJË VARRIM…
Një varr i ri, i posarregulluar.
Përreth, njerëz të pikëlluar
me lotë në sytë, dhe fjalë
nga më të bukurat që thuhen.
Një erë e lehtë del
aty për aty.
U thanë lotët njerëzve
dhe fjalët merr.
Vetëm dheu mbetet i qetë
i palëvizshëm.
Çudi!
Më i qëndrueshëm varri
se jeta e tij!
SI NJË TABLO E BUKUR VIZATIMI…
Si një tablo e bukur vizatimi
më rrëshqiti nga jeta kjo ditë
Rastësisht
po qëllova i gjallë edhe nesër
për një pikëllimë më i pasur do të jem
më i varfër për një gëzim.
TIRANI NË TREGUN BALLKANIK
-Keni pranga për robër?
-Jo, kemi vetëm robër.
AJËR…
Ajër!
Në të gjitha ngjyrimet:
në një buzëqeshje naive
dhe në një pikëllim zemre;
në cicërrimën e një zogu
dhe mbi degën e një fiku
(ku fillon dhe ku mbaron një puthje);
në një qeshje me zë
dhe në një qeshje pa zë;
në mua dhe jashtë meje;
në ty dhe jashtë teje;
mes meje, teje, një tjetri
dhe një tjetri tjetër;
në shikimin tim, tëndin
dhe në shikimin e një tjetri;
në tmerrin e një ëndrre
dhe në shqetësimin vijues;
nga frymë e parë e përlindjes
deri te hukamat e fundit të jetës;
në pikësimin e përjetshëm të syve
dhe në kujtimin e atyre që lëmë pas!
Oh, po ne ajër paskemi qenë!
JETA
Është trupi i ngrohtë i femrës
dhe rrëshqitja e gjarpërit mbi të
klithja e vashës së sapotradhëtuar
dhe zbrazja e kupës së amshimit
vaji i parë i fëmijës
dhe fytyra e ftohtë e vdekjes
hija e bukur e Zotit
dhe akti i tij i ndjekjes...
Është vet ky ankth!...
KALTËRINA
Nuk e jap kaltrinën
Kaltrina ka mish të butë
gjak të ëmbël mjalt
Vetëm një herë po t’i thellohesh
në sytë e saj të përdetësuar
do të mishërohesh me të
I ngjan njëherësh
gruas krenare
dhe vashës së përgjunjur
që dashurinë pret
Si ta jap
kur kaltërina është
më shumë se shpend i larmë i bukur
më shumë se fustanellë e blertë e yllëzuar
Nuk e jap
nuk lejoj ta përdhunojnë
në imagjinatën e tyre prej demonësh
Kaltërina s’është as zog as njeri
dhe as hyjni s’është
TI QAN?...
Syri të rri zgjuar
vetmia të këput
Ai lum i zi i dhembjes
pellgun e ndjenjave ta përmbyt
tani kur është natë e thellë
dhe dora jote e butë
kot së koti kërkon
diçka të mbetur prej meje
në shtratin tënd të zbrazët
E merr në duar
dhe e përkund atë ëndërr
që rritet krejt e kaltër
në syrin e fëmijës së përgjumur
Por, ti qan
ti lot derdh!...
Oh,... mos kaltrinë e dashur
mos ia lëndo cepin
atij syri të përdetësuar
Ne do kemi kohë të duhemi
sa t’ia shërojmë plagët atdheut
SYZA
Gjithë ditën lëviz syzën
marr e jap kusuret
Gjithë ditën shoh duar që i prekin paratë
duar nga më të ndryshmet shoh
duar të buta të mëndafshta
duar të plasaritura me të çara të thella
në jo edhe duar të përgjakura nga pak
Madje gjithfarë sysh shoh
sy të kaltër të gjelbër
sy të kuq dhe sygështenjë
sy të mbushur plot jetë
dhe sy të zbrazët të thellë
të një nëne a një babai
me ndonjë fëmijë të humbur sakaq
Është një llojllojshmëri e syve dhe duarve
që të huton
por shkaku i kësaj dhembjeje s’është n’atë
po në shikimet e lëmashkëta të atyre
që kanë nga një të dashur të varrosur n’oborr
dhe janë me ca sy të zbrazët të thellë
të zbrazët si kjo syzë
në tryezën e shitores sime
në mbrëmje kur ia heq pazarin
DHE S’ISH PËR T’U ÇUDITUR
Dhe s’ish për t’u çuditur
pse qyteti në ethe merrte frymë
pse s’pipëtinte gjethi
pse macet s’mjaullonin
Vetëm qentë e kaltër shëtitnin atij dimri
dhe ai njeri i rrudhur që sapo kishte lindur së dyti
Dhe s’ish për t’u çuditur përse ai njeri
kish ëndje të bridhte rrugicave të përbaltura
përse baltën e donte aq shumë
si fëmijën e dëshiruar
si jetën e ikur
Dhe s’ish për t’u çuditur
përse i ndodhte aq shpesh
t’u kërkonte falje shtyllave të betonta
kur me supe i përprekte si njerëzit
E kishte lodhur qelia
sa dhe bora që mbi krahët i binte krejt e bardhë
sytë ia lëbyrte si nata
Vërtet s’ish për t’u çuditur
përse në gjithë atë të ftohtë
ai nuk mbante syza as dorashka dimri
Aq pak i kishte mbetur nga jeta
sa kishte vendosur ta kalonte me të përprekur
THELLËSIVE TË NATËS SHËTITIN
ZOTAT TANË...
Thellësive të natës shëtitin zotët tanë
fytyrat lagin me freski magjike
Nga lart i mbron qielli
si mburrojë e argjendtë
dhe ndriçmë përjetësie u derdh mbi supet
O të dashurit e mi, çelni dritaret!
Dilni shihni zotët tanë sa të qeshur bëhen
si dehen me atë muzikë të purpurtë
që hënënëna e luan me violinë
Ngutuni sa s’e kanë sjellë mordjen
matrapazët e kombit
që në emër të së ardhmes gjithnjë vijnë të parët
e tëmblin e bardhë thithin
nga gjinjtë e njomë të lehonave
Si të prishet ëndrra paskëtaj
gjithçka do të jetë e lehur qensh në kor
lotëqarje foshnjash dënesje e uri
hënënënës së përgjakur loti do t’i ngrijë në sy
dhe zota s’do të kemi as mër mall
Komentoni
Artikuj te tjere
Përparim Hysi: Kulaku i "katërt?!"
Albert Zholi: Taulanti
Flamur Struga: Mirëseerdhe në gjuhën shqipe
Naser Aliu: ?Akuza
Bilall Maliqi: Edhe një prezantim i vlerave letrare
Duro Mustafaj: Për të qarë dhe për të qeshur - një libër i ri i Luan Çipit
Shevki Sh. Voca: Norman H. Gershman dhe libri i tij fotoalbum
Cikël poetik nga Ismet Tahiraj
Engjëll Koliqi - Poezi të 20-21 tetorit
Halit Bogaj: Brus Li
Hilmi Saraçi: Bishti
Sokol Demaku: Përkufizime bashkëkohore
Naser Aliu: Jeta e tretë
Halit Bogaj: Flamuri dhe Çajupi
Alfred Beka: Nobelistja shqiptare
Gazi Buxheli: Kujdes lirinë (Cikël poetik)
Sami Gjoka: Bote e Kurdisur se Prapthi
Doli nga shtypi buqeta letrare, '' Pesë libra e ndjekin autorin '', e shkrimtarit Kasam Shaqirvela
Sami Islami: Lëvizja ilegale në shërbim të çështjes kombëtare
Halit Bogaj: Njeriu i të gjitha kohrave