Kulturë
Ilir Sefaj: Kur flasim për librin - Alternativa letrare shqiptare
E hene, 14.12.2009, 08:24 PM

Rreth librit “Alternativa letrare shqiptare” të Agim Vincës, Shkup 1995/05
Nga Ilir SEFAJ
Çdo krijim (pa marr parasysh natyrën e tij) shkakton mundin, mundin më të madh shkakton shkruaja e një historie pa paragjykime, objektive të letërsisë shqipe, të vlerës së kësaj letërsie. Gjithnjë në këtë linjë, mundë të madh shkakton edhe shkruaja objektive e një historie të përgjithshme të popullit shqiptar, kjo për faktin se historia e popullit shqiptar mund të konsiderohet një sui generis në kontekst me historinë e përbotshme. Të parës ia ka dalë studiuesi Vinca. Mbetet e historianëve t’ia dalin së dytës.
Alternativa letrare shqiptare, libër i botuar në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, tingëllon shumë aktuale, shumë e freskët edhe sot kaq vite pas publikimit të saj të parë. Duke qenë një nga studiuesit më seriozë të letërsisë shqipe, të kritikës dhe të historisë së kësaj letërsie, Agim Vinca, synon para së gjithash objektiven kur flet për probleme të caktuara letrare. Profesor Vinca flet shtruar, pa ekuivokë ai nuk fetishizon, dhe nuk abstragon kur flet për letërsinë. Ai njeh në thelb problemet letrare; dilemat, tabutë, synimet, asociacionet, që shtron vepra letrare. Agim Vinca, orienton lexuesin, mëson se si duhet kuptuar qartë dhe drejt krijimet e caktuara letrare. I tillë sikurse në të gjithë krijimtarinë letrare, par excellence të këtij doajeni të letrave shqipe, shfaqet edhe në Alternativë, korifeu i shkrimit shqip.
Në Alternativën...e Agim Vincës flitet nga këndi i studiuesit të përgjegjshëm; për rrymime, divergjenca e mospajtime, rrihen probleme nga më të ndryshmet që kanë të bëjnë me një periudhë shumë delikate të letërsisë shqipe. Janë këto vitet ku ndeshën novatorja me traditën, disidenca me “shkrimtarët e sistemit”, forma me përmbajtjen. Është periudha e autorëve të përkëdhelur, e atyre që përkëdhelin, dhe periudha e autorëve të anatemuar të përjashtuar e të likuiduar mbase jo vetëm letrarisht.
Alternativa letrare shqiptare nxit debate, jep pamje, nxjerr në pah vlera letrare e artistike të palëruara sa e si duhet më parë, niset nga e përgjithshmja për ta dhënë substancën, niset nga subjekti për ta dhënë objektin.
Kur flasim për Alternativën, të një rëndësie të veçantë duhet konsideruar paragrafët që shtrojnë probleme socio-kulturore që lidhen më shqipen standarde dhe tendencat retrograde, të cilat vetëdijshëm ose pa të, minimizojnë apo përjashtojnë përpjekjet e mëdha dhe tepër frytdhënëse të konsultës së Prishtinës (1968), përkatësisht të Kongresit të Drejtshkrimit të zhvilluar në Tiranën e 1972-es, ku gjuha shqipe merr formën e saj të njësuar dhe njëkohësisht fiton epitetin e gjuhës standarde.
Rrymime letrare
Letërsia shqipe e gjysmës së dytë të shek.XX në perceptimin e Vincës shfaqet tejet kontradiktore, janë aty shkrimtarët e traditës, të novatores, ata me prirje moderne, pastaj ndeshen rrymime letrare nga më të ndryshmet, është periudhë e censurës dhe autocensurës, është kohë e afirmimit të poetëve deri-diku të talentuar është kohë e denigrimit të poetëve që “prishin rendin”.
Janë aty përballë njëri-tjetrit, autorët e traditës; Dhimitër Shuteriqi, Esad Mekuli, Andrea Varfi e ndonjë tjetër të cilët në njërën ose mënyrën tjetër mbronin tezën se arti poetik në radhë të parë duhet ta ruaj rimën, metrin, strofën dhe autorët e tjerë si: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Azem Shkreli, Din Mehmeti të cilët ishin pro pasurimit të shprehjes letrare dhe përsosjes së teknikës krijuese, dhe në të njëjtën kohë sipas pikëpamjes së tyre krijuesi nuk duhet rënë viktimë e rimës, metrit, strofës.
Letërsia dhe demokracia janë nocione të pandashme, dhe vetëm si të tilla japin plotninë e tyre, në të kundërtën sipas pikëpamjes së studiuesit Vinca, nuk mund të flasim as për letërsi dhe as për demokraci të mirëfilltë, ngase krijuesi sipas perceptimit të tij në radhë të parë duhet të jetë i çliruar nga skemat, dogmat dhe ideologjitë në mënyrë që arti i fjalës së shkruar, por edhe krijimtaria artistike përgjithësisht të jetë e pranueshme për receptuesin eventual.
Në Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, nga kritika zyrtare u favorizua e ashtuquajtura letërsi e realizmit socialit, apo letërsia përparimtare që i përshtatej sistemit, dhe u përjashtua letërsia “reaksionare” e cila prishte rendin “përparimtar socialist”. Për një periudhë mëse pesëdhjetë vjeçare mbi këtë trinom, pra; social-realiste, përparimtare, reaksionare është shkruar e folur për letërsinë. Mirëpo në “heshtje” krijonin një numër jo i vogël i shkrimtarëve shumë të talentuar të cilët do të shfaqen me veprat e tyre shumë më vonë, në fillim të viteve ’90 atëherë kur edhe fillon jeta demokratike në Shqipëri. Ndër ta duhet veçuar Kasëm Trebeshinën, Visar Zhitin e ndonjë tjetër të cilët shfaqen me veprat e tyre para opinionin lexues, vetëm atëherë kur në Shqipëri fillon pluralizmi politik. Po ashtu në Alternativën ë profesor Vincës një vend me rëndësi nxënë edhe paragrafët që flasin mbi shtrembërimet që bënte kritika zyrtare ndaj poetit tonë kombëtar Gjergj Fishtës, embargon që i kishte vënë emrit të tij sistemi monist për afër gjysmë shekulli.
Fenomeni Petro Marko, po ashtu trajtohet ndjeshëm në Alternativën letrare shqiptare, ngase kur flasim për këtë autor të letrave shqipe, flasim për një krijues tepër atipik do të thoshim, ai ishte një jokonformist, një shkrimtar me individualitet të veçantë krijues. Zigzaget të cilat e përcjellën në jetë, shumë mjeshtërisht i plasoi në veprat e tij të shumta, të cilat aq sa kuantitative janë edhe kualitative, ngase Petro Marko, ishte njohës i thellë i teknikës krijuese, pra ishte një euridit i vërtetë në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale.
Libri Alternativa letrare shqiptare nuk do të ishte i tillë, pra shumë i ekuilibruar, nëse do të linte anash autorët e brezit paska më të ri, mirëpo mjaft ët talentuar si; Hydajet Hyseni, Merxhan Avdyli, Mustafë Xhemaili, etj., të cilët me poezitë e tyre të krijuara në rrethana aspak të volitshme (dy të parët në burg i treti në mërgim) paraqesin dramën e njeriut tonë i cili, o do të duhej përjetuar vuajtjet në burgjet e armikut shekullor e të mbetej në dheun e tij, o do të duhej syrgjynosur diku në dhé të largët.
Njëjtë sikurse edhe në librat e tjerë të profesor Vincës, edhe në alternativë, ndeshim situata nga më kontradiktorët, ngase në perceptimin e tij në letërsi po edhe në kritikën mbi të, duhet që para së gjithash të kemi një dualizëm për sa i përket perspektivës letrare, andaj ai gjithnjë përpiqet që kur shtron probleme të caktuara letrare të priret nga ky dualizëm që shtron arti si realitet.
Epilog
Në pjesën e fundit të librit janë dhënë disa pasues të cilët flasin për problemet që shtronte arti letrar në Shqipërinë e rendit socialist, pra cilën perspektivë do të duhej ndjekur krijuesi eventual, në atë periudhë të letrave shqipe, në mënyrë që të flasim për vlera në artin e fjalës së shkruar. Të një rëndësie shumë të veçantë janë paragrafët e Lame Kodrës, i cili shtron probleme që lidhen me artin por edhe jetën politike në Shqipëri menjëherë pas luftës antifashiste, pra ndër të tjera ky intelektual kërkonte ‘realizmin në art dhe në literaturë, mirëpo ai donte që me realizëm të mos kuptohet vetëm kopja pasive e realitet, ai predikonte frymëzimin e realitetit me forcën e idealit’.
Probleme që lidhen me artin letrar, me mjaft njohuri e përgjegjësi do të rrihen edhe në promemorien e Kasëm Trebeshinës e cila besohet t’i ketë rënë në dorë që më 1953, Sekretarit të parë të Partisë së Punës, pra Enver Hoxhës. Autori i kësaj promemorie e cila për pjesën më të madhe të lexuesve do të bëhet e njohur vetëm pas rënies së sistemit monist në Shqipëri ndër të tjera do të shkruante: “Të gjithë këtu në Lidhje, në harmoni edhe me ata përfaqësues tuaj, që sollën këtu porosinë tuaj, këndojnë në mënyrë të përsëritur një himn për realizëm të quajtur ‘socialist’. Pa qenë nevoja që të jesh shumë i gëzuar, këtu arrin përfundimin e pashmangshëm se, ose ekziston një ‘realizëm’, ose, që prej momentit që ai ka nevojë që t’i vihet një bisht, ai pushon së ekzistuari. Realizmi ose është realizëm, ose nuk është fare i tillë! Që këtej del se kjo rrymë letrare që në fillim të saj niset shtrembër dhe kuptohet çfarë gjëje e përbindshme do të dalë më tej”.
Ishin këto mospajtimet letrare të kohës, ishin këto idetë me të cilat pajtohej njëra dhe nuk pajtohej pala tjetër, ishin këto vitet e divergjencave të mëdha jo vetëm në letërsi, por edhe në jetën politike përgjithësisht. Mungonte liberalizmi, mungonte objektiviteti, megjithatë sikurse edhe e vë në pah libri i studiuesit Vinca edhe në periudhën e totalitarizmit, u krijuan vlera të mirëfillta letrare, patjetër se u tentua të quhen vlera edhe kur nuk ishin të tilla, megjithatë dikush ka thënë me të drejt se vlerat ose mos vlerat nuk janë në interpretime, ato janë në veprën letrare.
E kur flasim për vlerat, vijmë në përfundimin se libri Alternativa letrare shqiptare i profesor Vincës, është dëshmia më e fortë se vlerat e vërteta letrare dhe ato artistike përgjithësisht, nuk vjetrohen me kohën, përkundrazi ato mbesin gjatë kohë të freskëta në vetëdijen e lexuesit.
Komentoni
Artikuj te tjere
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Dyzet vjet mërgim
Shazim Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Lumenjtë e dritës'' (V)
Përparim Hysi: Kulaku i "katërt?!"
Albert Zholi: Taulanti
Flamur Struga: Mirëseerdhe në gjuhën shqipe
Naser Aliu: ?Akuza
Bilall Maliqi: Edhe një prezantim i vlerave letrare
Duro Mustafaj: Për të qarë dhe për të qeshur - një libër i ri i Luan Çipit
Shevki Sh. Voca: Norman H. Gershman dhe libri i tij fotoalbum
Cikël poetik nga Ismet Tahiraj
Engjëll Koliqi - Poezi të 20-21 tetorit
Halit Bogaj: Brus Li
Hilmi Saraçi: Bishti
Sokol Demaku: Përkufizime bashkëkohore
Naser Aliu: Jeta e tretë
Halit Bogaj: Flamuri dhe Çajupi
Alfred Beka: Nobelistja shqiptare
Gazi Buxheli: Kujdes lirinë (Cikël poetik)
Sami Gjoka: Bote e Kurdisur se Prapthi
Doli nga shtypi buqeta letrare, '' Pesë libra e ndjekin autorin '', e shkrimtarit Kasam Shaqirvela