E premte, 10.05.2024, 12:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme (VI)

E hene, 14.12.2009, 09:59 PM


RRETH IDENTITETIT TË GJINISË ASNJANËSE NË SHQIPEN E SOTME

Nga Dr. Nuhi Veselaj



VI. Anashkalimi  i vlerave reale të asnjanësit

       në shqipen e sotme pasojë e veprimeve

                         të nxituara APO JO?

 

Arritëm në kreun e gjashtë të këtij punimi dhe nuk dimë se e kemi gjetur apo jo, përgjigjen e plotë dhe të duhur në pyetjen pse lindi njëfarë keqkuptimi ndaj asnjanësve të paranyjëzuar që nga vitet e ’50 deri nga vitet e ‘80-a të shekullit të kaluar dhe që në njëfarë mënyre pasojat e një veprimi të tillë ndihen edhe sot?

 

 Ne, siç po shihet nga titulli i këtij kreu, kemi bindjen personale se një dukuri e tillë e anashkalimit të vlerave të asnjanësit, është shfaqur, si të thuash, subjektivisht dhe ishte kryesisht pasojë e konstatimeve të nxituara të standardologëve tanë të kohës  Po si dhe pse

 

ndodhi kështu? Si u formëzua dhe si u sendërtua një qëndrim i tillë? Mos vallë, atëbotë, nuk njiheshin mirë  vlerat reale të emrave të kësaj gjinie apo jo?.

 

Sidoqoftë, pyetjeve të saposhtruara lidhur me këtë mbase më mirë mund t’i përgjigjeshin standardistët e atyre viteve dhe pasuesit e tyre sot, megjithatë, neve situata e trajtimit të temës ose vetë përmbajtja e titullit që u vumë këtij kreu na imponon që të shprehim mendimin tonë rreth kësaj çështjeje, ashtu siç na merr mendja, madje qoftë edhe guximtarisht.

 

Natyrisht, e do puna, të tregojmë se ku e mbështesin mendimin tonë, në cilat fakte?

Këtu, pra, pa hyrë thellë në pyllin ende të pashkelur mirë të çështjes përkatëse në shqyrtim, ne përgjigjen tonë e  mbështesim në këta tre faktorë:

 

 së pari, në reagimin e E. Xhuvanit, të viteve të ’50-a;

 së dyti, në zëvendësimi i asnjanësit  prejpjesor të paranyjëzuar me trajta foljore në fjalorin tonë shpjegues FGJSSH të vitit 1980 dhe

së treti, do të ndalemi rreth një konstatimi të nxituar kundërthënës të prof A. Kostallarit .  

 

Të shohim tani radhazi pak më në hollësi rreth përmbajtjeve të fakteve të sapocekura prej nesh lidhur me temën në shqyrtim

 

 

 

 

1)  Çka mësojmë nga  reagimi i prof. A. Xhuvanit

 

Prof. Aleksandër Xhuvani, nga fundi i viteve ‘50 të shekullit të kaluar, duke mos e pëlqyer zëvendësimin e trajtave të asnjanësve si: të ecurit, të ngrënët, të qepurit, të ngrirët, të priturit, të fjeturit që bëheshin me emrat e prejardhur me -je: ecje, ngrënie, qepje, ngrirje, pritje, fjetje, pati reaguar, mjaft fuqishëm, ku veç tjerash  pati theksuar si vijon:

 

“Duket faqezi se asht ba nji përdorim i tepërm i emnavet  abstraktë me prapashtesa e sidomos me prapashtesën -je, tue nxjerrë jashtë emrat prejpjesorë të gjinisë asnjanëse“ dhe më tej konstatonte se kjo dukuri  kishte ardhur ”nga gjuha e shkrimit e më fort ajo e shtypit të përditshëm, e cila ka marrë nji tendencë theksuese në të përdorunit e emrave abstraktë me -je dhe kjo vjen jo nga shtjellimi historik i gjuhës sesa nga influenca e gjuhëve të hueja neolatine ose sllave, qofshin këto nga  të cilat përkthejnë e në të cilat zotëron ky proces i konstruktit sintetik të frazës me emra sufiksorë”. (Shih: Aleksandër Xhuvani, Vepra I, Tiranë 1980, f. 173.)

 

Kështu nga ky reagim shpjegues meditues kuptojmë faktin se dukuria e zëvendësimit të asnjanësve të paranyjëzuar me emra prapashtesorë nuk ishte pasojë e “shtjellimit historik”, d.m.th. nga  evolucioni i brendshëm i gjuhës sonë, po vinte nga ndikimi i jashtëm, d,m,th, nga ndikimi i gjuhëve të huaja në gjuhën e shtypit, (pra nga gjuha e përthimit), ndikim ky formal subjektiv i gazetarëve pa përgatitje të duhur gjuhësore ose siç del nga shpjegimi i tij, se përkthyesit e gazetarët nuk e njihnin aq mirë natyrën e gjuhës popullore dhe kështu të ndikuar nga gjuhët e huaja përkatëse dhënëse këta fusnin në përdorim pa kriter emrat sintetikë, me prapashtesim, ndërsa asnjanësit (prejpjesorë e prejmbiemërorë) i anashkalonin, vetëm pse ata ishin analitikë, d.m.th. të parashoqëruar me nyjën e përparme që nuk i kishin ashtu barasvlerësit përkatës gjuhët e huaja, sllave e neolatine.

Pra, mendimi i prof. A. Xhuvanit nënkuptohet se anashkalimi me tepri i asnjanësve të paranyjëzuar bëhej, ngase nuk njihej sa duhej vlera e asnjanësve dhe për këtë shkak në gjuhën e gazetave e të përkthimit nuk përfillej natyra e gjuhës shqipe. 

Si duket reagimi i prof, A. Xhuvanit nuk e pati ndikim e jehonë të duhur në atë kohë, jo vetëm te gazetarët e përkthyesit, por as tek standardologët e kohës, sepse anashkalimi i trajtave të asnjanësve, jo vetëm nuk u frenua, por përkundrazi u përkrah ndërkohë, jo vetëm nga masmedia, por edhe nga njerëzit autoritarë të institucioneve shoqërore-shtetërore të kohës, përkatësisht nuk u mbështet kërkesa e prof. A. Xhuvanit as nga kuadrot gjuhësore që aktivisht punonin ose që kryesonin veprime lidhur me procesin e konsolidimit, më drejt të njëzimit të  normës së shqipes letrare në atë periudhë. Kur themi kështu kemi parasysh hartimin e teksteve shkollore e shkencore të asaj periudhe e më vonë që ndërlidhet me periudhën organizuese e dirigjuese para e pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972), kur prof. A. Xhuvani fizikisht nuk ishte më.

 

 

    2)  Pasojat nga zëvendësimi i asnjanësit prejpjesor me trajta

                         foljore në FGjSSh (1980)

 

Si fakt a veprim tjetër me rëndësi me të cilin për pasojë u degraduan  nga përdorimi asnjanësit e paranyjëzuar, sidomos ata prejpjesorë, përveç zëvendësimit me trajta të emrave të prejardhur me prapashtesim asnjanësit prejpjesorë me -im, -je, ku duhej e ku nuk duhej, po përmendim edhe  faktin se në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (1980), në vend të asnjanësit që praktikohej në Fjalorin e gjuhës shqipe (1954) në mbi 1000 raste për shpjegimin e kuptimit të prejpjesorëve edhe të emrave përgjithësisht, tashti në fjalorin shpjegues normativ (1980), nuk përdorej më, sepse  në vend të tij futet në përdorim një shprehje tjetër me folje. Konkretisht në këtë formulim të ri. prejpjesori përkatës me prapashtesën -im ose -je shpjegohet jo me sinonimin në trajtën përkatëse të asnjanësit, po me tekstin sqarues: kuptimi sipas + folja përkatëse  (nga e cila shënohet veta I njëjës  e dëftores (veprore dhe pësore).

Në mënyrë që lexuesi ta ketë më lehtë me e kuptue këtë ndryshim formulimi dhe veprimi, po japim në vijim 5-6 shembuj nga të dy burimet, për të njëjtën fjalë, ku shihet se si është bërë konkretisht zëvendësimi i asnjanësit nga trajtat përkatëse foljore:

 

1 Në FGJSH 1954:

ARNIM - t’arnuarit.

BLERJE -  veprimi i të  blerit.

            GDHENDJE -të gdhendurit.

MBYTJE - të mbyturit.         

            PRITJE- të priturit.

PËRMIRËSIM - të përmirësuarit, të sjellët  në një gjendje më të

                             mirë.

2.Në FGJSSH 1980:

ARNIM - Veprimi sipas kuptimit të foljeve arno, arnohem.

            BLERJE - Veprimi sipas kuptimit të foljeve blej blihem.

            GDHENDJE - veprimi sipas kuptimit të foljeve gdhend gdhendem

            MBYTJE - Veprimi sipas kuptimit të foljeve mbyt mbytem.

            PRITJE - Veprimi sipas kuptimeve të foljeve  pres II pritem II.

            PËRMIRËSIM 1. Veprimi dhe gjendja sipas foljeve përmirësoj

                                      përmirësohem. 2. Tërësia e ndërtimeve, ndreqjeve.

 

Për mendimin tonë formulimi në FGJSSH (1980, pa e kontestuar zgjidhjen e tillë atraktive sinonimike, nuk duket se është aq shumë i qëlluar semantikisht sa ta zhvlerësojë a ta rrëzojë tërësisht si të pa vlerë formulimin me asnjanësin nga FGJSH (1954). Sigurisht zëvendësimi i tillë kërkon sqarim. Lidhur me këtë mund të shtrohet pyetja: Është marrë parasysh fakti, apo jo, se nga veprimi i kuptimit të foljes  nuk del vetëm kuptimi i veprimit a i gjendjes së  emrave me -im e -je, por edhe ai i gjendjes në raste, por sidomos edhe i rezultatit të veprimit etj, por edhe i prejfoljorëve të tjerë, siç janë prejpjesorët pandajshtesorë, asnjanësi prejpjesorë e prejmbiemërorë me -esë, -si, shmëri  etj., pastaj femërori me paranyjëzim, ai me prapavajtje e të tjerë!? Madje, mund të kërkohet sqarim pse të dyja trajtat diatezore (veprore e joveprore) emërtohen në shumës si me qenë dy folje?! Krahaso tekstin: Veprimi sipas foljeve...(?)  Po ashtu mund të shtrohet pyetja, edhe pse del përgjigja e qartë: Një veprim i tillë i zëvendësimit sa la rrjedhojë në pasivizimin e asnjanësit, pasi është fjala për mbi 1000 raste?!  

Sidoqoftë,sigurisht pyetjet e tilla hapin diskutim, por për mendimin tonë, assesi,  nuk duhet vënë në dyshim  ligjshmërinë e mënyrës së tillë të formulimit. Madje as që mendojmë se duhet kërkuar rishikimi e një përdorimi të tillë sinonimik. Qëllimi ynë është të konstatohet se edhe ky fakt, përveç zëvendësimeve pjesërisht arbitrare, do të ketë ndikuar në një mase jo të vogël në pasivizimin e emrave të paranyjëzuar të gjinisë asnjanëse.. Pra, zvogëlimi i numrit të asnjanësve në Fjalorin normativ (1980), do të ketë ndikuar që edhe në kontekste të tjera asnjanësi në fjalë të mos e ketë tretmanin e duhur. Për mendimin tonë lidhur me këtë rast-veprim është dashur të jepet sqarimi i duhur, ngase mungesa e një shpjegimi a trajtimi të tillë mendojmë se ka lënë pasoja të konsiderueshme që nuk janë të pavërejtshme edhe sot..

 

Po e sqarojmë kalimthi edhe një fakt tjetër. Edhe në Fjalorin e M. Elezit është praktikuar një zëvendësim i tillë i asnjanësit, sepse edhe aty prejpjesori shpjegohet me foljen përkatëse, por jo me të tashmen e dëftores, po me trajtën e paskajores së mirëfilltë. Në të vërtetë asnjanësi prejmbiemërorë shpjegohet me formulimin “emërzimi sipas + mbiemri përkatës, ndërsa prejpjesorët (edhe asnjanësi) sqarohen me formulimin “veprimi sipas +  infinitivi me + pjesore, d.m.th. shpjegimi bëhet sipas trajtës së paskajores së mirëfilltë, zakonisht edhe këtu me të dyja format diatezore (veprore e pësore), si p.sh:

Grizatje  f.- Veprimi sipas me grizatë me u grizatë   

Të grizatzurit as. Veprimi sipas me grizatë, me u grizatë.; grizatej

ose

Çermim m. Veprimi sipas  me çermue me u çermue.                                                               

   Të çermuarit as  Veprimi sipas me çermue me u çermue, çermim.

 

Pra M. Elezi, të dy prejpjesorët sinonimikë abstraktë i shënon veç e veç. Asnjanësin dhe të prejardhurin me -im ose -je i shpjegon njësoj me paskajore, por pas shpjegimit të kuptimit të asnjanësit e shton sinonimin e prapashtesorit me -im ose -je, duke i dhënë kështu njëfarë përparësie prejpjesorit përkatës prapashtesor, ndërsa dy trajtat e foljes nuk i emërton në shumës dhe nuk e përmend fare foljen në togfjalësh: Veprimi sipas foljes, që praktikohet në Fjalorin e Akademisë (FGjSSh 1980, përkatësisht FSHS (1984, 2006), por vetëm Veprimi sipas .+ paskajorja e mirëfilltë.

 

Sidoqoftë, pa marrë parasysh faktin se nuk e kontestojmë një zgjidhje tillë me trajtën a trajtat përkatës të foljes a të foljeve, që praktikohet në fjalorin përshkrues normativ, mund të themi se një dukuri e tillë nuk ka ngjarë nga evoluimi i brendshëm i formave të asnjanësit të paranyjëzuar, por nga të shpikurit të një mënyre të re të të shprehurit sinonimik, nga hartuesit fjalorit normativ shpjegues të gjuhës shqipe, sigurisht me bindje se kjo mënyrë është zgjidhje më e mirë se shpjegimi me asnjanës.

 

 

      3) Rreth një  konstatimi të nxituar kundërthënës

                      të prof. A. Kostallarit

 

Arkitekti, i pari  me emër, ndër hartuesit e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe (1980), prof Androkli Kostallari, pothuajse pas 20 vjet distance nga reagimi i prof. A. Xhuvanit, përkatësisht pas afro 30 vjetësh  pas botimit të FGjSh (1954), lidhur me asnjanësit riparaqet mendimin e vet, duke parashtruar këtë rast edhe të dhëna me interes, të cilat mund të shërbejnë e të frytëzohen edhe si përgjigje edhe për çështjen e shtruar prej nesh, ndonëse ne, siç shihet nga formulimi i nëntitullit e quajtëm konstatim të nxituar kundërthënës.

Në të vërtetë, paraqitja e e diskutueshme eprof. A. Kostallarit ka ndodhur më 1989, pothuajse 10 vjet pas botimit të FGjSSh (1980), ku asnjanësi, vërtet, kishte përfaqësim jo të plotë, të diskutueshëm si nga pikëpamja numerike ashtu edhe nga ajo përmbajtësore.  Sido që të jetë, ja tani inserti integral lidhur me çështjen e asnjanësve i nxjerrë nga  një punim mjaft i gjatë i prof. A.Kostallarit :

 

“Në shqipen e sotme letrare nuk mund të flitet më për emra asnjanës të panyjshëm si kategori e gjallë leksiko-gramatikore. Struktura morfologjike e gjuhës sonë letrare njeh vetëm tipin e paranyjëzuar të emrave asnjanës si tip veprues (emrat prejpjesorë të tipit: të hyrët, të ngrënët, të menduarit dhe emrat prejmbiemërorë të tipit: të bardhët të kuqtë, të zitë, të ftohtë. Kalimi i emrave asnjanës (të panyjshëm, d.m.th. i emrave asnjanës të vjetër të mirëfilltë të shqipes si ballë, brumë, grurë, ujë etj. në njërën anë në klasat e emrave mashkullorë e ka thjeshtëzuar më tej strukturën morfologjike të shqipes së sotme letrare. Po edhe emrat asnjanës të paranyjëzuar nga pikëpamja morfosintaksore sot paraqiten si kategori gjsmasnjanëse gjysmëmashkullore (p.sh. thuhet të ftohtët e dimrit. E duron të ftohtët. Ka marrë të ftohtë. por të ftohtë i madh, jo madh. E kaluam të ftohtin e madh etj.) Kjo lidhet në radhë të parë jo me humbjen e pothuajse plotësisht  të gjinisë asnjanëse të fjalëve përcaktues (të mbiemrave, të përemrave dëftorë e pronorë), por me vetë rrudhjen a shuarjen e  kategorisë së asnjanësit tek emrat e shqipes, dukuri që ka sjellë pasojat e veta në gjithë sistemin emëror, pra edhe tek mbiemrat, numërorët e përemrat. Kjo dukuri ka nevojë të sqarohet më tej me studime të veçanta, duke iu nënshtruar një analize të thelluar shkencore. Në përgjithësi mund të thuhet se me shuarjen e asnjanësit në fushën e emrave të mirëfilltë të shqipes është krijuar sot në gjuhën letrare një sistem i ri gjinisor me ndarje pothuajse dihotimike, në emra mashkullorë e femërorë”. (Shih: Studime mbi leksikun...III, Tiranë 1989 f. 54-55.)

 

Të vihet re se nga ky tekst i shkurtër i prof. A. Kostallarit, i cili në shikim të parë sipërfaqësor të lë përshtypje se mund të merret si shembull se si me pak fjalë mund të thuhet shumë, për kur hyn në brendi të tij fiton bindjen se aty janë shprehur vërtet konstatime të përziera disi të mbështetura mirë, por njëherazi edhe konstatime të nxituara kundërthënëse dhe si të tilla dalin edhe shumë të diskutueshme

Ne pak si tërthorazi, por edhe drejtpërdrejt në konstatimet e tij, shohim çështje kundërthënëse, prandaj kërkojmë nga lexuesi që paraprakisht të përgatitet për t’i vlerësuar sa më drejt këto dy çështje të diskutueshme: 

e para, në këtë paraqitje të prof. A. Kostallarit ka apo jo vërtet kundërthënie në krahasim me  konstatimet e mëparshme të parashtruara ose të miratuara prej tij dhe

e dyta, një qëndrim i tillë sa ishte ndikues tek kuadrot pasuese të tij dhe ato pasoja rreth pasivizimi të asnjanësve a ndjehen ende në shqipen e sotme letrare nga mbrojtësit fanatikë të normës së shqipes së sotme letrare?

 

Në vazhdim, po shfaqim, pra, ndonjë vlerësim tonin, siç thuhet: për e kundër.

Së pari po përmendim faktin se nga ai insert si anë pozitive parimore që s’mund të mohohet dot po theksojmë kërkesë-porosinë me vend të autorit që dukuritë rreth asnjanësve  patjetër duhet t’i shtrohen një analize të thellë shkencore. Me një kërkesë të tillë, si të thuash, ai e pranon se kjo temë nuk del e trajtuar mirë, andaj lë vend që edhe konstatimet e tij lypsen verifikuar.

Së dyti, po përmendim rezervën tonë rreth disa mendimeve të tij në disa pika:

E para, që në fillim po theksojmë se konstatimin e tij se: “në gjuhën e sotme letrare nuk mund të flitet më për emra asnjanës të panyjshëm si kategori e gjallë leksiko-gramatikore”, kemi vetëm një dozë të vogël rezerve, sepse na duket  se ai qëndrim mund të kuptohet si kategorik, ngase edhe gjuha e sotme letrare, kuptohet në domen të ngushtë ka emra asnjanës të ndërlidhur me fjalë e fraza të gjalla, të cilët janë të pazëvendësueshme, të cilat gjithsesi janë të pranueshme edhe për standardin. Bie fjala te fjalia- periudha: Me e la kryet me ujët të ftohtë, mendja e zemra të ndiejnë të ngrohtë(!). Emrat kryet dhe ujët  në këtë fjali janë asnjanës, madje edhe fjala mendja mendtë mund të konsiderohet se ende mund të ruajë ndonjë element të emrit asnjanës të paparanyjëzuar dhe siç dihet këto fjalë, jo vetëm në këtë fjali, por edhe në të tjera, janë të gjalla ashtu siç gjallërojnë edhe disa shprehje frazeologjike e idioma me emra në gjininë asnjanëse që  i takojnë standardit.

 

E dyta, edhe më kundërthënës del te konstatimi tjetër, kur në njërën anë e pranon se “emrat asnjanës të paranyjëzuar nga pikëpamja morfosintaksore, sot paraqiten jo me humbjen tërësisht të gjinisë, por si kategori gjysmasnjanëse gjsmëmashkullore, të cilët, (s‘dimë pse që dy tipat) i quan si një tip veprues, kurse në anën tjetër del kategorik, kur konstaton ose parakumton: shuarjen e kategorisë së asnjanësit tek emrat e shqipes(?!). Këtu, thua se harron se paranyjëzorët (asnjanës) i quan vetë, siç janë; tipa veprues, por këtë konstatim e neutralizon në përfundimin se gjoja “me shuarjen e asnjanësit në fushën e emrave të mirëfilltë të shqipes është krijuar sot në gjuhën letrare një sistem i ri gjinisor me ndarje pothuajse dihotimike, në emra mashkullorë e femërorë”!?

Pra, kjo dihotimi si sistem a mund të quhet si e tillë, si punë e mbaruar “me shuarjen e asnjanësit”,apo jo, kur anashkalohen dy tipat prodhues(?!), të cilët nuk dimë pse (asnjanësit prejmbiemërorë dhe ata prejpjesorë) i quan ose i konsideron, siç u tha, si një tip të vetëm?!

Në kundërshtim me mendimin kategorik të prof. A. Kostallarit shprehet edhe studiuesja Rosana Rushiti. Në të vërtetë, kjo studiuese, ndonëse nuk e sheh problemin plotësisht me qartësinë e duhur, siç e kemi interpretuar ne, megjithatë nuk bën keq, po bën shumë mirë, kur  konstaton se “ka raste, që emri prejfoljor (asnjanësi prejpjesor i paranyjëzuar n.v. ) i cili e ka më të theksuar kuptimin e procesit është i pazëvendësueshëm”, sepse sipas saj emrat prejfoljorë prapashtesorë janë përgjithësuar me kuptimin e rezultatit të veprimit (Vepra e cit.  f. 365).

Pra, kur koncepti del i pazëvendësueshëm me fjalë të tjera, atëherë vërtet s’mund të bëhet fjalë për “shuarjen e gjinisë asnjanëse tek emrat e shqipes”?!, siç .i del  prof. A. Kostallarit!

 

  E treta, kemi vërejtje edhe rreth shembullit ilustrues të cekur aty: të ftohtë i madh ndaj të ftohtët të madh, ku prof. A. Kostallari bashkë me shuarjen e  treguesve shoqërues të asnjanësit  parasheh edhe zhdukjen e vetë asnjanësit. Vërejtjet tona po i shprehim  në vijim në kë[to katër nënpika:

1. Një shembull i vetëm, të ftohtë i madh ndaj të ftohtë të madh, siç dihet nuk mjafton për t’u kualifikuar një dukuri e tillë si përgjithësuese  ose si një punë e thënë e bërë, përkatësisht, nuk mjafton që të shpallet kategoria e asnjanësit si një kategori jo e gjallë,  e shuar ose e dalë kohe evolucionisht.

 2. Ç’është e drejta njëjësi i mbiemrit të emërzuar mashkullor, siç e pamë më sipër, ndonëse i specifikuar a i rezervuar vetëm për emërtimin e njerëzve ose të ndonjë dukurie a një gjësendi konkret mund të jetë dëgjuar e thënë spontanisht nga ndokush njeri i ftohtë/ i ftohti (njeri). Pra, mund të jetë dëgjuar po ashtu i shprehur spontanisht  edhe me kuptim të një asnjanësi të ftohtit e madh, mbase edhe i ftohti i madh!, e ku ta dimë, po kjo trajtë, siç dihet, bie në kundërshtim me normën në fuqi. Pikërisht ky shembull është shënuar në Gramatikën e Akademisë (f. 160), si rast që nuk duhet përdorur, prandaj nuk e shohim të arsyeshëm që pikërisht rastin e tillë e cek prof. A.. Kostallari, për të përgjithësuar një dukuri të paanalizuar mirë. Po përsërisim, pikërisht rasti në fjalë  konsiderohet si  shembull tipik i shkeljes së  normës standarde në fuqi si në planin drejtshkrimor, ashtu edhe në atë semantik, andaj ai shembull s’mund të konsiderohet me perspektivë të hapur, aq më tepër kur i kundërvihet një rregulle gramatikore e rregulla, siç dihet, është në vetvete një strukturë e ravijëzuar relativisht e qëndrueshme në suazat e sistemit gjuhësor. Me fjalë të tjera më mirë do të ishte të merrej ndonjë shembull tjetër i diskutueshëm që t’i përgjigjej më mirë dukurisë së caktuar kundër normëzimit të sotëm, nëse vërtet ekziston.

3. Në të vërtetë, mund të dëgjohet e të thuhet normalisht të ftohtët e madh si dhe të ftohtit e madh, ashtu si të ecurit e drejtë dhe të ecurët e drejtë, , por për ne ka rëndësi se masivisht nuk po thuhet i ftohtë i madh a i ftohti i madh, përkatësisht i ecuri ose e ecura e drejtë, por po përdoret nyja e përparme, e cila është karakteristikë a pjesë e pandarë e njëjësit të asnjanësit të pashquar e të shquar përkatës në rasën emërore (e kallëzore)dhe në vazhdimësi

 Siç dihet, nyja e përparme në gjuhën tonë kryen dy funksione edhe si formant fjalëformues edhe si element gramatikor, dhe si e tillë del mjaft e qëndrueshme, pikërisht si karakteristikë  a pjesë përbërëse e pandarë e  asnjanësit të paranyjëzuar..

Pikërisht në dobi të zgjidhjes së çështjes të prekur nga prof. A. Kostallari, po sjellim disa shembuj nga gjuha e thjeshtë popullore, ku të ftohtët del me nyjë-mbaresën shquese -it, por nyja e përparme e emrit del e qëndrueshme, siç janë këto shprehje popullore nga trevat e Veriut:

 

T’ftoftin kodra e përcjell e lugu e mbledh. T’ftoftit e hjek t’ftoftin me t’ftoftë. T’ftoftit e ka fajin e brymës po i jet dami. T’ftoftit edhe bryma e shkretë, s’i lenë laknat tona me rritë krye si donë vetë. T’ftoftit t’nishkon, fjala t’shiton. (Shih: D. Bajraktari, Fjalë të urta dhe thënie popullore shqipe, Prishtinë, 1994, f. 517.)

 

Të vihet re se te shembujt e tillë, sidoqoftë nyja e përparme si karakteristikë e veçantë e njëjësit të asnjanësit të paranyjëzuar, siç u tha, përherë në të gjitha situatat po del e qëndrueshme. Sidoqoftë, nëse spontanisht në të folur të shkujdesur nga individët e caktuar mund të dalë edhe ndonjë fjalë a shprehje, kur  nyja e përparme del e konvertuar në -i, kjo nuk mund të godasë rregullën gramatikore në fuqi, e cila e mbron strukturën me asnjanësin në trajtën me nyjën e  përparme dhe të prapme -t(ë) .

Në të vërtetë, edhe kjo dukuri lypset ndjekur, por përgjithësimi i një përftim të rastit nuk duhet pranuar si  prirje për ndryshim rregullash.

    4. Edhe nga shembujt e tjerë që do t’i sjellim më poshtë sa për ilustrim, një konvertim i tillë, siç e kemi trajtuar edhe më përpara në këtë punim dhe siç do ta sprovojmë tani, në dy versionet e mundshme  rindërtuese, del i pa qëndrueshëm, si p.sh.:

            a) Ata kishin një të bardhë (të ngrohtë, të ecur, të folur, të theksuar etj.) joshës ose Të bardhët (të  ngrohtët  të ecurit, të folurit, të theksuarit) e tyre ishte joshës.. Pra jo i bardhë-i as  e bardha e tyre po një të  bardhë të bardhët.

            b) E kishte përvetësuar mirë artin e të shkruarit (të folurit, të recituarit, të  gatuarit etj.) ose  E kishte përvetësuar mirë të shkruarit ( të folurit, , të ecurit,  të recituarit, të gatuarit etj. ) si art., e kështu me radhë.

            c) Fenomeni i të ftohtit (të folurit, të aguarit, të dridhurit, të kollituri etj.) është i njohur prej nesh  ose  Të ftohtët (të folurit,  të aguarit, të dridhurit , të kollituri etj.) si  fenomen është i njohur prej nesh.

ç)  Mënyra e të kënduarit (të vallezuarit, të  kërcyerit,  të luhaturit, të kollituri etj.) ishte karakteristikë e veçantë  për ta ose Të kënduarit (të vallezuarit, të kërcyerit, të luhaturit, të stolisurit etj) si mënyrë ishte karakteristikë e   veçantë për ta.  

 

Pra, për të gjitha këto arsye të cekura në katër pikat e nënpikat përkatëse konstatimin e prof. A. Kostallarit ne e quajtëm kundërthënës dhe të nxituar.

 

             Sipërfundim

 

Nga sa u tha në këtë krye mund të nxjerrim si përfundim se në realitetin tonë gjuhësor zëvendësimi me sinonimikë të tjerë nën ndikimin e gjuhëve të huaja që ceket në reagimin e prof A. Xhuvanit, as zëvendësimi  i konceptit përkatës të asnjanësit me forma të tjera, siç ishte rasti në fjalorin shpjegues të shqipes letrare, madje as konvertimi i asnjanësve në gjini të tjera, nuk mund ta kenë dëmtuar asnjanësit e shqipes sa të përçmohet ekzistenca e tyre. Në të vërtetë, me tejkalimin e sprovave në fjalë asnjanësi  tregoi forcën e identitetit të vet, sepse përkundër të gjitha këtyre sfidave vitaliteti i asnjanësve të paranyjëzuar assesi nuk ka shënuar jo vetëm zhdukje, po as tkurrje, përkundrazi, kur kemi parasysh nënfushën e qartë semantike që e mbulon, kemi  rritje numri të asnjanësve të tillë në standardin e sotëm gjuhësor.

Së këtejmi, po përsërisim, meqë asnjëra nga tri-katër faktet e sipërpërmendura, as ndikimi i gjuhëve a i konstrukteve lë huaja, as zëvendësimi me sinonimet përkatëse që nga Rilindja e këndej, as  zëvendësimi i koncepteve të asnjanësit me format foljore, madje as supozimi i konvertimit në gjininë tjetër, nuk kishin mbështetje të forta e të përligjura evolucionore, anashkalimi i emrave të gjinisë asnjanëse në burimet e caktuara normëzuese mund të quhet si veprim arbitrar e me pasoja i shkaktuar nga keqkuptimi normëvënësve përkatës.

Fundja, siç u cek më sipër, standardologët tanë të sotëm nuk duhet të bien pre e prirjes së tejdukshme që treguesit anësorë të asnjanësit pothuajse tërësisht janë shpërbërë, duke kaluar në gjininë mashkullore (përemra, mbiemrat e numërorët) e vërtetë kjo e padiskutueshme, por në radhë të parë duhet ta shikojnë interesin e shqipes si sistem, sidomos përplotninë e strukturave të shqipes standarde, sistem ky i ravijëzuar sipas stileve funksionale, jo vetëm për sot e për nesër, por edhe për pasnesër e deri në pa kufi. Të jemi më të qartë, duke pasur parasysh nyjën e përparme karakteristike të asnjanësit të paranyjëzuar si dhe nënfushën e qartë semantike që mbulojnë emrat e tillë në kuadër të fushës së gjerë të abstraksionit, atëherë kategoria e tillë emërore duhet ta merret, si me thënë, në mbrojtje, në mënyrë që mos të ndodhin në të ardhshmen  përçmime të trajtave të tilla, siç kanë ndodhur në etapën e diskutueshme prej nesh, pasojat e të cilave po ndihen ndjeshëm  edhe aktualisht.

Në këtë kontekst po ripërmendim për të mirë hartuesit e Fjalorit të gjuhës shqipe 2006, të cilët kanë futur në standard numër të konsiderueshëm të asnjanësve dhe ky veprim li tyre e të shërbejë  jo si gjest, po si  shembull i mirë që edhe standardologët e tjerë të ndjekin të njëjtën rrugë, duke e vlerësuar drejt edhe rolin e emrave asnjanës dhe përdorimin e tyre në burimet  përkatëse normative.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora