Kulturë
Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme (III)
E merkure, 11.11.2009, 08:32 PM
RRETH
IDENTITETIT TË GJINISË ASNJANËSE NË SHQIPEN E SOTME
Nga Dr. Nuhi Veselaj
të asnjanësve prejpjesorë
në gjuhën shqipe
1. Rreth
qëndrimit jo të qartë teorik e praktik ndaj asnjanësve
në shqipen e sotme letrare
E thamë haptazi
dhe paksa tërthorazi më sipër se shembujt e asnjanësve të përfshirë në FShS
(2002), nëse nuk kuptohen si shembuj të vetëm e jo si shembuj përfaqësues,
sidomos e kemi fjalën për tipin e asnjanësve me prejardhje prejpjesore, atëherë
lënda e tillë del shumë e mangët dhe e varfër në raport me realitetin. Së
këndejmi, kjo mosnjohje e realitetit, madje mund të krijojë apo mbase edhe do
të ketë krijuar keqkuptime në përmasa jo të vogla tek një numër i
konsiderueshëm të konsultuesve të Fjalorit në fjalë. Kështu po themi, ngase një
manifestim i tillë, në njëfarë mënyre, del i shfaqur subjektivisht te
mjaft kuadro, të vjetër e të rinj: gazetarë e përkthyes, arsimtarë, kritikë e
krijues letrarë e të tjerë, deri edhe tek disa hartues fjalorësh dygjuhësh
(shqip-gjuhë e huaj dhe anasjelltas). Me fjalë të tjera del i shfaqur një
keqkuptim i tillë i realitetit edhe te disa kuadro që nuk mund të mund të
konsiderohen joprofesionistë nga vendi i punës ose për punët e detyrat që i
kryejnë ose për pozitat që zënë në shoqëri dhe konkretisht këtë qëndrim e
ndeshim të zbatuar mjaft dallueshëm pas viteve ’70 të shekullit të kaluar në
disa burime tona normative (andej e këndej), sepse në ato burime leksikografike
dhe përgjithësisht asnjanësit nuk dalin të favorizuar sa do të duhej, kur kemi
parasysh realitetin ligjërimor, nga i cili, gjithsesi ofrohen në
vazhdimësi edhe mjaft shembuj të rinj e atraktivë, të cilët në kuadër të
strukturës shprehëse dalin pothuajse të pazëvendësueshëm. Ndërkaq, ndonëse si
të tillë, nuk figurojnë në burimet përkatëse normative (!). Si fakt më konkret
që jeta ofron shembuj të rinj po përmendim rastin se vetëm në revistën Seminari...25/1
Prishtinë 2007 manipulohet me mbi 40 raste asnjanësish. Aty i ndeshim edhe këta
shembuj që nuk dalin të shënuar në Fjalorin e shqipes së sotme (2002): të
nxënit, të emërzuarit, të lexuarit, të jetuarit, të kënduarit e
ndonjë tjetër.
Pra nuk është i
drejtë mendimi se mungesa e numrit të konsiderueshëm të asnjanësve në fjalorët
përkatës lidhet me mungesën e tyre në realitetin tonë gjuhësor. Madje ka
individë që këtë mungesë të asnjanësve në fjalorët përkatës e shprehen me
ekstremin tjetër, gjoja se kjo dukuri, është fjala për mungesën e përfaqësimit,
mund të arsyetohet (hamendshëm) se gjoja ashtu është vepruar, sepse shembuj të
tillë kanë shtrirje aq të gjerë, sa që kjo rëndomtësi s’ka nevojë të theksohet
a të shënohet veçan në burime të caktuara, ngase do ta rëndonte pa nevojë
fjalorin përkatës(?!).
Sido që ta
marrësh, për mendimin tonë, veprimet e tilla rreth anashkalimit të asnjanësve
të paranyjëzuar në burimet përkatëse nuk dimë si mund të arsyetohen, qoftë nga
autoritet tona të larta gjuhësore, qoftë nga hartuesit e fjalorëve normativë
përkatës, sidomos e kemi fjalën për ata autorë shqipfolës hartues
fjalorësh (pas viteve të ’70-a), të cilët edhe e kishin domosdo të
ravijëzuar trashëgimisht tipin e asnjanësve të tillë në sistemin e tyre
ligjërimor.
Për një dukuri të
tillë pasivizimi të asnjanësve, sipas gjase kanë ndikuar mendimet e disa
studiuesve tanë, mendimet e të cilëve u cekën pak a shumë në fillim të këtij
punimi, por aq më tepër ndoshta do të ketë ndikuar edhe mendimi i prof.
A. Kostallarit i shprehur që në vitin 1967 në punimin e tij monografik:”Parimet
themelore për hartimin e Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, ku në
kreun e tretë A te Struktura e fjalorit, pika 15, kryerreshti i dytë
theksonte:
Emrat participorë asnjanës e femërorë që kanë kuptimin e
procesit të veprimit ose të rezultatit të veprimit nuk do të jepen për çdo
folje, por në mënyrë të kufizuar. Zakonisht ato me të njëjtin kuptim, p.sh.
të vjellët, të bëra e të pabëra etj.;
kur i kundërvihen emrit parashtesor nga pikëpamja e kuptimit
ose e ndonjë nuance kuptimore (krh, thënje dhe e thëna,, dhënje dhe të dhënat
etj.);
kur i kundërvihen emrit parashtesor nga pikëpamja e
përdorimit (krh. p.sh.”shtënja në përdorim” dhe vras dy zogj me një të
shtënë” etj);
ç)
kur janë diferencuar e veçuar në gjuhën letrare nga tipat
prapashtesorë dhe kanë fituar kuptim e përdorim terminologjik
(krh. në filozofi mendimi e të menduarit, procesi i të menduarit
etj.). (Shih: Studime mbi leksikun...II, Tiranë 1972, f. 49.)
Siç po shihet nga teksti i mësipërm, vetëm pika a) pjesërisht dhe pika ç)
tërësisht, kanë të bëjnë me asnjanësit e paranyjëzuar, ndërsa dy pikat e tjera
e pika a) pjesërisht vlejnë për femërorët e paranyjëzuar abstraktë, tipi e
mira të mirat.
Lidhur me
mendim-propozimin e tillë, paksa konfuz, të prof. A. Kostallarit pati reaguar
me kohë prof. A. Xhuvani, i cili ndër të tjera pati theksuar:
...Krahas
me këto (formimet me –im e –je n.v.) duhet të regjistrohen në fjalor
edhe gjithë emrat mashkullorë ose femërorë p.sh. e ftohta dhe të ftohtit, e
zbehta dhe të zbehtit, e bukura dhe të bukurit, e dalmja e dalura dhe të dalët,
e folmja dhe të folurit a të folët, e pamja dhe të pamët a të parët, e
lidhura dhe të lidhurat, e ardhmja dhe të ardhurit a të ardhunit, e vena
dhe të venët, të pyeturit dhe pyetja, të përgjigjurit dhe përgjigja, e ngrëna
dhe të ngrënët etj. Këta emra janë të gjuhës së folur popullore dhe janë
përdorur prej rilindësve... Pse ka marrë hov të madh në praktikën e sotme të
gjuhës përdorimi i emrave sufiksorë me –im e –je, nuk do të thotë se
emrat e substantivuar prej mbiemrash e foljesh të përdorur edhe këta në gjuhën
e folur e të shkruar, të mos zënë vend në “Fjalor të gjuhës shqipe” ose të zënë
vend të kufizuar, sikurse kuptohet nga ajo monografi”. (Shih Studime
mbi leksikun ...II, Tiranë 1972, f. 124.)
Siç po shihet nga
dy insertet (pasuset) e sipërcituara nuk ndahen mirë kuptimisht asnjanësit nga
emrat e substantivuar femërorë e mashkullorë, madje prof. A. Xhuvani nuk i
përmend fare shembujt përkatës si asnjanës, por i quan vetëm si emra
abstraktë të gjinisë mashkullore, ndërsa prof. A. Kostallari, pothuajse i
njëjtëson (i përzien) funksionalisht te shembujt përkatës: substantivat
prejpjesorë të nyjëzuar asnjanës me femërorët e paranyjëzuar abstraktë.
Mjerisht një përzierje të tillë e ndeshim edhe në ndonjë shkrim të studiuesve
të rij që rrahin çështje ti tilla.
Sidoqoftë,
mendim-rekomandimi i prof. A. Kostallarit, i kuptuar sipërfaqësisht, mbase edhe
i keqkuptuar si rekomandim uniform, për njerëz të uniformëzuar të kohës,
do të ketë ndikuar që përgjithësisht edhe në burimet leksikografike të botuara
më vonë, numri i asnjanësve, të jetë sadokudo, i reduktuar ose pa shembuj të
rij. E thamë të keqkuptuar, sepse nuk duam të besojmë se ai (profesori i
nderuar A. Kostallari) i kishte zhvlerësuar tërësisht në atë kohë konstatimet
rreth asnjanësve, siç u cekën në fillim të këtij punimi, ngase vepra “Gjuha
letrare shqipe për të gjithë”, qe botuar nën bashkautorësinë dhe
përkujdesjen e tij, përkatësisht nën drejtimin dhe redaktimin e tij. Madje,
prof A. Kostallari, në një vend tjetër, pikërisht lidhur me zëvendësimin e
asnjanësve me emrat e prejardhur me –im dhe -je tërhiqte vërejtjen si
vijon:
“Po kjo
prirje tipologjike në strukturën fjalëformuese nuk duhet ngatërruar me
përdorimin e emrave asnjanës të paranyjëzuar e sidomos të atyre
prejfoljorë në shqipen e sotme ngase përdorimi i tyre në raste ... është edhe
sot në normë, ndërsa zëvendësimi i tyre me emra prejpjesorë (prapashtesorë) me -im
ose –je që vihet re nganjëherë është i papranueshëm nga norma”. (Shih: Studime
mbi leksikun...
Pra, vërejtja e
prof. A. Kostallarit rreth nënfushave përkatëse semantiket asnjanësve ka vlerë
edhe sot, prandaj e thamë se mendimi i mëparshëm i tij për mospërfshirjen e një
numri më të madh të asnjanësve në fjalorët përshkrues normativë, mbase për rasye
thjeshtëzimi a ku ta dimë, do të jetë keqkuptuar.
Para se të kalojmë
në analiza të tjera do të përmendim në vijim disa nga burimet leksikografike të
me të hershme e më të vonshme, në krahasim me botimet zyrtare të pas viteve të
’70-a, ku paraqitja e asnjanësve përkatës del, si me thënë, jo e plotë ose e
diskutueshme për nga numri i përfshirjes. Si burime më të hershme do të
përmendim disa tekste burimore si faktografi që nga Rilindja e këndej si dhe
disa nga botimet e më vonshme, për të fituar kështu idenë se si ishte gjendja e
asnjanësve në periudha të caktuara, kur asnjanësit, sidomos të paranyjëzuarit,
si me thënë, herë frymonin lirshëm e herë jo aq. Është fjala për
etapën e diskutueshme prej nesh, pa harruar edhe burimet e viteve të fundit,
pas vitit 2002, kur mbase si reaksion ndaj qëndrimit inert në fazën e
diskutueshme prej nesh, ndodhi, si të thuash, edhe ndonjë dukuri paksa
shpërthyese rreth përfshirjen enorme të asnjanësve, jo gjithherë funksionalë e
në përshtatje me zhvillimin e sotëm.
2. Rreth
përfshirjes së asnjanësve në disa burime të caktuara
leksikografike të gjuhës sonë
Në vazhdim, pra,
duke shëtitur kronologjikisht nëpër titujt e disa burimeve leksikografike, fare
shkurtazi, do të përmendim kalimthi praninë e asnjanësve, duke cekur edhe
ndonjë veçori tjetër karakteristike gjuhësore të burimit përkatës.
1) Në Fjalorin
e K. Kristoforidhit ku janë të regjistruara mbi 100 asnjanës për nga numri
mbizotëron tipi i prejpjesorëve si dhe i prejmbiemërorëve ndaj asnjanësve
primitivë burimorë, çka na jep për të kuptuar se rrudhja e përdorimit të
asnjanësve të mirëfilltë primitivë kishte filluar më herë se kjo periudhë që i
takon fundit të shekullit XIX.. Natyrisht në këtë burim ndeshin edhe trajta të
shënuara në gegërishte dhe në toskërishte. Ndahet me vizël trajta e shquar
me -të si p.sh. të ngjyemi-të / të ngjyerë-itë etj., mbase nën
ndikimin e ortografisë së emrave të tillë nga shkrimtarët tanë të vjetër
(Budi, Bardhi, Bogdani).
2) Edhe në Fjalorin
e “Bashkimit”, që numerikisht ka disa dhjeta më shumë asnjanës se Fjalori e
sapopërmendur i K. Kristoforidhit. Në këtë burim mbizotërojnë po ashtu shembujt
e tipit të prejpjesorëve, të cilët shënohen në të dyja trajtat, por më shumë në
trajtën e pashquar. Që të gjithë shembujt janë shënuar në dialektin e
gegërishtes (shkodranishtes), madje edhe nyja e përparme (në emëroren e shquar
shënohet pa –ë-në fundore. Krahaso: t’ajmit, t’çamit,
t’cnuem, t’cofun, t’llaptuem, t’kuptisun, t’qekunit,
t’qejnuemit, t’qitunit, t’qethunit, t’murmruem, t’skajuem, t’pruum,
t’shaam, t’shpejtuem, t’shpeshtuem, t’teshun, t’trakulluem etj. Asnjanësit
prejmbiemërorë, me sa pamë, nuk shënohen veçan nga mbiemrat a prejmbiemërorët e
tjerë.
3) Edhe në Fjalorthin
e N. Gazullit,, ku paraqitet lëndë nga viset e Gegnisë ndeshim disa
asnjanës si në Fjalorin e Bashkimit, por tash ndiqet ortografia e Komisisë
Letrare të Shkodrës, e cila u mbështet edhe në Kongresin e Lushnjës (1920).
Nyja e përparme shënohet e plotë përgjithësisht. P.sh. të kaluem-t, të dhanun-t
të shtimë-it, të ranë-t etj. Nuk gabohet nëse thuhet se Fjalorii i N.
Gazullit karakterizohet me përdorimin e asnjanësve si dhe të paskajores
së mirëfilltë me + pjesore.
4) Pas Fjalorit ë
N. Gazullit po e radhisim Fjalorin e Tahir Dizdarit (Fjalor i
orientalizmave në gjuhën shqipe, Tiranë 2004), i cili, ndonëse i përfunduar
nga fundi i viteve ’60-a të shekullit të kaluar, kur njësimi i letrarishtes mbi
bazë të toskërishtes konsiderohej i kryer, gjuha e autorit dhe e krejt veprës
del si vazhduese e gjuhës letrare mbi bazë të gegërishtes, sipas ndikimit të
vendimeve të Komisisë Letrare të Shkodrës (1917) dhe Kongresit të Lushnjës
(1920).
Si veçori
karakteristikë të gjuhës së kësaj vepre mund të veçojmë këto tri fakte:
së
pari, shembujt ilustrues autori i ka marrë nga të gjitha trevat shqipfolëse,
duke përfshirë edhe veprën letrare të Gj. Fishtes,
së dyti, autori e
ka përdorur fare natyrshëm paskajoren e mirëfilltë me + pjesore si barasvlerës
të infinitivave jo vetëm të gjuhëve të familjes indoevropiane (persishtes,
sllavishtes etj), por edhe të gjuhës turke (si gjuhë aglutinonte uraloaltaje)
dhe të gjuhës arabe (si gjuhë semite), por edhe në gjuhën e vet autoriale.
së treti, ndonëse
paskajoren e mirëfilltë e ka përdorur edhe për mbulimin e disa koncepteve
abstrakte, të cilat mbulohen edhe me asnjanësit prejfoljorë, ai megjithatë në
veprën e tij ka manipuluar me mbi 100 asnjanës, të cilët zakonisht dalin brenda
togfjalëshave përkatës, si p.sh.:
të dhanunit
e fjalës, të marrunit nëpër gojë, të shkuemit për sajdi, të përmbytunit e
botës, të shikuemit me kureshtje etj, ose vepri (veprimi n.v.)
e të dalunit (të zbuluesit, të shtyemit, të gjetunit etj. ose dukunia a
mënyra e të punuemit, zanati i të qepunit, friga e të rrëzuemit,
lezeti i të ngranmës, ose një të ecun me kali etj.
.
Siç po shihet
shembujt janë të shënuar në gegërishte, mirëpo në atë vepër ndeshim edhe ndonjë
shembull të tillë të shënuar në toskërishte si p.sh: të pshuarit (të
shfryerit), të hequrit, të bitisurit e ndonjë tjetër.
Pra, siç po
vërehet, nga gjuha e T. Dizdarit (1900 -1972), i cili ishte punonjës i
Institutit të gjuhësisë të Tiranës kuptojmë se në atë Institut vazhdonte
të përdorej gegërishtja edhe pas LDB-së deri në vitet ’50 - ’60 jo vetëm
nga prof. A. Xhuvani, por edhe nga punonjës të tjerë, siç ishte edhe T. Dizdari.
5) Pra kjo
trashëgimi e ish shqipes letrare mbi bazë të gegnishtes që vazhdoi si të themi
zyrtarisht deri në vitet e ’40-a të shekullit të kaluar, përkatësisht pas
LDB-së, po që ndërroi kahe që në vitet e para pas LDB-së, duke dalë i
favorizuar shkallë-shkallë dialekti i toskërishtes, siç shihet edhe nga gjuha
sqaruese Fjalorit serbokroatisht -shqip (grup autorësh, Tiranë 1948), ku
shihet qartë animi drejt toskërishtes edhe në trajtat shkrimore të
asnjanësve. Pra si veçori e këtij Fjalori (1948) është se tashti, mbizotëron
letrarishtja mbi bazë të toskërishtes. Po përmendim faktin se aty ndonëse
mbizotërojnë trajtat e toskërishtes, nuk mungojnë edhe trajta të gegërishtes,
por vetëm për disa shembuj të tillë shënohet sigla (g), d.m.th.
trajta dialektore gege. Edhe në këtë burim mbizotërojnë barasvlerësit
asnjanës të shqipes në trajtën e shquar dhe numri i tyre është relativisht i
madh. në krahasim me gjendjen në Fjalorin e shqipes së sotme (2002).
6) Pothuajse e
kundërta ndodh, sa i përket gjuhës dialektore ose variantit letrar, në Fjalorin
e Henrik Bariçit me titull Fjalor i gjuhës serbishte ose kroatishte dhe i
shqipes (a-o) (Zagreb 1950), sepse në këtë burim mbizotëron pothuaj
tërësisht varianti i gegërishtes, edhe pse aty-këtu ndeshim ndonjë trajtë-fjalë
me rotacizim, si p.sh. djalëri, arshikri, ndonjë folje me paskajoren e
mirëfilltë me + pjesore, por të toskëzuar me -r-në karakteristike, si: me u
kurvërue (kurvënue) me dashurue (me dashtë, me dashunue), si dhe asnjanësi të
paralajmëruar-it (të paralajmëruem-it). Autori njeh emrat e veprimit me -im
dhe me -je, por këta për nga numri janë shumë më të paktë në krahasim me
asnjanësit e paranyjëzuar përkatës sinonimikë, të shënuar mbi temë të njëjtë
fjalëformuese. Asnjanësit a shembujt e tillë janë me qindra. Sa për ilustrim po
i shënojmë nja tre-katër shembuj:
dubljenje
– të dhenun-it, të gërmuem-it, të gërryem-it, të lugosun-it, të
biruem-it (birim-i), të ndejunit në krye;
grçenje – të
gërmuqun-it, të cenguem-it, (cengim-i), të garravaçuem-it, të galucuem-it, të
drynuem-it;
ljutnja – hidhënim-i,
zemërim-i, acari--ja, egërsim-i, të ashpëruem-it, bufitje-a, të dufitun-it,
inat-i;
diranje –
prekje-a, prekë-a, ngucë-a, gërgim-i, të gërgam-it, ngallmim-i, gëzatë-a,
gëzmim-i, cytë-a, të cytun-it, dukuni-je-a, të dukunisun-it.
Siç po shihet nga
shembujt e sipërm autori e ndan shquarsinë e emrave të numrit njëjës të
tri gjinive, ndërsa nyjë-mbaresën e shumësit nuk e shënon fare.
Sidoqoftë, te ky
burim ndeshim forma të ndryshme emërformuese, veç tjerash edhe mjaft raste të
emrave prejpjesorë pandajshtesorë, si: prekë-a, ngucë-a, gëzatë-a, cytë-a
pastaj: dhanë-a, falë-a, bindë-a, ethë-a, përmbysë-a,
pasë-a etj.
7) Në Fjalorin
serbokroatisht-shqip të Sokol Dobroshit, (Prishtinë 1953), i cili ka
luajtur rol shumë pozitiv në ruajtjen sadokudo të gjuhës shqipe edhe në
administratën e përkthyer të kohës dhe në vazhdimësi te ne, si barasvlerës
të emrave asnjanës foljorë të serbokroatishtes të tipit me –a/nje ose –e/nje
dalin të shënuar në shqipe afro 2000 shembuj asnjanësish, kryesisht mbi bazë
pjesoreje. Kuptohet se, pothuajse, që të gjithë janë shënuar sipas variantit të
gegërishtes, duke e respektuar ortografinë e kohës mbi këtë bazë. Pothuajse që
të gjithë shembujt janë shënuar në trajtën e pashquar, mënyrë kjo që, siç do të
shohim, nuk do të praktikohej në fjalorët e tjerë, me ndonjë përjashtim.
7) Në Fjalorin
rusisht–shqip, Moskë 1954 (rib. Prishtinë 1966), nën redaktimin e A.
Kostallarit (rib. Prishtinë 1966) ndeshim me qindra asnjanës prejpjesorë
e prejmbiemërorë. Trajtat janë shënuar tërësisht mbi bazë të variantit të
toskërishtes letrare. Si trajtë përfaqësuese mbizotëron njëjësi i shquar. Bie
në sy fakti se ka më shumë raste që shënohet vetëm asnjanësi i paranyjëzuar,
d.m.th. i pashoqëruar me prapashtesorët sinonimikë të tipit me –im ose –je. Në
këtë burim bie në sy se prapashtesorët shënohen vetëm për kuptimin e dytë
d.m.th. vetëm kur del, si me thënë, i formëzuar koncepti i emërzimit të
rezultatit të veprimit, por përgjithësisht përherë asnjanësit zënë vendin e
parë ndaj prejpjesorëve të prejardhur. Ka edhe veçori të tjera me interes në
raportin gjuha ruse (sllave) ndaj gjuhës shqipe, njëra prej tyre si më e
rëndësishme, për mendimin tonë, del fakti që po e veçojmë: asnjanësi i shqipes
nuk del kurdoherë si barasvlerës i asnjanësit të rusishtes, madje nuk janë të
rrallë shembujt, kur asnjanësi i shqipes del si barasvlerës edhe për emra,
qoftë të gjinisë femërore, qoftë të asaj mashkullore të rusishtes. Po e
ilustrojmë këtë të vërtetë me këta dy shembuj:
odvod m. – të
shpuarit, të hequrit, të larguarit; të mospranuarit, të refuzuarit;
zatjazhka
f. - të zgjaturit, zgjatje; të hequrit, të thithurit.
Nga shembujt e
tillë konstatojmë edhe diçka tjetër me shumë interes se shumimi asnjanësit të
shqipe (siç ishte në Fjalorin e S. Dobroshit) nuk është pasojë e ndikimit të
serbokroatishtes, por ishte dukuri e zhvillimit të brendshëm të gjuhës sonë,
ngase asnjanësit tanë do të kenë lindur a do të kenë pasur përdorim shekuj para
se shqipja të ketë kontaktuar me gjuhët sllave e neolatine.
Këtu është vendi,
për mendimin tonë të përmendim konstatimin me vend të prof. Idriz Ajetit se “huazimet
e gjuhës shqipe me gurrë sllave e riogreke duan veçuar nga huazimet lashtogreke
e latine, sepse asnjanësit sllavë e riogrekë nuk u pasqyruan në neutra” në
gjuhën shqipe. (Vepra e cit .f. 94.) Po ky fakt u vërtetua, pra, edhe me
shembujt tanë ilustrues.
9) Në Fjalorin
terminologjik serbokroatisht-shqip (grup autorësh), Prishtinë (1961), të
gjithë asnjanësit dalin të shënuar në trajtën e shquar, kuptohet edhe këta në
variantin e gegërishtes letrare, p.sh., prejmbiemërorët: të nxehtit, të
randët, të ftohët, të fikët, të pakë etj.; prejpjesorët: të ndëgjuemit,
të shijuemit, të mësuemit; të pamit, të ndymit, të bamit, të qenunit, të
ulunit, të prekunit, të rrahunit etj.
10) Natyrisht
botimi i Fjalorit të gjuhës shqipe (1954) edhe lidhur me asnjanësit
paraqet interes tejet të rëndësishëm. Në këtë burim, me sa pamë, ndeshim të
shënuar afro 60 shembuj asnjanësish, prej të cilëve nja 10 janë asnjanës
të paparanyjëzuar (të mirëfilltë), mbi 20 prejmbiemërorë dhe afro 30 janë
prejpjesorë. Disa prej tyre janë shënuar në variantin e gegnishtes letrare si:
të hasunit, të pakunit, të pamët (!), pasi paraqitnin koncepte të veçanta, të
paplotësuara me trajtat e toskërishtes. Ndonëse dalin mjaft mbiemra të shënuar
në gegërisht si: i kenuni, të kenun-it, i shnjerëzuemi, të
shnjerzuemit, i shëmtueti, të shëmtuetit, asnjëri prej tyre nuk del i
cilësuar edhe si asnjanës. Me këqyrë hollë e hollë, prejmbiemërorët dhe
prejpjesorët dalin të regjistruar në zëra pothuajse të përafërt, ose edhe
të barabartë dhe në numër relativisht të vogël, mirëpo sa i përket realitetit
duhet theksuar, në mënyrë të veçantë, se në atë Fjalor manipulohet me mbi 1000
shembuj asnjanësish kryesisht prejfoljorë, të cilët janë përdorur si fjalë
sqaruese brenda tekstit përkatës që jepet lidhur me përkufizimet e fjalëve a të
koncepteve përkatëse. Të mbahet mend se të gjithë asnjanësit prejpjesorë, me të
cilët manipulohej në sqarimin e fjalëve në fjalorin përshkrues FGJSSH
(1980) dhe FSHS 1984, 2002, nuk futen më në veprim, sepse sqarimi
tani bëhet me trajta foljore, veta e parë njëjës e mënyrës dëftore e jo
me asnjanës.
Në përgjithësi
shihet njëfarë konsolidimi i trajtave të asnjanësve edhe drejtshkrimisht edhe
përmbajtësisht, prandaj ky material është shfrytëzuar, përkatësisht
del i shënuar (kopjuar), me ndonjë përjashtim, edhe në fjalorët e tjerë të
mëvonshëm. Tashti po i përmendim nja tri raste përjashtimi që nuk dalin të
shënuara në FShS (2002): të përqethët, të prirët, të përthyerit (ky i
fundit cilësohet si term në fizikë). Sa i përket trajtës përfaqësuese
vazhdon një larushi, por megjithatë, mund të thuhet se mbizotëron trajta
e shquar si trajtë përfaqësuese.
11) Në Fjalorin
serbokroatisht - shqip, grup autorësh, botim i IA të Prishtinës, (1974,
rib, 1986) respektohet drejtshkrimi i pas Kongresit të Drejtshkrimit (1972),
përkatësisht ndiqet, pra, drejtshkrimi i njëzuar i vitit 1973. Në këtë burim
mbizotëron trajta e shquar ndaj së pashquarës, por kjo ndërdyshje trajtë e
shquar / trajtë e pashquar dallon nga autori në autor. Sa i përket numrit
të asnjanësve mund të thuhet se është shënuar numër i konsiderueshëm i tyre. Në
këtë burim mund të thuhet përgjithësisht se asnjanësi nuk del i injoruar në
krahasim me trajtat përkatëse sinonimike të emrave të veprimit me prapashtesat
–im ose –je. Një injorim i tillë vërehet në fazat e pak mëvonshme, kur në
përgjithësi shprehej njëfarë rezerve lidhur me të shënuarit e trajtave të
asnjanësve. Këtë që e thamë po e ilustrojmë me një fakt që lidhet me Shtojcën
që i është bërë këtij Fjalori me rastin e ribotimit, 12 vjet më vonë. Në këtë Shtojcë
mbizotërojnë emrat e veprimit me prapashtesim, por dalin të shënuar
vetëm nja 20 shembuj asnjanësish të paranyjëzuar, nga të cilët si më
karakteristikë po i përmendim shembujt, d.m.th. të shënuar në trajtën e shquar,
në njërën anë, si: të niveluarit, të nivelizuarit, të ngurtësuarit, të
programuarit, të shmallkuarit e ndonjë tjetër, por edhe vetëm
në trajtën e pashquar, në anën tjetër, si të rrafshuar, të respektuar,
në anën tjetër. Një larushi të tillë e ndeshim veç Shtojcës edhe në
brendinë e Fjalorit në fjalë dhe për tipa prejfoljorësh të tjerë. Në këtë burim
që nuk është rast i vetëm, bie fjala, për barasvlerësin e serbokroatishtes rastenje
dalin të shënuara të dyja trajtat veç e veç: të rritur dhe të
rriturit (f. 705) e jo si një fjalë e vetme me nyjë-mbaresën e ndarë
me vizël nga trajta e pashquar: të rritur-it.
Nuk e shohim të
arsyeshme të përmendim edhe raste të tjera të diskutueshme, edhe pse nuk janë
të pakta, po tash po përmendim një çështje tjetër që zgjon interes Bie në sy,
gjithashtu, se asnjanësi i nyjshëm i shqipes, siç e pamë edhe në Fjalorin
rusisht –shqip, përdoret nganjëherë edhe si barasvlerës togfjalësh edhe për
ndonjë emër të gjinisë femërore të serbokroatishtes me –ost fundor, si
p.sh.:
progresivnost – të
qenët progresiv, akromatiçnost – të qenët akromatik, rastvorenost – të qenët të
shkrirë, desnorukost – të qenët djathtak, raspolozhivost – të qenët në
qejf etj.
Pra asnjanësi i
shqipes (në togfjalësh); përdoret edhe për shembuj të gjinisë femërore me –ost
fundor të asaj gjuhe. Po shtojmë edhe këtë se zakonisht koncepti i emrave më --ost
të serbokroatishtes (të gjuhëve sllave) në shqipe ka si barasvlerës emrat
me –shmëri të shqipes, p.sh,.
rastvorenost –
shkrishmëri, kurse në huazime ka barasvlerësi me emrat me –itet
fundor progresivnost – pogresivitet, e kështu me radhë.
Sigurisht mund të
përmenden edhe çështje të tjera që dallojnë, siç u tha, edhe nga autori në
autor, por si veçori e tij, po përsërisim edhe njëherë se në këtë burim është
përfshirë numër i konsiderueshëm i asnjanësve, gjë që ndryshon paksa kjo
praktikë në versionin tjetër të fjalorit shqip-serbokroatisht të hartuar
pothuajse nga autorët e njëjtë.
12) Në Fjalorin
shqip-serbokroatisht të Mikel Ndrecës (Prishtinë, 1976), duke
pasur parasysh fondin jo të madh të fjalëve ndeshim numër jo të
vogël asnjanësish, afro 50 sish. Gjithsesi barasvlerësit serbokroatisht e
ndërsjellazi dalin të qëndrueshëm. Megjithatë zgjon interes fakti se aty
b.f. shënohen dy trajtat të asnjanësit të shqipes mbi temën e njëjtë: të
qeshët (pjesore e shkurtër) dhe të qeshurit (pjesore e
zgjeruar) që aty jepen në serbokroatishte me barasvlerës të njëjtë: smeshanje
dhe osmeh. Në këtë burim bien në sy edhe trajta gege të pakunit,
d.m.th. veç trajtës letrare të pakëtit, pastaj edhe trajtat
drejtshkrimisht të diskutueshme: të pamë–it, të thermë-it (në vend:
të pamë-t, të thermë-t), po marrë në përgjithësi asnjanësit janë paraqitur
konsiderueshëm.
13) Veç këtyre,
për ne siç u cek pak më parë, edhe më shumë interes, zgjon lënda e asnjanësve e
përfshirë në Fjalorin shqip-serbokroatisht, Prishtinë (1981). Ky fjalor
mjaft voluminoz për kohën, te ne ka shërbyer shumë pozitivisht për mirëmbajtjen
dhe kultivimin e letrarishtes së shqipes në administratën e
ringjallur dygjuhësore e më gjerë. Duke e konsideruar këtë Fjalor si burim
normativ, edhe lëndën sa u përket asnjanësve e konsultuam më vëmendshëm.
Edhe në hartimin e
Fjalorit në fjalë sa u përket asnjanësve vërehet lehtë qëndrimi jo i qartë ose
kryesisht jo favorizues i shumicës së hartuesve, që përputhet me
atmosferën jo favorizuese rreth asnjanësve që mbretëronte në botimet e Tiranës
në atë kohë. Supozojmë se ndoshta pas mendim-rekomandimit të përmjegullt ose të
keqkuptuar nga të shprehurit e prof. A. Kostallarit dhe të tjerëve, siç e pamë
në Konstatimet hyrëse të këtij punimi, tek autorët tanë ishte e
pranishme njëfarë rezerve nda asnjanësve të shqipes. Sidoqoftë, ndoshta edhe ky
ishte shkaku që hartuesit tanë, nuk e kishin lehtë, pra, të vendosnin, ngase
ishin të ballafaquar me dy skajet, në njërën anë me realitetin, ku asnjanësit
paraqiteshin shumë të gjallë në jetën tonë gjuhësore dhe në anën tjetër, duke
pasur në dijeni konstatimin jo favorizues që u bëhej, si me thënë, subjektivisht
gjithandej emrave të tillë në burime të caktuara. Sidoqoftë, ndërsa
prof. Mehdi Bardhi hartues i materialit për shkronjat: A, B. C, Ç, D,
DH, E, Ë, F është mjaft dorëlirë, ngase shënon numër të konsiderueshëm
asnjanësish, afro 70 sish, pothuajse të gjithë mbi bazë foljore (prejpjesorë)
të cilëve u shënon dhe e barasvlerësin sinonim me prejardhje të shqipes veçan,
të tjerët si Abdullah Zajmi, hartues i materialit për shkronjat
L,.LL, M, N, NJ, P, Q, T, U, V është paksa më i kursyer me asnjanësit. Vërtet,
shënon disa asnjanës në zëra të veçantë, por ka mjaft raste që ata i fut në
kllapa pas prejpjesorit përkatës të veprimit me –JE ose –IM, si: pallje (të
pallurit), pohim (të pohuarit) etj., duke u dhënë kështu përparësi formave
të prejpjesorëve sinonimikë me prapashtesat përkatëse, d.m.th. emrave të
veprimit ndaj asnjanësve të nyjshëm përkatës. Edhe Sulejman Drini për
shkronjat G,GJ, H, I, J, K, shënon disa asnjanës, por edhe ky është mjaft i
kursyer e dorështrënguar, sidomos tek prepjesorët asnjanës. Prof. Latif
Mulaku, hartues i materialit për shkronjat O,R, RR nuk e rrudh fort dorën
në paraqitjen e asnjanësve edhe atyre prejpjesorë, por edhe ky asnjanësit
i vë zakonisht nën hije të emrave sinonimikë të prejardhur, ngase si trajtë
sinonimike parësore e vlerëson emrin e veprimit me prapashtesën përkatëse me
–im ose me –je e në kllapa vendos sinonimin asnjanës të nyjshëm. Kështu me një
veprim të tillë, si me thënë, jep për të kuptuar se e përqafon subjektivisht
pasivizimin e asnjanësve përkatës, pasivizim ky që del edhe më haptazi nga
prof. Gani Luboteni, hartues i lëndës për shkronjat SH, TH, ashtu si
edhe nga Sitki Imami, i cili trajton materialin për
shkronjat S, X, XH,Y,Z, ZH dhe veç ndonjë rasti si të zbehurit, të zitë ose
zdrypje (të zbriturit) nuk shënon asnjë shembull tjetër asnjanësi të
nyjshëm prejpjesor të paranyjëzuar.
14) Edhe hartuesit
e fjalorëve të tjerë dygjuhësh të hartuar pas viteve të ’70-a kanë ndjekur
kriterin e Fjalorit të shqipes së sotme, d.m.th. numri i asnjanësve del i kufizuar,
ngase u janë dhënë përparësi emrave sinonimikë të veprimit me prapashtesat
përkatëse Është interesant se edhe në aktivitete të ndryshme rreth gjurmimeve
gjuhësore shkencore asnjanësit nuk i vërejnë fort, madje nuk i shënojnë
mjaftueshëm as disa nga mbledhësit e folklorit ose vjelësit e fjalëve të reja,
edhe pse në bazë, siç dihet, siç e dëshmon edhe prof. A. Zymberi, ndeshin mjaft
shembuj të tillë, që nuk figurojnë në fjalorët tanë përshkrues normativë. Po e
përmendim si shembull Fjalorin e fjalëve të reja të Ali R.
Berishës, Klinë 2006, ku nuk shënohet asnjë fjalë e re nga asnjëri
tip i asnjanësit.
Meqenëse, siç
dihet, gjuha jonë është plot e përplot me shembuj të tillë dhe që përdoren fare
natyrshëm nga të gjitha shtresat e shoqërisë sonë dhe nuk dalin të shënuar në
FShS, atëherë mendojmë se hartuesve të fjalorëve ose mbledhësve të fjalëve të
reja dhe sidomos studiuesve të profileve përkatëse, duhet t’u tërhiqet vërejtje
që të kenë parasysh edhe tipat e asnjanësve dhe t’i shënojnë dhe t’i përdorin
sa herë që këtë e kërkon konteksti.
15) Për ekzistimin
e asnjanësve në gjuhën shqipe në përgjithësi, nuk dëshmojnë vetëm fjalorët
dialektorë ose lënda përkatëse e vjelë së voni e folklorit tonë, por kjo
dëshmohet katërçipërisht edhe nga Fjalori i gjuhës shqipe i
Mehmet Elezit (Tiranë 2006), ku dalin të regjistruar në zëra të veçantë mbi
1000 (njëmijë) asnjanës, ndërsa në sqarime numri i tyre del edhe më i madh.
Sidoqoftë, shumica prej tyre janë të gjallë në sistemin tonë ligjërimor, por ka
edhe raste që autori i ka vjelë në burimet përkatëse nga e kaluara, të cilët
nuk kanë sot për sot përhapje të gjerë, madje mbase edhe të ardhme përdorimi në
atë trajtë
Po e theksojmë
edhe një veçori tjetër të këtij burimi. Shumica e shembujve, ndonëse të vjelë
nga trevat e gegërishtes ose nga dokumentacionet të shkruara në variantin e
këtij dialekti, aty dalin të shënuar në trajtën përfaqësuese të shqipes së
sotme letrare (toskërisht), por ka edhe përjashtime, çka e bëjnë çështjen mjaft
të diskutueshme. Gjithsesi, kur kemi të bëjmë me trajta shkrimore asnjanësish
të shënuar sipas drejtshkrimit të ish-shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes,
ose të vjelë, qoftë nga burime shkrimore letrare të reja, qoftë nga goja e
popullit ose nga burimet folklorike e të tjera, çështja, siç u tha, del e
diskutueshme. Këtij problemi ne do t’ sillemi në kreun e parafundit të këtij
punimi, por këtu s’mund të lëmë pa e dhënë një mendim tonin për punën e
autorit.
Mehmet Elezi me
vjeljen e fjalë-trajtave të tilla ka bërë një punë shumë të mirë, për admirim,
ngase ka dëshmuar atë që e kanë konstatuar edhe të tjerët, ashtu edhe ne, kur
ka të bëjë me shtrirjes së emrave të tillë në të gjitha stilet dhe në të
gjitha trevat e gjuhës sonë, por edhe për faktin se ka sjellë në dritë mjaft
shembujsh asnjanësish të paranyjëzuar me të cilët pasurohet gjuha jonë letrare,
edhe pse ndonjë trajtë mund të jetë e diskutueshme. Ja disa shembuj të
përfshirë në veprën e M. Elezi që zgjojnë interes:
1) të ardhur-it, të arritur-it,. të baritur-it, të britur-it etj. etj.
2) të binduar-it, të avulluar-it, të bjeshkuar-it, të brishuar-it,të
cikluar-it, të cakluar-it, të cubuar-it, të gemuar-it etj. etj.
3) të
pëlqyer-it, të pëlkyer-it
4) të
kllinj-të, të ledh-të, të mbram-të, të klluq-të,
5) të
ligsht-it, të largët-it, të kthjellët-it, të nalt-it të lëmykët-it,
të qethët-it
6) të gjallë-t, të bardhë-t, të gjatë-t, të kuqlimtë-t, të larë-t,
të lënë-t, të llanë-t, të mamë-t, të mbarë-t, të mbjellë-t, të
mirë-t, të ngranë-t, të nxehtë-t, të panë-t (edhe të tëpanë-t), të
prunë-t, të rënë-t, të verbë-t, të zgjerdhanë-t etj.,
Në të vërtetë,
edhe nga kjo përzgjedhje ka raste që kërkojnë sqarim plotësues, ngase nuk
përputhen drejtshkrimisht me normën e sotme në fuqi dhe perspektivën e saj, por
me një përpunim të lehtë ato mund të harmonizohen e në raste të veçanta edhe
mund të tolerohet lojalisht konkurrenca e tyre.
16) Po nga qendra
e Tiranës, jo fort moti, doli një fjalor i ri shpjegues normativ me titull Fjalor
i gjuhës shqipe (2006) i hartuar nga një grup autorësh nën redaktimin e
prof. Jani Thomait. Shumica e hartuesve si dhe materiali i shfrytëzuar vijnë
nga FGjSSh (1980, përkatësisht i FShS (1984, 2002), materiali
i të cilëve është shfrytëzuar, por nuk do të thotë se nuk ka risime e material
të ri të përfshirë në këtë burim. Pikërisht lidhur me lëndën që po e trajtojmë
ne, ofrohet material me shumë interes, i cili tregon se hartuesit tani kanë
qëndrimi më të liberalizuar se përpara ndaj asnjanësve. Përveç shembujve që
ishin përfshirë në FShS (2002) me sa pamë, janë shtuar edhe shembuj të tjerë,
por jo tek të gjitha grupimet ka shumësi të ndjeshme numri. Sidoqoftë,
materialin e tillë, siç thuhet, po e marrim nëpër duar dhe po e vëmë
në pah më poshtë në tri pika, duke e sistemuar materialin sipas tre tipave të
asnjanësve:
1. Kështu grupimit
të parë, d.m.th, tipit të asnjanësve primitivë të paparanyjëzuar i është shtuar
shembulli qallë-t, sinonim për syzet. Nuk mund ta dimë sa
do të ketë shtrirje dhe sa do të jetë funksional ky emër kur ka për ballë një
fjalë të njohur dhe të përgjithësuar, pra, sinonimin syzet. Sidoqoftë
edhe ky rast i vetmuar na zgjon vëmendjen, ngase edhe tek tipi i parë i
paparanyjëzuar është shtuar një shembull sinonimik që bën pjesë tani në
fjalorin e shqipes standarde me prestigj detyrimi(!).
2. Grupimit të
dytë, d.m.th. asnjanësve mbi bazë prejmbiemërore, me sa pamë, i janë shtuar dy
shembuj: të shkumë-t dhe të njomë-t, shembuj këta që ngjallin
interes, sepse sipas nevojës shumimi i tyre del me mundësi të hapur, ndonëse
këtu shumimi i tyre është simbolik, vetëm me dy shembuj.
3. Grupimit të
tretë, asnjanësve prejpjesorë u është shtuar një numër relativisht i madh
shembujsh. Kështu:
a) mbi temë të
pjesores me –RË ose -NË fundore dalin 5 raste:
të
palarët, të mpirët, të shkrirët; të shpënët, të shtënët;
b) mbi temë të
pjesores më -ur të foljeve me bashkëtingëllore që në emërore shumës marrin
nyjë-mbaresën -t dalin të regjistruar këta shembuj:
të
bërtiturit, të diturit, të ikurit, të kalburit, të pasurit,
të kënaqurit, të kërrusurit, të kositurit, të kurdisurit, të mahisurit,
të magjepsurit, të majmurit, të maturit, të mëkëmburit, të ngjeshurit, të
përkiturit, të përkulurit, të përsëriturit, të qepurit, të qethurit, të
qokurit, të qukurit, të qullurit, të qullosurit, të rastisurit, të rendurit, të
ndenjurit, të shkrepurit, të shprehurit, të shtrydhurit, të shmangurit,
të sosurit, të shpikurit, të shoshiturit, të shtrydhurit, të shthururit,
të zbathurit, të zbehurit,të zbrazurit, zdrypurit, të zbuturit, të zbythurit,
të zhagiturit – gjithsej 43 shembuj;
c) mbi temë të
foljeve me –Oj (-uar/ue): janë shtuar këta shembuj, që zgjojnë interes:
të
çaluarit, të çuarit I të çuarit II, të dëgjuarit, të kopjuarit, të korrigjuarit,
të krahasuarit, të qerthulluarit, të qetuarit, të qëruarit, të qorruarit, të
qulluarit, të penduarit, të shijuarit, të shikuarit, të shkuarit, të
shoqëruarit, të shpëtuarit, të shpjeguarit, të shpuarit, të shtruarit, të
shtrënguarit, të shndërruarit, të tradhtuarit, të vepruarit, të zbatuarit - gjithsej
26 raste;
ç) mbi
temë të foljeve me -UAj (-uar/uajt), janë shtuar këta 3
shembuj::
të
kruarit, të shquarit; të quajturit;
d) mbi temë të
foljeve me -IEj (-yer/ye) janë shtuar nja 6 shembuj: :
të
shkëlqyerit, të shqyerit, të ushqyerit, të zbardhëllyerit, të zhgënjyerit, të
zhgërryerit.
Pra në krahasim me
numrin e pranishëm të asnjanësve në FShS (2002) këtu janë shtuar mbi 80
shembuj. Kështu në letrarishten e sotme, kur kemi parasysh numrin shembujve të
regjistruar dhe ata të futur në përdorim në FShS (2002) që numri i tërësishëm i
afrohej 100 -shit si dhe këta të shtuarit mbi 80, atëherë numri i tërësishëm i
“legalizuar” për përdorim të asnjanësve në shqipen e sotme letrare, sipas
fjalorëve shpjegues normativë, arrin shifrën 180, në mos më tepër. Madje kur
kemi parasysh edhe numrin e shembujve që sqarohen me ndihmën e trajtës së
asnjanësit të qenët + fjala përkatëse, e ndonjë tjetër, që në FShS 2002
sillej aty rreth 300-shit dhe që në këtë burim (FGjSh 2006) kalon
500-shin, atëherë nuk duhet të ketë më ankesë nga askush se numri i asnjanësve
del i injoruar. Me fjalë të tjera, çështja e asnjanësve në përfaqësimin
strukturor të prejpjesorëve dhe prejmbiemërorëve numerikisht pothuajse del në
gjendje reale, por kur është fjala të përfaqësimi i tyre me shembuj konkretë
sipas tipave mund të kërkohet një kriter edhe më i pranueshëm.
Sidoqoftë, për
normalizimin e plotë të asnjanësve në sistemin emëror të shqipes lypsen edhe
sqarime teorike, ngase siç e pamë vlerësimet e duhura mungojnë. Gjithsesi në
gramatikën normative të Akademisë dhe në burime të tjera, duhen bërë
korrigjimet dhe (ri)interpretimet e nevojshme, sepse siç po tregojnë faktet
tipat e caktuar të asnjanësive assesi nuk dalin si “mbeturina”, por dalin si
fjalë aktive e produktive me perspektivë të qartë dhe me prirje shumimi edhe në
të ardhmen.
Nga sa u tha, në fund të këtij kreu, po përsërisim kërkesën që
në burimet e ardhshme duhet dhënë hakun edhe më mirë asnjanësve përkatës. Nuk
duhet lejuar që edhe më përfshirja e tyre në burimet normative të bëhet pa
kriter. Gjithsesi duhen njohur edhe më mirë nënfushat përkatëse semantike që
mbulojnë a priren të mbulojnë tipat përkatës të asnjanësve.
Po ashtu duhet tërhequr
vërejtje që nuk është e drejtë të zëvendësohen arbitrarisht asnjanësit e
nyjshëm prejpjesorë, në çdo rast, me trajtat e prejardhura sinonimike me
prapashtesat –IM ose -JE, ose me femërorët e nyjshëm e ndonjë tjetër, siç kanë
bërë e po bëjnë aktualisht disa hartues fjalorësh, sepse, siç do të
argumentohet edhe në kreun vijues, asnjanësi i paranyjëzuar prejpjesor e
ka vendin e posaçëm të pazëvendësueshëm në kuadër të sistemit ligjërimor brenda
strukturës emërore të gjuhës shqipe.