E merkure, 01.05.2024, 08:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Nexhat Rexha: Shpresa të trazuara

E marte, 10.11.2009, 07:38 PM


SHPRESA TË TRAZUARA

Bilall Maliqi “Lutje të lagura” Botoi  “Kurora”,Gjian, 2009, fq. 54.

Nga Nexhat Rexha

    Autori i disa veprave  letrare  Bilall Maliqi,vjen para lexuesit me veprën “Lutje të lagura”, në të cilën ka shkrirë tërë vokabularin artistik për të parashtruar e ndjerë motivin social. Poezia shqipe në këtë  dhjetëvjetëshin e fundit është  në funksion  të shtruarjes dhe shkrimit të shumë temave e motiveve të ndryshme,por që motivi social nuk është trajtuar si në këtë vepër.
    Problematikën që e shtjellon  autori në këtë vëllim poetik është hulumtim e përsiatje për të shfaqur  ide e skena të përditshmërisë  sonë. Në vargjet e  kësaj vepre  kemi të shfaqura pamje  dhe  imazhe të realitetit aktual,edhe pse bota njerëzore ka krijuar dallime të shumta në kontekstin e avancimit  ekonomik e teknologjik,por që një shtresë e njerëzve të këtij nënqielli edhe më tej mbeten nën mëshirën e të pamëshirshmëve.
    Problemet sociale nëpër  shoqëri  të ndryshme nuk janë rastësi,por ato janë një pikëtakim nëpër të gjitha kohërat e shoqëritë njerëzore, diku më shumë e diku më pak,sepse i urituri e kupton skamjen ,sikur i eturi që e ndjen etjen,por për të mirë fati i etjes fiziologjike në Ballkan nuk është vështirësi për ekzistencë. Ndërsa etja figurative në këtë pjesë të Evropës është  e pangopshme ,sepse  fqinjët vazhdimisht kanë shteruar burimet  njeriut tonë.
Identifikimi  i këtij motivi nëpër vargjet e tërësishme, kuptohet rrjedhshëm dhe ka një funksionalitet të përzgjedhur, sepse autori ka ndjesi për atë që e shkruan,duke i dhënë vargut  të tij mbështetje substanciale konform  situatës paradoksale në përditshmërinë  e këtij  realiteti për shumë kë të paqartë dhe të pa sqaruar me këtë që po ndodhë edhe më tej.
Qëllimi e arsyeton mjetin , e autori nëpër mes  vargjeve ,që nga fillimi e deri në mbarim të vargut të fundit ka qëndruar koshient në mbarështrimin  dhe parashtrimin  e  ekzistencës , e njëherit ka përkufizuar përafërsisht edhe moshën e kësaj shtrese të skamnorëve, edhe pse skamja është e njëjtë për atë që nuk ka ,por dallimi ekziston  te përjetimi e tejkalimi i saj. Pastaj,paragjykimi i ka problemet e veta ,që e ndjekin njeriun nëpër vazhdën e jetës  së tij. Për këto shfaqje të vazhdueshme nëpër rrugët e trollit tonë,ai sikur  gjykon jo vetëm këto skena,por në shumë vargje kërkon të largohen këto tabllo të dhimbshme,të cilat pasqyrojnë pamje të lodhura nëpër rrugët e qyteteve tona.
Lidhshmëria e tërësishme poetike  vjen si frymëzim i zhvillimit të ngjarjeve edhe në këtë fazë të ecjeve shoqërore. Koncepti i brendshëm artistik komunikon me kërkesën e protagonistëve  prej poezisë në poezi,edhe pse  autori ka perceptuar skena  e fate  të ndryshme të kësaj shtrese shoqërore .
Bilall Maliqi në vëllimin poetike “Lutje të lagura” ,kërkon shtegdalje të reja ,për të kapërcyer edhe këtë plagë shoqërore. Mirëpo, ai  përmes vargut të ngjeshur bënë edhe kërkesë  edhe lutje,që të gjendet mënyra e trajtimit më funksional për të krijuar mundësi e rrjedh më të mirë. Lutjet e autorit janë gërshetuar me mallëngjimin,sepse në të ka lot, e ai lot në shpirtin e lypësit kërkon ndihmë e zgjidhje,ky lot ka zgjidhje e alternativë, pra autori kërkon diçka që është e mundshme.
Fokusimi për zhdukjen e të keqes kërkon shërim,gjë që lutjet  e lagura me karakterin e brendshëm njerëzor shndërrohen në gjykimin e drejtë të lëvizjeve shoqërore, të cilat mund të ndikojnë në zvogëlimin e ofshamave të klasës politike,kushdo qoftë ai që gjendet në ballë të këtij procesi  shoqëror.
Në poezinë”Në gjerdan të kohës” ,autori shprehet:
        Zëri i tij prej lypsi
        Shënon molisje
        Humb kuptimin
        Në gjerdanin e kohës
                Fq.8.
Gëzimet e lindjeve  të reja në vargjet e Bilallit prekin thellë dhembjen e foshnjave,sepse në shumë raste zëri i ndërgjegjes mungon,në vend të uratës mbulohet hapësira  me mjegull, e njeriu i tij në vend të vet  e humb optimizmin dhe pastaj krijohet dilema  e heshtjes, që më shumë shoqërohet me mort,duke shikuar herë prapa e herë në vendnumërim të stinëve të ftohta.
Në disa poezi Bilalli ka shprehur hapur revoltën ndaj këtyre  padrejtësive,që vazhdimisht jeta ka prodhuar skena të njëjta, e këto vërehen në poezitë: Mëngjese të kristalta, Mort i moteve, Figura dhembjeje, Heshtja flet, Në zezënatë, Nata arratiset, Lypsari bonjak, Në kutesën time, Mordja e fshehur etj., poezi të cilat edhe kanë vlerë dalluese dhe qëndrojnë në funksionalitet të kohës.
Në titujt e lartpërmendur, autori ka nxjerr në pah predikimet e dhembshme ,që vijë me rrëmbim nga shtresa  e më të goditurve pa e përcaktuar  moshën e tyre. Mirëpo, përditshmëria  ruan në vete portrete  nga më të ndryshmet e ato zymtojnë rrugët tona,  dikush është fajtor për këtë gjendje, e cila me një përkushtim më të ndjeshëm mund të tejkalojë edhe këtë traumë shpirtërore. Për këtë arsye ,autori në vëllimin poetik”Lutje të lagura”,  me nga një poezi ka spikatur emrin dhe të bëmat e Nënë Terezes dhe të Bexhet Sallahut,edhe pse Nëna Tereze ,njihet në mbarë rruzullin tokësor,si humanistja e shekullit,kurse Bexhet Sallahu ka një shtrirje humaniste brenda kombit të vet. Përmes këtyre protagonistëve humanistë, autori ka bërë thirrje; se rrugët tona mund të zbrazen nga kjo shtresë e lodhur ekzistenciale edhe pse shkaqet për këtë lodhje e mundim janë të natyrave nga më të ndryshmet.
Duke lexuar në tërësi këtë vëllim poetik në një mënyrë a tjetër,vërehet fryma poetike e vargjeve të Migjenit apo të Esad Mekulit. Mirëpo,nuk do të thotë se tërësia e poezive të këtij vëllimi nuk e ka origjinalitetin e vet. Ajo komunikon nga afërsia edhe me këtë periudhë kohore,të cilës i takojmë ne,kjo edhe e bënë të dallueshme poezinë e Bilallit , e cila shpalos dhe ruan origjinalitetin e vet poetik.
Konfiguracioni artistik dhe estetik është ngjeshur mjaft bukur me figura funksionale,të cilat i japin ngjyrë e përjetim konkret vargjeve në këtë vëllim poetik. Autori me vëmendje e kujdes ka  hulumtuar e depërtuar në ëndrrat e dëshirat e përgjithshme të kolektivitetit tonë, për të dhënë mesazhin e angazhuar edhe të retrospektivës,por që gjithsesi sinteza e vargut ka për qëllim të ardhmen triumfuese për t`i dhënë njeriut tonë një unifikim më konkret.
Bilall Maliqi në këtë vëllim poetik ka pasqyruar motivin social dhe me  vargun e tij ka arritur të depërtojë në thellësinë shpirtërore të kësaj plage shoqërore dhe me fjalën e bukur artistike ka fokusuar në shënjestër atë që ka ndier në vete. Për të mos e lënë shpirtin e trazuar pa shpresë. Pra ai i jep shpresë konvencionale të ardhmes sonë.

Topanicë, më 15 tetor 2009


(Vota: 5 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora