E merkure, 01.05.2024, 10:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Ç'është jeta e një njeriu

E hene, 09.11.2009, 08:28 PM


KRISTAQ TURTULLI

Fragment romani:

Ç'ËSHTË JETA E NJË NJERIU

Në jetë luajnë të qetë vetëm ata që nuk kanë asnjë rol. Ndërsa tek ne gjithçka qëndron ndryshe. Mundohemi të jemi aktorë dhe regjisorë njëherësh, veçse në miniaturë. Dëshirojmë të luajmë, por ngatërrojmë batutat, lëvizjet skenat risillen përmbys. Atëherë fajësojmë, gërhasim, kërleshemi. Kjo kërleshje ka vite dhe vite. Dekada dhe dekada, që zhvillohet brenda vetes. Kërleshjen fillimisht e pranuam si lodër fëmijësh, si një dhuratë të vogël simbolike, por tunduese. E përtypëm me ngut, gjithë dëshirë. Zbriti rrëmbyeshëm, ashtu e patretur mirë në stomak.
Lënda e qulltë, u përzje me acidrat e stomakut, u përhap në mënyrë të rrufeshme në gjithë qenien. Trupi e pranoi dhe s'e nxori jashtë...

...Verbëria i kishte vënë barrierë dritës me
           kafshimin idhnor të së paditurës...

 -1-    
Ata shpejtonin rrëmujshëm, hapat e tyre zhurmonin në asfalt ne pjesën verilindore, pranë rezervuarit te mbyllur te Sapeve. Fytyra dukeshin të lodhura, të verdha, tragjike. Me tipare të trasha, kockore. Ishin krejtësisht të çrregullt, të hutuar, të rrëmbushur, sikur po ktheheshin nga një betejë me të padukshmen dhe nuk dinin në cilin skaj të horizontit ishin ndehur plagët e imagjinuara, krismat e parealizuara. Urdhrat ishin gremisur rrëmujshëm mbi të pazbatuarën, të patretura mbeten ato në honet e gjokseve të thata.
Ata lanë prapa urën e Çotës, ngadalësuan hapat, qëndruan dhe morën frymë në të njëjtën kohë si me urdhër. Ata donin të rrëmbenin një copë qiell të rënduar dhe ta rrasnin në gji. Vështrimet e tyre të përhumbura përplaseshin në irnosjen e motit dhe linin shije të hidhur, të çngjyrosur në asfaltin e pistë. Tutje, në një cep të qiellit të vrenjtur, dielli i mugët si një hamall i vonuar tërhiqte pas pelerinën e pranverës së ngathët.
Ata dihasnin me vrull, mbusheshin me ajër dhe e nxirrnin me zhurmë, duke përhapur duhmë djerse dhe tre komçat e para të xhaketave i kishin të zbërthyera. Kapelat me indiferentizëm fatal i mbanin të shtypura nën sqetulla, si te ishin libra të rëndomta shkolle në sqetullat e shkollareve shkatarraqë. Flokët e tyre ishin të lëpira, të shpupurishura, të ndotura, të qullura nga djersa, e të ngjeshura mbas kokës.
Ata lëvizën pa pasur ndonjë qëllim të caktuar, u shtynë përpara si blloqe të vogla shkëmbore, brinjazi, si të ishin  në fushë të hapët ku frynte vazhdimisht era e ftohtë. Qëndruan përsëri si me urdhër, trupat e tyre u lëkundën sa andej këndej si të ishin të dehur, ose të pavendosur se ç’duhej të bënin. Ata u kthyen mekanikisht përballë njeri tjetrit, shikimet e tyre nuk u përplasën, por dredhuan, brodhën lart, tangjent,  mbi kokat e tyre, aty ku ndjehej thëllimi i ftohtë. Ata lëvizën qafat vështruan rreth e rrotull duke i fërkuar mbas qaforeve të bardha, të ndotura, e të njomura nga djersa, qafat tyre kërkëritën me zhurmë. Ndoshta për ta ishte i papërfytyrueshëm ngujimi në mes të bulevardit, grumbull, pa rregull, pa një objektivë dhe qëllim të caktuar. Në sytë e tyre të përskuqura me gjurmët e para të sklepave në cepa dallohej shkoqur brenga dhe pikëllimi i zymtë.
Befas, ata brofën përpara si të bënin një kërcim drejt humbëtirës me këpucët e përlyera me baltë, me lidhëzat e zbërthyera të zgjatura ankueshëm në asfaltin e pistë, këmbalet i kishin të përveshura, si të bëra shuk nga nervozizmi dhe marazi i turbullt. Cepat e peceve të irnosura  dilnin vjedhurazi prej këpucëve të gjata dhe tradhtonin paturpësisht zotërit e tyre. Rripat e trasha të mesit ishin të liruara dhe xhaketat bojë bari, vareshin të shkujdesura, të shkalafitura, të lehtësuara nga ndryshimi paparashikuar, i rregullit dhe disiplinës. Gjithçka të linte përshtypjen e një tjetërsimi fatal.
Njëri prej tyre, barkalec, flokë rënë në çaçkë të kokës, vetulltrashë, i  sigurte në vetvete, vështrim autoritar por që tashmë ishte mbuluar nga pështjellimi, fshiu me shami qafën e trashë. Ai xhaketën e mbante krejtësisht të zbërthyer, komça e tretë varej ankueshëm në pritje të këputjes, fanella e leshtë, e përhimë, rehatohej mbi rripin e hollë të pantallonave. Ai çapitej në krye të grupit të  vogël, në brendësi të trupit të tij ndjente një zjarrllëk të madh e një ngashërim të thellë, por e mbante me forcë të mos dilte jashtë, të mos merrte udhët. Ai e kishte gojën farmak dhe stomakun e trazuar, si të kishte në të një kazan me bërsi. Barkaleci luajti qafën rrëmbyeshëm nga kolegët e tij, pështyu përdhe me zhurmë, flaku bishtin e cigares, të qullur, të përlyer, e shkeli me majën e këpucës, pastaj tundi kryet tre herë lart e poshtë, si për të aprovuar mendimin e pathënë, që e gërryente çdo minutë...
Ai befas u murrëtye në fytyrë, buzët e tij krijuan një qeshje sarkastike dhe tregoi me gisht kolegen e tyre, e cila ishte si zakonisht e rregullt, e krehur, uniforma e saj ndriste nga pastërtia, e mbërthyer deri në grykë, serioze, e përkushtuar si përherë, shpejtonte në trotuarin matanë Ajo ishte e preokupuar, sy përqendruar drejt rrugës që kishte përpara, pa vështruar rreth e rrotull. Ajo ishte e merakosur dhe vështronte orën e dorës herë mbas here. Autobusi i linjës po vonohej më shumë se herët e tjera.
Ata të gjithë, në të njëjtën kohë, i thirrën si në kor, dhe me hapa të mëdhenj, nxituan drejt saj, lidhëset e gjata. të zgjidhura, të këpucëve të mëdha ushtarake, fërkoheshin mbas asfaltit të pluhurosur, të pistë, krijonin zik- zake të dridhshme si lëvizje krimbash të mëdhenj nëpër dunë. Ata në të njëjtën kohë si me urdhër lëvizën krahët si të ishin mullinj me erë, por uji nuk dihej se nga vinte. Tkurrja e muskujve e fytyrave të tyre ishte i përballshme, e lodhshme, stërmunduese duke treguar ndjenja të çuditshme, trishtimi, keqardhjeje, frike. Verdhësia ronitej dhe spërkaste asfaltin e pistë.
- Ej ti,çfarë bën akoma këtu, - i bërtitën koleges pa hequr dorën nga toni i ashpër dhe i prerë i ushtarakut.
Gruaja u kthye ushtarakisht andej nga erdhi zëri,u ndeh, befas tërhoqi kokën mbrapa, vështroi drejt tyre e hutuar. Ajo nxori nxitimthi majën e gjuhës dhe lëpiu buzët e plasaritura.
- Duhet të kap autobusin e linjës, - foli ajo me zë ulët, të pasigurt, e befasuar nga çrregullimi i tyre skandaloz,- si për dreq sot autobusi po vonohet me shumë se herët e tjera. Kam shërbimin e radhës, oh, do të bëhem vonë në punë, nuk me pëlqen kur dikush është ne pritje për mua, - ajo hodhi me shkujdesje, prapa veshit një kaçurrel të zi dhe lëpiu përsëri buzët e përthara.
- Çfarë autobusi, ç’do të thotë kjo, do të bëhesh vonë në punë, hëm, je qorre, e marrë apo si, eh, ëh, eh,- i folën ata zëngjirur duke vështruar njëri tjetrin e pastaj u kthen ashpër drejt  saj, - gjej sa më shpejt një taksi dhe zhduku.
- Të zhdukem, - ia pat ajo e trembur, e habitur dhe liroi nyjën metalike që shtrëngonte qaforen,- ju doni të talleni, përse të zhdukem, ju sigurisht nuk e keni seriozisht?!
- Të zhdukesh posi, - ia kthyen ata, por pa vështruar nga ajo. Vështrimi i tyre bridhte rreth e rrotull. Ata mërmëritën diçka nëpër dhembë dhe fërkuan gjokset me nervozizëm.
- Përse? Autobusi nuk po e sjell kokën dhe ju kërkoni të kruani dhëmbët, më lini rehat për kokën tuaj.- Foli ajo me zë të dridhur, duke rrotulluar sytë sa andej këndej.-Ju lutem, detyra është detyre, nuk behet shaka me të, ju e dini më mirë se unë, çdo të thotë të mbash mbi supe përgjegjësinë e shërbimit!
- Çdo të thotë kjo, hëm,- i a pritën kolegët e saj zë rëndë. Vështrimet e tyre u ngulën mbi të, duke zbërthyer me nervozizëm dhe pa kujdes të gjitha komçat e xhaketave,disa komça u këputën dhe ranë përdhe me zhurmë, komçat u dukën një moment si buburrecë të mëdhenj ngjyrë ari. Të cilët kërcyen një copë herë të gëzuar në asfalt, pastaj heshtën të shushatur. Ata vazhduar zë rëndë,- pse ne nuk e dimë që detyra është detyrë, dhe kjo detyrë është jashtëzakonisht e shenjtë, jo vetëm për ne por për të gjithë popullin. Hëm, sigurisht, e sigurisht, por çfarë të themi, as vetë nuk dimë të...ata po vinë dhe janë shumë.
Ajo rrotulloi sytë e tronditur dhe zbërtheu me ndrojtje komçën e parë të xhaketës. Pjesa e ngushtë e bardhë, e zbuluar e gjoksit të saj, i u përkëdhel erës. Gruaja mbërtheu shikimin mbi kolegët e saj, u zverdh, filloi të dridhej, i dukej sikur ajri ishte pakësuar, i mbahej fryma:
- Jo nuk është e vërtetë. Ju... Ne... Ata...Unë...si të them...është e tmerrshme,- gjoksi i shtrëngonte si në mengene dhe nuk arrinte të artikulonte fjalët. Ajo vështrim e mbante të fiksuar përtej, nga bulevardi verior, andej nga duhej te vinte autobusi i linjës, -mendoja se ishin thjesht fjalë.
- Eh, sa mirë do ishte sikur të ishin fjalë,- u gërmuqën kolegët e saj, ata ndezën përsëri cigare dhe i thithën me vrull,- të gjithë kështu shpresonin se ishin veçse fjalë marroqe. Po, he de, çfarë i thua kësaj. Rrufe në qiell të kthjellët. Është vërtet e tmerrshme. Dhe befasisht lëvizja e tyre shkund plogështinë tone, për ta bere te vërtetë te pavërtetën. Sipas gjasave ata duhet te jenë diku, pranë Hanit të madh me dy porta dhe janë shumë, ndoshta mund të jenë edhe me larg, por ç'rëndësi ka, përderisa lëvizja e tyre është e pritshme...
-Si...nuk ka rëndësi,- i a pat ajo e indinjuar, e trembur, dhe zbërtheu komçën e dytë, fytyra e saj ishte bërë e verdhë si limua,- ne të qëndrojmë kështu! Së pari ka shumë rëndësi...ne duhet të sigurohemi për këtë gjë dhe më pas....
Barkaleci e vështroi ngulët me inat trupin gati të ngrirë të saj dhe foli zë ashpër, autoritar:
-Eh, eh. Sigurohemi, sa mirë do të ish...Eja hip te kjo taksi. Ikim së bashku. Hë lëviz, mjaft u përtype. Phu, ngaherë e vonuar mbete,- ai e tërhoqi me nervozizëm si të ishte një deng me kashtë, ajo u mblodh në qoshe të taksisë e hutuar, e shokuar, me shikim të mbërthyer përjashta. Kishte shkulur kapelën nga koka, flokët kaçurrela i ishin lëshuar rrëmujshëm mbi shpatulla. Atë ngacmonte meraku, e brente kureshtja, për të ditur më shumë hollësi, por kolegët e saj ishin të paduruar, ngrehur, të ndërkryer.
Dielli rrinte pezull në qiell, më ngjau si një monedhë metalike e përskuqur, që pakujdesshëm rrokullisej mbi çatitë e pallateve, në pemët e përgjysmuara në asfaltin e ndyrë, më pas hynte në xhepat e boshatisura të njerëzve duke u përvëluar kofshët.
Oficerët duke u përtypur, u sheshuan në taksi, dikush pështyu një bërthamë ulliri. Më brente kureshtja.  Nxitimi i tyre ishte i pazakonshëm, alarmant, gati ireal. U shkëputa nga qoshja ku isha mbështetur dhe u afrova me nxitim pranë tyre, i pyeta zë ulët:
- Më falni...zotërinj...
Barkaleci me hodhi një vështrim të pjerrët, të grindur dhe hungëriti:
- Hë, fol, shpejt se nuk kemi nge.
Unë përkula kokën dhe u afrova më pranë xhamit të makinës.
- Kush do të vijë? Cilët janë ata? Ju patjetër që e dini, Hani me dy porta nuk është shumë larg prej këndej?
Ata një hop më vështruan hutimthi, të bezdisur, shikim i tyre u zbardh e u kthye në qesëndi, pastaj si me urdhër pështynë njëherësh bërthama ulliri përpara këmbëve të mia.
- S'ditke gjë ti?! - toni zërit të tyre ishte i lartë, nervoz.
Unë ngrita supet pa ditur ç’të thosha, u gëlltita me vështirësi, lëvizjet e tyre tregonin shpartallim:
- Jo...ju lutem...
- I mjeri ti ... Pritet nga minuta në minutë të hyjnë, - ata tërhoqën me inat dhe forcë derën e makinës, me përqendrim të ngulur përpara. Ata ishin të turbull, të akullt. Doja të mësoja diçka më tepër, nuk ishte thjesht kureshtje, por skapamentoja e taksisë lëshoi tym të zi benzine të padjegur.
Unë u nervozova, isha gati tu bërtisja nga pas. Hej, ju, jeni të marrë apo çfarë, përse duhet të thoni i mjeri ti, ku ka vend tek unë ajo shprehje idiote, dhe ku, ne adresë të një të panjohuri. Juve jeni të mjerë sepse u ka hyrë paniku në bark, ju që nuk duhet të dini ç’është paniku.
Taksia humbi mbas bërrylit të rrugës, duke lënë pas një shtëllungë tymi si një re e pistë. Ata sigurisht nuk bënin lojë, e nuk ishte pjesë teatrale, komedi me një akt. Uniformat ishin pasqyra e seriozitetit dhe disiplinës. Pa dale ç’është kjo ikje e nxituar, alarm, kjo frikë e madhe. Përnjëherësh një dorë e padukshme më shtrëngoi zemrën në gjoks, dhe gati më mbajti  frymëmarrjen. Nuk e di, por më dukej sikur tek bashkëqytetarët e mi fillova të dalloja një farë ankthi të fshehur, si një napë e padukshme, që lëvizte heshtazi në sfond të qiellit. Por gjithçka më dukej e pamundur, gati e pabesueshme...
Ngrita veshët të dëgjoja, të mësoja më shumë për këtë pështjellim, ndodhi të pazakonshme në qytetin tim, në ditët e para të pranverës, por përsëri më dukej anormale.  Ndoshta ata oficerë ishin të dehur në ndonjë përvjetor brigade sulmuese dhe të vetëkënaqur që ranë në mish qengji dhe raki rrushi të zierë dy herë, prandaj broçkullisnin në hava. Oficerët ngaqë pinë rrallë dehen shumë shpejt me një gotë të vogël, teke, raki të fortë.  
Ortekët e fjalëve turreshin me tërsëllëm prej maleve të lartë të cilët e rrethoni qytetin si një unazë, gremiseshin drejt  hyrjeve të qytetit, në bulevardet kryesore, futeshin si ciklon nëpër rrugicat me kalldrëm, shtynin dritaret, dyert, të dyqaneve, pazarit të madh, në pallatet pesëkatëshe, në shtëpitë karakteristike dhe depërtonin rrëmujshëm, gjithë zhurmë drejt e në veshët e pamësuar të qytetarëve, shkisnin nxitimthi nëpër labirintet e kokës dhe qëndronin, shtriheshin si një masë ngjitëse, hidhëruese në folenë e hutuar të trurit të gjithë qytetit.
 Uragani fjalamani vazhdonte...Qyteti mblidhte she shtrinte gjymtyrët si në kllapi. Disa thanë se, dëgjuan që ata porsa mbërritën në krahun e kundërt të qytetit, pranë luadhit të madh me gropë konike. Ata u lutën zë ngjirur, kërkonin ujë mbasi buzët u ishin tharë, qytetarët të merakosur, të trembur, vrapuan të papërtuar nëpër çezma mbushën gjyme kazanë, tenxhere, tiganë dhe u dhanë lajmëtarë të pinin ujë sa të ngopeshin.
Të tjerë lajmëtarë, zbritën nga kodrat e thepisura të lumit. Ata erdhën grupe-grupe. Ata pinë ujë me gllomka të mëdha, mbasi fshinë ujin që u kullonte nëpër fytyra, me shikime të ngulura drejt qiellit të vranët ngulmuan se kishin parë në horizont, tym, mjegull dhe lëvizje të rrëmujshme, dyqind metra larg vilës së qelqtë të rrumbullakët të ish mbretit.
Disa ardhacakë nuk pranuan të pinin ujë, ata tërhoqëm kokat mënjanë kur i u afruan bidonët me ujë të freskët. Kishte pasur shumë fusha të përmbytura përgjatë shtegtimit të tyre të mundimshëm. Ata donin të hanin. Ata mbanin pallto të gjata të zeza, të përlyera me baltë, ku përfund dalloheshin që tutje këmbët e zbathura dhe noçkat e dobëta. Ata me zëra të ngjirur, të lodhur, tregonin se kishin dëgjuar fort mirë ulërimat e çmendura të sirenave të makinave, diku tutje pranë Përroit të thellë me hithka, ku përmirreshin plakat.
Dikush nga lagja e qorrave, të qytetit më të afërt fqinj jugor mbiu atëherë kur nuk pritej, me sa dukej duhet të ishte lajmëtari i fundit. Ai ishte këmbëzbathur, rreckosur dhe u derdh me vrap drejt qendrës së qytetit duke bërtitur me sa zë që kishe në kokë: dëgjoni more milet, përqendrimi i trupave te tyre është tek Guri i madh me Vrimë... kaq di të them unë....
Ne të gjithë prisnim të mësonim diçka më shumë, por ai u  ul këmbë kryq në mes të sheshit duke rrotulluar sytë si një gjynahqar, dhe kruar deri në gjakosje gjoksin e tij të dobët.
Ai nuk kërkoi as të hante dhe as të pinte. Ai shkuli prej trupit pallton e shkalafitur të bërë copë nga shtegtimi e shkeli me këmbë.
Qëndrova i hutuar. Thashethemnaja rrokullisej mbi qytet duke e mbërthyer atë si krahë e zinj dhe të lyrshëm oktapodi nga të gjitha anët. Gjithsesi kjo ardhje dukej krejt e pakuptimshme dhe e pakapshme.
Tjetërsimi i fjalëve hidhte mjegullnajën e të pabesueshmes, si një eter i rëndë vjella vrer. Verbëria i kishte vënë barrierë dritës me kafshimin  idhnor të  së paditurës.
Oshtima e përcjellësve të stresit godiste idhnueshëm memecllëkun e topitjes së një qyteti të tërë. Fjalamania ngrihej dhe ulej si dallgë deti të tërbuar, veçse nuk merrej vesh nga do të vinte goditja, do të ishin tokësore apo yllësore. Të pajisur me armatim të lehtë, apo me armatim të rëndë. Me armë të mbledhura nga lashtësia apo me armatim modern, të kohës. Këtu pasohej një heshtje e gjatë, njerëzit luanin kokat, vështronin përreth të hutuar, majtas, djathtas, lart poshtë, por ata nuk guxonin të vështronin njëri tjetrin në sy, i trembeshin leximit të përballshëm të frikës.
Thashethemnaja shpesh herë pengohej nëpër sofate, pirgje dhe ngrehina, strukej nëpër hatulla, fshihej në blozën e oxhaqeve, por befas dredhonte bënte kërcim të hatashëm dhe përpinte qytetin me një frymë.
Një mendim çakërdisur mbiu në çast në popull. Vështrimet e tyre u përqendruan drejt godinës karakteristike të muzeut antik, në krahun veri perëndimor të qytetit. Po sikur... Shumë qytetarë lëvizën nxitimthi si një trup i vetëm, drejt godinës trekatëshe, hapën derën me kangjella të përdredhura, u ngjeshën mbas njeri tjetrit në oborrin e ngushtë të shtruar me pllaka, pastaj ngjitën shkallët e mermerta. Përgjegjësi, një burrë thinjosh me një cullufe të bardhë mbi ballë, u doli përpara me vështrim të nemitur, duke u bërë me shenjë të mos bënin zhurmë dhe të mos trazonin asgjë. Ata e shtynë mënjanë, butë, pa dëgjuar ankimet e tij dhe vështruan me kujdes gjithçka që ndodhej aty. Mjedisi ishte i paprekur, hijerëndë. Armët e ftohta të lashtësisë, ishin aty të pa luajtura si më parë, të rënduara nga ndryshku i kohës, e nga trishtimi i të pafolurës. Ata morën frymë të lehtësuar.
Tjetërsimi i fjalëve vazhdonte të rridhte rrëke, brenda përbrenda qytetarëve, përmbyste bulevarde, rrugica të kalldrëmta dhe humbiste tutje në rrethinat e qytetit të hirtë. Minutat shtyheshin ngadalë dhe me shumë vështirësi bëheshin orë. Dita ofshante me të madhe, e kishte të pamundur të mblidhte gjymtyrët që i ishin shpërndarë andej - këndej, e të lidhur mbas vargonjve fjalomani.
Makinat shpejtonin të harbuara dritë ndezur, rrotat fërshëllenin në asfaltin e qullur. Kuajt hingëllin dhe kamxhikët e karrocierëve fshikullonin ajrin. Më në fund njerëzit vështruan njeri - tjetrin të fandaksur, ata i trembi frika e tyre. Ata  kërcyen përpjetë, rendën, bërtitën, u kujtuan duhej të mblidheshin fëmijët çamarrokët,  kureshtarët, të cilët ishin të shpërndarë nëpër qytet.
Tregtarët e vegjël shpinë kërrusur nga lodhja, futnin mallin me shpejtësi nëpër magazina duke vështruar përreth të ankthuar. Tregtarët e rinj, të mëdhenj, që po u ronitej paksa vetëkënaqësia, siguria, që u jepte atyre pushteti i parasë, së porsa grumbulluar, duke përdoruar të gjitha mjetet efikase, të njohura dhe të panjohura, të vjetra dhe të reja. Pushteti politik dhe pushteti i parasë, paskan shumë shtigje të përbashkëta. Në fund të fundit Pushtet është. Dikush bërtiti është thjesht pusht. Ata e injoruan me nënqeshje sarkastike. Ata të përcëlluar, të murrëtyer, të ngrehur, me ngashërim vështronin fabrikat, punishtet e tyre dhe nuk dinin çfarë të bënin me to, të qëndronin aty t'i ruanin, apo të mbylleshin në shtëpitë e tyre...
Befas u bë qetësi e rëndë. Dukej sikur një çelës magjik ishte lëvizur dhe kishte mpirë gjithë qytetin. Dielli ishte fiksuar në një vend dhe s'kishte ndërmend të lëvizte, edhe pse minutat thërrmoheshin zhurmshëm nëpër memorie. Ndoshta   dielli kishte bërë marrëveshje të heshtur me hënën.
Kur gjithçka u mbyll dhe u drynos, dhe qyteti i mpakur lëvizte krahët kuturu të gjente jorganin e ronitur që i kishte rënë në fund të këmbëve të mbulohej, dielli lëvizi ngadalë gjithë përtesë, me një ndjenjë mëshire të madhe.
Ra nata. Në rrugët e përdredhura dhe në bulevardet e gjera qentë dhe macet kërlesheshin dhe ulërinin me lebeti.
Qyteti nxinte. Hëna s'pranoi hipokrizinë e diellit u fsheh dhe nuk doli më. Fjalamania mbërtheu dhomat e ngushta dhe të ulëta të pallateve si dhe oborret e shtëpive.
Më pas banorët ngjeshën fytyrat e zbehta nëpër dritaret me hekura të përdredhura, për të parë zemërdredhur hatanë e tmerrshme. Rrapëllinte me potere tik - taku i orës së madhe të qytetit.
Dikush ulëriti, ndaleni atë dreq ore!?
Heshtje. Gjumi ishte arratisur përfund maleve. Të gjithë e mallkuan atë zë të çmendur. Fëmijët ishin mbledhur kutullaç në krahët e prindërve. Pleqtë me pallto krahëve mërmërisnin. luteshin me shikimin drejtuar qiellit të zi. Simfonia e maceve dhe e qenve ngarendte ngado...


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora