E enjte, 01.05.2025, 01:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Bilall Maliqi: Intervistë me mr. Bislim Pireva

E shtune, 07.11.2009, 08:46 PM


INTERVISTË ME MR. BISLIM PIREVA

LETËRSIA ËSHTË PASQYRIM I REALITETIT

(Është një gjyq që i vlerëson shkrimet, e ai është lexuesi që ua shkurton apo ua zgjat jetën. Dua të them edhe këtë se dikur janë shkruar poezi edhe kundër popullit dhe janë botuar me para të popullit. Tash poezitë së paku nuk shkruhen kundër popullit dhe nuk botohen me paratë e popullit).

Nga Bilall Maliqi

I nderuar profesor, para se t’ia fillojmë bisedës ju kisha lutur për një biografi të shkurtër, me qëllim që të njihen lexuesit e asaj pjese se kush është mr. Bislim Pireva?

-Jam i lindur më 1946 në Tygjec të Dardanës. Katër klasë të fillores i kam kryer në vendlindje, të tjerat në Koretin. Normalen, studimet universitare dhe pasuniversitare në Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Pas mbarimit të normales më 1968, tri vite kam punuar mësues në vendlindje, disa vite në një shkollë fillore në Gjilan, lektor në TVP, ndërsa që 30 vite në Shkollën e Mesme Ekonomike Marin Barleti në Gjilan. Jam në përfundim të karierës dhe mjerisht arsimin po e lë më keq se që e gjeta, jo me fajin e nxënësve, por me fajin tonë. Kushdo që nuk pajton me këtë që po them le të urdhërojë. Muk më nevojiten më shumë se pesë minuta për t’ia mbyllur gojën.

Krahas punës së përditshme në procesin edukativo-arsimor jeni marrë aktivisht me shkrime. Për lexuesit tanë është me interes të dijnë se kur keni filluar të merreni me shkrime dhe cili libër ta ka dhënë gradën e krijuesit?

-Sa isha mësues në fshat fillova të mbledh lëndë folklorike. Më 1969 në revistën Shkëndija i botova disa fjalë të urta popullore dhe disa fjalë të rralla, pastaj një punim për lirikën popullore në “Flakën e Vëllazërimit” që botohej në Shkup. Kohë pas kohe kam botuar disa gjëra për çështje gjuhësore.

Viti 1985 ju kurorëzoi me titull magjistër shkence.Si punim të magjistraturës keni marrë “E folmja shqipe e Jabllanicës së Epërme të Medvegjës”, na thuani çka ju shtyri ta zgjedhni pikërisht këtë temë të pjesës së ndarë nga Kosova?

-Fshati im i lindjes është afër kufirit dhe me fshatrat shqiptare të Medvegjës kam pasur lidhje familjare dhe që kur isha fëmijë kam shkuar shpesh atje. Gjatë studimeve në shkallën e tretë u përcaktova që për temë të magjistraturës ta marrë të folmen e asaj treve edhe nga fakti se askush dhe për asgjë nuk është marrë me atë trevë. Mendoj se sado pak kam dhënë një kontribut për veçoritë fonetike, morfologjike e leksikore për të folmen e asaj treve.

Trajtimi i gjuhës

Keni botuar mjaft libra shohim se në shumicën e krijimeve tuaja hasim trajtim të gjuhës, pastaj keni shkruar edhe monografi, gramatikë të shkurtër të shqipes dhe gjermanishtes etj., na thuani diç më shumë për këto botime?

-Jam përpjekur që të them diçka, por se çfarë ka qenë vlera e tyre atë mund ta thonë vetëm lexuesit. Pse jam marrë me gjermanishten janë disa arsye. Gjermanët janë popull punëtor dhe për atë i adhuroj shumë. Kurdo që mirresh me historinë e gjuhës sonë nuk mund të bësh asgjë pa albanologët gjermanë. Nuk mund ta kuptoj pse, por interesimi i studiuesve gjermanë për gjuhën, kulturën, folklorin dhe traditën tonë ka qenë i kahershëm. Mu për atë arsye kam qenë dhe jam i mendimit se në shkollat tona do të duhej të mësohej gjermanishtja, prandaj edhe me njohuritë e mia modeste kam dashur që ta hap atë rrugë. Në Serbi gjermanishtja si lëndë mësimore mësohet që më shumë se 130 vjet. Në ish Jugosllavi gjermanishtja në të gjitha njësitë federale ku nuk ka pasur shqiptarë është mësuar, nëse jo në të gjitha shkollt e mesme në disa po. Gjermanishtja në vitët e para të pas luftës është mësuar edhe në Raincë të Preshevës, e ndoshta edhe në ndonjë shkollë tjetër. Shkurt, në shkollat shqipe është futur ose rusishtja ose frengjishtja, njëra gjuhë e vëllazërve të tyre, tjetra e miqve të tyre.

Jeni mbledhës i këngëve dhe riteve të martesës në Malësinë e Kamenicës.na thuani brenda kopertinave të këtij libri çka fshihet, pra na elaboroni në pika të shkurtra përmbajtjen e këtij libri?

-Duhet ta pranojmë se ne shqiptarëve pa na ‘’grah’’ dikush nuk e bëjmë asnjë punë. Atëherë ishte i domosdoshëm dhënia e provimit profesional. Ishte viti 1975. E paraqita provimin dhe e propozova këtë temë, pra Këngët dhe ritet e martesës në Malësinë e Kamenicës, e cila edhe u miratua. E bëra një punim prej 15 faqesh dhe e dorëzova, por kur shkova në provim, i ndjeri dr. Demush Shala që të rrallë kanë qenë profesorët si ai, ma kishte refuzuar punimin. U habita, por edhe u hidhërova.. E kuptoi dhe më thirri në kabinetij e tij. Tjetër kujt më tha ia kisha pranuar këtë punim, por ty jo, sepse ti mund ta bësh një punim të plotë për dasmën e asaj treve. U ktheva në shtëpi dhe e bëra një punim prej 100 faqesh. Mu desh të punoj disa kohë, ndërsa këngët i kisha mbledhur gjatë kohës sa kisha punuar në fshat. Doli një punim shumë i mirë, por e konsideroj se më shumë ka qenë meritë e profesorit Demush që më detyroi (grahi) se sa e imja.

Pos këtyre librave që i përmendem më lart keni të botuar edhe librin “Shënime nga teoria e letërsisë-Lirika, libër ky i dedikuar për nxënës të shkollave të mesme, na thuani keni edhe ndonjë botim tjetër e që kemi lënë pa përmendur, ose na i përmendni gjitha botimet tuaja deri tani?

-Gjatë punës me nxënës e kam parë të nevojshme që nxënësit duhet t’i kenë njohuritë themelore teorike për letërsinë dhe e kam hartuar atë tekst. Jam përpjekur që të jetë sa më praktikë. Shembujt i kam marrë nga ajo që është mësuar në shkollën fillore. Për t’ua shpjeguar poezinë elegjike, shembull e kam marrë poezinë e Nolit, Shpellë e Dragobisë, e cila mësohet në shkollën fillore. Kam botuar edhe një monografi për arsimin shqip në komunën e Medvegjës si dhe një tjetër për shkollën e fshatit tim.

Keni provuar të shkruani poezi, prozë apo ndonjë gjini tjetër letrare?

-Jo, as nuk kam provuar, as nuk do të provoj.

Poezia sot

Çka mendoni për poezinë përpara dhe poezinë sot?

-Nuk mund të jap ndonjë mendim të prerë, por mendoj se poezia jonë nuk është prapa poezive të popujve të tjerë. Bazuar në parimin se letërsia është pasqyrim i realitetit, atëherë mendoj poetët tanë kanë përse të shkruajnë. Kam dëgjuar të flitet se tash po shkruan poezi gjithkush, duke aluduar në atë se nuk kanë vlera. Po, është e vërtetë se shkruhen poezi që s’kanë vlerë, por edhe që kanë vlerë. Është një gjyq që i vlerëson ato, e ai është lexuesi që ua shkurton apo ua zgjat jetën. Dua të them edhe këtë se dikur janë shkuar poezi edhe kundër popullit dhe janë botuar me para të popullit. Tash poezitë së paku nuk shkruhen kundër popullit dhe nuk botohen me paratë e popullit.

Kritika letrare, na tërhiqni një segment për kritikën letrare dikur dhe kritika letrare sot. Sa janë korrekt dhe objektiv kritikët në trajtimin e botimeve të ndryshme, komenti juaj?

-Sot me atë punë nuk mirret askush, sepse nuk paguan askush. Vlerësimet kinse që bëhen për ndonjë vepër letrare, i ngjajnë si veja vesë. Një fjalë e urtë popullore thotë ‘’Pi ujë në bunar të ri, por mos pështyjë në bunar të vjetër’’, kurse ne veprojmë edhe më keq. Pështyjmë në bunar të vjetër, pa e hapur bunarin e ri. Hasan dhe Esat Mekuli janë shlyer nga planprogramet mësimore, njëri babai i kritikës dhe tjetri i letërsisë shqipe në Kosovë, me gjasë se na paskan qenë komunistë. Po le të dalë një dhe le ta thotë emrin dhe të tregojë se s’ka qenë komunist. I përmenda vetëm këta dy, por ka edhe të tjerë.

Çka presin lexuesit në të ardhmen nga mr. Bislim Pireva?

-Nuk do të presë diçka të jashtëzakonshme, por jo edhe servilizëm si disa që pardje i kanë kënduar titizmit, dje protektoratizimit, sot europianizmit e nesër ku ta dish kujt…


(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx