Kulturë
Shazim Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Lumenjtë e dritës'' (IV)
E enjte, 05.11.2009, 07:24 PM

LUMENJTË E DRITËS
PARAZIT
Sa herë më ngushton vetëdija
një çmenduri drite më verbon
dhe di sakaq
se ajo që dritën e bën të bardhë e të tejdukshme
është fatkeqësia e dritës
Zot, jam kaq i tejdukshëm
sa nuk ka ditë që s’më përbirojnë një herë
Parazit i bukur jam
dhe po të më lejonin
të zgjedhja për vete një strofkë për banim
unë do të zgjedhja kërthizën e një femre
Të banosh në fletën e një luleje të bukur
një insekt i shëmtuar do të thotë të jesh
Të banosh në kokrrën e pjekur të një molle
do të thotë të jesh një krimb i papjekur
Oh, qofsha…, qofsha një ëndërr e keqe
në ëndrrën e bukur të një ëndrre pa të keq!
Qofsha, së paku, sa për të hedhur një shurrë
mbi kafkën e një njeriu!
Që kafka të shurrëngjallet
dhe t’i lindë një shpresë asaj kafke për jetë!
Jeta, një litar çastvdekjesh, a s’është?
Për një jetë (mbi litar!)
dy brigje (pikëllimi!), gjithësesi, mjaftojnë
aq më tepër kur e kemi në dije
humnerën atje poshtë (oh, nënë,
të mos e kisha thënë!)
dhe litarin e vdekjes që kurrë nuk këputet
GRINDAVECË
Po të mos ishte
ajo grindja e pamëshirshme
ajo grindja që gjenetikisht ndodh
mes diellit e reve
mes ajrit e dritës
mes erës e dheut
nga këto të mira që na rrethojnë
si uji, si jeta, si bima
asgjë s’do të kishte
E, pra?
Edhe përkundër vrazhdtësisë që kemi
edhe përkundër ashpërsisë mitike
që reflektojmë me fytyrat tona të shëmtuara
ne grindavecët
në parim jemi bëmirës
dhe që të mund të pranveroni ju heshtakët
ne e kemi patjetër të grindemi e të jemi
si dielli
si retë
si ajri
si dheu...
PAGJUMËSI
Të ngritem
ta ndez dritën
prezencën e gjymtyrëve të mia
ta vërtetoj
a të mbetem në shtrat si i vdekur
me pamundësinë time
Sonte s’kam gjumë
Se ç’m’u trazua mendimi
e ndesha në theqafje
SKICË PËR NËNËN
Sa herë ma lexon dhembjen në ballë
aq herë ma shton një dhembje tjetër
Shenjtërohet peizazhi i verdhë vjeshtor
në artin e saj mbi jetën
Të bardhat dritëza ma ngjallin shpresën
tek kalon e denjë mbi Vdekjen
Shëndoshë e mirë po qemë dhe nesër
do na e rrëfejë JETËVDEKJEN
ART
Bravo, bravo maestro
zbulove mrekullinë
E lakuriqove në sedër
në trup në gjymtyrë
Në sy, në faqe, në buzë
i sajove pikëllimin
Jepi dhe shpirt, maestro
që të mund ta njohin perënditë
FUNDFLETËZ NGA DITARI I NJË TË IKURI
Po u lë lamtumirën e fundit
po iki një rruge të shkelur kurrë më parë
pa i dëgjuar pas krahësh sharjet e mundshme
të rrebelëve të shumtë, të teveqelëve, matrapazëve.
Po u lë natën e akullt në kokat e bëra qull
terrin e përjetshëm, qetësinë mistike
kokëdhembjet, vuajtjet, kokëçarjet, meditimet
haretë e paharrueshme, ahengjet, dështimet.
Po iki me zilet e gëzimit në duar
me çastet e këndshme, me ditëlindjet
me hapat e fëmijëve, me zërat e hareshëm nëpër dhomë
me dhuratat solemne që më kujtojnë shqetësimet
me frymëmarrjen e thellë, me tik-takun e zemrës
me ankthet e gjata, me dyndjet në mushkëritë
me gjakun e ndezur, me ndrydhjet nëpër damarë
me të gjitha shpirtvlimet, me të gjitha fashitjet
me zjarret në bebëza, me dritën e paparë
me të vjellët e pelintë mbi letrën e bardhë.
Po u lë mundësin e meditimit
për rastësinë e pamjes së bukur të njeriut
(dëshminë e besimit të pambulesë)
gjallërinë e mundshme të vdekshmërisë
dhe rastësinë e mosvdekshmërisë
(mprehtësinë e nevojshme për masën e besimit).
Po u lë dhembjen e akullt në fundin e ditarit
vdekjen e jetuar dhe jetën e varrit.
HIJE
S’u mbet gjë, veç emërave.
Ademi dhe Eva ishin hije
si hijet e kësaj dite
që më rrëshqasin para syve
dhe unë jam i urituri
që s’ngopet me hije
Ademi dhe Eva s’janë më.
S’do të jenë një ditë
as hijet e këtyre njerëzve.
S’do të jem një ditë
as unë i urituri, i dashuruari në hije.
Ë?!...
Vaj halli për ne
po s’lamë nga një emër!
VEGLAT
Kurrë mos i nënçmo veglat!
Hapja e një dere s’paramendohet pa një çelës.
Një lopatë nevojitet gjithësesi
pëp të hapur një varr.
Çër nevojë të shpirtit
pa një thikë të mprehur mirë
nuk mund ta flijosh as kafshën më të imët.
Një mundësi e mrekullueshme
janë veglat, vërtet.
Mosmundësinë e tyre për të jetëruar
merre si gjënë më rentabël në jetë!
Mosshpirtësinë, poashtu!
Për këtë, dëshmi bindëse jam unë.
Edhe ti, kuptohet,
një vegël e shumëpërsosur je
në dorën e pushtetgjakësve që lëndojnë.
Kurrë mos i nënçmo veglat!
Zoti përdoron një laps
kur na i shënon mëkatet.
KAM FRIKË NGA LEHJET
Rrijmë në verandë unë dhe ideja.
Përballë nesh, nata epshuar
kopshti i vegjetuar i mendimit
dhe një vashë virgjër
si e dalë nga ëndrrat.
Mbi ne, ylli vezullues
si jeta e një djaloshi
dashuruar në vashën.
Kam frikë nga lehjet.
Po s’e ndala psherrëtimën
prishet ideja
trembet ylli vezullues
mes këmbësh përgjaket virgjëresha!
PARK
Puthen ca të rinj në ulëset e drunjta.
Lisave, pishave, luleve u këputen këmbët.
Të ligështuar nga dashuria
zogjtë pushojnë këngën me delikatesë.
Këtu, gjithkush dashuron dikend
gjithkush dashurohet nga dikush.
Përveç njërit:
atij njeriut të bronxtë t’urrejtjes
që zgjat gishtin tregues
i drejton akuzën
vogëlsisë së njeriut!
Komentoni
Artikuj te tjere
Viron Kona: Drithërimat e Yjeve (IV)
Asllan Dibrani: Shtatorja e Bill Klintonit në Prishtinë me mangësi artistike
Engjëll Koliqi - Poezi të 6-12 tetorit 2009 - Poesie del 6-12 ottobre 2009
Jusuf Zenunaj: Në lumin e syve tu
Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme - Konstatime paraprake
Agim Gashi: Vaji i shqiptarit
Nga krijimtaria e poetit për fëmijë Ibrahim Skenderi
Cikël poetik nga Edmond Shallvari
Viron Andrea: Vizioni kombetar ne romanin “Dashuri e gdhendur ne shkemb”
Ali D. Jasiqi: Poezi patriotike me tema autoktone
Bilall Maliqi: Vargje reflektive me mbrujtje poetike
Përparim Hysi: Mua dreqi të më hajë!
Albert Zholi: Bashkëbisedim me shkrimtarin Lulzim Lekdushi
Agim Gashi - Drenica: Vargje satirike
Frashër Demaj: Afrim Xhuraj Jeta dhe Vepra
Puntorie Ziba: Vargje lirike nga libri "Suita e lënduar"
Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme - Parathënie
Poezi nga Skënder Hasko
Leon Z. Lekaj: Një dhuratë misterioze
Fotaq Andrea: Hija