E enjte, 01.05.2025, 09:25 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme - Parathënie

E marte, 03.11.2009, 08:00 PM


Lexues i nderuar, meqë ky punim-sprovë nuk sfidon sa përplotëson dijen e deritashme rreth kësaj teme, sidomos në aspektin sinkronik dhe është në pritje sponzorimi, lusim dhe kërkojmë nga JU, lexues i nderuar dhe sidomos nga redaktorët e ortologët specialistë të gjuhës shqipe që vërejte-vlerësimet lidhur me këtë t’i dërgoni sa më parë në adresën: nuhiveselaj@hotmail.com, në mënyrë që ato më të arrirat si pjesë recensioni të kihen parasysh me rastin e botimit të këtij dorëshkrimi. Presim ndihmesën Tuaj.

Ju falemnderit për mirëkuptimin.

                                                                       Autori

 

Prishtinë, tetor 2009.

 

  Dr. Nuhi Veselaj

 

 RRETH  I D E N T I T E T I T

TË GJINISË ASNJANËSE

 NË SHQIPEN E SOTME


Pishtinë, 2009

 

 

Redaktor:


Recensues (të deklaruar):

1.  Ak

2.  Prof. dr. Abdullah Zymberi

3.  Prof. dr.  Ilmi Badallaj

 


Pasqyra e lëndës:

 

Parathënie

Konstatime paraprake

   1. Rreth kundërthënieve (nën)tekstore të sipërshprehura

   2. Konstatime nga normativi “Gjuha letrare shqipe për të gjithë”

   3. Konstatime tona vetjake

 

I. PRANIA E ASNJANËSVE  NË SHQIPEN LETRARE DHE GRUPIMI

   I TYRE SIPAS NYJE-MBARESËS SË NJËJËSIT TË SHQUAR

    1) Grupimi i asnjanësve  sipas nyje-mbaresave të njëjësit të shquar

    2) Konstatime rreth  grupimeve të mësipërme

      a) Grupimi sipas tipit  të nyje-mbaresave të shquarsisë

      b) Grupimi përkatës dhe  numri i shembujve

    Tabela e numrit të asnjanësve të regjistruar në FShS 2002.

 

II. NËNFUSHAT SEMANTIKE SIPAS TIPAVE TË ASNJANËSVE NË

     SHQIPEN LETRARE

A.     ASNJANËSIT E TRASHËGUAR SI EMRA TË MIRËFILLTË (TË PAPARANYJËZUAR)

B.     ASNJANËSIMI I MBIEMRAVE TË PARANYJËZUAR

a) Prejmbiemërorët me kuptimësi cilësie

          b) Prejmbiemërorët  me kuptimësi gjendjeje a të qeni

 1. Rreth kuptimit strumbullar të asnjanësit prejmbiemëror

a) Rreth sinonimisë  së asnjanësve  prejmbiemërorë  të cilësisë

            b) Rreth  sinonimisë së asnjanësve  prejmbiemërorë jocilësorë

        2. Sqarime të tjera rreth kuptimësisë  së prejmbiemërorëve

      Skema ndërsinonimike e prejmbiemërorëve

            Shembuj ilustrues fjalior në përputhje me skemën e mësipërme

             a) Nga grupimi i prejmbiemërorëve me kuptimësi cilësie

             b) Nga grupimi i prejmbiemërorëve me kuptimësi jocilësore

        3. Vazhdimi i sqarimeve  në raportin asnjanësi prejmbiemërorë/ barasvlerësit  sinonimikë

       1) Specifikimi i nënfushave semantike kusht i bashkëjetesës sinonimike

       2) Gjinia mashkullore si trajtë përfaqësuese e emërtimit të njerëzve  sipas gjendjes a veprimtarisë së tyre

       3) Rreth zhvillimit të strukturës sinonimike të prejmbiemërorëve

   C. ASNJANËSIMI MBI BAZË PJESOREJE

        1. Grupimi i asnjanësve prejpjesorë sipas profilit të nënfushës semantike

         2. Disa nga karakteristikat e veçanta të asnjanësve prejpjesorë

 

III. FAKTOGRAFI RRETH SHTRIRJES SË PËRDORIMIT TË

      ASNJANËSVE  PREJPJESORË NË GJUHËN SHQIPE

         1. Rreth qëndrimit jo të qartë teorik e-praktik ndaj asnjanësve prejpjesorë në  shqipen e sotme letrare

          2. Rreth përfshirjes së asnjanësve në burime të caktuara leksikografike të gjuhës sonë.

 

IV. VENDI I ASNJANËSVE PREJPJESORË  NË KUADËR TË

      PREJPJESORËVE TË TJERË

         1). Treshi sinonimik dhe emërtimi i proceseve tekniko-teknologjike në gjuhën shqipe

         2)  Shembuj tipikë të treshit sinonimik të shqipes në krahasim me dy gjuhë të huaja në kontakt

         3) Nënfushat semantike në raportin asnjanësi prejpjesor / barasvlerësi sinonimik

         4) Skema e shembujve të treshit sinonimik sipas nënfushave semantike të tyre

              Konstatime nga skema e mësipërme

               Sipërfundim

 

V. KONSTATIME TË TJERA PLOTËSUESE RRETH IDENTITETIT TË

    ASNJANËSVE TË PARANYJËZUAR

          1. Rreth identitetit formal gramatikor të asnjanësit

         a) Raporti ndërgjinior: asnjanës/mashkullor/femëror

         b) Raporti nyje-përcaktuese e përparme ndaj emrit të gjinisë përkatëse

         c) Raporti asnjanës/mashkullor, sipas nyje-mbaresës shquese

           2. Rreth identitetit semantik plotësues të asnjanësve në raport  me sinonimikë të tjerë.

            Skema e dallimeve ndërgjinisore sipas nyjës së përparme dhe të nyje- mbaresave të shquarsisë

 

VI. ANASHKALIMI I VLERAVE REALE TË ASNJANËSIT NË

       SHQIPEN E SOTME LETRARE PASOJË E KONSTATIMEVE

       TË NXITUARA

     1) Çka mësojmë nga  reagimi i prof. A. Xhuvanit

     2) Pasojat nga zëvendësimi i asnjanësit prejpjesor me trajta foljore në FGJSSH 1980

    3) Rreth një konstatimi të nxituar kundërthënës të prof. A. Kostallarit

         Sipërfundim

     

VII. ÇËSHTJE TË HAPURA RRETH ASNJANËSI  NË SHQIPEN E

        SOTME

1. Çështje  ose vërejtje të përgjithshme

1)  Rreth përkufizimit të emërtimeve të tipave të asnjanësve

         2) Çështje rreth  përkufizimit të nënfushës semantike

2. Disa vërejtje për çështje  të veçanta  

    Sipërfundim  

 

VIII. MENDIMI PËRMBYLLËS PËRGJITHËSUES RRETH

         IDENTITETIT  TË ASNJANËSVE NË SHQIPEN E SOTME

 1. Konstatime përgjithësuese

 2. Përkufizimi përmbyllës i profilimit të nënfushave semantike  që mbulojnë tre tipat e asnjanësve

     a) Asnjanësit si emra të mirëfilltë

     b) Asnjanësit mbi bazë të  mbiemrave të paranyjëzuar

     c) Asnjanësit prejpjesorë të paranyjëzuar

    Përfundime rreth profilimit të nënfushave semantiket asnjanësve

3. Edhe disa konstatime përgjithësuese rreth asnjanësve

     Konstatime përmbyllëse

     Literatura

 

Parathënie

Gjinia asnjanëse e emrave në gjuhën shqipe nuk është temë e patrajtuar në gjuhësinë tonë, si në aspektin historik ashtu edhe në atë aktual, mirëpo, jo aq në rrafshin diakronik sa në atë sinkronik në studimet e deritashme vërehen mjaft paqartësi, madje edhe konstatime jo aq të sakta, të cilat sadopak do të do të trajtohen ose do të vihen në pah në këtë punim.

Në të vërtetë, në burimet e deritashme, përveç identifikimit të tipave përkatës brendagjuhësorë, janë vënë në dukje, mjaft mirë, edhe disa nga veçoritë e veçanta të asnjanësve të shqipes në krahasim me asnjanësit e gjuhëve të familjes indoevropiane që e kishin ose që ende e kanë të gjallë një gjini të tillë. Madje, me sa kemi dijeni, si karakteristika të veçanta brendagjuhësore të asnjanësit të shqipes që nga faza e dokumentimit të shqipes, si gjuhë e folur dhe si gjuhë shkrimi, në burime të caktuara, kryesisht përmenden si vijon:

E para, ndonëse thuhet se shqipja gjininë asnjanëse e ka të trashëguar nga gjuha i.e., gjuhësia jonë dhe përgjithësisht është konstatuar, me të drejtë, se trajtat e vjetra  të protoshqipes do të jenë zhdukur në periudha të hershme, ndërsa që të tre tipat e sotëm të asnjanësve të shqipes: asnjanësit e mirëfilltë të paparanyjëzuar (primitivë), asnjanësit e paranyjëzuar prejmbiemërorë dhe asnjanësit e paranyjëzuar prejpjesorë, janë krijime relativisht të vona. Që të tre tipat janë zhvillime të brendshme të shqipes, por të përftuar mfat gjatë, shekuj me radhë.

E dyta, si veçori e parë formale dhe funksionale e dallimit të një emri si asnjanës ndaj dy gjinive të tjera përmendet nyjë-mbaresa -t(ë), p.sh.: mish-të, të mirë-t, të menduar-i/t e numrit njëjës në rasën emërore në trajtën e shquar, për ndryshim, pra, nga gjinia mashkullore gramatikore që po në njëjësin e shquar merr nyjë-mbaresat e shquarsisë -i ose -u: punëtor-i, njeri-u si dhe nga gjinia femërore, e cila po në këtë trajtë shquarsie merr nyje-mbaresën -a ose -ja, p.sh.: nënë-a,  lule-ja.

E treta, gjithashtu asnjanësit dallohet formalisht e semantikisht edhe nga mbiemri a emri i paranyjëzuar në trajtën e pashquar të numrit njëjës në rasën emërore etj., dhe kjo shihet më së miri, kur emri përkatës parashoqërohet me nyjë-treguesin numëror një, sepse po në këtë rasë asnjanësi parashoqërohet me nyjën e përparme (+ fjala përkatëse), ndërsa emrat (prejmbiemërorë a prejpjesorë e të tjerë) të gjinive aktive marrin  nyjat përkatëse të përparme, në mashkullore i (+ fjala përkatëse) e në femërore e (+ fjala përkatëse). P.sh. një të bardhë ndaj një i bardhë (frymor) ose një e bardhë ose  një të menduar  ndaj një (person)  i menduar ose një e menduar. Në të vërtetë, trajta në femërore mund të jetë, varësisht nga konteksti, edhe emër abstrakt edhe emër frymori.

E katërta, si veçori tjetër e asnjanësit të shqipes në krahasim me gjuhë të tjera, po përmendim faktin se në gjuhën tonë asnjanësi del i identifikueshëm  edhe si tip sintetik (tipi i parë) dhe si tip analitik (dy tipat e paranyjëzuar). Në të vërtetë, dy tipat e asnjanësit të paranyjëzuar konsiderohen si trajta të përftuara më vonë nga tipi i parë dhe quhen analitikë vetëm pse janë të pajisur edhe me nyjën e përparme. Krahaso: nyja e përparme të + mbiemri i emërzuar  (të mirët) ose nyja të +  pjesorja e emërzuar (të dalët).

E pesta, edhe sa i përket ndërtimit dhe fushës semantike që mbulojnë asnjanësit e tre tipave dallojnë nga njëri tjetri. Ndërsa tipi i parë, asnjanësi i paparanyjëzuar zakonisht del i përftuar si emër i mirëfilltë për të mbuluar kryesisht koncepte nga fusha e konkretizimit, duke emërtuar jo emra të një nënfushe semantike të specifikuar, por të ndryshme, zakonisht  nocione të emrave të lëndëve të panumërueshme ose nocione të pjesëve të trupit të njeriut etj. (ujtë, kryet), tipi i dytë, asnjanësit e paranyjëzuar kryesisht sipas motivimit që u jep tema prodhuese mbiemërore dalin të specifikuar në atë nënfushë semantike, ku shprehen zakonisht nocione abstrakte të një cilësie, gjendjeje a të qenë. Po ashtu edhe tipi i tretë, asnjanësit prejpjesorë dalin të specifikuar për një nënfushë të veçantë semantike, ku shprehen zakonisht  koncepte veprimi ose ide të konceptuara veprimtarish.

E gjashta, që nga faza dokumentuese e shkrimit të shqipes e gjithnjë në vijim konstatohet se asnjanësi i të tre tipave nuk i ka të zhvilluara të gjitha kategoritë morfologjike (numrin e rasën) qysh i kanë emrat e dy gjinive të tjera, dhe si pasojë gjinia e tillë paraqitet me paradigma të mangëta (për nga numri e rasa). Mirëpo jo vetëm për këtë, por edhe për disa elemente të tjera gjinia asnjanëse e emrave në gjuhën shqipe nuk mund të krahasohet si gjini e barabartë me dy gjinitë e tjera.

E shtata, është konstatim me vend, ndonëse në finesa shfaqen  përjashtime, se asnjanësit e mirëfilltë (primitivë) që shprehnin zakonisht nocione të gjë-sendeve konkrete, ndërkohë, duke i përzier ose përvetësuar treguesit e gjinisë tjetër përkatëse, por njëherazi, duke e ruajtur vetëm temën a rrënjën e fjalës, shkallë-shkallë janë integruar ose janë në shkrirje e sipër në gjininë përkatëse aktive, më shumë në gjininë mashkullore e më pak në atë femërore.

E teta, edhe për asnjanësit e paranyjëzuar si emra analitikë, që shprehin zakonisht nocione abstrakte janë dhënë mendime jo të padiskutueshme se edhe këta kanë pësuar rrudhje sa i përket nënfushave semantike e së këtejmi kanë edhe pakësim numri(!), jo nga shkrirja në gjini tjetër, siç ngjau me asnjanësit e tipit të parë, po nga konkurrenca, d.m.th. nga zëvendësimi i tyre me emra të prejardhur abstraktë sinonimikë të tipit sintetik. Kështu, thuhet, se prejmbiemërorët janë zëvendësuar kryesisht me emrat e prejardhur me prapashtesën -si, ndërsa prejpjesorët me emrat e veprimit me prapashtesat -im ose -je a ndonjë tjetër. Për këtë shkak, siç thuhet, edhe numri i asnjanësve të këtyre dy tipave është zvogëluar shumë dhe priret të zvogëlohet edhe më(!). Si pasojë e një kuptimi të tillë, për ne jo të pleqnueme drejt, edhe këta dy tipa bashkë me tipin e parë janë karakterizuar nga teoricienët e gjuhës sonë si mbeturina, pa të ardhme në standard dhe si të tilla supozohet se do të mbesin në raste vetëm si relikte a si trajta arkaike(!?).

Pikërisht konstatimet e fundit, nga pika 8, lidhur me  pasivizimin deri në zhdukje të asnjanësve en bloc (që të tre tipat) që ne i mbyllëm me pikëçuditje e pikëpyetje në kllapa, i quajmë konstatime të nxituara, jo të qëndrueshme ose jo të pleqnueme drejt dhe gjithsesi shumë të diskutueshme. Po shtojmë edhe këtë se jo lumnisht, konstatime të tilla, pra shumë të diskutueshme ose jo të pleqnueme drejti ndeshim,  pothuajse, në të gjitha tekstet  relevante shkollore e universitare përkatëse të gjuhës sonë.. Ne i quajtëm konstatimet e tilla të guximshme, sepse siç do të shohim në këtë punim ato bien ndesh me realitetin tonë gjuhësor.

 Kur themi kështu kemi parasysh dy fakte që nuk janë vërejtur ose nuk ishin të njohura sa duhet nga studiuesit e deritashëm:

e para, në studimet e deritashme nuk është vërejtur mjaftueshëm fakti se asnjanësit e paranyjëzuar, të dy tipat, nuk u zëvendësuan dhe as sot nuk po zëvendësohen plotësisht nga sinonimikët përkatës në fushën e abstraksionit që e kishin destinacion të parë, sipas motivimit, por janë të zëvendësueshëm vetëm  për një  pjesë të fushës përkatëse të abstraksionit dhe

e dyta, nuk është vërejtur gjithashtu fakti se prodhueshmëria dhe aktiviteti i asnjanësve të paranyjëzuar, prejmbiemërorëve dhe sidomos i prejpjesorëve, në shqipen e sotme, si në gjuhën e folur, ashtu edhe në atë të shkruar, faktikisht nuk del e zvogëluar. Gjithsesi jo në atë masë sa të  konsiderohen, si mbeturinë, përkundrazi numri i tyre, varësisht nga konteksti  ka mundësi të pakufizuar shumimi.

  Për një kundërvënie të tillë ne bazohemi jo vetëm në realitetin tonë të përgjithshëm gjuhësor dialektor, por edhe në gjuhën e sotme standarde. Po si ndodhi, pra, një lajthitje e tillë me elemente patologjike? - mund të pyes dikush.  Edhe ne i bëmë një pyetje të tillë vetvetes, prandaj  jemi përpjekur me e zgjidhë enigmën në 7 krerët e këtij punimi (monografik), të titulluar: Rreth vetëvetësisë (identitetit) të asnjanësit në shqipen e sotme, ku mjaft në hollësi dhe thellësi e kemi trajtuar këtë çështje.

Pa u zgjatur shumë, këtu po themi se një lajthitje e tillë, nëse mund të quhet kështu nga dikush, konstatojmë me plot gojë se ajo nuk ekziston. E vërteta qëndron ndryshe. Studiuesit tanë me dritën e shkencës në mendje ndërkohë, duke u ngjitur malit të dijes, patën hyrë mjaft thellë në pyllin e panjohur më përpara dhe atë që e panë teorikisht e përmbajtësish e patën shënuar mirë në burimet përkatëse shkrimore, por ata për shkaqe të ndryshme, sigurisht edhe të arsyeshme objektive e subjektive, nuk patën mundësi me depërtue edhe më thellë në atë pyllnajë, andaj për pjesën e pashkelur dikush prej tyre pati dhënë ndonjë supozim, e supozimet ose parashikimet herë-herë mund të dalin të qëlluara e herë-herë jo.

Ne, ç’është e vërteta rastisëm të hyjmë pak më thellë në atë pyll, duke ecur rrugës që trasuan ata, për çka i falënderojmë e derisotëm. Mbase pak rrugë hapëm edhe vetë apo jo le të vlerësohet. Kështu themi kur e kemi fjalën vetëm  për temën në shqyrtim. Pamë, paksa diçka më qartë se ata para nesh apo jo, le të vlersësohet.. Në këtë kontekst, është e vetëkuptueshme, mendojmë ne,se për temën në shqyrtim nuk duhet të fajësohet askush për atë që s’ka pasur mundësi ta shohë e ta njohë. Më parë mund të fajësohemi ne, nëse nuk jemi të zotët me e paraqitë atë risi që e kemi parë e kon statuar dhe njëherazi, mbas tashti, mund të fajësohen edhe ata përgjegjës nga vendi i punës a pozita që mbajnë, ose nga detyrat që kryejnë në shoqëri, që pasi të vërtetohen risimet shkencore që tash më po dalin sheshazi, në dritën me diell, nuk i interpretojnë si duhet ose edhe nuk i përfillin e zbatojnë apo edhe nuk i bëjnë korrigjimet e nevojshme në burimet përkatëse për këtë temë.

Pra, konfuzioni ka ndodhur pa të keq, sepse studiuesit që i njohim me veprat e tyre nuk kanë mundur ta shohin çështjen në fjalë më thellë, sepse disa prej tyre tërë energjinë e kishin harxhuar në shndritjen e gjërave nga pikëpamja historike, ku kanë korrur, vërtet, suksese të pamohueshme, kurse nga aspekti aktual janë mjaftuar me vështrimin vetëm të një nënfushe semantike, si  të themi gjysmë abstrakte - gjysmë konkrete, d.m.th. procesin e  veprimit a të idesë së konceptuar, në njërën anë dhe rezultatin e veprimit a  të idesë së konceptuar, në anën tjetër i kanë hetuar mirë, ku me të vërtetë asnjanësi në konkurrencë me sinonimikë të tjerë, ka pësuar rrudhje,  pasivizim e në raste edhe zhdukje në dukje. E thamë në dukje, sepse asnjanësit e tillë nuk kishin pësuar zhdukje të vërtetë, ngase kishin bërë ndërrim-lëvizje, duke marrë përqendrim të ri pozicionimi në një fushë të përafërt semantike, jo për të shprehur nocionin e vetë procesit të veprimit a të idesë së konceptuar, por për konceptin e shkallës më të lartë të atij nocioni të fushës së abstraksionit, prandaj ne gjykimet e tilla rreth rrudhjes a shuarjes së përgjithshme të asnjanësve të paranyjëzuar i quajtëm konstatime të nxituara.

 Sidoqoftë, edhe në këtë punim tonin mund të kenë mbetur gjëra të diskutueshme, pasi nuk kemi mundur ta konsultonim tërë materialin që ndoshta ekziston rreth kësaj teme, madje as që pretendojmë se kemi dhënë përgjigje për të gjitha çështjet e diskutueshme lidhur me këtë, megjithatë kemi bindjen se  temën në fjalë e kemi trajtuar më në hollësi, thellësi dhe gjerësi seç është bërë, me sa dimë,  më përpara në aspektin sinkronik. Së këtejmi, kërkojmë dhe shpresojmë që përpjekja jonë për zbardhjen e problemit në fjalë, do të mirëkuptohet nga dashamirësit e shkencës së gjuhës dhe sidomos nga kuadrot përgjegjës, në mënyrë që shembujt e kësaj gjinie gramatikore asnjanësit e paranyjëzuar të vlerësohen më drejt, dhe së këtejmi tashti menjëherë dhe në të ardhmen të zënë vendin e merituar në kuadër të mozaikut të sistemit emëror të shqipes.

           

Në fund, kërkojmë nga lexuesi i nderuar që  gjatë leximit dhe pasi ta lexojë e rilexojë punimin në tërësi të mbajë qëndrim kritik. Për çdo vërejtje a vlerësim do të jemi mirënjohës. Shfrytëzojmë rastin të falënderomë recensuesit, në mënyrë të veçantë prof. dr. Abdullah Zymberin, të cilët jo vetëm pse dhanë vlerësimin pozitiv (me gojë) që i bënë këtij punimi, por edhe për guximin që patën për të mbështetur qëndrimin tonë në dukje të guximshëm, ngase nuk është lehtë me dalë në kundërvënie ndaj disa konstatimeve të mëparshme të disa studiuesve tanë të njohur, konstatime këto, të cilat edhe janë konsideruar si të vërteta të padiskutueshme e që ne i quajtëm të nxituara.

           

            Prishtinë, 2009

                                                         Autori



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx