E premte, 02.05.2025, 12:37 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Tahir Bezhani

E diele, 01.11.2009, 07:33 PM


TAHIR BEZHANI

MALLI PËR VENDLINDJEN

(kurbetqari )

Fjolla tymi vrapojnë
Në hapësirën pafund
Në trajtën e vendlindjes
Shihja kopshtet me lule
Arat e livadhet gjelbëruar
Malin e lartë në kupë qiellore
Lumin mes fushave me ujin e kaltër
Dredhonte lazdrueshëm
Si sytë e vashës së hardisur
E malli shpërlahej gurëve
Ishte bukuri e rrallë…

Vetëm shpirti e ndien
Flladin e valtë
N’përqafim vendlindje
N’aromë tymi e zjarri
Edhe kur flejnë…

ZHURMË BRENDA

Ndiej zëra brenda
Heshtje-po
Vetëm unë e Ti
Komunikojmë lirshëm
Natën e ditën-
Në çdo kohë
Udhëtojmë hijeve të mendimeve
Me një frymëmarrje
Kërkojmë të bukurën…

Ti je shoku im i  zhurshëm
Je kënga që udhëton në heshtje
Pa ty jeta s’kalohet
Me ty çdo gjë e kam rëndë…
Të dua shumë:
Kur më gëzon,
Kur më trishton,
Kur më helmon,
Prap të dua…

Ti më prangos
Unë kredhëm në vaj
Pastaj qeshi nga bukuria
Ti je jehona e shpirtit
Piskama ime në kupë të qiellit
Ti je metafora e shpirtit
Që fle në thellësinë time
Padukshëm…

Gjakovë,06.10.2009.

DALLGË NATE

Dy vegla muzikore
Të dyzuara mirë
Kallin këngën time
Në mesin e telave të skuqur

Pagjumësia është tretur n’hapësirë
Kujtimet farkohen xiglueshëm
Indeve të zemrës së lënduar…

Eci në kahje tjetër
Rrathëve të ngrirë
Kënga digjet përmallshëm
Këmbësores së buzëve të tua
Udha ime e kuqe zjarr
Thellësi pafund e shpirtit tim.

Gjakovë,07.10.2009.

VËRSHIM MALLI

Kur imagjinoj puthjen
Sytë mbyllen në pllajë
Zemra ndalon vrapin
Në bjeshkë dëbora shkrihet
Lumenjtë vërshojnë fushat
Shpirti është mbytur në valë
Rrezet kanë ngjyrë argjendi
Të më dukesh si Kleopatra
Fillim në mbarim të zjarrtë
Mori Sose e artë!

Gjakovë,07.10.2009.

NË ZOGAJ

(vendlindjes së nënës,Shqipëria )

Jam këtu,
Mes jush,
Në rrënjën time
Në zemrën e zemrës
Me lotin e nënës
Plot mall
Si zjarr
Që pëlcet shkëmbinj

Jam këtu,
Mes jush,
Nip pa nënë në të pamë
Në shpirt kam shpirtin e saj
Ngarkuar në plengën e kohës
Dashuri e zjarrtë.

Jam këtu,
Të zbraz lotin e saj
Çative të djegura
Porosi e la…
Një grusht dhe të marr nga Zogaj
Për varrin e saj
Mbulesë kujtimi në hirin e tretur
Zjarr e prush i përjetshëm
Në bebëzat e hapura
Ngujuar në bririn e kohës,,,

Zogaj,23.09.2009
   


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx