E premte, 02.05.2025, 10:09 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Nexhat Çoçaj

E premte, 30.10.2009, 08:09 PM


Nexhat Çoçaj u lind më 2 shkurt 1964 në Gjonaj të Hasit. Shkollimin fillor e filloi në vendlindje dhe e përfundoi në Ferizaj, ku kreu dhe shkollën e mesme. Fakultetin Filologjik, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe e kreu në Universitetin e Prishtinës, ku I ndoqi edhe studimet pasuniversitare.
Me krijime letrare ka filluar të merret qënë shkollën fillore, një kohë ka punuar gazetar, merret edhe me studime në lëmin e kulturës dhe traditës popullore. Është bashkpunëtor I jashtëm I Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve të Kosovës.
Gjat kohës së luftës (1998-1999) qe I angazhuar në UçK, në shtabin “Njëmishi” e pastaj në brigadën 126 “Hasi”-përgjegjës për informim - (Leka).
Punon në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, paralelja në Gjonaj, dhe është drejtor I ndërmarrjes botuese “Pjetër Bogdani”.
(Këto të dhëna I takojnë vitit 2000), të nxjerra nga libri;Bartësit e lirisë.
Tani punon në Ministrin e Arsimit në Prizren. Jeton në Prizren.

Ka botuar disa libra:


KLONI (roman), NB “Pjetër Bogdani”, 1997.
NUIP-I (roman), “Rilindja, 1999,
BARTËSIT E LIRISË (biografi e letrarizuar për dëshmorin e kombit Haxhi Hotin), NB “Pjetër Bogdani”, 1997.
SHPRESA (roman), “Gjon Buzuku”, 2001
SHTIGJEVE TË LIRISË, (Nga kuizi I diturisë në nderim për Remzi Ademajn dhe dëshmorët tjerë të Kombit), - tri ribotime, Prizren, 2009.
RRUGËTIMI. (poezi), LSHK, në Prizren, 2009
Ka dy romane tjera në botim, në Tiranë.
Jeton në Prizren.

(Ka të botuara edhe disa libra dhe fletushka, për të cilat na mungojnë të dhënat, G.A. - Zvicër, tetor 2009)

Shkëputëm disa poezi nga libri: Rrugëtimi, I botuar më 1999, në Prizren.

Nexhat Çoçaj

RRUGËTIMI

ËSHTË  TERR   APO DRITË?!

Zgjohem në mëngjes
Mbështillem me terrin e ditës
Përpiqem të vjell
Gjellën helm të servuar në shtyp.

Në vend të  kafesë
Pi një apaurin
Që të mos verbohem
Që të mos shurdhohem
Që të bëhem  imun
Ndaj atyre që do t’i takoj
Me gojën e stërmbushur
Me sharje
Për ata që lindën për ne
Për ata që u flijuan për ne.

Por, terri është terr
Dhe me te do të shkojnë në ferr
Të gjithë ata  që vjellin helm
Për gjakun
Për bajrakun
Është terr apo dritë
Këtë do të na tregojnë fëmijët
Sot apo një tjetër ditë.

VOTA

Kush është  për?
               Faleminderit!
Kush është  kundër?
               Faleminderit!
Kush  abstenon?
               Faleminderit!

Merrni tash shamitë
Dhe vajtoni me lot
Për këtë që votuat!

POLITIKA

Shekujt prej lindjes
Deri në Perëndim
Mrizuan nën ombrellën e Politikës
Dhe kurrë s’ia arritën ta zbërthejnë ate

Sa e sa ushtri  i shkriu deri në një
Sa e sa lumenj ua turbulloi ujin me gjak
Sa e sa fusha dhe  male  mbolli me koka njerëzish
Dhe kurrë s’ia gjetën fijen  për t’ia gurëzuar fuqinë
Egërsirës politikë

Edhe sot  si gjithmonë  të gjithë vrapojnë
Pas politikës  si toka pas diellit
Ata  që rrahin gjoks
Se janë të drejtë  dhe të përpiktë
Për drekë e darkë  
kanë të shtruar politikë dhe vetëm politikë

Dhe a e dini pse
Sepse “Politika  është  lufta e masës dhe e rasës
Që zhvillohet rreth kasës”
Mjerë ata që me sytë e tyre
Shohin vetëm çelësa.

SHTIGJEVE TE  PASHTRIKUT

Shtigjet e  Pashtrikut
Hekurosin rrudhat e padrejtësive
Jetës për t’i dhënë ngjyrë

Shtigjet e Pashtrikut
Vullkan i trazuar
Mbështjellë me eshtra
Që pikojnë gjak
Nëpër stinët e ferrit

Shtigjet e Pashtrikut
Gurët  e djegur
Dëshmitarë të betejave
Ku u shurdhuan
Ninullat e foshnjave në djep
Ku u verbuan krushqit
Në prag të shtëpisë
Dhe mbetën të pagojë

Shtigjet e Pashtrikut
Me  prush të ndezur flakë
Hekurosin rrudhat e padrejtësisë
Me plagë të prushta
E  eshtra  që kullojnë ende gjak
Nëpër të cilët po piqet liria.

qershor  1998

SHIKIMI  I VERBËR I ARDHMËRISË

Në sytë tanë – e lavdishmja verbohet
Në mendjet tona – mashtrimi bën gara
Në veshët tanë – fyerjet lëshojnë rrënjë
Në qafët tona – mashtrimi mund të kaluarën
Në  gjuhët tona – turpi bëhet kryefjalë
Në gjokset tona - përplasen  ethet e trishtimit
Në krahët tanë – mbështetet dredhia
Në duart tona –   shtrydhet drejtësia
Në gishtat tanë -  numërohen arnat e gjeografisë
Në gjakun tonë – zë vend  urrejtja
Në barkun tonë – uria  bën greva
Në këmbët tona –  udhët s’kanë të ndalur
Pjesët e t(r)urpit  tonë
Deformohen  për  secilën ditë
Mjerë ne  nëse s’këndellemi
Dhe pranverave të lavdisë
Vazhdojmë t’ua ndryshojmë
Armoën dhe ngjyrat.

NISJA

U nisët një hap
para kohe

Në cak
arritët një hap
para kohe

Mjerë ne që mbetëm
në rrugë
dhe s’dimë
se edhe  sa hapa
duhet t’i bëjmë
rrugëve pa cak  

BARTËSVE TË  ZJARRIT

Kur e thanë - bartësve të zjarrit
Pse po bartin zjarrin  në shpinë
Ata njësoj si Prometheun thanë:
Për ta filluar jetën njerëzimi

Kur u thanë – bartësve të zjarrit
Se mund  të digjen në flakë,
Ata thanë :
Ari merr shkëlqimin vetëm në zjarr

Kur u thanë - bartësve të zjarrit
Zjarri mund t’i lë pa sy,
Ata thanë:
Zjarri i shkrinë kufijtë

Kur u thanë - bartësve të zjarrit
Se zjarri  ua servon arratinë
Ata thanë:
Zjarri e përflakë lirinë lirinë.

Kur u thanë - bartësve të zjarrit
Të pendohen për përhapjen e flakës
Ata thanë:
“Jo” edhe sikur të digjeshim në të.

DËSHMORËVE

Nga reshjet e motit të ligë  nuk ikët
Vdekjes ju gëzuat
Në gurëthemel të bashkimit
Për brezat u shndërruat

Ishit të plagosur
Bashkë me atdheun e copëtuar
Vdiqët me armë në dorë
Copat e ndarjes për t’i arnuar

Do të qëndroni përherë në sheshe
Në mes të turmës
Duke dhënë kushtrim
Për rrugën e bashkimit
Që  s’pyet për çmim.

PARA  BUSTIT

Shtatçelikosja jote
e then zemërimin e çdo kalimtari
qoftë edhe atëherë kur ai
është para dilemës për jetë
është i papunë dhe sorollatet kot
por, është i ndërgjegjshëm
dhe bindet se jeta ka çmim

Shtatlartësia jote
i zbret në tokë të gjithë
ata që njerëzit u duken miza
që mund t’ua shtyp shpën
ku e kur të dojë
i lidhë për tokën
të gjithë ata  që janë mësuar
jetën ta jetojnë në gjithësi
pa zbritur kurrë në tokë

Shtatkrenarija jote
i ngroh ëndrrat e fëmijëve
duke ua pushtuar zemrat
nëpër secilën faqë të librit
nëpër secilën pjesë të atdheut

(Komandant  Petritit)

I lindur në votrën e staneve të Zhurit
I rritur në frymën e kuvendeve
Sa shumë i ngjason Kosovës
I maltretuar deri në palcë të ashtit
Bashkëudhëtar nëpër golgotën e dhembjes
I ndjekur nga i njëjti armik

Thikën e përçarjes e pe me zytë e zemrës
Tek po protestoje bulevardeve të Evropës
Me vëllain Jusuf Gërvallën
Për ta denoncuar elaboratin
E gjuetarëve të shtrigave në Kosovë

Ti  Petrit i shkrepave – nuk mungove as kund
Ti ishe me Fehmiun e Bacën
Ku nisi të rishkruhej historia e Kosovës
Kur u ktheve nga qelitë
Perëndimi s’të bëri më për vete
Kohrat kishin ndryshuar

Sa do të doja të më përgjigjeshe
Zotëri komandant në pyetjen:
Cilën bukë e ke ngrënë më me shije
Atë të kurbetit
                kur të ndiçnin si hije
 Atë të burgjeve
                kur grishje për grevë
Atë të pajtimit të gjaçeve
                kur fjala jote ngrohi zemrat e lumjanëve
Atë të luftës
                kur grishje për t’i shtuar radhët

DYERTË

Kur u hapën dyert
Kujtimeve të errta  u ra perdja
Dhe aktorët  vigjilentë
Si gjithmonë në histori

HESHTJA

Para jush që vdiqët për ne
E lindët për liri
Të gjithë bëhemi një
Me heshtje u nderojmë

Kur dalim në foltore
Thua se u harrojmë
Kërkojmë njëri- tjetrit
Kokat t’ua shkurtojmë

Pse vallë nuk mbajmë heshtje
Edhe në shtyp
Të mos ushqehemi me sharje
Por t’bëhemi unik

Heshtje për përçarjet
Botërisht kërkoj
Se partitë vijnë e shkojnë
E  kombi  do të qëndrojë

PJETËR  BOGDANIT

Në kishëza të Hasit
M’u bë se e pashë Bogdanin
“Të veshur me diell
Të mbathur me hënë”
Duke i kërkuar hasjanët
E përflakur nëpër botë
Me gunë të gjatë krahëve
Shtrëngonte hartën e gurit
Kur u bind se kot lexonte
Vendet s’i gjente
Ashtu si ia donte zemra
Filloi të villte vnerë të zi futë
Dhe ashtu i sëmurë
U nis për në Prishtinë
Me hartën e gurit
Mbështjellur nën gu(r)në
Tash pas treqind vite
Të dëshmojë për qelbjen
E gurit  të megjës në Pashtrik

PRITJA

I numëroj buzëqeshjet
Më kujtohet loja me gurë

I kryqëzoj shikimet
Më kujtohen gëzimet e para

Shfletoj ditërrëfejsin
Dasma është ende larg

I kërcas gishtërinjtë
Gjatë gjithë kohës

Në shtegun e pafund të pritjes
Mblodhi pezmin për darkë

Në kapërcim të pritjes
Pres t’i çirret maska territ.

KOHË E VERBËR

Nëse e flakë dashurinë
Do të plotësohet dëshira

Nëse  e hesht këngën
Do të këndojnë për ty

Nëse  e hesht etjen
Do të bekohesh

Nëse falesh t’xhumave
Do ta fitosh selametin

Nëse pështyn gjakun
Do të hapen rrugët

Nëse kërkon dritë
Do të verbohesh

Nëse u beson hajnave
Kurrë s’do të varfërohesh

Nëse gënjeshtrës i ngjet emër
Do të mallkojnë pasardhësit

Nëse vendit do t’i vësh adresë
Për mot e jetë do t’jesh i pabesë

Dhe nëse një ditë
Do të mbushesh mend
Do të bindesh
Se vërtetë je në terr
 
UDHËKRYQ NË PASHTRIK

A ka gjë më të shëmtuar
Që në të njëjtin vend
Të lind dhe të perëndoi dielli

Cili  gjeograf  do ta arnonte hartën
Me një pikë lindjen dhe perëndimin

Cili gjak  do ta duronte këtë ndarje
Ku lindja  dhe perëndimi  
Kanë thikën e ndarjes në tokë

Cili s’do të ngjitej në Olimpin shqiptar
Për ta definuar këtë padrejtësi gjeografike

Pashtriku s’është  as lindje as perëndim
Por udhëkryq  i fatit  Ku shënohet lindja e rilindur

USHTRIA  ÇLIRIMTARE E KOSOVËS

Udhëve të dhembjes more forcë
Shpatijeve të rrahura me shpirt
Tokës me zemrën plot varre
Roje i bëre shpresave të zjarrata
Injoranxca të përcolli si hije
Atëherë kur  ti u paraqite

Çfarë trashëgove nga historia
Lavdinë dhe guximin
I zgjodhe nga të gjitha
Ritëm të jetës t’i kesh
Imazhin e ushtris  ta forcosh
Miqtë t’i bësh për vete me vepër
Tash bashkarisht me ta ta bësh luftën
Armët të drejtohen në një cak
Retë të mbulohen me të njëjtin qëllim
Etjet e tokës për gjak si të shkruhen

Erdhi koha me ty ushtri e gjakut tim

Kosovë e djegur deri në asht
Ora e lirisë numëroi hapat me ty
Sa herë dëgjove për masakra
Organizove radhët dhe t’u tregosh se:
Vdekjet e bardha janë mësim si të jetohet
Ëndrrat të lundrojnë padiktueshëm
Strehim nga egërsirat të mos kërkojmë

HASI

flaka
në zemër të Prushnikut
që s’mungoi mbi kokë
ta  shaloi  guximin
ta shndërroi terrin në dritë

jetëvdekja
roje në shtigjet e përgjakura
kaliti  gatimet e barutit
e përhapi kushtrimin

djersa e botës
derdhej shpatijeve tua
për të gjetur shtegun
e plagëve për shërim

Has i thatë
të quan ata që s’ta panë
thikën në kurrizin tënd
të larë me gjak
gjatë  gjithë  kohës
sa ishte roje  flake
e bjeshkëve të Dukagjinit

QAFA E PRUSHIT

shëët shëët
dëgjohej  shushurima
e gjarpërit – kolonë
që shponte gurin
medalojn të varur
në Qafë Prush

në  ty o prush i motit
pinë  flakë armët
edhe atëherë kur fushat
u përkulën

në gacat e prushit tënd
u farkuan armët
të  thyera  çykë
e lartësuan  trimërinë
të ta mbjellur lirinë

S’KA MË SHI

Tash pas shiut  gjak
pushuan bubullimat
vetëtimat s’dëgjohen më
bëhu gati të nisemi për udhë
T’i  masim  dhembjet

Pas shiut  dalin mjegullat
motit s’i dihet mund ta humbasim rrugën

Eja lum miku të dalim nga guaca
se ujqit nëpër mjegull
bëjnë ugar dhe mbjellin farën e dreqit

Të hiqen mjegullat njëherë
shohim e bëjmë

Mjegullat as mos prit të hiqen kurrë
po eja t’ia vejmë mexhët arës
dhe ta rrethojmë  se nesër bëhet vonë
nesër as nëpër diell s’i shohim vijat
s’do të ketë më shi gjaku

PLAGA

Kur e fola fjalën e parë
e thash të plagosur
dhe i plagosur u rrita

Kur i mësova shkronjat
i lexova të plagosura
dhe për plagë shkrova

Kur u rrita
e mësova diagnozën e plagëve
dhe me plagë u ushqeva

Kur  flas për plagën
ajo merr ndëshkim
dhe zbehet para syve të mi
e jo si në mote-si në fëmijëri
ajo sot kurohet me dinjitet
më nuk është plagë
se tani është shtet

KOHË E VRARË

Lojrave u humbi gëzimi
Floriut ia vodhën shkëlqimin
Dashurisë ia thyen krahët
Dhunës ia mihën rrënjët
Thirrjes ia kthyen shpinën
Krismat i shurdhuan
Varreve u kënduan
Përjetësisë ia truan tokën
Plagëve ua hoqën dregzat
Në kohën e vrarë
Ku jetën e bënë jetë
Vetëm po të jesh i palarë

NOTI  

Si ta kaloi  lumin lum vëllau
Se duhet të arrij atje ku jam nisur?

Pas këtyre vërshime  s’ka va
Por, më mirë kthehu
Pasi të qetësohen vërshimet
Vazhdo për atje ku je nisur!

Si të kthehem  prapa  kur rruga më ndjek
Vërshimet veç sa kanë filluar të shtohen?

Atëherë bjeri not  dhe kaloje lumin
Po deshe  të  arrish atje ku je nisur!

Rrugë tjetër s’ka  veç të notoj
Nëpër  vërshime siç kanë notuar
Para meje edhe shumë  udhtarë të kësaj ane
O të pres kohen e faljes

Va pas këtyre vërshime  as mos prit
lum vëllau se moti i ka brerë eruzioni

Nëse mbledhen spekatorë
Për t’I parë vërshimet
Tek po përballem unë me te
U thuaj se noti i mund vërshimet
Se noti i bashkon brigjet
Dhe krijon vaun edhe aty ku s’ka

QELBI I KOHËS

Përsëri krimbat dalin nga ndërgjegjja e   qelbur  e së kaluarës
Dhe lëvizin trup e tërthorë
Duke brejtur ajrin dhe tokën e përgjakur
Nën plafin e tavolinës
Pikturojnë zikzaket e jetës

Të  quajturit mbrojtës të  vatrës
Me  hapësira të  prera
I ndezin reflektorët  e  enigmave
Për  ta  zbehur dritën e gjakut
Për ta  vazhduar  tunelin errësirës
Duke ua kthyer shpinën të ndjerëve

Kasnecët zgërdhihen për dvarjen tonë
Të mbështjellë me vorbullën e  pësimit
Të  bindur  se jem larg limanit të paqes
Për deri sa jazin e lumit gjak  
E kthejmë  në  funksion të mashtrimit

Maja e lapsit në vend të ngjyrës
Vjell  fjalë  helmuese
Për  t’i shqyer krimbat
Pas  vërshimeve  të  lumit gjak
Në  hapësirat e gurëzuara
Edhe pas shembjes së mureve

O zot edhe për  sa kohë  
Reflektorët e enigmave
Do t’ia marrin pamjen syve  
Të Iliridës për ta shijuar dritën e diellit
Dhe për t’i parë
Pikturat e krimbave në  qelbin e kohës

A do të ketë dritë të mjaftueshme
Nga reflektorët enigmë
Që do të  përcjellet si senzacion
Akti i shpërthimit
Të qelbit të kohës
Mu në ditën kur do të shpallen
Të gjitha  ata që lindën në luftë
Të pavdekshëm
Kur sakrifica e tyre
Do të shpallet  triumf

MESAZHI I TË PAVDEKSHMVE

Nga  thellësia e tokës
Në shenjë proteste
Shumë kërkesa burojnë:

Rrezet e prushit të gjakut
Të mos mbulohen
Me  fyerje e sharje
Se  lindin përqarje të reja
Në vend që të rriten shpresat!

Rrezet e lirisë
Të mos përthehen
Me emra të përveçëm
Se s’ka ulëse për të gjithë
Në krye të jazit!
 
Rrezet e lirisë
Mos ua zini djepave
Se  që nga dita e parë
Duhet  të mësojnë
Çfarë ngjyre ka liria
Çfarë shije  ka liria
Çfarë  çmimi ka liria!

SYTË

Liqe  që brigjeve
Që s’u dihet fundi

Liqe  me ujë të kripur
Si loti i nënave
Si loti i jetimëve

Liqe me thellësi të pafundme
Si  dëshirat e të pavdekshmve
Si amaneti i të parëve

Sytë – liqe
Mbi të  cilin
Notojnë  ëndrrat tona.

DARKA E  DREQIT

Kush ulet në  sofër
Pa derdhur  djersë e mund
Ai  ka  ose syrin e keq    
Ose shpirtin e untë!

Prandaj ju filiza
Që  sapo u hodhët në shtegtim
Kujdes  nga darka e Dreqit
Se mund të ju ‚sos’ që në fillim

Darka e Dreqit
Besë nuk ka
Ulesh në sofër për të ngrënë
E papritur bëhesh
Darkë për të ftuarit

DREGËZA

Kur sheh  se mbjelljet janë të mbara
Nisë e mbyllet
Për të qenë më  e  fuqishme

Kur  sheh se dikush
Ngrohet  me zjarrin e dhembjeve
Plasaritet  edhe më keq

Kur  të tjerët dregzës
S’i japin kohë të përthahet
Plaga  thellohet edhe më shumë

Kur të tjerët dregzën
E ngacmojnë tinëzisht
Dhembja  merr krah
E shërimi trembet përgjithmonë!

FJALA

Nuk është fjalë
Ajo  që shkelet
Ajo që çirret
Për secilën ditë nga pak
Si  çamçakëzin fëmijët

Nuk është fjalë
Ajo që nuk ka peshë
Ajo që  s’mbrohet
Ajo që  s’përjetohet
Dhe  s’vdiste për te

Fjala  është betim
Fjala  është qëndrim
Fjala fuqizohet  dhe lahet
Vetëm me gjak.

KLONI                

Kur  u ngroh moti
Kloni u shkri
Si të mos kishte  qenë kurrë

Kur  u ftoh koha
Kloni dëftoi shtegun
Që të mos i zë nata
Shtegtarët e lirisë

Kur  doli pranvera
Kloni iu bashkua  zjarrit
Për ta flakëruar lirinë

S’di pse  u ngrit
S’di pse  u quajt klon
Kur  atë  kurrë zemra se diktoi!

LAKIMI I EMRAVE

Nëpër  shpatijet e Pashtrikut
Lakohen emrat e bartësve të lirisë

Sa herë që  zbresin  maleve
Të ngarkuar me zjarr
E ruajnë  të paprekshme
Mbaresën  - tarë

Pas  kushtrimit
Emri kurbet(ç)arë
U shndërrua  në luftëtarë
Nga  qytetarë në atdhetarë
Nga luftëtarë në çlirimtarë

Nën tingujt  e krismave
Lakimi i emrave i then rregullat
Dhe na jep emra të rinjë
Me kuptim  pavdeksije
Nga  emrat  dashuri  (për) atdhe
Del emri  dëshmor
Nga  emri robëri
Lind emri liri
Që për ta lakuar edhe mëtej
Duhet përgjegjësi!~

STANET

U ngritën dhe jetuan
Me shikimet thikë

Dimrit vazhdimisht
U pikon çatia deri në zemër

Pranverës gjelbërimi e blerimi
Ua kthejnë gjallërinë

Verës bulmetit  i japin shije
Dhe aromë bjeshke rrezet e diellit

Vjeshtës  disi si me ngutë
E braktisin çdo frymë
Dhe e lënë të vetmuar
Të përballet me bardhësinë e dimrit

Në të katër stinët
Strehë e të përndjekurve
Sofër e të pakënaqurve
Dyshek i krushqëve të lirisë

TE STANET E VLAHNES

Te stanet e Vlahnes
Karshi Qafës së Mullarëve
Nën burimin e Dragoit
Mëkojnë  shpirtin nën çati
Të gjithë  ata  që zgjodhën
Rrugën e zjarrit për jetesë

Në stanet e Vlahnes
Natën ei thonin territ
Mirëmëngjes  lavdisë
Ku shtoheshin radhët e UÇK-së
Nën këto çati prej kashte

Te stanet e Vlahnes
Numërohej armatimi
Skicohej hyrja anë flakë
Për t’i thënë lamutumirë robërisë

Te  stanet e Vlahnes
Korridoret e Pashtrikut
Uleshin këmbëkryq
Dhe jepnin mesazhin e fundit
Për  Shigjetën që ia shpoi
Anë e përtej zemrën
E ushtrisë  zullumçare
Për një shekull me radhë

TE STANET E ZHURIT

Te  stanet e  Zhurit
Fillimi dhe mbarimi i shekullit
Me të njejtën zeje
I ngrysi duke u marrë  lumjanët

Te  stanete Zhurit
U mblodhën të gjithë luftëtarët
Që s’u pajtuan me gurët e kufirit
Dhe nisën të gatuajnë barut

Te  stanet e Zhurit
Asllan Rexha e Hasan Prishtina
Hartuan strategjinë e Betejës së Zhurit
Dhe numëruan kokat e armiqve të vrarë
Në luftën e Kullës së Lumës

Te  stanet e Zhurit
Baruti për UÇK-në
Mori bekimin për fitore
Nga  Remzi Ademaj
Që stanet e Zhurit
Ia kishin gatuar shpirtin atdhedashuri

TE VARRI I DELMES

Secila legjendë nga largësia
Përthahet  në shkëlqimin
E gurëve të varrit
Ku në  secilin gurë
Nga një gjarpër bën roje

Për  çdo ndërrim të motmotit
Gjarpërinjtë  i ndërrojnë këmishët
Të vjetrat  i palojnë për hajmeli
Të rejave u ruhen  
që të mos i afrohen vegshit

Gjarpri nëpër legjenda  
Hyn dhe del  me këmishë e pa këmishë
Por te varri i  delmes
Pushojnë viktimat  e tij
Të  cilave  Delmja
U mbajti  vdekjet
Delmja ua  ngriti varret
Për t’u varrosur  edhe vet
Në varrin prej guri
Të ruajtur prej gjarpërinjve.

MUSHNIKOVA

Gurgullima e  Lumëbardhit
Që  ndanë fshatin në dysh
Pandërprerë  i shpërlanë
Fjalët e  shqipes  së vjetër
Nga  ndryshku i kohës

Në  shtratin e Mushnikovës
Toponimet e shqipes
Dorë për dore hedhin vallen
E historisë ia mëkojnë plagët
E një shekulli të plotë

Mushnikova  gati një shekull
Mbi kokë mbajti saçin  asimilues
Dhe nuk mundi ta shkëpus
Nga  djepi i shqiptarisë
Bashkë me fshatrat  përreth

Mushnikovë,  7 mars  2007

MALLKIMI

Ai që flet kundër gjakut të vet
Dhe mohon sakrificën e të rënëve
Ju thaftë goja e foltë veç me gishta
Dhe ata mos i bëfshin punë

Ai që e sheh ardhmërinë
Të ngritur me  shpifje
Ju shterrtë syri i djathtë e me të majtin
Mos e paftë kurrë pjellën e vet

Ai që i shton jatak të pabesit
Që ia zë pritën gjakut të vet
Mos i leftë  as djalë as qikë në votër
E ju mbushtë oborri me therra

Ai që nënshkruan marrëveshje
Me sunduesin e gjakut të vet
Ju thaftë ajo dorë
E tjetra mos i bëftë punë as ujë me pi

Ai që hedhë  valle  me diallin
Për ta ushqyer unin e injorancës
Mos e bëftë asnjë hap për gëzime
Veç për kob marrtë udhë

URIMI

Kosovë lule gjaku
Uro lindjet e pavdekshme
Që pinë ujë nga shiu i zjarrtë
Që të mos shuhet flaka në oxhaqet tua

I lehtë u qoftë dheu
Atyre

TENDERI

Dashurinë dhe besnikërinë,
Nuk i kam në shitje
Andaj, mos më pritni
Që të marr pjesë në tenderin e turpit
E nëse më line të zgjedh
Më lehtë do ta pranoja
Vdekjen e bardhë
Se sa jetën e zezë
Të tymosur me helm
Për t’u bërë keq të tjerëve!
Edhe sikur vdekja të më trokas
Njëmijë herë në ndërgjegjen time
Të njëmijë herët do t’i përgjigjem
Me gatshmëri për ta mbrojtur
Dashurinë dhe besnikërinë
 Për fitoren e gjakut tim
Për atdheun tim
Sepse nuk ka vdekje më të ëmbël
Se sa të bëhesh i pavdekshëm

ËSHTË TERR APO DRITË?!

Zgjohem në mëngjes
Mbështillem me terrin e ditës
Përpiqem të vjell
Gjellën helm të servuar në shtyp.

Në vend të  kafesë
Pi një apaurin
Që të mos verbohem
Që të mos shurdhohem
Që të bëhem  imun
Ndaj atyre që do t’i takoj
Me gojën e stërmbushur
Me sharje
Për ata që lindën për ne
Për ata që u flijuan për ne.

Por , terri është terr
Dhe me te do të shkojnë në ferr
Të gjithë ata  që vjellin helm
Për gjakun
Për bajrakun
Është terr apo dritë
Këtë do të na tregojnë fëmijtë.

Zgatar, 9 qershor  2005

KRUMA

Si në legjenda  tingëlloi historia jote
Para se të lidhej për guri
Lundra e ëndrrave të Kosovës

Prefektura e Kosovës –djep i trimërisë
Për konviktorët e përndjekur
Për planet  e përhapjes së dritës
Për  shoqërinë  “Shkelzeni”
Që  dhembjet dhe plagët shëroheshin
Me tinguj të melodive malësorqe
Për  drrasat e teatrit të Krumës
Që kosova nisi marshutën në ty

Për pesë vite  prefekturë
Ti Krumë  Kosovës  sa i shërbeve
Në secuilën ditë  
Vetëm fitoret i numërove

Pas  77 vitesh jetë me gur në shpinë
Vaji i Kosovës sërish
Ta gjeti  derën Krmë
Dhe ta mbushi shtëpinë
Dhe ti as pas kaq shumë kohe
Nuk kishe ndryshuar
Bujarinë dhe mikpritjen

Trashëgim  nga  Prefektuar
Prap u sakrifikove
Baraz me Kosovës
Dhe ti u bombardove
Dhe arat tua u mboll me mina
Dhe varret tua u mbushën me trima

Para 77 vitesh ti Kosovën e përfaqësove
Në  çdo skaj të Shqipërisë
Tash në fund të shekullit
jatak i Shtabit të UÇK-së

Ti Krumë e trimave
Që e  shoqërove  Kosovën
Në  çdo hapërim
Ti do të mbetesh për mua
Prefektuara e parë e vendit tim

KALENDARI

Sa herë  që kalojnë muajt
Bëj turr ta grisi fletën në kalendar
Por  kur e shtri dorën
Datat nisin grevën  dhe më kundërshtojnë
Duke u fshehur mes gishtave
Disa  duan të rrinë të varura
Që të mbesin për kohë të gjatë në kujtesë
Disa duan të ikin që të mos kthehen kurrë
Disa të tjera  të turbullta fare
Si koha që po jetojmë
Kanë humbur ritmin
Për sa muaj që grisi  fletët
Aq  zhgënjime i murosi
Aq  zbrazëti  mbesin në mua
Dhe në fund të vitit bindem
Se përsecilin muak
Kam ngrisur nga një fletë jetë

PORTRET  I  NJË  JETIMI

Buzëqeshjebn e ngrirë në fytyrë
Sa herë që kujton ligqësitë e botës përreth
Lotët  fytyrës  ia vizatojnë
Dhembjen që ia shkaktojnë fyerjet
Që dikush pa i matur fjalët
Ia lëndon shpirtin

Sa herë ndrrohen stinët
Buzët i shkojnë në vaj
Sa herë afrohen festat
Shpresat i gufojnë nga zemra
Por, ende pa përfunduar
Marrin thua dhe mbesin rrugës

Atëherë fytyra e tij merr pamjen
E portretit të jetimit  me sy nga dera

MËRGIMTARI

Vetmisë dhe mallit
I dorëzohesh pa i shpallur luftë
I bëhesh shtrat
Ku të shtohet lodhja dhe mërzia

Sa ndihesh me fat
Mëngjeseve të bardha
Kur naten e ke kaluar në vendlindje
Dhe ke shëtitur fushave që ke lozur si fëmijë
Dhe ke biseduar  me farefisin
Me gjuhën më të ëmbël
Sa do të doje që ëndrra
Të kishte zgjatur vetëm edhe pak
Dhe ta kishe parë gëzimin e bujkut
Pas shiut që ra në mes të verës

Gjatë gjithë ditës se heton lodhjen
Dhe lutesh për natën që vjen
Që sërish ta vizitosh vendlindjen
Si mbrëmë në ëndërr

Ëndrrat lum i bëhen
Zjarrminë e mallit ia shuan
Me urimet më të përzemërta
E ndrydh  zemërimin e netëve
Që buzëqeshja e vendlindjes
I mungon në ëndrra

Mërgimtari pa ëndrrat e vendlindjes
Ndihet i humbur për jetë
I ndarë nga njerëzit e gjakut të vet
Andaj natë me fat e quan
Natën që ëndërron
Njësoj  si të ardhurat
Që me djersë  i fiton

Heilbronn, dhjetor  2007

IKJA NGA TERRI

Nga të  gjitha anët
Më  përcjell  gënjeshtra
Herë  e maskuar
Herë lakuriqe  
Herë  duarthatë
Herë e ngarkuar
Me shpresa shterpe

Më  këdo  që  flisja
Më  rrihte shpinën
Duke  më ngushëlluar me oratori
Ka  kush  kujdeset  për ne
Ka  kush  flet   për  ne
Ka kush na  grish
Dimri s’është sallatë                                                                                                                          
As paragjellë e ftohtë !

Për  secilën  ditë                                   
Bëhesha  gati për  rrëfim
Ikja  më  shfaqej  si hije
Pemët  s’piqen  para kohe
Gripi  shërohet me fall
Udha  bëhet me fjalë
Derisa sa u binda
Se klloçka  është  e mërdhirë

Fjalëve dhe  premtimeve
Më në fund u ra  gripi
I pashë  me  sytë  e mi
Si u shtrine për dhe
Por, prapë dikush
E nxiste gënjeshtrën
E lëmonte  qelbësirën
E ushqente egozmin
Të villte  për ushtrinë e maleve
Duke mbillur urrejtjen
Për  të  lindur ikja
Si fryt i mbarsisë së mbrabsht

Trupi i lodhur nga gënjeshtrat
I mbetur  shtatëzënë me  diallin
Nisi  t’i  shpërndajë  dhuratat
Në qiellin e trazuar
Nga krimet  e lindjeve
Me fytyrë te përlotur
Me shpirtë te thyer
Me  zemër në  torbë
Të  bërë  gati  për  ikje

Pritjes ia  kheva  shpinën
Duke rënë  në  dashuri  me  vdekje
Që  me  percillte ne  qdo hap
Ku  hana  me  bënte  drite
Dushku ma  bënte shtratin gati
Shtigjet thyheshin me lotët  e fëmijëve
Ikjes ia thurnim pajën
Kush me lot e kush me  zemër të thyer
Dhe  e varnin ikjen majë  bajrakut
Tamam si  dikur  në dasma mollën e fatit
Dhe  kështu ikja  e zuri peng  shpresën
E mijëra syve  të  përlotur
E mijëra oxhaqeve që kurorëzua
Arsyen  e ikjes  për  t’u ofruar
Sa më afër  fatit  që u mbarsuar       
Me  shpresën në  rrugën e ikjes

Rruga  e  ikjes  
I ngjante karvanit
Të  gjarpërinjve  që ikin
Nga  flaka
Nga  vdekja
Drejt  rilindjes

Dasma e ikjes
U bë pa krushq
Të cilët  qëndruan
Për ta ruajtur gurin
Dhe  oxhakun  e  rrënuar
Që shpresën – nuse
Të  kemi ku ta palojmë
Të kemi ku ta këndojmë
Të kemi ku t’ia  hedhim  vallen
Të kemi ku t’ia mësojme
Abc-enë kthimit


Koha  e ikjes
Vazhdonte të  ecte
Me  kokën në torbë
Drejte lindjes
Qe kish  hapur  krahët
Për  t’ia pritur  krushqit
Që premtonin se do t’ia sjellin  nusen
E  pagëzuar  para qindra  viteve
Që  e kishin  stolisur
Me ngjyrat  e flamurit
Me  emrin e fisit ( i) liri

Ikja  nga  burgu i vjetër
Nga  shoqëria e maskave
Nga sëmundja  e shekullit
U shndërrua në dritë – neoni
Bulevardeve të botës
Që e panë  me sytë e tyre
Shtrembërimin e kohës
Me gjinjtë e  lavires
Qe  vidhte  me sy
Vdekjen  e mijëra  të pafajshmeve
E bindur  se me  shpikjen
E dëbimit  po e realizonte
Dashurinë e ëndërruar

Bushtra  lavire
Kur pa kolonën
Qe u nisë  drejt  ikjes
U kënaq dhe e nxori  
Gjuhën  jashtë
Me të cilën ia lidhi
Këmbët  ëndrrave  të  veta
Duke i gënjyer- epshet
Duke i varrosur – iluzionet
Se do t’ia hapte  vegët
Në  shtratin  prush
Qe  e  la kolona  e  ikjes

Lavirja  qe pështyu
Mbi zotat
Mbi  gjuhën
E pasardhëseve të  mi
Errësirën  e burgut
Dhe prangat e dhunës
Medaljoni i varri
Në qafë
Atëherë  kur gjaku
U bë  roje  ikjes
Që u nisën krushq
Të nuses (i) liri.

VARGJE  DJALËRIE

KASOLLET  TONA

Kasollet tona
të ndertuara prej eshtrave

Kasollet tona
të ndertuara prej qëndrese

Kasollet tona
të ndertuara prej djerse

Kasollet tona
të ndertuara prej eshtrave

Kasollet tona
të lyera  me gjak

Kasollet tona
të mbrojtura  me besë

qenë  roje
dhanë bukë
gatuan barut

“Zëri i Malësorit” Nr.1 – 1985

PËR KËND  FLET KËNGA IME

Për kënd flet  kënga ime
që e mbaj të fshehur në gji
flet për  eshtra
flet për dritë
flet për rreze
flet për  diell
flet për yjet
që shndrisin në  qiell

Për kënd vajton  kënga ime
që ma djeg  zemrën në push
vajton për pritat
vajton për  pabesinë
që iu bënë krushqëve
që ende s’e sollën nusen
ani pse prej shumë motesh
është duke ecur rrugës

Gjonaj, 1985

MALËSORI

Quditshëm flet malësori
për gurët e kalave
për rrugët dhiare
për vuajtjet e të parëve
për burimet e krojeve
që i digjen në shpirt

Me gjuhën  e brezave
përmes melodisë
së fletës së dushkut
flet malësori
për lindjet dhe rritjet e reja

“Zëri i Malësorit” Nr.1 – 1985

AMANETI

Nata  s’ikën vet
pa e shkerluur në fyt
pa e ndrydhur deri në vdekje

Nata  s’ikën vet
sepse pa e bërë  hapin vrap
mos thuaj se arrita

Nëse e harron pamjen e vendlindjes
Kërko që varrin ta kesh atje
Sepse ndryshe nata  s’ikën vet

“Zëri i Malësorit” Nr.3 – 1989

PAJTIMI I GJAÇEVE

Si rrufe   qielli
jehoi në hapësirën e Kosovës
fjala e rinisë studentore
të shtrihet dora e pajtimit
të shtrihet dora e bashkimit
të hapen dyert  e mbyllura
të mbyllen plagët e hapura
të arkivohen përtej harreses ndarjet
të afrohen rrugët e zjarrta
që të mos shndërrohen kullat në rrënoja
që të mos  duken varret pallate
që të mos urohet për morte të reja
që të mos jetohet me shpinën  akull

Sa  fuqi treguan krushqit e pajtimit
që të ndalen rreshtat lumë
                     për kryeshëndosh
që në vend të lotit
nënat të pinë verë
që dhembjen ta shndërrojnë
                    në gatishmëri
që të bëhen gati për luftë
në pranverën e ardhshme me shi

Gjonaj, 2 maj 1990

ETJA

Kur “koha e krimbave hyri
në gjak e në fjalë”
(s)di  kush (s)di kur
në asht të ujkut
e pikturoi ETJEN
dhe ia vari në qafë Shullanit medaljon

Gërmo  nëpër tumat e Domeshtiçnit
etja e bërë shkrumb
fryej e pi ujë të hajmalive
nga tre herë në ditë
etja prap e gjallë në Rudinë
nëse digjet Pashtriku nga etja
të mbetet gjallë duke pshty vrerë
mos ta shpallim të ndjerë

(S)di kur u kall
heshtja në flakën e etjes
na piu mendjen pa filxhan
Shullani u shitua

Duke u përcëlluar në flakën e etjes
dhembja shkrumb e Shukkanit
mallkon lemeritshëm
kush të solli oj korbë
që shumë kufoma i lave
e vet ende s’po vdes

“Etja” nr. 5 1993

UDHË  NËPËR NATË

telegram

të enjten me njëzet tetor
m’u desh ta këpus një copë të lëkurës sime
për një telegram
t’i them nënës  dy fjalë

dy  fjalë – që e thajnë gjelbërimin
deri në zemër  të lules

prej sot kot lind dielli  për mua
as i gjallë  e as i vdekur
do të udhëtoj nëpër natë
 
abstenimi i vdekjes

nënë
sot pas katër muajve
vdekja  abstenoi nga unë

të mjafton  nata
ta bartësh mbi supe – më tha
dhe iku e frikësuar
nga bardhësia e katit  13

ëndrra për ditën –I-

Mbrëmë të gjithëve u ftova
për njëzet vjetorin e lindjes
tentova t’i mbush shportat e ëndrrave
përplot me kajramfila të kuq

por  ëndrra më tradhtoi
vetëm zërin ua dëgjoja

Më paska marrë malli – nënë
Që vetëm zërin ta dëgjoj
Ta mbështes kokën në prehrin tënd
E ti as në ëndërr s’do t’më afrohesh
Më përshpërit se gjoja je veshur
Me teshat më të  reja që ke në kuti
Por ec e binde terrin  për këtë gëzim

Sa mshirshëm t’i vjedh ëndrrat – terri

Në mos më trathtoftë brisku
Që e ftova në ndihmë
Në betejë me terrin
Ta jap besën nënë  se do të mësoj
Se me çfarë veshje ke qenë
Prezente në ëndrrat e mia
Për ditlindjen time
Dhe do të shoh se sa janë plakur ato tesha
Në qyshe të kutisë

ëndrra për ditën –II-

të faleminderit vëlla
letrën tënde e mora
ma lexuan fjalë për fjalë
bile edhe ëndërrën

mjekut kujdestar kur i tregova
për ëndrrën që e kish parë nëna
i erdhi shumë mirë
edhe  ai po shpreson në shërimin tim

“Gjaku sjell dritë”
tha dhe shtoi
së shpejti do ta ndezësh
semaforin e kuq
për udhën e natës

pasha sytë e ballit

Sot nuk di pse qaj
kur duhet të këndoj
pas një viti udhë nëpër natë

nënë – pasha sytë e ballit
ditën që do të përshëndetem me terrin
dhe kur të kthehem
vetëm vëllait të vogël ushtar
mos më  detyroi t’i shkruaj

gëzimi për dritë

e ndava një pjesë të gëzimit
vertikalisht - dritë
horizontalisht – dritë

e hodha kalendarin e natës  në shportë
ardhmëria e vari në mur
jeta është e gjatë
duhet shikuar si një pasqyrë

 “Bota e re”  mars 1989

N’AUBLIE  PAS

Temishfar vjeshtë e vitit ‘88
Një vajzë  ëmbël më flet\
Ju lutem një çokoladë
Dhe lehtas në zemër trokiti

Kam ardhur nga Bukureshti
Të takohem me shoqen e shkollës
Ndoshta s’prish punë që u poça në ty

Mua më thërrasin Silvina Mazia
Di të flas rumanisht, frëngjisht, rusisht
Dhe pak fjalë të gjuhës së gjyshit
Haki Mazrreku quhej i ndjeri
N’aublie pas më pat thënë
Dukagjinin vend të parëve e kemi

Ju lutem një çokoladë- shqip
Foli Selvija e fisit  të Dukagjinit
Dhe buzëgas  ma ktheu sërish
pse më shikoni me habi
gjuha e gjyshit  për mua është
gjuhë e parë
që kërkoj për ushqim dhe
diçka kur dua të marr

e mori çokoladën
dhe me buzën në gaz tha:
n’aublie pas dukagjinase jam
e kërkova gjithë ditën në Temishfar
por ajo kishte shkuar në Bukuresh
për t’i treguar familjarëve
së është takuar me njerëzit e gjakut të vet
dhe se  ka mësuar se ku i bie  Dukagjini

Temishfar , tetor 1989 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx