Kulturë
Ylli Hoxhaj: Midis agimeve poetike të Trebeshinës
E enjte, 29.10.2009, 07:48 PM
Midis agimeve poetike të Trebeshinës
Vështrim për librin poetik të Kujtim Matelit “Kur mendon për të tjerët”
Nga Ylli Hoxhaj
Ka disa vjet që një
krijues, me firmën Kujtim Mateli, po rreh rregullisht faqet e shtypit dhe të
mediave tona elektronike me krijimet e tij studimore dhe poetike. Kemi
lexuar shkrime e vlerësime të tij për librat e rinj që kanë
dalë kohët e fundit, por edhe për vepra të veçanta të autorëve me zë të
letërsisë shqipe. Këto janë studime të pjesëshme, ese, shënime
kritike, komente problematike, analiza veprash, etj. Mund të përmendim midis
tyre esetë: “More Naim Shqipëria”, “Pse e dua Shqipërinë“ të Lame Kodrës,“ Pse
e kanë gjymtuar Pashko Vasën”, apo studimet për krijimtarinë e poetit Bardhyl
Londo: “Vetëm Itaka mbetet“, si dhe ”Ikja e Muzave dhe viti i mbrapshtë,1997”,
studim për romanin e Ylli Xhaferrit,etj,etj.
Të tërheq vëmendjen fakti
që analizat e tij kanë një freski mendimi e këndvlerësimi; kanë një nivel të
qartë njohjeje historike e artistike, kanë një mirësi e dashuri njerëzore
e shoqërore, një lloj entusiazmi e kënaqësie të sinqertë për
bashkëkrijuesit e për sukseset e tyre,(krijues të njohur e të panjohur),
një seriozitet në vlerësimin e dhënien e mendimeve, dhe sidomos në argumentimin
e tyre. Shkrimet e tij kanë tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe lexohen me endje.
Fillesat e krijimtarisë së Kujtim Matelit i
gjejmë që në vitet 1970-të. Në pranverë të viteve 80-të shfaqet me
një cikël poetik në gazetën “Drita“ dhe më tej, më shumë brenda vetvetes,
vazhdon të shkruajë poezi dhe, me vullnet e pasion të admirueshëm,
plotëson studimet profesionale, gjuhësore dhe letrare. Në vitin 1990 dilpomohet
në Universitetin e Elbasanit në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe, ndërkohë brenda një
periudhë 6-vjeçare: 1998-2004 mbron provimimet e gjuhëve të huaja: gjuhën
frënge ( 1998);
gjuhën greke ( 2001)dhe gjuhën angleze( 2004).
Te Kujtimi, kemi shëmbëllimin e atij
basenit që mbledh, që thith e grumbullon tërë burimet rreth vetes
dhe rritet e rritet, zgjerohet e maturohet e pastaj na shfaqet me
rrjedhat e tij studimore e poetike.
***
Në verën e vitit 2009
Kujtim Mateli, del para lexuesve me librin e tij të parë poetik
“ Kur mendon për të tjerët”.
Çdo lexues, sapo e
merr në dorë këtë libër, ka përpara syve dy pohime poetike:
- Poeti, që në fjalën e parë, na thotë se mendon për
të tjerët, dhe këtë e gjejmë në titullin e librit,
kurse pohimi i dytë është metafora vizatimore e kopertinës: dy
gjethe të një dege ulliri mbajnë të ngritur një kokërr ulliri të
pjekur në një hapësirë të kaltër.
/...Ti mendon për të tjerët/ dhe unë them : / Bukur
shumë!/ Ti mendon për të tjerët/ Dhe unë them :/ Ditke të mendosh dhe për vete
....
Tek poezia “ Mos e pengo” i drejtohet kështu lexuesit:
Në ke diçka në zemër,/Lëre të shpërthejë,/ Te njerëzit turravrap të marrë
udhë.../
Pra poeti na ka hapur shpirtin dhe na ka shtruar
përpara tërë motivet e poezisë së tij: vendlindja , natyra, fëminia e
rinia, puna e ndershme, historia, lavdia e krenaria për brezat, familja e
patjetërsueshme, dhimbjet dhe humbjet, psherëtima njerëzore...
Të gjitha këto, që poeti i përjeton me drithërimë e bukuri shpirtërore, janë
gdhendur në poezi.
Poezia e Kujtimit ka një ndiesi të sinqertë. Ka
një ndiesi të një njeriu të çiltër, që i përçmon veset , mburrjet, mëritë,
makutëritë, egoizmat e vogëlsitë e shpirtit të varfër. Shpirti i tij njerëzor e
poetik është i mbushur me dashurinë për njerëzit , për prindërit , për pemët e
lulet , për malin e lumin, për zogjtë e dallandyshet, për stanet në
Trebeshinë..., për erërat, për dimërat e shirat ...
Ai ndizet nga tingëllima e këmborës, nga vozet me qumësht, nga këngët e zogjve
, të fushës dhe të malit, nga zëri i ëmbël i vajzave dëshnicare. Dhe e
tëra kjo është dashuri. Mirëpo poetët kanë mjeshtërinë që dashurinë ta
derdhin në poezi. Këtë mjeshtëri nuk e kanë të gjithë. Ky lloj mjeshtëri
thirret artist, poet.
Ne të gjithë e kemi parë zogun e vogël, me emrin Gushëkuq. Po askush nga ne nuk
ka shkruar poezi për këtë zog imcak. Kujtimi është poet dhe e ka këtë
sens ndaj shkruan për atë: Një gushëkuq i pabindur, që në agim, çirret e
përpjek krahët është një gjë krejt e zakonshme. Por poeti e sheh poetikisht
këtë çast jete: Ai e percepton ardhjen e Diellit si një
akt-lindje, që mezi pritet e që kërkon ndihmë. Botës po i lind Dielli...
Ja këtu poetizohet ky zog i vogël:
“ Cipëzën e natës , me sqep ka çukitur,/ Që nga qiejt
e lartë agimi ka zbritur./ ...
Ky gushëkuq i vogël, i pabindur fare,/...Livadhet në lindje i mbuloi me
zjarre./” (f.28)
Shihni sa bukur e sa natyrshëm lidhet jeta e bota me bukurinë
e perceptimit poetik.
Poeti ka shumë dashuri në shpirt, pra
ka edhe kaq dashuri në vargje.Kush e ka shpirtin të thatë , nuk ka ç’dashuri të
japë, edhe krijimet e tij , sigurisht do të jenë të ftohta, me simbole ,
me hapësira e metafora të largëta e të pakuptueshme, me vargje të zbeta e
sende që nuk i gjen në jetën e përditshme. Kurse te poezia e Kujtimit gjithçka
ndihet e gjallë , e ëmbël, jetësore , e vërtetë, madje edhe e bukur
poetikisht...
Ja lexoni poezitë: “Mes kallëzave”(f.11)...Gruri e buka, metonimia e
begatisë, ari i kokërrës së djersës të punës së njeriut: “Shkrova
një vjershë për grurin në arë,/-thotë poeti.../ Vjershën e vura
në xhep,/një tufë pëllumbash mbi kokë më kaluan,/ me kokrra gruri në sqep./..
Poezia ka bukurinë e punës, të paqes , të begatisë. Eshtë e mbushur me dëshirat
e mëdha njerëzore...Poezia dhe gruri marrin të njëjtat vlera jetësore e
shpirtërore...
Në poezinë “ Peizazh shkurti” autori shkruan:
“ Çelën dy bajame. I dërgonte marsi dhuratë,/ Dy bajamet,... diku në një
anë.../ ... Bletët e ndjenë aromën e luleve / dhe u nisën në punë me
natë/... Në fushë gruri ka shqyer jorganë e bardhë.”
Natyra e peizazhi i stinëve të vendlindjes është aroma poetike
e këtij libri. Brenda saj ai ka shijen e përjetimeve të jetës së gjallë,
të gëzuar e të mbushur me punë e ëndërra. Eshtë një dashuri e vërtetë dhe
e thellë, një dashuri që fillon nga rrënjët. Gati kudo , në vjershat e
poetit pulson Atdheu. Dashuria, krenaria, angazhimi qytetar e
intelektual janë të thëna hapur e me sinqeritet. Ai është veprues e i
vetëdijshëm.
Vëndlindja: Dëshnica me malet, luginën, me mushtin e vreshtave e të
pjergullave, me lumin, stanet, thëllëzat e Trebeshinës, me këngët e vallet, me
mikpritjen proverbiale janë pjesë e Atdheut, që ai i do me përgjërimë: Te
poezia “Dëshnicës”, poeti këndon:
/ E kam në dritë të syrit,/ Dëshnicën me fllade malesh, /I
hedh Hëna tërë arin, / i derdh Dielli tërë nurin.../”
Ja nga buron flladi dhe qumështi i lirikës së
poetit përmetar.
Kur flasim dhe gjykojmë për një
krijues, e madje për një krijues në formim, nuk duhet ta krahësojmë atë
me krijimtarinë e atyre që tashmë janë bërë të njohur e të identifikuar
nga të gjithë. Mendoj se çdo krahësim nuk do të ishte i nevojshëm, madje edhe i
pa vlerë. Në një tufë vjershash , lexuesi kërkon të gjejë poezinë.
Pra dhe pyetjen e bën: A ka poezi këtu?!... Nëse vërtet gjen poezi të arrira,
që tingëllojnë e janë poezi , kjo mjafton për të thënë që kemi në dorë
një poet. Nuk ka fare rëndësi se ai poet është i madh sa “X...”, apo
është modern sa “Z...”, etj. Mendoj se është e mjaftueshme të
themi: “ është poet”. Në rastin konkret, Kujtimi është poet, që në
librin e parë, sepse në librin e tij ka poezi, ka maturi
krijuesi... Dhe këtë lexuesi e dallon dhe e shijon këndshëm.
Qëndroni pak te poezia;“Takim me pranverën”.Janë
ulur në një stol Poeti dhe Pranvera: Ai është i tunduar nga Ajo.( E kush nuk
është tunduar dhe nuk e ka pritur në takime pranverën?!...)
Dihet që Pranvera e poeti merren vesh
kurdoherë mirë e bukur. Ja dhe biseda:
“/Dimri shumë plagë kishte hapur atë vit:/ Një peme i ishte
shqyer një degë. /Bokërrimës i kishin dalë damarët mavi,/ ...
Ku e ngritën zogjtë folenë?/ Si u prit ardhja e dallëndysheve ?!/...
Dhe biseda është fare intime:
“/Po unë,/ A i thashë asaj se do të vij në mbrëmje me të
dashurën?
A i thashë se kam lënë takim me yjet në male ./
A i thashë të mos flinin luleshqerrat pa perënduar dielli?/
Se do të vinte vajza ime e vogël?/
Ai thashë, pra?/
Isha në një stol me pranverën....
Një petal qershie e bënte të artë kopsën e xhaketës...
Isha fllad që rendja s’ dihet se ku...”
Lexoni, gjithashtu poezitë: “Në prag të Vitit të Ri”,
“Mbas kthimit në qyetetin e studentëve”,... “Kujtimi yt “( f. 101), “
Thëllëzat”, ( të cilën me aq thellësi e bukuri e ka komentuar poeti Zenel
Anxhaku), apo: “Balada e nuses “ dhe “ balada tjetër “ Mos i dëgjo yjet
se ç’ thonë?”,etj:
“Njeriu gjithmonë...E ka patur një shteg që s’e ka gjetur dot,
E ka pasur një ftesë qe s’ e ka vlerësuar,
Në të njëjtin vend është rrotulluar kot.
Njeriu pendohet për çfarë nuk bëri mirë.
Po Viti i Ri na jep shpresë...
Na ndan nga e djeshmja si fëmijën nga nëna e na thotë:
Eshtë një yll që njeriut duhet t’i prijë:
Gotat ngrejmë dhe vështrojmë njeri-tjetrin:
A e ka gjetur secili yllin e tij?...
( Në prag të Vitit të Ri )
Ose :
......
Tani në mbrëmje më vjen, në perëndim të diellit,
Me një flutur që të rri në cepin e bluzës...
...........
Desha ta largoja përgjithmonë këtë kujtim të hershëm.
Në një gjethe...e vura gjatë stinës së verës...
Në një gjethe do të flejë me yjet netëve,
Do të jetë aty gjer në stinën e vjeshtës,
Me gjethet do të valvitet një ditë në erë,
Pastaj në humnerë , diku do të bjerë,
Në shtratin e harresës...
( kujtimi yt... )
Në poezinë elegjake,”Mos i dëgjo
yjet seç thonë”, kushtuar një njeriu të dashur, poeti ka ngritur poemën e
dhimbjes së thellë familjare, madje edhe njerëzore e më tej kozmike, për
humbjen e parakohshme të një djaloshi... Poeti e rrëmben lexuesin dhe e
çon në këto hapësira: midis realitetit dhe dritës qiellore. Në këtë
hapësirë të universit lëkundet jeta dhe tejet-jeta e njeriut: / Se
bukuri e kësaj bote ,/ është në qiell edhe në tokë,/Toka na thotë: Rrini këtu,/
“ Eja tek unë!, qielli na thotë./..
./Ti ecën udhës qiellore,/Cilin planet shikon me ngulm?! Të gjithë të ftojnë ,
të gjithë të flasin,/ Të gjithë të thonë: Eja tek unë./...
Poeti e lexuesi e ndjejnë thellë pikëllimin e
madh. Eshtë krejt e natyrshme kjo ndiesi njerëzore. Por poeti ngrihet , gjen
forca shpirtërore , madje edhe etiko-mistike ta zbusë dhimbjen, ta
qetësojë shpirtin e trazuar, të fusë edhe pak dritë, edhe pak shpresë
, edhe pak dehje mistike: /”Kur Babi do të jetë mërzitur,/ Kur t’i
thonë: Mbahu, o burrë!/ Një lajm të mirë do të sjellë era ,/ Dhe ne do pyesim:
Si?! ...Kur!?/...
Ti qiell që hesht, kur flasin njerëzit,/ Ne që tek ti kemi besim,/... Të lutemi
ruaje djalin tonë,/ Nëse s’i jep lejë për kthim.../
Copëzat e gjurmuara në këtë vështrim
artistik, sipas mendimit tim, janë krijime dinjitoze, të cilat të sjellin
në mendje poezi të poetëve të mëdhenj. Jo se ka marrë nga ata, jo.
Ai është vetvetja, është poeti që po ngrihet...Krijime të këtilla përfaqësojnë
maturinë dhe kuotën ku synon autori. Ato flasin për rritje cilësore
dhe për siguri në udhëtimin përpara. Autori e di që rruga e
poetit është e gjatë dhe e mundimshme. Ai këtë ua thotë me sinqeritet
edhe lexuesve /Sa fort ma magjepse Zemrën poezi./ Me vrrullin e
përroit,/ Vij e s’të kap dot./....
Kaq të thjeshta gjërat s’ janë në këtë botë./...Të gjithë dashurinë,/ Që ti më
dhurove,/...E kam lënë te njerëzit,/Në çdo vend që vajta./...
Dhe sinqeriteti i ka hije një poeti serioz: ...
Edhe në metrikën dhe strofikën
poeti bën përpjekje të ketë individualitetin e vet.Ai përdor vargun
e strofën e poezisë së traditës, siç përdor edhe vargun e strofën e
poezisë së kohës. Gjuha poetike, sigurisht, është ende e brishtë dhe poezia
bëhet e kuptueshme dhe emocionale.Natyrisht, si në çdo përmbledhje poetike, ka
edhe krijime që nuk arrijnë atje ku i nis autori. Kujdo i
ndodh kjo, dhe mendoj se nuk është dobësi , me të cilën duhet të merremi. Për
mua e rëndësishme është që poezia e Kujtimit dëshmon se po ngrihet, se ajo
synon në individualitetin e saj, në pjekurinë artistike. Kjo duket qartë
edhe në lëndën e kësaj përmbledhjeje : Dallohen krijimet e kohëve të fundit nga
krijimet e para. Ka një ecje që premton. Kjo do të thotë që vetë poeti po e bën
më mirë procesin e vetkritikës.
Eshtë edhe kjo një arësye më shumë që na nxit
që t’i urojmë Poetit punë të mbarë e suksese në krijimet e ardhshme.