Kulturë
Shefqet Dibrani: Dashuria lind bashkë me poezinë
E marte, 13.10.2009, 07:59 PM
DASHURIA
Sevdije Rexhepi “SIMFONI E
HESHTUR”, poezi, botoi “URA”, Gjilan 2003, faqe 64.
Shkruan: Shefqet
DIBRANI
Poezia e
Sevdije Rexhepit ngjallë emocione
lirike të cilat sikur pa dashje rikujtojnë zymtësinë e një vjeshte e cila pa
mëshirë i ka zhveshur pemët nga frutat e tyre, kurse gjethet era e ftohtë ua ka
përplasur ndanë rrugës... Poezia e Sevdije
Rexhepit është një tip i poezisë lirike, por që ka edhe imazhe të theksuara
metaforike, duke e bërë poezinë dhe autoren më të ndjeshme, më përjetuese dhe
më melankolike: “Ditë vjeshte.../ Bie shi i ftohtë ngadalë/ ..../ Diçka të qetë s’më lë?.../ Nuk
e di pse shpirti im nuk pushon,/ Pse
nuk fle?!”, (faqe 5).
Sevdije Rexhepi i takon brezit më fatkeq të krijueseve dhe
krijuesve letrarë që ka pasur Kosova, ngase ajo ka bërë një rini të pa rini.
Tërë shkollimin e saj e ka kryer nënë rrethanat e aparteidit klasik që ishte
mbërthyer Kosova. Ajo nuk ka pasur rastin as t’i shijoj dhe as t’i përjetoj
aktivitetet dhe angazhimet kulturore që i ka kudo rinia studentore, as kurrë
nuk ka pasur rastin të bëjë një bujtje në konviktin dhe as të hajë një shujtë
të ngrohtë në mensën e studentëve. Por: “Në
këtë ditë të pakohë/ Në pikën e
njëjtë qëndroj/ Mbi valët e momentit
mundohem të fluturoj/ Bashkë me kohën
që nuk pret”, (faqe 10).
Ajo, e
mbrusur me idealin për të ardhmen e saj, sikur nxitoi t’i ikte jetës
studentore, që për brezin e saj ishte më shumë se torturë, të paktën nga
bastisjet e policisë serbe nëpër të të ashtuquajturat “shkolla
– shtëpi”. Gjatë gjithë shkollimit
të saj, privilegjet që i kishin kudo studentet nëpër universitetet botërore,
shqiptarëve u ishin mohuar
krejtësisht, dhe krejt natyrshëm vargjet
që poetizohen si sinonim i erërave të ftohta, të vjeshtës a dimrit, shirat që
binin pa pra, e pa reshtur, personifikojnë personalitetin e studentes kosovare
në ato rrethana kur Sevdija u
shkollua. “Kjo erë e ftohtë dimri/ Shprish pa mëshirë flokët e mia/ E më
mbyll sytë si për inat/ Me pluhurin e
qytetit tim,/ .../ A thua, cili do ta triumfojë dëshpërimin?/
.../ Në heshtje lexojnë vuajtjet e njëri-tjetrit,/ .../ Për një ditë të ngrohtë,
pa erë.”, (faqe 6).
E
vetëdijshme për gjendjen që mbretëronte në atë kohë, ajo me sukses i sfidoi
vështirësit e kohës për të marrë më vonë epitetin e një intelektualeje e cila
me vetëdije ka regjistruar kohën e saj të rinisë e të studimeve nën një
pushtim, siç thamë klasik dhe tejet primitiv. Poetja ka vazhduar rrugëtimin e
saj “Nëpër shtigjet e panjohura/ Që kurrë
më parë shkelur si ka(m)/ Por erdhi stuhia/ E mori gjithçka me vete...”, (faqe
13). Pikërisht ishte kjo vetëdije krijuese, si indikacione që më rikthyen për
të rikujtuar (edhe një herë) atë kohë
të trishtët, që mos ia pafsha askujt, pa le femrës e studentes kosovare, veçmas
një intelektualeje që tashmë është edhe poete, siç e kemi rastin me Sevdije Rexhepin dhe lirikat e saj: “Ky shi që bie e nuk ndalet dot/ gëlltit pa
mëshirë orët e kësaj dite/ dhe e mbështjell me monotoninë e saj...”, (faqe
15). Ndërsa beftësia e këtyre lirikave, dhe sidomos tendenca e përhershme për
t’iu dhënë një sharm lirik, sa të dëshirueshëm po aq edhe të pranueshëm, japin
një nuancim personifikues, poetik e letrar, duke e bërë këtë poezi edhe
më të pranueshme.
PIKAT E SHIUT
Sa shumë pika
Në dritaren time
Nuk mund t’i numëroj
Dhe as që mundohem fare
Bien shumë ngadalë
Dhe qetë-qetë rrëshqasin
Deri në pakufi
Ngase fundin e këtij udhëtimi nuk e di,
Sodis me kureshtje
Humbëm në thellësinë e imagjinatës sime
Papritur ylberi shfaqet
Dhe në dritaren time troket
Faqe 18.
Dhe,
tani pas kaq e kaq vitesh, mund të mendojmë se autorja: nëse jo qëllimisht,
biles në mënyrë spontane i paska regjistruar ato fenomene të cilat kanë lënë
gjurmë në vetdijen e saj krijuese. Kjo poete dhe brezi i saj, jo vetëm që
përballuan një apartaid klasik, por pritën e përcollën luftra të ashpëra,
pikërisht atëherë kur ishin në një lloj embrioni krijues “sepse sa herë që bën(j) hapin e parë/ takuan(oj) edhe udhëkryqet e
saj”, (faqe 27), kurse jeta me të
papriturat e saj vinte pengesat e saj si një “erë e ftohtë fryn/ ditë e marrë marsi/ më mërdhin zemrën/ ngase nuk e
di...”, (faqe 19).
Mbarimi
i luftës do ta gjenë Sevdijen dhe
brezin e saj, dik pa shtëpi e katandi, të tjerë pa të afërmit e të dashurit, e
përgjithësisht Kosovën pa institucione të konsoliduara shtetërore e kulturore,
dhe pa ndonjë vizion e ardhmëri të qartë. Sado që Kosova tashmë e kishte fituar
(bile?!) lirinë e të shprehurit, ky
vend edhe sot e kësaj dite mbetet pa një brezë që mund të mendohet si elitë e
re krijuese.
PSE SOT... KËSHTU?
Ndoshta pse diell nuk jam
E të lëshojë rrezet
Pse s’mund të shndërrohem në re, në shi
Të shpërndaj freski
Apo pse jam dikush tjetër
Se gjithçka që ndiej vë në letër
Apo pse jam shumë e marrë
Që pëlqeva në shikim të parë
Ndoshta pse i besoj çdo fjalë që shkruan
miku
Që rrjedhin nga brendësia apo kotësia
Nuk e di
Por e di se sot ndihem si fëmijë.
Faqe 23.
Jo vetëm
rasti i Kosovës, por i të gjitha vendeve që kanë kaluar tranzicionin politik me
kaq dhembje, kanë mbetur pa një brez, pasi siç thotë maksima filozofike “revolucionet i hajnë bijtë e vet”, por
në atdheun tonë kemi mungesën e disa brezave krijuesish për shkak të rrethanave
që i përjetoi ky vend dhe ky popull. Kurse Kosovës edhe sot e kësaj dite i
mungon një brez elitë që do ta përfaqsonte me dinjitet krijimtarin letrare të
dekadës së fundit të shekullit të kaluar dhe këtë dekadën e parë të këtij shekulli
që sapo kemi hyrë. Megjithë rrethanat e kohës, Sevdije Rexhepi arriti të konsolidohet dhe të formsohet si poete,
duke u paraqitur me përlmbledhjen e saj
të parë poetike “Simfoni e heshtur”.
SIMFONI E HESHTUR
Ditë vjeshte...
Bie shi i ftohtë ngadalë
Nuk dëgjohet tjetër veçse ushtimë dhe ritëm
Të shndërruar në melodi që përsëritet
Me nota nostalgjike
Deri në mbarimin e kësaj simfonie
Mendoj,
Kujtoj,
Dhe pyes mendjen:
Pse diçka të qetë s’më lë?...
Nuk e di pse shpirti im nuk pushon,
Pse nuk fle?!
Faqe 5.
Përmes
metaforës së “simfonisë” ajo mëton të
imponohet si një poete që nuk rri në heshtje sado që në pjesen e dytë të
titullit sinonim ka heshtjen. Përmes kësaj heshtje poetja ka mëtuar të sjell
mesazhin e të gjithave rrapëllimave të
ditës të cilat me tërë ato kufizimet e shumta, sikur tregojnë se ajo ka pasur
një mungesë jete. Por, duke sfiduar tragjiken kolektive dhe atë individuale,
ajo ka sëndertuar konceptin e veprës që marret me fenomene dhe devijime që e
dëmtojnë një shoqëri të tëre: “Dhe më
përkujtojnë rrugën e nisur nga Ti/ Me fjalë falso...”, (faqe 32), “Topi ishte në anën tënde/ Më propozove të
luaj/ Edhe pse rregullat e lojës/ Nuk i dija/ Kur fillova të mësohem/ Të luaj
më mirë/ Godite aq fort/ Sa...”, (faqe 35), diku tjetër poetja shprehet edhe më me zemërim si ta zëmë në
vargjet që po citojmë: “Ti ndoshta i ke
dhënë zemër dikujt tjetër/ E këta rreshta do të gjejnë ngushëllimin/ Ku tjetër,
pos në letër!...”, (faqe 48). Duke
e kundruar fenomenin e lënies, braktisjes e të fjalës peng për pritje të gjata,
poetja me mjaftë mllef e pëlcet durimin: “Zëri
yt më vjen nga larg/ Si një ushtimë.../ Ç’thua ti?/ Të pres dashurinë tënde/ O
të nis kërkim të ri?!”, (faqe 53).
Poezia e
Sevdije Rexhepit imponohet me një
qasje reale, ofron mesazhe aktuele me prirje sforcuese edhe në aspektin
kualitativ. Pa dyshim poeza e Sevdijes
është produkt i rrethaneve që kaloi kombi ynë, është vet shtrati i këtyre
venerimeve letrare, ku ka bërë përpjekje për të regjistruar fenomenet dhe
ngjarjet që kanë ndodhur rreth dhe në unin e saj. “Shtegtimi është aq i ngadalshëm/ Nëpër valët e jetës/ .../ Nga
ndrojtja nuk zbehem/.../ nëpër gjurmët e mia të arrish/ Në pikëqëndrimin ku unë
pres...!”, (faqe 54).
Pavarësisht
nga ajo që thuhet se poezia është intime, poezia e Sevdijes sikur kalon këtë eviniment pasi ajo ka thënë edhe të
përgjithshmen e atyre, përkatësisht ka përshkruar me sinqeritet realitetin
shoqëror e politik, dhe atë historik që kaloi kombi ynë, për t’u bërë si një “flluskë bore që pret lindjen e një të
nesërmeje të re”.
Më shumë
se sa një poezi estetike, kjo poete ka bërë përpjekje që lexuesit të saj t’i
sjell një poezi etike e cila me indikacione të theksuara merret edhe me
fenomenet që kenë qitur krye viteve të fundit. Sidomos në Kosovën e pas luftës
ku atë vend të çliruar nga një pushtues i egër klasik, e kanë pushtuar kulturat
e gjithë universit tokësore, dhe kjo ka ndodhur në kuadër të misionit për të
ruajtur paqen politike.
Natyrisht,
Sevdija është e vetëdijshme për
misionin që ka; qoftë si poete, qoftë si intelektuale, po më shumë si një femër
e emancipuar. Vetëdija si një nocion etik e lidh më shumë autorën me fatin
tragjik dhe historik që kaloi kombi ynë. Pastaj angazhimet e saj letrare lidhen
edhe me lëvizjet e shumta soc-kulturore dhe me pasojat e rrëmujes e rrëmetit që
kalojnë të gjitha shoqërit në konsolidim politik, shoqëror e kulturor. Por,
poezitë që ua kushton: gjyshit-babokit,
nënës dhe babait dëshmojnë për
një etikë kulturore e letrare karshi etërve që na sollën deri në të tashmen
tonë të gëzuar.
Shikuar
nga ky prizëm mund të themi se poezia e Sevdijes
është zë i lidhur me lëvizjet që kalon koliktiviteti i vet nacional dhe ai
kombëtar, tamam siç potencuam më parë, poezia e saj është e lidhur ngusht me
fatin dhe tragjikën historike dhe atë sociale të kombit tonë. Duke lexuar
poezinë e Sevdijes, vërejmë se ajo si
autore thellë e ka kuptuar procesin e sëndertimit të koncepteve, dhe lehtë e ka
pranuar jetën si një proces në përpunim e sipër, kurse shoqërin e përdor si një argument për t’i
pasqyruar ndryshimet etike e psikike që po i bënë kombi ynë.
Fryma
lirike e kësaj poezie, sikur paraqet dramen reale të femrës në shoqëri e cila
për ditë e më shumë përballet me nënçmimin, përbuzjen dhe injorimin dhe këto
fenomene ajo më shumë i ka ndrydhur e shtrydhur si ndjenja personale të cilat
vazhdimisht shoqërohen me pika të ftohta uji, shiu, a erëra të ftohta vjeshte e
dimri, fate këto që nuk e lënë atë të dalldiset si një poete pa koncept, madje
duket se këto rrethana atë më shumë e kanë detyruar të preokupohet me të qenit
pjesë e shoqërisë në ndryshim në njëren anë, dhe në anën tjetër për t’i dhënë
koncept real jetës dhe poezsisë së saj.
JAM KËTU
Nëpër agimet e para
Kur rrezet ballin tim lëmonin
E më zgjonin
Eca ngadalë nëpër vite
Dhe thura vargje
Të mbështjella me ëndrrat e mia
Kur qielli ishte i ngrysur
Retë pa mëshirë luftonin
E sillnin shiun rrebesh
Pas këtij rrugëtimi me shtrëngata
Bashkudhëtare me ylberin u bëra
Ia fala ngjyrat e arta
Dhe ngrohtësinë e diellit...
Sot sërish jam këtu
Në këtë Tokë
Me Ty...
Faqe 60.
Vëllimi
poetik “Simfoni e heshtur” i Sevdije
Rexhepit jep indikacione të mjaftueshme për të kuptuar se autorja ka sens
poetik, ka ideshmëri dhe ka stil për të prekur fenomene a dukuri interesante.
Dhe padyshim me një kujdes paksa më të shtuar në aspektin estetik dhe
figurativ, ajo mund të ndertoj një varg edhe më të qëndrueshëm, dhe karshi
kësaj mund të profilizoj stilin e saj krijues, për t’u bërë pastaj një poete e
kërkuar dhe admiruar.
St. Gallen/Zvicër, tetor 2009.
SHËNIME PËR
AUTOREN:
Sevdije
Rexhepi (22 shkurt 1972), është
lindur dhe rritur në Gjilan të Kosovës. Shkollimin fillor dhe atë të mesëm i
mbaroi në qytetin e lindjes, kurse studimet për Gjuhë dhe Letërsi Frënge i kreu
në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës në vitin 1996. Për dy
vite (1996 – 1998), ka punuar si mësimdhënëse
e gjuhës frënge në Shkollën e Mesme “Zenel Hajdini” në Gjilan. Nga
gushti i vitit 1999 deri më 2006 ka punuar në Brown & Root Services (si
përkthyes dhe këshilltare për pune administrative dhe personel), në kampin amerikan Monteith në qytetin e saj të lindjes.
Kurse nga nëntori i vitit 2006 vazhdon të njëjtin mision, por tashmë në Irak me
kompaninë amerikane (KBR).
Sevdije
Rexhepi, përveç poezisë, shkruan edhe prozë dhe merret edhe me gazetari kryesisht shkruan reportazhe dhe
udhëpërshkrime. Ka bashkëpunuar me
shumicën e shtypit shqiptar që botohet në Kosovë dhe mërgim.
Kjo
poete, përveç gjuhës shqipe zotëron mirë edhe anglishten e frëngjishten, kurse
poezi shkruan në gjuhën amtare dhe në anglisht.
Si natyrë; Sevdije Rexhepi është një poete sensitive, e ndjeshme
ndaj dukurive jetësore, mbron me dashuri jetën e të tjerëve, adhuron lirinë
njerëzore dhe përherë poezinë e saj e përcjell një mesazh kuptimplotë përplot
melankoli e vlera letrare.
Është
prezantuar në këto antologji:
1.
“Mozaik të një portreti”, Tirane, 2004.
- “Gjuha e dashurisë poetike”, Tirane, 2006.
- “Nënës”, Tirane 2007.
Veprat
letrare:
1.
“Simfoni e heshtur”, poezi, Gjilan, 2003.
2. “Orët e mungesës”, poezi,
Gjilan, 2004.
3. “The Sounds of Waterfalls – (Tinguj
ujëvarash)”, poezi, Gjilan, 2004.
Sevdije Rexhepi, jeton në Gjilan, kurse momentalisht punon në
Kopshtin e Edenit, në Irakun Qendror.
E.
Mail: sevdije_r@yahoo.com