Kulturë
Shazim Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Lumenjtë e dritës'' (III)
E hene, 12.10.2009, 06:59 PM

LUMENJTË E DRITËS
QENIMI
s’kam pëshurrë përqiell!
s’kam lehur në hënë!
s’kam pështyrë në diell!
njeriu kam qenë, pendohem!
kur pata forcë nuk shita mend!
kur pata mend nuk ndota vend!
qeshë vetë bekimi!
e ç’u qenova e ç’më pëshurr qielli!
hëna më leh e më pështyn dielli!
jam si funddita!
jam vetë pendimi!
një lloj qenimi, zot imi!!!...
PENDIMI
Fajtori jam. Pendohem.
Pendohem për ëndrrën time zemërake.
Dhe për dhembjen tuaj të brishtë.
Pendohem për gjithë ç’kam bërë
e ç’nuk kam bërë.
Pendohem për të gjithat, pa dallim.
Për njëmijë luftërat
ku munda mbretër e mbretër, pendohem.
Dhe për luftën
që sapo e humba nga një mi.
Pendohem, pendohem, në këtë orë:
Kam lënduar shumë të pafajshëm,
kam kursyer shumë fajtorë!
PARA SË GJITHASH QENË QIEJT…
Para së gjithash qenë qiejt
qiejt e përshpirtshëm
ku mund të kullosin
shqerat e Tejanës
Merrini me mend
qiejt që Zotin sajuan
me një fërkim
Atë Zotin hijefrymë
që vetëm me pak farë
buzëqeshjen vegjetoi
Ah,
s’e merrni dot me mend
ç’do të ishin njerëzit
pa buzëqeshjen e fytyrës?
Ruzuj të vegjël do të ishin
ruzuj të ftohtë rërorë
me ca zgavra të thelluara në kokat
si shpella parahistorike
Oh, mos u hamendni!
Hidhni farë në qiej
që ta mbillni buzëqeshjen!
Hidhni farë në qiej
që të keni nga një fëmijë ajri!
Janë vetëm re të shterpëzuara
zbraztakët që ju akuzojnë
për iluzionizëm
PIKTURË E DHEMBJES
I fryn ëndrra
gjumit të erës
lumi shikon veten
te pasqyrë e thembrës
Muzgun e syzave heq dita
mrekullohet duke parë
si njomet natë e gjinjve
Janë peshq të larmë
zogjtë që fluturojnë
qiellit të ëndrrës?!
Zot, gjethet e mendjes
te vjeshtë e verdhëzës bien!
Fytyrë e gjethit
te shpinë e lumit përgjaket!
Dhe uji thëngjillohet!
Dhe krejt ç'është prej zemre
virgjine s'mbetet!...
As drita, madje!...
HISTORI
I gjori zoti
gjithë ato nerva i harxhoi
gjithë atë baltë
formën e bukur për t’i dhënë
dhe pamjen e njeriut
I dha dhe frymë gojë më gojë
dhe e mikloi:
tashti, bëhu njeri dhe nisu
diell ke boll
dhe ke boll
ujë boll…
E ky
veçsa çeli sytë
e buzëqeshi me cinizëm
i tha:
ik, o At
jam Zot
i diellit
i dheut
i ujit…
Tashti, më jep edhe një Evë
dhe shporru!…
SYTË E MI NUK JANË TË VËRTETË
Nuk ka vesë mbi zemër
ka gjethnajë mbi vesë
ka vesë mbi pikëllimë
E mijëra mure më shfaqen në një vrimë
mijëra qiej në një krah zogu
mijëra rrugë të pafundta mbi një rrotë
mijëra detëra në një pikë uji
mijëra botëra jetëplota në një njeri të vdekur
Sytë e mi nuk janë të vërtetë!
Janë lumenjtë e dritës që derdhen në liqene!
KREVATI
Nuk ka jetë
Ka vetëm mure
që me bardhësi verbuese
e kumbojnë sëmundjen
Në patosin e zemrës
si një burrë i moshuar
i rëndë, i rëndë
prehet trishtimi
Ah, krevat!
Ti rri i qetë si prehja
ti lëshon zë
vetëm atëherë
kur të mbërthej si gruan
Ik, ik, ik!
Ik nga dhoma ime, ligësirë!
Vetë qëndrimi yt është një formë e vdekjes!
TË JETOSH
Të jetosh
prej dritës sate të bësh mëngjese
për qiejsh të mbahesh, të kapesh fort pas ëndrrës
krejt ç’është rreth teje të bësh të jetë e jotja
si një mendim i ri të krekosesh krenar
të vdesësh pa vdekur asnjëherë
ta vrasësh njeriun brenda teje
brenda teje ujkun ta sajosh
shembjen e qiejve që s’janë qiej ta bësh me një fjalë
të bësh të të kapin sytë misterin që ti do
të bësh të jetë e gjallë pema që s’është më
ta flakësh modestinë
të sajosh prej engjëllit një djall me brirë
si e flijuan jusufvoglin atëbotë
unin tënd të matur ta flijosh pa fjalën e fundit në gojë
mbi bark të bukuruar gruaje
të bësh të jeshë kokër rëre e ftohtë
të sajosh prej këmbëve tua kapronj të bardhë
dhe t’i zbresësh të pijnë jetë aty ku shpirtrat lahen
për epshin tënd prej burri buzë prej ere të sajosh
të mund ta lash në djersë ta hedhësh përdhe hënën
të jesh i ftohtë, i ftohtë, i ftohtë
trup prej drite të mund të sajosh për sytë e tu të nesërm
prej frymës sate të bësh verigë
i kapur për qiejsh të jetosh
mes akujsh i ndezur
MALLI PËR UJQ
Si një kapelë dënesjeje
gota e birrës
rri mbi kokën e Lorkës
I dehur
ai del prej fletësh
më rrëfehet:
S’kisha ditur gjë, or mik
s’qenka dhe aq e bukur të vdesësh!
Më ka marrë malli për ujq!
TRUP PREJ PLAGËSH
Zogj të përgjakur drite
si yje metalikë
më bien mbi trup
m’i çelin plagët
Zot, aq shumë plagë më çelin
sa gjithë ditën e ditës
marr frymë prej plagësh
Nata zbret me fytyrën e saj prej letre
gjithë natën e natës
natëfleta pi plagë prej trupit tim
Në trupin tim, nata
nuk lë asnjë plagë
ndaj, që të mund të jetoj dhe ca
m’i rizbulon agimi
FAIK KONICA
Jap gjithë jetën time endacake
për dy metra varr n’atdhe
(PA) SIGURI
Nuk jam unë ky që u rri përballë-
i shëmtuar, i vrazhdtë dhe i rrudhosur
i vrenjtur si ky qiell vjeshte
që rigon pikëllimë
S’jam as ky tjetri që struket brenda tij
as ky i treti, i përvuajturi i stinës
që më dergjet mbi ëndërr
dhe i çirret fytyra me një frymë
Unë jam hija e këtij çasti
që nuk e njoha kurrë
e që pikërisht tani
vdes për t’u ringjallur si një tjetër
COPËZA TË QARASH…
Copëza të qarash
si copëza të këputura qiejsh
përplasen për dritares
Edhe të vdekurit frymokan!
Afrohu, Zot, të dehemi,
jo me birrë,
po me lotët e atyre
që s’arrijnë të vdesin!
SHELG
Merrem me këtë shelg
si me një copëz dhembjeje
në trupin tim prej ajri
Mor shelg, i them
sa bukur këndoke!
Zogu që këndoi pak më parë
ishte gryka jote!
(Shelgjet janë ujëvara ajri të ndjeshme
krahë të paqejfshëm qiejsh
të prirë për rënie
dhe unë jam në këtë jetë
veç sa për t’u bërë qejfin të paqejfëve)
S’e shihni, ë?
Edhe kur s’jam frymoj
PËRGJYSMË
E blerta e pjergullës s’më paqëton
E ndiej këtë nga qepalla që më laget
dhe nga ajo pjesë e flokëve
që më acarohen në anën e djathtë të kokës
E ndiej këtë nga kuajt e harlisur
që vrapojnë
Kuajt e hënës kullosin yje
As kuajt e ëndrrës përdore s’i kam
Jam përgjysmë!
Ah, qenka kaq e dhembshme të jesh përgjysmë!
Qenka
veç sa për të qenë!
KRIMBA
Miliona gjakpirës të vegjël
që nëpër trurë lëvrijnë!
Parazitë të etshëm për gjak njeriu!
Oh krimba
krimba, krimba, krimba!
Krimba që marrin jetë
duke u shuar jetët të tjerëve!
RINI E VEZULLUAR
Një vezullim i bukur mëngjesor
i bardhë, i shndritshëm, i tejdukshëm
që rri i ndarë më vete si një mendim kryeneç
I pastërt si kokërr vese
si sy i paprekur maji
I këputur me afsh
si nga një episod i paharrueshëm ëndrre
Shpirt prej loti
që as pafajsia e gjethit s’e ngushëllon
Gjak i valë i vetëderdhur në vaskë vetflijimi
Britmë e lëngësht e lëngësht
në një shqetësim uji
Copëz e copëzuar kristali
që natën e shndërron në psherrëtimë
Për të, çasti më i harreshëm vesh rrobën e pikëllimit
dhe pemët e harrojnë gjuhën lulake të haresë
Një ashkël drite, e bardhë, e bardhë
e kthyer përgjithmonë në kokërr vetëvrasjeje
që vrushkujt e dendur të erës i lakon
Oh, rini e bukur, e bukur,
ç’kënaqësi ndjen, në ç’qiej udhëton?
Komentoni
Artikuj te tjere
Xhenc Bezhi: Bënë kryeplaku lanë katundi
Ndue Ukaj: Tingëllima e dielës
Halit Bogaj: Shtatë gratë
Arbnori, letrat e burgut - Ju rrëfej spiunët e dënimin e dytë
Mueller: Kurre nuk kam ndryshuar qendrimin per Kosoven
Këze (Kozeta) Zylo: Çmimi Nobël dhe shqiptari Kadare
Baki Ymeri: Kosova me vlera të reja shqiptare në gjuhën rumune
Cikël poetik nga Xhemë Karadaku
Viron Kona: Drithërimat e Yjeve (III)
Përparim Hysi: Një Poet që nuk njeh plakje
Halit Bogaj: Ndarja e Oskarit sipas viteve
Përparim Hysi: Hija e rrapit... (Esse për Kadarenë)
Faik Konica: Mrika
Luan Çipi: Kadare, simbol i kombit
Agron Luka: Migjeni, Dokumente të pa shfrytëzuara ku fshihen disa të vërteta
Lubonja merr Sergio Vieira de Mello
Blerim Rrecaj: Vështrime, kujtime dhe zë karcenjësh
Cikël poetik nga Ismet Tahiraj
Albert Zholi: Flet, autori i disa librave shkencor, poetik, doktori i shkencave z. Zyhdi Dervishi
Engjëll Koliqi - Vjersha të 16-21 shtatorit 2009 - Poesie del 16-21 settembre 2009