E shtune, 04.05.2024, 04:53 AM (GMT+1)

Kulturë

Ejup Ceraja: Esetë metaforike të një poeti të talentuar

E hene, 12.10.2009, 06:59 PM


ESETË METAFORIKE TË NJË POETI TË TALENTUAR


Nuri Plaku: “Qyteti pa statuja” – Ese, Globus R., Tiranë 2004


(Vështrim i shkurtër në formë recensioni)


Nga Ejup Ceraja 


Në vend të hyrjes


U bënë pesë vjet nga botimi i vëllimit me ese “Qyteti pa statuja” i Nuri Plakut dhe në leximin e tij të dytë gjej po atë ndjesi që kam gjetur edhe në leximin e tij të mëparshëm, kur sapo doli nga shtypi. Ndodh kështu sepse, Nuri Plaku ka synuar dhe ia ka dalë mbanë që ta pasqyrojë me vërtetësi, qytetin e tij të lindjes – Fierin, i cili gjendet në rrezen harkore të qytetit të Diellit – Apolonisë së lashtë nëpër dekadat e shekullit, që sapo e lamë pas, madje edhe më herët, në të gjitha rrafshet e fushëveprimit, pa lënë anash, të themi kushtimisht, asnjë segment të tij me rëndësi. Nuriu, e ka titulluar atë, “Qyteti pa statuja” sipas titullit të po një eseje në brendi të librit. Mbase edhe si analogji me romanin e Tasi Prokos “Qyteti pa dashuri”.

   Që në fillim të këtij shkrimi, për esetë e këtij libri karakteristik, vlen të theksohet se Nuri Plaku arrin që të gjitha ngjarjet qofshin ato historike, arkeologjike ose me tematikë e me përmbajtje shoqërore t’i mbulojë fund e krye me tis të një figuracioni metaforik.

  

Tradita, folklori, monumentet dhe...vërejtje e sugjerime.


Nuri Plaku, si në këto ese, ashtu edhe në gjithë krijimtarinë e tij letrare, ka një diapazon të mprehtë dijesh, që shtrihen si në rrafshin horizontal gjeografik, ashtu edhe në shtresimin kohor-historik. Kështu, ai me mprehtësinë e një eruditi, i qaset si të kaluarës historike, ashtu edhe përditshmërisë sonë në të gjitha hallkat dhe në të gjitha fushat. Nëpërmes këtyre eseve, trajton ngjarje, që kanë të bëjnë, kryesisht, me qytetin e tij të lindjes. Por, hera-herës, Nuriu e zgjeron interesimin edhe përtej qytetit të tij. Dhe, me kompetencën e një njohësi të mirë, shtreson para lexuesit anë të ndryshme të realitetit se: “Autori ka vëmendje të imët edhe për traditën, folklorin, për prurjet e reja letrare, për qeramikën, pikturën e skulpturën. Dhe krahas këtyre ai bën apel edhe për shpëtimin e monumenteve, gjë kaq e thekshme dhe urgjente në realitetin e sotëm”. 1)

Këtë libër Nuri Plaku e hap me esenë e gjatë “Një mbrëmje në Apoloni”, që është një gërshetim i të dhënave historike me rrëfime artistike, se: “Qelqi që mbaj në duar, mbushur me reflekse të verdha magjike, më shtyn kujtesën pa dashje drejt antikave të ekspozuara në pavijonin arkeologjik të muzeut”. Pra, nëpërmes kësaj eseje ai arrin të shpalos përpara lexuesve historinë e Apolonisë si në shtrirjen gjeografike, ashtu edhe në thellësinë kohore historike. Mjaft bukur dhe mjaft fuqishëm nëpërmes metaforave në formë haluçinacionesh jepet, në këtë ese, parafytyrimi për Shën Kozmain: “Aty për aty u sajua një lojë e zvargur hijesh. Diçka shkëputej prej tyre dhe shtillej mbi bar, duke marrë tiparet e mjegullta të një siluete. Vegim haluçinativ. Sidoqoftë, ato morën një formë ngacmuese në përfytyrimin tim. Dallova hijen e një murgu. Një veladon. Shën... Shën... Kozmai...”(9) 

Sa herë do të ketë ardhur këtu Kozma Etoli para se ta vrisnin?” – e bën këtë pyetje retorike autori. Dhe, len për t’u nënkuptuar se në Apoloni, Shën Kozma Etoli kishte shkuar rregullisht. Pse? Sepse Apolonia, përpos që ishte një qytet i lashtësisë sonë, mendoj, ishte edhe një vend i shenjtë, në kohën e lulëzimit të saj, po edhe më vonë. Dhe, shikuar nga ky kënd, them, mbeti një nga tempujt e rëndësishëm në pasqyrimin  e  gjithanshëm të krishterimit të hershëm të këtyre trojeve. Këndej, vetë Shën Pavli, në vitet e pesëdhjeta pas Krishtit ishte shprehur: “Nga Jerusalemi e rrethinat deri në Iliri plotësova predikimin e Ungjillit të Krishtit”.(9)

Mjaft interesant për lexuesin është njoftimi me korifeun e arkeologjisë shqiptare, Hasan Ceka, të cilin vetëm një vit e kishte ndarë pa e marrë epitetin “njeriu i tre shekujve”. Pasioni dhe dashuria e atij apostulli, për antikitetin, kishte një rrjedh të pandalshme. Dhe, siç pohon vetë Nuriu, “Ai e kishte Apoloninë manastirin e tij shpirtëror”, që ishte lidhur me fije të pashkëputshme me të, si liqtë në tezgjah sa edhe e kishte joshur të kërkojë nga udhëheqësi i dikurshëm monist që të varrosej mu në Apoloni. Dhe, “Dëshira e “monarkut”  të arkeologjisë, ishte kuptuar nga “monarku” pushtetar.” – pohon Nuriu.

Të gjitha këto ndodhi kaq domethënëse, që i zumë në gojë më lart dhe shumë të tjera, arrihen në këtë ese, duke bërë gërshetimet e të dhënave historike e arkeologjike me shkrimet e dijetarëve të ndryshëm nga këto lëmi nëpër dekada e shekuj.

   Në esenë “Agonotetët, kufijtë e rrezatimit simbolik”, autori shkruan për Monumentin e Agonotetëve, që gjendet brenda qytetit të Apolonisë së lashtë e që është ndërtuar, siç duket dhe siç pohon vetë ai, në shekullin e dytë pas Krishtit nga romaku Kuintus Villius Krispinus Furius Prokulus. Për këtë monument Nuriu bën vërejtje serioze e me vend, mendoj, sepse për një monument të tillë, që ka pak gjë të përbashkët me kulturën tonë të lashtë ilire, ka gjetur vend aq të gjerë, si simbol në Festivalet e Aktrimit, pasarelat e modave, miseve, në postera, festa, kopertina librash artistikë, reklama etj., ndërsa objekte të tjerë autoktonë, si Stema e Muzakajve apo godina e shkollës së Libofshës, shkolla e parë shqipe e hapur në Myzeqe, rrinë në gjendje apatike, pa u aktivizuar si simbole. Dominimi i një simboli nga një tjetër pa ngarkesa të denja përfaqësimi është një problem i rëndësishëm për kulturën tonë dhe me shumë të drejtë ngrihet në këtë libër.

Ndërsa në esenë “Kujdesi për monumentet e kulturës – problem i hapur”, që në fillim Nuriu e jep shtrirjen e tyre në rrafshin horizontal gjeografik dhe shënon hartën e tyre, duke filluar që nga Pirgu në Ndërnënas, Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas, kisha e Shën Mërisë në Libofshë, kisha e Shën Gjergjit në Strum, Shën Nikolla Kurjan, qyteti i Mërgëlliçit, Pritat e Patosit dhe Krapsit në lumin Gjanicë, Gurëzeza, vila romake Rustika në Plyk, Gurëzeza në Cakran, shtëpia e Longarëve në Kryegjatë dhe përfundon me kishën e Shëne Premtes në fshatin Sop, në perëndim të Apolonisë. Në vazhdim të kësaj eseje ai e vë theksin mbi dëmtimet që u bëhen atyre, qoftë nga dhëmbi kohë, qoftë nga pakujdesia e faktorit njeri, duke shprehur shqetësimin e tij si njeri dhe si intelektual.

Një tjetër ese, që zgjon kërshërinë e lexuesit, është ajo me titull “Gjanica – metafora e një qyteti” tok me nëntitujt: “Portreti poetik”, dhe “Portreti ekologjik”. Pothuaj se nuk ka qytet, gjithandej botës, që të mos jetë ndërtuar buzë një lumi, buzë një liqeni a buzë një deti. Pse ka ndodhur e ndodh kështu? Sepse për zanafillën e jetës në planetin tonë uji ka qenë, është dhe mbetet një ndër faktorët e saj më kryesor. Aty ku nuk ka ujë, nuk mund të ketë as jetë. Cili është roli i lumenjve në jetën e përditshme, veçanërisht i lumenjve të mëdhenj? “Lumenjtë e mëdhenj janë qumështi i kulturës. Këtë e vërtetojnë Nili, Eufrati, Tigri dhe lumenjtë kryesorë të Indisë dhe të Kinës. Shoqëritë e para të organizuara formohen në brigjet e tyre. Shkenca, letërsia, arti, aty dolën në dritë”.2) 

Pra, Gjanica është një lum, që kalon nëpërmes qytetit të Fierit, e që e ka rëndësinë e vet të patjetërsueshme për begatimin e jetës në atë qytet, si nga ana ekologjike ashtu dhe ekonomike. Këto dy anë mendoj  edhe Gjanica i përmbush me sukses. Andaj vetvetiu si e tillë, ajo është edhe një lloj metafore për të. Lumenjtë, pra, në vazhdën e shoqërisë moderne bëhen djepi i shkencës, letërsisë dhe artit. Në të njëjtën kohë bëhen, po ashtu, edhe frymëzuesit e pashtershëm nëpër dekada e shekuj për poetët qofshin popullorë, qofshin të letërsisë së shkruar. Të parët i jetësuan e i jetësojnë në këngë, të dytët në poezi, duke theksuar si anën estetike, ashtu edhe rëndësinë ekonomike dhe ekologjike të tyre. Ja, fjala vjen, se me çfarë ngashërimi metaforik këndon poeti Zoi Dashi, i mërguar në Greqinë fqinje për lumin e qytetit të tij – Gjanicën, të cilën Nuriu e ka vendosur në esenë e tij:

“Gjanica ime moj

E bukura e fëmijërisë,

Ku gjete forcë të bëhesh

Tërmet i gjeografisë.

 

Mes udhëve të Athinës

Gjanicën kam më vete,

Nga që ka mall për mua

Tani rrjedh në dy shtete”.

                (Zoi Dashi, “Gjanica”, vëllimi poetik “Bota”)

           

  Në esenë vijuese "Qyteti  pa statuja", autori, pasi flet për rëndësinë njohëse, që kanë ngritjet e statujave në mbamendjen historike dhe në nderim të atyre, që, me punën e me përkushtim, në të mirë të vendlindjes, atdheut dhe kombit u tabanuan në altarët më të çmueshëm në të gjitha rrafshet, ndalet te figura e Kahreman Pashë Vrionit, i cili që më 1864 e kishte kthyer Fierin nga një fshat në qytet me një urbanizëm e infrastrukturë rrugore perëndimore, që i përballoi me sukses sfidat e kohës deri në ditët tona. Ja se ç’shkruan ai: “Janë 140 vjet të kaluar. Tirana e ka vendosur tashmë “Pashain”  e saj të krijimit. Po ne? A s’do të ishte në nderin tonë që monumenti i këtij njeriu të shquar të ngrihej mu në sheshin qendror të qytetit?”

Pastaj ndalet te nderi që do t’i bënte qytetit të Fierit ekspozimi mural i stemës së Muzakajve. Të njëjtën gjë thotë edhe për figurën e Alush bej Frakullës, duke bërë pyetjen: “A s’do ta hijeshonte qytetin monumenti i këtij “Spartaku” myzeqar?” Për të arritur te figura ma markante, mendoj unë, e At Irakli Pyllit, “kalorës i krishtërimit dhe i përhapjes së gjuhës shqipe në Myzeqe”. Te figura e atij martiri, i cili, në emër të një ideali shumë të lartë, duroi çdo fyerje shpirtërore, ç’do poshtërim e dënim fizik, po s’e pranoi kurrën e kurrës të shkelte mbi tempullin e dritës, mbi Abetaren e shenjtë, që ishte, është e do të mbetet për jetë të jetës, alfa e omega e gjuhës sonë të bukur shqipe, se: “Ia hidhnin abetaren te këmbët dhe e gjuanin me kamxhik për ta shkelur. Por At Irakliu përkulej, e merrte në duar, e puthte dhe e vendoste në gji”.

Në esenë “Paradokset” intelektuale”  Nuriu shkruan për ato paradokse intelektuale në qytetin e tij, po që do të vlenin barabar, mendoj, edhe për një mori qytetesh tjera, ku jetojnë e banojnë sot shqiptarët. Fjala është për krijuesit e qytetit të tij, që kanë mbetur edhe pa një vend sado të vogël për tubime, rrahje të mendimeve dhe këmbim të përvojave krijuese. Edhe pse, siç pohon vetë ai, “... pushtetarët shprehin përpara krijuesve mëshirën kristiane...” (58) Në këtë mes, them, do të ishte mirë të pranohej pa hamendje një mendim lapidar i gjeniut të letrave shqipe, shkrimtarit të madh me përmasa botërore, Kadaresë, kur thotë: “Të fillohet nga kultura!”

Në esenë tjetër “Vrasja”e bibliotekave” Nuriu, pasi jep një pasqyrë të shkurtër të rolit që kanë ose që duhet ta kenë ato në pajisjen me njohuri të shumanshme, shkruan edhe për rolin edukativ të tyre, veçan për brezin e ri. Ai më tutje shkruan me kompetencë e me njohuri për tjetërsimin e tyre hera-herës nga roli e qëllimi parësor. Gati-gati, sipas autorit, bibliotekat e kanë bjerrë rolin e vet të mirëfilltët, duke e kthyer atë në shërbim ditor të momentit. Pastaj jep vlerësimin (qëndrimin) e vet se bibliotekat duhet të jenë të çliruara nga botimet “pirateske”, që s’kanë vlera të mirëfillta letrare-artistike.

Te eseja “Muzeu historik dhe pluhuri muzeor”, Nuriu tregon se në rrezen harkore të qytetit të tij të lindjes – Fierit, ku përfshihet edhe qyteti i lashtë – Apolonia, i cili ka begati të shumta me përmbajtje historike, muzeore e arkeologjike. Por  ç’e do? Ato i ka mbuluar “pluhuri muzeor”  që do të thotë se i ka mbuluar pluhuri i “harresës”, të lëna edhe pa qëllim pas dore, në mëshirën e fatit.

Në esenë “Hordhitë” erotike” Nuri Plaku trajton një këngë të veçantë erotike popullore. Titulli i saj është i thjeshtë “Jemi mbledhur sonte”. Rrallë, madje mjaft rrallë, mendoj, se lexuesi do të hasi në një analizë të tillë, për një këngë erotike popullore. Në analizën që i bëhet asaj, Nuri Plaku arrin të depërtojë thellë në psiken shpirtërore të bardit popullor. Mund të thuhet se nuk ka “qelizë” të atij uni erotik, që Nuriu nuk e ka zbërthyer, të themi kushtimisht, deri në imtësi. Bardi popullor ka arritur përmes vargjeve, në dukje të thjeshta, “Jemi mbledhur sonte, shokë/ s’kemi ku ta shtrojmë hordhinë”, ta shtrijë kuptimin semantik të fjalës “hordhi – hordhia – hordhitë”  nga termi, nëse mund të shprehemi kështu, ushtarak në një term me kuptim të ri dytësor - metaforik. Pra në këngën “Hordhitë” erotike” janë të fiksuara dallgët shpirtërore, që burojnë nga vlimi i gjakut epshor, rropatjet e të cilit përplasen fuqishëm në zemrën ashike përmes vijës melodike të këngës. Hordhitë, pra, nuk janë në këngë bandat mongole të Xhinghis Khanit, as hordhi zabitësh osmanlinj, por janë, siç e pamë edhe më lart, tronditje zemrash nga ndjenjat erotike. Ja me çfarë bukurie estetike i jep Nuriu të gjitha shtigjet e bardit popullor në fund të analizës së kësaj kënge.  “Pra, bardi kapërcen fuqishëm ato shtigje gardhesh e kufizimesh kohore, për të mbërritur suksesshëm drejt krijimit të një legjende të re “hordhish” erotike, e kjo është një këngë, një pjesë e saj, një strofë, një dëshmi, një copëz jete, një monument, një legjendë që shpreh aq madhërishëm shpirtin e bukur të një populli”. Bukur, fort bukur. Kështu krijohet arti i vërtetë, do të thoshte Lasgushi, edhe nëpërmes një eseje.

Në esenë vijuese “Kujtesa folklorike në faqet e një libri”, Nuriu shkruan për librin “Dasma në Myzeqe” të autoreve Naunka Lengu dhe Majlinda Shapka. Është një ese, që nuk ngec prapa të tjerave, por pohimi: “Kemi rezultatet e veprimit negativ të një kohe mjaft të gjatë siç është ajo e periudhës së monizmit, e cila eliminoi disa nga pjesët më të rëndësishme të ceremonialit të dasmave, duke i konsideruar si mbeturina dhe zakone prapanike patriarkale”, sikur e huton ca lexuesin e vëmendshëm. Unë, si lexues këtu në Kosovë, nuk e di gjatë kohës moniste çka u hoq nga dasma shqiptare në Shqipëri, në përgjithësi e nga dasma Myzeqare, në veçanti, po e di se gjatë asaj kohe lulëzoi arti i vërtetë muzikor shqiptar. (Të kuptohemi se kurrsesi nuk jam nostalgjik i asaj periudhe, po kënga popullore, së paku për mua, kishte bukurinë e vet se mbështetej në tabanin e traditës sonë të lashtë, duke e hequr atë anën ideologjike). 

Eseja “Idetë e gjalla të poetëve të vdekur” hyn, në esetë më karakteristike të këtij libri. Aty bëhet analiza e krijimeve më të mira të poetëve, që e përfunduan jetën e tyre në moshë fare të re dhe jepet pavdekësia e tyre në formën krijuese, poetiko-artistike. Me fjalë të tjera edhe pse ata nuk janë më fizikisht në mesin tonë, ne si lexues komunikojmë me ta përmes ideve të tyre, që i kanë lënë pas si testamente të bindjeve që kanë pasur për shumë anë të jetës, që i kanë rrethuar ata për të gjallë. Ato ide të gjalla, përpos që do të bëhen udhërrëfyese për breza e breza, do të jenë edhe një ushqim shpirtëror i këndshëm, mendoj, për ç’do lexues. Në këtë ese Nuriu ka trajtuar veprimtarinë e poetëve nga treva myzeqare, pa u zgjeruar dhe thelluar edhe në trevat tjera shqiptare. Po kjo nuk ia zvogëlon vlerën e patjetërsueshme dhe domethënëse këtij libri mjaft cilësor. Sepse, nëpërmes një eseje, sado e gjerë qoftë ajo, nuk mund të përfshihen poetët e mbarë trevave shqiptare. Po vlera e kësaj eseje, nuk qëndron tek numri i poetëve që janë përfshirë në të, por tek trajtimi i krijimtarisë së tyre poetike. E, shikuar nga ky kënd, kjo ese tok me librin si tërësi, ka vlera dhe vetëm vlera. Sepse Nuriu me njohuri të thella teorike, u qaset analizave të veprave të poetëve të përzgjedhur, të cilëve Hyji ua kishte caktuar një jetë të shkurtër kalimtare drejt amshimit, drejt paanësive qiellore, drejt Krijuesit.      

Nuriu e fillon këtë ese me bejtexhiun  Nazim Frakullën, i cili me krenari shprehej: “Divan kush pat folurë shqip? Ajan e bëri Nezimi”. E vazhdon me një poet myzeqar të dekadës së parë të shekullit XX Zoi Ndreko Libofshës, i cili përmes vjershës “Shqipëria” pohonte me mburrje prejardhjen e vet shqiptare: “Se jam shqiptar po të them. No një gjë unë s’kam të rremë”. Një poet partizan nga Myzeqeja, nxënës i Normales së Elbasanit - Dhimitër Mino, do të shkruajë më vonë: “Ai ndryshk që e ka veshur/ kallxon  çiltas robërinë/ që ka mbytur e ka nxirë,/ fushat, malet, Shqipërinë”. Ndërsa Aleksandër Tato, pasi do të shkruaj: “Sonte mbi mua rëndon shqetësimi/ i të gjitha dashurive të tretura”, do të bëjë një thirrje universale për popullin, që Nuri Plaku do ta quajë: “Aq sa  thirrja e tij merrte formën e një barre ndëshkimore...”:O populli im. Sa frikë e ke pasur dashurinë/ Ndërsa vetë/ përjetësisht ke qenë i dashuruar”. Për të përfunduar: “Dashuri/ miliona ëndrra thura për ty”... “Dashuri miliona kilometra bëra për ty”.  Ndërsa poeti Ilia Kule do të shkruajë: “Për lirinë s’ka varr”. Ndërsa te vëllimi (përmbledhja) e dytë me poezi ai do të shkruaj:

“Ti populli im

pasqyrën shumë, gjithmonë e ke dashur

e para litarit, krehër ke kërkuar.

Kur liqenet e Lurës ta nxirrnin të ashpër

fytyrën e bukur me liri të shkruar”.

Për Petraq Dhimën, që e ndërpreu jetën së bashku me Ilia Kulen, Nuriu shprehet: “Miq në jetë, miq në poezi, miq edhe në vdekje”. Petraqi do të lë një “testament”  interesant, ku do të shkruajë: “Shqiponjat janë vetë liria/ kur ngrihen qiellit fluturim”. Ide të ndezura do të lë pas veti edhe poeti tjetër Kristaq Prifti, i cili shkruan: “Për ditë më kryqëzojnë mëngjeset/ në rrugët e vendlindjes sime”. Nuri Plaku shkruan edhe për një poet tjetër, Aleksandër Zaka, i cili, pati dy vdekje: Të parën, për “hatër” të diellit në moshën njëzet e dy vjeçare, ndërsa të dytën si pasojë e të parës, në moshë më të pjekur”. se: “Edhe dielli yt mbathi këpucë të mëdha me lidhëza të zgjidhura...” – thoshte poeti.

Ja edhe ca vargje sublime Të Aleksandër Zakës, të cituara në këtë ese nga Nuri Plaku:

Dhe dashurinë e kam derdhur vjershave”

“Si t’i përgjigjesha

kur erërat e maleve fryjnë nëpër kashtën e këngës sime”

“Me gjakun e diellit skuqen vetëtimat rrobat e zeza, të arnuara të reve”

“Dhimbjen tonë buzë lumenjve e vajtonin shelgjet”

“Jam adhurues

i tokës ku deti i bie kitares nën aromë portokallesh

ku këndojnë zogjtë këngë të gëzuar në degët e

mollëve të çelura”.

Pra, duke i pasur para sysh të gjitha ato të dhëna që i jep Nuriu për këta poetë, që, shumica e tyre u ndanë herët nga jeta, idetë e të cilëve mbetën ta bëjnë jetën tok me lexuesit në vend të tyre, si diçka joshëse e sublime, lexuesi s’ka si të mos ndiej kënaqësi e dhembje përnjëherë. Kënaqësi sa për krijimet e tyre, të themi shprehimisht, të mrekullueshme, aq edhe për trajtimin meritor që ua bën Nuri Plaku poet dhe eseist. Ndërsa dhembje të ligjshme për kalimin e tyre në amshim në lule të rinisë.

Esetë e tjera në vazhdim janë kryesisht në formë të recensioneve. Pothuaj se të gjitha kanë për temë qoftë krijimtarinë artistike të një autori, në përgjithësi, qoftë ndonjë vepër në formë të parathënies a të pasthënies, në veçanti. Të kësaj natyre janë:

 Në esenë, “Mustafa Greblleshi - monumenti moral i shoqërisë”, Nuriu shkruan me pietet për krijimtarinë letrare-artistike dhe patriotike të tij, duke vënë në pah  larjen e fajit të pafaj”, të këtij shkrimtari që u persekutua pa mëshirë gjatë gjithë jetës, për të vetmin “mëkat” se Zoti ia kishte çuar muzat poetike.

Ndërsa, “Metafizika e një shpirti fisnik” (kujtime), është eseja, mendoj unë, për të cilën Nuriu shkruan më me përkushtim e dashuri se për cilëndo tjetër. Në këtë ese ai flet për mësuesin tij të dikurshëm të muzikës, për mikun e tij më të ngushtë, për poetin e pasionuar, për krye parin e dikurshëm të fshatit dhe për deputetin e kohës së tranzicionit, për Kristaq Priftin.  Kristaqi përpos urtisë filozofike, kishte edhe një vokacion poetik, edhe një talent të rrallë në fushën e muzikës, po mbi të gjitha ai kishte një shpirt fisnik.

Te “Optika “përrallore” e një autori”, Nuriu shkruan për librin me përralla të Tashko Lakos,  “Fshati   në luginën mes maleve”. Nëpërmes këtyre përrallave, ai vëren, theksin që e ka vënë Tashko Lako në mendjemprehtësinë e fshatarëve përballë bejlerëve të ndryshëm, të cilët me zgjuarsinë e tyre ishin në gjendje  që “ta zbrisnin edhe mbretin nga kali”.     Kurse, me kompetencën e një njohësi të mirë edhe të letërsisë për fëmijë, Nuriu shkruan në esenë “Kthimi tek fëminia” për novelën e Leonidha Priftit “Rrëzë Apolonisë”. Përmes saj, ai thekson me të drejtë, si vlerat njohëse, ashtu edhe ato letrare-artistike të kësaj vepre, e cila është mjaft karakteristike në llojin e vet. Nuriu vëren se Leonidha Prifti i ka vënë ngjarjet në novelë në dy rrafshe: përmes veprimeve të të rriturve dhe përmes veprimeve të fëmijëve, të dhëna hera-herës nëpërmes retrospektivës, ku padyshim hyjnë edhe veprimet e përjetimet e vet autorit që nga fëmijëria e tij.

   Tek “Qeramika e vërtetë”, ai shkruan me shijen e një njohësi të hollë edhe për qeramikën, ndërsa tek eseja, “Midis daltës dhe penelit të një artisti”, ai shkruan me përkushtim e nderim të posaçëm për piktorin e skulptorin Shkëlqim Meçaj, i cili me punimet artistike të tij të befason këndshëm.

   Dhe, po me të njëjtin intuitë të mprehtë dhe me të njëjtin përkushtim dashamirës Nuriu shkruan edhe në esenë e fundit të këtij libri, “Të shugurosh vetveten” për artistin Ziso Musho. Ky skulptor portretist në dru, nëse na lejohet ta quajmë kështu, të befason me arritjet e tij. Ai ka bërë që shenjtorët: Shën Dhimitri, Shën Gjergji dhe Jezui, duke u lidhur në marrëdhënie shpirtërore me të, të marrin nëpërmjet dorës së tij të talentuar, “një regëtimë të thellë drite”, duke u veshur me një bukuri të rrallë e sublime.


Për fund


Esetë e Nuri Plakut në këtë libër prej 146 faqesh, trajtojnë një gamë të gjerë temash. Në tërë këtë material të bollshëm, ai e zbukuron frazën me një leksik të begatshëm e të zgjedhur. E laton atë si nga pikëpamje stilistike, ashtu edhe nga pikëpamja sintaksore. Pra ai  rri me latë në dorë që ta gdhend fjalën dhe ta ngjesh frazën nga të gjitha anët, që ajo të dalë sa më estetike dhe stilistikisht sa më e bukur, sa më e mbrujtur dhe sa më bindëse. Për të gjitha këto edhe tani, mbas pesë vjetësh botimi, “Qyteti pa statuja” i Nuri Plakut, më jep po ato ndjesi që më ka dhënë edhe në leximin e tij të parë, të sapo dalë nga shtypi.

__________

1. Dr. MOIKOM ZEQO:LIBRI ME TITULLIN KËLTHITËS “QYTETI PA STATUJA” – në formë të parathënies së këtij libri, faqe 6

2. Karl Grimberg në “Historia botërore dhe qytetërimi” – Libri I, faqe 19 (cituar sipas Nuri Plakut në këtë ese).

 



(Vota: 3 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora