E shtune, 03.05.2025, 08:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Agron Luka: Migjeni, Dokumente të pa shfrytëzuara ku fshihen disa të vërteta

E diele, 11.10.2009, 06:43 PM


Migjeni, Dokumente të pa shfrytëzuara ku fshihen disa të vërteta
 
Nga Agron Luka

Fondi “Dosja Migjeni” në Muzeun Historik të Shkodrës dhe familja e të ndjerit Gjovalin Luka konservojnë disa dokumente e materiale të pa publikuara dhe të pa shfrytëzuara deri më sot nga studiuesit, biografët, gjuhëtarët dhe kritika letrare. Gjovalin Luka, ka qenë autor i një përmbledhje dhe komentimi, “Migjeni, Vepra, Mbledhë dhe shpjegue nga Gjovalin Luka”, bot. NSHB, Tiranë, mars 1954. “Kritika letrare” e udhëzuar direkt nga diktatori Hoxha hodhi një lumë kritikash e akuzash për këtë botim duke e censuruar fillimisht dhe më pas duke e ndaluar dhe nxjerrë nga qarkullimi. Në vitin 2011, koinçidon 100-vjetori i lindjes së Migjenit, shkrimtarit të shquar të realizmit kritik shqiptar të gjysmës së parë të shek XX dhe i 90 vjetorit të lindjes së Gjovalin Lukës, njëri nga komentatorët seriozë të tij. Në këtë kuadër për të përkujtuar me realizëm veprën e Migjenit, kontributin shumë serioz të prindit tim, meritën e shkëlqyer të kritikut Arshi Pipa dhe kontributet e rëndësishme të shumë autorëve të tjerë, ne do të botojmë një libër të veçantë, ku do të hedhim poshtë me fakte manipulimet interpretative dhe ç’tjetërsimet që iu bënë veprës së Migjenit, do të hedhim poshtë me fakte e argumente edhe akuzat e shpifjet që u bënë ndaj Gjovalin Lukës, Arshi Pipës dhe disa studiuesve të tjerë të nderuar.
Nga kërkimet e mija në Muzeun Historik të Shkodrës dhe nga ato që ruajmë të trashëguara, po sjellim këtu vetëm një përmbledhje të thjeshtë nga këto dokumente. Zbërthimi dhe interpretimi i tyre tregon qartë për manipulime dhe fshehje të së vërtetës nga disa biografë, kritikë letrarë, gjuhëtarë dhe interpretë servilë të “realizmit socialist-enverist”.

Më 1936 botuesi Ismail Mal Osmani komunikonte direkt me letra me Migjenin

Dosja Nr. 3, dok. Nr. 179. Letër e botuesit dhe pronarit të Shtypshkonjës Gutenberg, Ismail Mal Osmani, drejtuar Migjenit, me dt. 5.V.1936.
Kjo letër hedh një dritë më ndryshe për disa realite të panjohura rreth botimit të vëllimit “Vargjet e Lira” më 1936, të cilat na ishin servirur me shtesa improvizime nga disa njohës e shokë të afërt të shkrimtarit në “Kujtimet” e tyre. Siç e shohim botuesi dhe pronari i shtypshkronjës Gutenberg komunikonte vetë direkt me Migjenin me letra, pa nevojën e disa personave të vetëshpallur si financues e ndërmjetësa...
Përsa i përket çeshtjes së gjuhës origjinale të shkrimtarit, e përfolur në mënyrë shumë tendencioze, rezulton se një pjesë e fillimit të prishjes së gjuhës origjinale e ka zanafillën nga një korrektues gjuhësor me dialekt toskërisht i shtypshkronjës. Ky ishte autori i parë i disa deformimeve të shumë trajtave origjinale të nëndialektit shkodran të gegnishtes, si psh, fjala “Përndim” te “Kangët e Përndimit”, “Kanga e Përndimit”, “Përndimi i diellit” etj, në trajtën origjiinale duhej të ishte “Prendimi”, “Kangët e Prendimit” etj. (Këtu “e-ja” është e hundore me shenjën diakritike sipër dhe grupi “nd” shqiptohet me vendosjen e gjuhës në dhëmbët nofullës së sipërme. Duhet të mbahet parasysh se kjo fjalë dhe trajta të tjera të ngjajshme përsëriten disa herë në poezitë e prozat e Migjenit.

“Parathania e Parathanieve” në botimin e vëllimit “Vargjet e Lira” 1936-tës dhe në gjuhën origjinale të Migjenit

Për të ilustruar dhe argumentuar më qartë për sa sipërthamë për fjalën Prendim, po sjellim një material më konkretisht. Familia e Gj. Lukës, krahas të tjerave, ruan edhe një kopje origjinale të daktilografuar të vitit 1936, të vjershës “Parathanja e Parathanjeve”. Kjo vjershë e hapte vëllimin “Vargjet e Lira” dhe përfaqësonte si të thuash edhe Parathanien e Migjenit, për të gjithë prodhimin e tij letrar në poezi dhe në prozë. (Shih bot. e vitit 1936, në f 7). Në ribotimin “Vargjet e Lira” më 1944, në kohën e regjimit të Regjencës, vjersha “Parathania e Parathanieve” dhe “Blasfemi” u censuruan dhe u hoqën nga botimi. Korrektuesi letrar tosk: fill qysh në hapje, te vargu 1, “Përditë përndojnë zotat” e kishte deformuar foljen në trajtën “përndojnë” e cila shkodranishte duhej të ishte “prendojnë” me e me shenjë diakritike hundore/nazale ê; Po, ky “korrektues” te vargu 14, “me mendue mbi një idhull”, në vend të fjalës origjinale kishte vendosur fjalën “ishull”! (Shih, botimin origjinal të vitit 1936, f 7, në kopjen origjinale. Bibl. e Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër ka një kopje origjinale me Nr. Inv. A/5716, K88; po ashtu shih, ribotimin, te rev. Bota e Re, Nr.3, shtator 1945, f 45, që ishte identik me botimin e 1936, me fjalët “përndojnë” dhe “ishull”.)
Kjo kopje, të cilën e sjellim këtu, u përdor nga Gj. Luka, në botimin e vitit 1954, në f 7, për të ndrequr trajtën “përndojnë zotat” në “prendojnë zotat” dhe në ndreqjen shumë të rëndësishme te vargu 14, me fjalën “idhull”. Deformimi i korrektuesit me fjalën “ishull” sillte si pasojë një përmbysje të plotë konceptuale e filozofike dhe e bënte krejtësisht të pakuptueshme. Ishin të paqëllimshme këto ndërhyrje të korrektuesit?! Skënder Luarasi, në botimin e 1957, f 60, nën “preteksin dhe kriterin e ruajtjes së gjuhës origjinale të autorit”, sipas botimit të 1936 e riktheu trajtën “përndojnë”, të cilën ia numëroi si gabim/zhalavitje gjuhësore Gjovalin Lukës, ndërsa nuk bëri zë fare për ndryshimin e ishullit në idhull nga Gj. Luka!
Duhet të vërejmë se A. Pipa e kishte vënë re këtë deformim dhe përçudnim te “përndojnë e Përndim” dhe qysh më 1944 e 1945, për shqiptimin dhe shkrimin përdorte trajtën korrekte shkodranishte, “prendojnë e Prendim, Kangët e Prendimit”, për më tepër më vonë edhe e shprehu me një shënim të veçantë. (Shih, A. Pipa, “Për Migjenin”, bot. 2006, f 19, 21, f 87, shën 26 etj, Ruajmë edhe botimet e kohës së A. Pipës)
Edhe Gj.Luka në komentimet e tia, në fund të çdo faqeje, gjithkund ku ishin këto fjalë, me vetëdije të plotë i shkruante me trajtën shkodranishte korrekte, sado që për hir të “kriterit të origjinalitetit” që e kishin imponuar jugorët, në teksin e Migjenit nuk i preku ato. Gj.Luka tek proza “Të korrunat”, që ishte shkruar me gjalljen e Migjenit, vuri re se ai kishte përdorur aty dy herë edhe një trajtë më të evoluar: “dielli perëndonte” dhe “flladi i lehtë i perëndimit”. Ne kemi një studim të plotë për rastin konkret dhe për të gjitha rastet e tjera. (bot. 1954, f 123)
Në Dosjen Migjeni, ka edhe një dorëshkrim origjinal të Migjenit të poezisë “Malli Rinuer”, ku vargu 1 e vargu 15, kanë trajtat origjinale “nga Prendimi/Prêndimi”, “Valët muzikore flutrojnë nga Prendimi” dhe “një tingull nga Prendimi”. (Shih në internet edhe A. Peçi. Sinjalizim i AC)
Në konkluzion, kjo do të thotë se ka ardhur koha që kjo trajta origjinale e dorëshkrimit të Migjenit te dorëshkrimi, siç edhe te kopja e daktilografuar, dhe realisht origjinale edhe e gjuhës së popullit të qytetit të tij të lindjes, të rivendoset në tekstin e Migjenit, kurse trajta përçudnuese e ish “korektuesit” të kalojë në shënimin sqarues poshtë. Nuk besoj se nga “monopoli i pronares” Angjelina Ceka Luarasi, prishet ndonjë gjë dhe se nuk ka ndonjë kundër argumentim që ta pengojë këtë rregullim më se të përligjur. (Shih riprodhimin fotografik)

Çështja e origjinës së largët etnike të paraardhësve të Migjenit

Ka qenë dhe është akoma edhe sot shumë e diskutueshme çeshtja e një origjine të largët sllavojugore të paraardhësve të largët të families së Migjenit. Në realitet çeshtja ishte ngatërruar edhe me një tendencë qëllimisht. Tjetër gjë ishin parardhësit e largët, në një zonë bilinguiste etj dhe tjetër gjë simboza, shqiptarizimi, pranimi dhe vetëdeklarimi nga babai Gjoko dhe i biri Milloshi/Migjeni i etnisë, i nacionalitetit dhe i nënshtetësisë shqiptare. Dhe realitetin ekzistues të shqiptarësisë së Migjenit asnjë autor shqiptar nuk e ka mohuar. Përfshirë edhe prof. A. Pipën mbi të cilin ishin hedhur plot vetëtima e rrufe.
Pretendimi për “zbulimin” se, gjyshi i Migjenit i quajtur Nikolla i ardhur nga fshati Reka i Dibrës së Madhe, aty nga fundi i shek XIX, e kishte mbiemrin gjenerik Dibrani dhe se me këtë vërtetohej e argumentohej edhe përkatësija etnike dhe nacionaliteti shqiptar, nuk qëndron kaq thjeshtë i vërtetuar, vetëm me këtë fjali!
Së pari, “zbulimi” i këtij mbiemri/patronimi nuk është shoqëruar me asnjë lloj dokumenti të gjendjes civile, të ndonjë regjistrimi kishëtar apo të ndonjë dokumenti pronësie hipoteke e kadastre, por thjeshtë është thënë direkt nga biografi Skënder Luarasi, madje pa iu referuar as edhe ndonjë kujtese gojore me dëshmitarë. Pra nuk kemi një zbulim të argumentuar, por një imponim.
Së dyti, në Shkodër dhe më gjërë me këtë mbiemërtesë quanin profesionin e muratorit, dhe të gjithë muratorët dibranë, maqellaras e gollobordas, pra ishte një mbiemërtesë profesioni dhe jo gjenerik. Nga ana tjetër trajta tradicionale, e ruajtur dhe e trashëguar e këtij mbiemri në Shkodër për familiet e hershme është Dibra.
Së treti, përse i ashtuquajturi “mbiemri gjenerik”, i trashiguar qysh nga shek XIX, brez pas brezi (edhe sikur të merrej si i tillë), nuk u ruajt, nuk u parapëlqye nga i biri Gjoko, e nga vazhdimësia e tij?! Ne dijmë se emri i gjyshit Nikolla u adoptua nga i biri Gjoko si mbiemër, siç ndodhte rëndom në Shqipëri e më gjërë aso kohe. Dhe në realitet mbiemri ka qenë Nikoliq dhe me këtë formë e ka njohur Shkodra bashkëkohore. Si do të shpjegohej fakti se Gjoko Dibrani u bë si Gjoko Nikoliq?! Unë mendoj thjeshtë, sepse Gjokoja që na quhet edhe si Gjergj, nuk ishte usta murator. Pak më vonë dihet se ndaj mbiemrave me iç/iq, filloi një trysni për eleminimin e këtyre prapashtesave me ndikime sllave, qoftë në familiet ortodokse, katolike por edhe mbi familiet myslimane me origjina podgoriçane, boshnjake, gorane etj. Duke e lënë me kaq këtë çeshtje, ne po sjellim një letër origjinale dorëshkrim me kaligrafinë e Migjenit, ku edhe ai vetë e mbante këtë mbiemër Nikoliq, Millosh Nikoliqi, biri i Gjoko Nikoliqit, në vitin 1932. Letra prej 4 faqesh ruhet në Dosjen Nr 10, nr. Dok. 243.


(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx