Kulturë
Baki Ymeri: Albina Idrizi në gjuhën rumune
E premte, 09.10.2009, 06:55 PM

Nga Baki Ymeri (Bukuresht)
Pas librave të një varg autorësh nga Kosova Lindore (Sabile Keçmezi-Basha, Nexhat Rexha, Miradije Ramiqi, Sabit Rrustemi, Ramadan Mehmeti, Fatmir F. Salihu, Hysen Këqiku, Sarë Gjergji), këto ditë e pa dritën e botimit në Bukuresht, romani i Albina Idrizit, Umbrele Turnurilor (Hija e Kullave). Libri del nën përkujdesjen e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë dhe redaksisë së revistes Albanezul/Shqiptari, duke patur për autor të përkthimit në gjuhën rumune Adriana dhe Sherban Tabakun. Kësaj vepre me vlera të mirëfillta letrare pasprin pasthënia e kritikut Marius Chelaru nga Moldova dhe një medalion estetik i Albert Zholit nga Shqipëria. Sipas autorit të pasthënies, „përmbysjet mbi hartën e botës të jetës së njerëzve nga rajone të ndryshme në shekullin e XX dhe fillim të shek. XXI kanë sjellë fenomene kulturo/letrare që tani na duken interesante. Fjala është për autorë që shkruajnë për një botë të (pa)njohur duke i dhënë Perëndimit një ajër të një misteri ekzotik. Shkruajnë për tradita, kultura të veçanta, ndonjëherë për drama proporcionesh të mëdha, krime barbare, luftëra të përgjakshme, duke e ruajtur atë që më në fund i jep bukuri romanit/ rrëfimit/ përrallës.” Letërsia shqiptare, sipas eseistit Qelaru, „i ka dhënë botës njërin nga prozatorët e më të mëdhenj të këtij mileniumi, Ismail Kadarenë, shqiptarin më të famshëm në botë. Ekziston ndërkaq, së paku te disa prozatorë shqiptarë, njëfarë lloj vlerësimi të një tjetër tipi „ekzotik” për lexuesin oksidental, të traditave, të krejt asaj që definon kultura dhe historia e popullit të tyre, një gërshetim i reales me fantastiken, me mitin dhe legjendën, me historinë. Fjala është për disa romane të Kadaresë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur duke i ruajtur proporcionet në rastin e krahasimeve tjera, siç është libri i Albina Idrizit.”
Hijet e Kullave është romani i parë i një autori kosovar që del në gjuhën rumune. Autorja flet për luftën e errët që zhvilluan forcat paramilitare serbe në Kosovë. Albina flet për një kolonel serb i pagëzuar nga të vetët, Çudia. Përndryshe, thekson autori i pasthënies, „njëri nga procedetë e përdorura nga autorja, jo me këmbëngulje, dhe as me dendësi, është kontrasti/ antiteza, qitja ballëpërballë e një fillimi me përshkrime të qeta, të disa emrave, disa qofshin vetëm dukshmërisht „të bukur”, që pastaj, gjatë kohës, çdo gjë të nuancohet me qartësi. Për shembull, njëri nga ushtarët që e patën pritur kolonelin në Kosovë, ishte Marko, i shquar „përmes raporteve të tij, apo më mirë thënë, përmes „trimërive”, „një djalë i bëshëm me një fytyrë të bukur e ca sy të butë me një kafe kadifeje si të një fëmije. Me ta parë të linte përshtypjen se kurrë s`kishte ngritur dorë mbi asnjeri. Por duke dëgjuar rrëfimet e tij, pas asaj fytyre të ëmbël fëmijërore koloneli njohu një bishë të pangopur. Një kontrast i egër ky që e bëri të rrënqethej”. Ai rrëfente se, „në shtëpinë e tij, në Sombor prej ku vinte, mbante varur në mur në një kornizë bronzi kopjen e Naçertania-s së famshme, (program për kolonizimin e tokave shqiptare më 1844), me të cilën mburrej para miqve që e vizitonin e edhe tani para ushtarëve”.

Libri flet për sulmet e NATO-s dhe luftërat e UÇK-së
Në fillim, ato që shihte dhe dëgjonte, e tmerronin („sulme, plaçkitje, dhunime, vrasje civilësh nëpër rrugë, nëpër shtëpi, tërë ajo që ai ia kishte më së shumti frikën, me një fjalë, lemeria vetë”). Lemeria e tij arrin kulmin kur një grup ushtarësh e shpiejnë në një shtëpi të braktisur kinse për ta „argëtuar”. Aty ai sheh të lidhura tri vajza të reja shqiptare, të lodhura e të trembura për vdekje: „ Ai nuk pa bukuri. Krejt ajo që po shihte ishte vuajtje, frikë, ankth, lutje”. Vendos të raportojë çdo gjë tek eprori i tij por tmerrohet akoma më shumë kur dëgjon ti thuhet si shkruan autorja, se „ai vend nuk meriton më të mirë se ata ushtarë. Vetëm ata mund t`u vinë hakesh atij populli të mallkuar”. Koloneli i nënshtrohet fatit të „ndëshkimit” të tij pa e kuptuar nga i vjen dhe përse. Në ditët që pasojnë „do të qante me lot duke lëshuar sa zë që kishte nëpër beteja apo aksione të ndryshme që do të ndërmerrte”, ndërsa „lotët që do të shoqëronin këto britma do të ishin lot dhembjeje për një qenie që dikur e kishte dashur e çmuar e që po jepte shpirt dalëngadalë brenda tij.” Asistonte pa fuqi në përdhunime, vrasje dhe mizoritë e ushtarëve të tij shpesh të shtyrë e të udhëhequr nga Marko.
Marius Chelaru potencon faktin se autorja u kushton më shumë faqe këtyre tmerreve dhe reagimit të vrullshëm të Zoranit. Pas inkursioneve (sulmeve) të këtilla qe dekoruar me „Urdhërin e lirisë”, që „i dukej si një gurrë varri me një epitaf të shkruar ku vërtetohej vdekja e Zoran Petroviqit. Asaj qenie të çmuar njerëzore e cila po ikte përgjithmonë nga vetja e tij”. Merr edhe një letër nga e shoqja së bashku me një këngë për njerun të cilën aq shumë e pëlqente dikur. Por „aty ku ishte ai nuk kishte njerëz. Kishte krijesa që vrisnin si përbindsha. Kishte krijesa që vriteshin si kafshë. Po njerëz, jo”. Rrëfimi, sipas autorit të pasthënies zhvillohet në kohë dhe hapsirë në më shumë plane. Kështu, psh. lexojmë faqe të ditarit të një gruaje shtatëzënë apo kujtime – koloneli e përkujton Dritanin, një student shqiptar, madje dhe vendet ku luftonte ai tani i kujtojnë bisedat me të për të shkuarën e stërlashtë të ilirëve dhe dardanëve, legjendat e tyre, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun etj. Libri flet për sulmet e NATO-s, për luftërat e UÇK-së, për një shtëpi/spital në të cilën ishin vendosur mënjanë femrat shqiptare ndërsa në anën tjetër ato serbe. Paraqitet pastaj një grua shurdhmemece, me barrë, të cilën koloneli e shpëton nga ushtarët, por vdes nga mungesa e mjekimit të duhur para se të lindë. Prej këtu libri merr, në njëfarë mënyre, tjetër kahje. Njihemi me tjera ngjarje. Petroviqi e gjen dhe e merr me vete një album dhe një fletore/ditar të gruas shurdhëmemece.
Fragmente nga teksti ta përkujtojnë, në platforma të ndryshme, edhe ditarin e Besa Salihut (Ndëshkimehyjnore, Bukuresht, 2009). Është ditari i një gruaje shqiptare të mbërthyer në karrocën e krimeve dhe urrejtjes së palës kundërshtare. Ëndrrat e saja për të ardhmen të cilat për fatin e keq të saj nuk arrijnë të realizohen. Duke lexuar mbi krimet serbe në Kosovë, të kryera pa vullnetin e tij, ndërgjegja e shtyp gjithnjë e më shumë, dhe... gjithçka degdiset në mjegull. Pastaj, ngjarje pas ngjarjeje, pason nënshkrimi i akordit të paqës ndërmjet NATO-s dhe Beogradit, tërheqja e trupave serbe nga Kosova, Marko bën vetëvrasje, disa ushtarë e shpëtojnë kolonelin nga vdekja – i kanosej rreziku të vritet nga njerëzit e tij ngase përmend emra shqiptarësh, rikthehen refugjatët (të cilët, thot koloneli, faktikisht „ as nuk janë larguar kurrë”). Ai vetë rikthehet në shtëpi, në Beograd, te gruaja dhe vajza e tij e cila tmerrohet kur e sheh në derë dhe e mbyll shpejt duke ikur, ngase „Para saj po qëndronte një njeri i çuditshëm me një shikim të humbur në sytë e pangjyrë”.
Një roman me një stil të thjeshtë dhe të bukur, plot figura, finesë dhe elegancë
Kjo mund të shpie në mundësinë e një interpretimi të shumëllojshëm. Një metaforë e bukur që e përgjason tekstin me një katedralë në konstrukcion të përjetshëm, gjithmonë e perfeksionuar, secili lektor duke e rikonstruktuar sipas dëshirës së tij. Dhe mu për këtë është aq vështirë të kërkojmë kuptimet që janë më të afërta me të „vërtetën”, në atë që ne e quajmë „histori”. Kush mund ta dijë se ku gjendet „e vërteta” në çdo luftë? Cila është „e vërteta për Dritanin dhe njerëzit e tij, apo për gruan shurdhëmemece, për Markon, për Zoranin dhe Marinën e tij? Marius Qelaru konkludon se Albina Idrizi shkruan duke na dhuruar shansin që njerëzit, në çdo „tabor” që të jenë, të kenë edhe zgjidhje tjera për të bërë në një mënyrë të atillë që bota të bëhet më e mirë. Libri mban në thelb, jo urrejtjen apo refuzimin, por përkundrazi, mesazhin e paqes dhe të besimit ndaj njeriut dhe njerëzimit.
Sipas Albert Zholit, kemi përpara një roman me një stil të thjeshtë por të bukur, plot figura dhe finesë, elegancë. Ku askush nuk mund ta besoj që nje femër kosovare, një shkrimtare me kurajo të përcjell tek lexuesi një panoramë lufte ndryshe, jo me fytyrën e dhunës, urrejtjes, shpërfytyrimit, egërisë, zjarrit, zhdukjes. Në atë mori armiqsh të tillë, të kategorise më të ulët të rracës njerëzore, ka dhe zemra po kaq të dhimbsura. Ku dhuna, përdhunimi ishte kryefjala e jetës ditore kishte ushtarë dhe oficerë me grada nga ushtria serbe që e urrenin luftën, s’donin farën e vdekjes, s’donin bomba, topa, tanke, jetë njerëzish të humbur. Albina, sipas Albertit, ka shkruajtur me ndjeshmëri nëne. Nënat janë të parat që e urrrejnë luftën. Pasi luftërat janë koha kur etërit varrosin djemtë, paqja koha kur fëmijët varrosin prindërit. Ndaj dhe nënat në kënd të botës thërrasin paqen. Paqe! Ky është mesazhi i romanit “Hijet e Kullave”, Janë fjalët më të bukura që duhet të shndrisin në qiellin e kaltër të gjithësisë.
Komentoni
Artikuj te tjere
Nesër në Zym të Hasit, Mbahet edicioni i 38-të i “Takimeve të Gjeçovit”
Halit Bogaj: Kryevepra e kinematografisë botërore - Shkoi me furtunën
Vangjush Ziko: Poeti
Suzana Kuqi: Peisazh mbrëmje
Agron Tufa: Mbijetesa e poezisë
Engjëll Koliqi - Vjersha të 12 shtatorit 2009 - Poesie
Poezi nga Kalosh Çeliku
Marius Chelaru: Mesazh për një botë nën rrezet e dashurisë
Poezi nga Ylli M. Dilo
Poezi nga Luan Çipi
Dhurata Hamzai: Agim Sulaj, profili i munguar në atdhe
Admirina Peçi: Zbulohet dorëshkrimi i rrallë i At Gjergj Fishtës
Agron Gjekmarkaj: Ismail Kadare sipas "Hartës së thesarit"
Jani Dilo: Koha për ndryshim
Leon Z. Lekaj: Kurthi i urrejtjes
Duro Mustafaj: Poezia, burimi i shpirtit të tij
Kujtim Agalliu: T'i ndaj apo t'i bashkoj
Halit Bogaj: Filmi “Kufomat”, i regjisorit Luan Kryziu
Blerim Rrecaj: Gjurmë kohe dhe shtresim stresi dhe jo vetëm kaq...
Engjëll Koliqi - Vjersha të 11 shtatorit 2009 - Poesie del 11 settembre 2009