E diele, 28.04.2024, 01:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Agron Gjekmarkaj: Ismail Kadare sipas "Hartës së thesarit"

E merkure, 07.10.2009, 07:35 PM


Ismail Kadare sipas "Hartës së thesarit"

Nga Agron Gjekmarkaj*

Ka një ngjashmëri mes shkrimtarit dhe lexuesit për sa i përket mënyrës se si ata e mendojnë njëri-tjetrin: nga njëra anë lexuesi ka një joshje të përhershme për të kuptuar të fshehtën e shkrimtarit, ose më saktë sekretin e shkrimit të veprës, nga ana tjetër shkrimtari ka joshjen për të zbuluar mënyrën se si lexuesi e deshifron veprën e tij. Si lexuesi i parë i veprës së vet, ai ndjen më shumë dhimbje për atë që nuk ka mundur ta thotë dhe kështu shkruan një libër për mundësinë dhe pamundësinë e shkrimit. Gjuha shfaq limitet e saj, por njëkohësisht mundësitë e pafundme të shprehjes.Pengu i kësaj parathënieje për një libër si "Ftesë në studio", qëndron te dëshira për të përshkruar atë që Ismail Kadare nuk e ka përshkruar as për së dyti tek ky "libër i librave", peng për të përgjuar e shënjuar shtegtimin e dyfishtë të mungesave ose heshtjeve të tij.
Sepse shtegtimet e mungesave dhe të heshtjeve janë së pari të gjuhës. Tek gjuha është së pari i mishëruar pengu i të pathënave dhe i pamundësisë për të thënë. Ndalesë e dyfishtë që prek njëheri limitet e një gjuhe njerëzore dhe limitet e një lirie njerëzore, asaj të prekshmes, që rrezikojmë të na e marrin apo ta bjerrim vetë çdo ditë. Te shqipja kryqëzohen pragjet dhe pengjet e të dyja këtyre lirive dhe limiteve.  
Kadare, si shkrues i shqipes përballet që herët me një nyjëtim të tillë. Ndonëse historinë e shkrimit ai e lidh me mitologjinë, në rastin e shqipes, nga ngulja e dhëmbëve të Kadmosit, lind së pari një formulë e shenjtë, e cila rreket të shpëtojë qytetërimin e krishterë në rrezik. Jo rastësisht, bash aty, në principatën e kryezotit, Ipeshkvi Pal Engjëlli mundëson një pagëzim të dyfishtë, atë të një njeriu dhe të një gjuhe: "uhte'paghesont peremetit Atit et Birit et Spertit senit". Me të merr udhë shqipja e shkruar, shqipja e shkrimtarit Ismail Kadare. Gjuha dhe kultura shqipe ngjizeshin kështu me këtë pagëzim. Këtë të vërtetë ai e thotë drejtpërsëdrejti ndonëse ishte ende pranverë 1990. Shkrimtari është paralajmërues "feja do vërtitej pa pushim rrotull Shqipërisë për t'u rikthyer prapë atje", për ta fituar sfidën me të [regjimin] jo vetëm ideologjikisht, por edhe për të ushqyer gjuhën apo shëruar trurin e kombit që nën trysninë e pushtimeve dhe diktaturave ishte topitur. Sepse tirania ideologjike është edhe tirani ndaj gjuhës. Trishtimi i kambanave të vetmuara "që ndihen gjithnjë e më rrallë në rrafshultë" është trishtimi i tij, sepse zbehja e tyre do të thotë sa më pak sivëllezër me zhgun dhe më shumë "çibanë" të formës "llëk" në prapashtesat e shqipes, më shumë irnosje në rroba e veshje, zvargie dhe damllosje të muzikës, largim të Evropës nga Shqipëria  duke ia vështirësuar rrugën shkrimtarit, duke ia shtuar atij vetminë.
"Ftesë në studio" si pak libra shpjegon jo vetëm veprën e së kaluarës, jo vetëm atë që e pason në të ardhmen, por edhe sjelljen e shkrimtarit, në të ardhmen e vet, që është e tashmja jonë, sot. Mjafton të kujtojmë polemikat që kanë trazuar më së shumti shoqërinë shqiptare, protagonist i të cilave, Kadare, është si në rastin më të fundit për Skënderbeun, apo debati pak më i hershem për identitetin evropian të shqiptarëve duke ndjekur Bogdanin "që rrezikon t'i vërë supet botës që po shembet". Sot, pas 20 vitesh, po ne, lexuesit e atëhershëm zbulojmë vetëm tani, dhe vetëm për fajin tonë, se libri hapet dhe mbyllet me citimin e tregimit të një shkrimtari të ndaluar e të panjohur prej nesh.
Kjo është prova e leximit që na shpie tek Ernest Koliqi. Kur "Ftesë në studio", në 30 mijë kopje, hyri në bibliotekat shqiptare, u lexua me vëmendje dhe ankth! Mijëra lexues mëtonin të rroknin alegoritë e radhës: si do shfaqej alegoria, në ç'raport qe shkrimtari me gjuhën, me paraardhësit, me krejt letërsinë, me pushtetin, se ç'do të bënte "me maskën që nuk rri [më] në fytyrën e tiranit", ç'pakt kish bërë me Parisin?
Me provën e sotme, shohim se si disa vepra që ai i paraqet si tharme apo projekte tashmë janë realizuar. Gjatë leximit kuptojmë që gjendemi përballë një "Harte piratësh në kërkim të thesarit" të kamufluar nga dëshira për të shkruar një libër, ku flitet "për asgjë dhe gjithçka".
Si çdo hartë edhe "ftesa" ka legjendën e vet, apo piketat nëpërmjet të cilave ndërtojmë kodin. Ato janë gjuha, vendi dhe koha. Këto janë tri sinjalet që të çojnë tek thesari. Sepse Kadare mbetet shkrimtar edhe kur shpjegon.
Ai përpiqet të shpjegojë çfarë i ka mbetur pa thënë dhe simbolikisht zgjedh Bogdanin dhe Poradecin, njëri përfaqësuesi më në zë i letërsisë së vjetër katolike, udhëheqës shpirtëror e madje edhe ushtarak i popullit tij kundër sundimit osman dhe tjetri përfaqësues i letërsisë moderne shqiptare, i cili ishte mbështjellë me harresë gjatë komunizmit.
Poradeci, një njeri që nuk e tha kurrë deri në fund ç'donte të thoshte, limitin e gjuhës e mishëroi si individ. Në këtë hartë Kadare nuk harron të na shënjojë paraardhësit e vet letrarë, ata janë edhe gjuhë, edhe vend, edhe kohë. E nis me Bogdanin, për të mbërritur tek Konica, Noli, Koliqi, Kruja e Poradeci. Mungon Fishta. Më vonë, me një nxënës të Fishtës, At Zef Pllumin, tashmë të thyer në moshë, shkrimtari në pamundësi të Bogdanit dhe Fishtës, raportin e privilegjuar do ta ndërtonte me të, gati si solidaritet armësh, si luftëtarë të një llogoreje. Edhe kjo është një provë leximi.
Kosovën e sheh mes Bogdanit dhe Rugovës. Janë vitet kur lëvizja kosovare po hyn në shtigje të reja dhe "ora e zbulimit të fajit do të bjerë", dhe "ajo do të jetë ora e provës së madhe për të dy kombet". Pavarësia e Kosovës ishte diku në gjykimet e tij. Për mënyrën se si Kadare e trajton këtë shqetësim, jo pak herë ka marrë mbi vete etiketën e shkrimtarit nacionalist, epitet që lidhet edhe me fatin e veprës së vet, sot e dimë, edhe me "Ftesë në studio". Edhe kjo është një provë leximi.
Në botimin e parë të pranverës së vitit 1990, në një poezi tashmë të hequr nga botimet e mëvonshme, diku thotë "Vuaj nga mosthënia, nga pengu tragjik, do t'ju bëj një shenjë dhe do të ik". Vetë libri është një shenjë. Vetëm tani del prej mjegullës së alegorisë, pakti i kthjellë me Parisin. Ky qytet nuk është më vetëm vend, por bëhet kohë dhe ligjërim i letërsisë së tij të mëpasme. Edhe kjo është një provë leximi.
Ende sot e kemi të vështirë të kuptojmë se si ndihet vetë Kadare përballë "Ftesës", kur jemi mësuar të na "hiqet" i ftohtë me përbindëshin, i nxehur me gjeneralin, dantesk me nëpunësin, dyshues me të gjithë këta. Shkrimtari e josh lexuesin dhe fut në kurthin e leximit sipas tij. Tek "Kronikë në gur" janë disa plaka me dylbi dhe lexuesi që vazhdon t'i qepet kronikës, pas "Ftesës" duhet të jetë i përgatitur që ato dylbi tani në dorë i ka marrë shkrimtari, nga ku na vrojton të gjithëve në mënyrën e tij.
Një prej çudive të kësaj vepre është tundimi ballë të cilit gjendemi, duke hamendësuar shumësinë e "parathënieve" që vetë kjo "Ftesë në studio" na fton të shkruajmë. Ja disa gjegjje "në tentativë":
1. "Ftesë në studio" si libër që e zhvesh shkrimtarin nga sekretet.
2. "Në ndërgjegjen e shkrimtarit ka përherë zhvendosje" a mos vallë "Ftesa" është vetëm pjesë e kësaj zhvendosje, është vetëm një projekt me bukuri mashtruese për të arritur tek një sivëlla përmbyllës  i "Ftesës", kush do të jetë më i vërtetë?;
3. "Ftesë në Studio" është edhe libri i parë në Shqipërinë Komuniste për Lasgush Poradecin; i parë dyfish, për Shqipërinë dhe vetë autorin e "Ikjes së shtergut";
4. "Ftesa" është një akt i pastër kundërshtie, shkrimtari ka mposhtur censurën e gjuhës…….!
E përfshirë në serinë e veprës së plotë, fill pas teksteve fiksionale, ky tekst, shfaqet si një vepër në kapërcyell, e çuditshme, ose më saktë "një vepër shtatzënë", me vepra dhe lexime të tjera, ende të pa hasura më parë…
Dylbitë janë shtënë sërish në punë. Ndjehet aroma e kafesë të sapopjekur. Tharmi është tek "Ftesa".

*Parathënie e librit "Ftesë në studio" e cila botohet brenda veprës së plotë të shkrimtarit Ismail Kadare.


(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora