E diele, 28.04.2024, 01:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Agron Duro: Fjalët e huaja dhe gjuha shqipe

E hene, 05.10.2009, 06:29 PM


Fjalët e huaja dhe gjuha shqipe

Terminologjia, si kryeporta e hyrjes së leksikut të huaj në shqipen standarde

Nga Prof. Agron Duro*

Fjalët e huaja kanë hyrë në gjuhën shqipe në rrjedhë të kohërave deri në ditët e sotme me veçoritë e tyre specifike në dy pjesë kryesore të leksikut: në leksikun e përgjithshëm dhe në atë terminologjik. Në leksikun e përgjithshëm ato janë futur në kushtet e kontakteve qindravjeçare të drejtpërdrejta të shqipes me gjuhët e pushtuesve ose të fqinjëve, duke u përzier me leksikun vendës e duke formuar, sipas gjuhës hyrëse, shtresa të ndryshme leksikore, si, latinizmat (gjatë 500 vjet të pushtimit romak), greqizmat (nga fqinjësia e përhershme me popullsinë greke), sllavizmat 3 shekuj (shekulli 5 deri në shekullin 8) dhe turqizmat (rreth 500 vjet të pushtimit turk). Në leksikun terminologjik, në kushtet e kontakteve përgjithësisht jo të drejtpërdrejta e më rrallë të drejtpërdrejta me gjuhët e huaja janë formuar në kohët e vona (dy shekujt e fundit) në periferi të leksikut shtresime të tilla, si, italizmat, francesizmat, anglicizmat (anglezizmat) e më rrallë rusizmat e gjermanizmat.

Shtresëzimet

Për shtresimet e huaja të leksikut të përgjithshëm ky proces ka vijuar për qindra a mijëra vjet deri në fundin e shekullit të 19-të, si rrjedhojë e të cilit pjesa më e madhe historikisht e huaj ndihet a perceptohet si shqipe (si, p.sh., edhe ato fjalë, të cilave nga forma mund t‘u zbulohet origjina: xhep, çarçaf, daulle (turq.), çekiç, çudit (sll.), kurse, për shtresimet e leksikut terminologjik procesi në fjalë është kryer për një kohë relativisht të shkurtër (rreth mbi njëqind vjet deri në ditët e sotme çka lidhet me formimin e gjuhës së shkencës e të teknikës gjatë kësaj kohe. Kjo ka bërë që në to të ndihet (perceptohet) pak a shumë prejardhja e huaj dhe të mund të përcaktohet origjina e tyre: bankë, karrocë (it.), byro, depo (fr.), sport, futboll (ang.).

Në kohë afërsisht të barabarta, qysh nga fundi i shekullit të 19-të, sidomos nga fillimi i shekullit të 20të, procesi i hyrjes në shqipe kryesisht të fjalëve nga italishtja, frëngjishtja dhe anglishtja, të cilat kanë funksionuar si terma, ka përfshirë pothuajse plotësisht leksikun libror dhe, në mënyrë të veçantë, atë pjesë të tij që lidhej me terminologjitë e fushave të ndryshme të dijes, duke filluar qysh nga formimi në zanafillë i këtyre terminologjive ( në fushat bazë të tyre, si p.sh, matematika, gjeometria, gjeografia, etj.) e deri më sot, kur ato paraqiten të kristalizuara dhe të formësuara përfundimisht si sisteme të qëndrueshme e homogjene.

Në krahasim me huazimet e leksikut të përgjithshëm, tashmë të ngulitura në gjuhë dhe që bëjnë jetë të përbashkët me leksikun vendës, huazimet e terminologjive, si emërtime të gjuhës së shkencës dhe të teknikës, të grupuara në qindra fusha dije, vijojnë të hyjnë në sasi të mëdha në gjuhë, sidomos sot, nën ndikimin e shfaqjes së pandërprerë të koncepteve, të lidhura me zhvillimin e shkencës dhe të teknologjive moderne, me përdorimin e objekteve të sofistikuara të industrive të reja ( të kompjuterit, të celularit e të çdo pajisje a makine tjetër elektronike). Një pjesë e termave të huaj nguliten si të vetëm, si elemente të nevojshme të sistemeve terminologjike(sidomos sot: harduer, softuer, tastierë, monitor), një pjesë tjetër funksionon në kushtet e konkurrencës me termat barasvlerës shqip (krahas dimension edhe përmasë, krahas maus edhe mi), kurse një pjesë nuk gjen vend në këto sisteme, për shkak se lëvruesit e terminologjisë, specialistë a gjuhëtarë, kanë gjetur ose kanë formuar barasvlerës të përshtatshëm për ta (inf. :ruaj, përpunoj, kujtesë).

Kufizimet

Kufizueshmëria e hyrjes së leksikut të huaj në leksikun e përgjithshëm qysh nga fundi i shekullit të 19-të dhe intensifikimi i depërtimit të tij në leksikun terminologjik, pas kësaj periudhe e deri më sot, ka bërë që pesha specifike e huazimit të zhvendoset nga qendra në periferi të gjuhës, çka e ka shndërruar terminologjinë në portën kryesore të hyrjes së leksikut të huaj. Kjo situatë problematike për terminologjinë është ndier fort qysh nga rilindësit, të cilët duke punuar për hartimin e teksteve shkollore, ndonëse të nivelit të ulët shkencor-teknik, janë ndeshur ballë për ballë me termat e huaj, që shërbenin si shënues të koncepteve të fushave bazë të shkencës si të matematikës (aritmetikës), të gjeometrisë të anatomisë (N. Frashëri), të gjuhësisë e të gjeografisë (S. Frashëri),. Për kapërcimin e kësaj situate ata gjithnjë, krahas futjes në tekstet mësimore të fjalorëve (termave) të huaj janë përpjekur që të krijonin a të gjenin për ta mundësisht sa më shumë barasvlerës shqip, çka ndihmonte për t‘i kuptuar sa më lehtë dijenitë shkencore, në kushtet edhe të padijes që ekzistonte në atë kohë në vendin tonë. Më tej dijetarë të tjerë janë përballur me termat e huaj për nivelin e shkollës unike e të mesme, si psikologji, pedagogji (A. Xhuvani), letërsi (L. Gurakuqi), teknikë (M. Logoreci) etj. Merita e rilindësve dhe e pasuesve të tyre është se ata, duke punuar për lëvrimin e terminologjive bazë u orientuan kaq shumë pas shqipërimit të termave të huaj, saqë krijuan edhe sisteme termash vetjakë shqip për fusha të caktuara, ndër të cilët mund të përmendim sidomos dijetarin arbëresh Dh. Kamarda për fushën e gjeografisë. Një pjesë e shqipërimeve që ata krijuan nuk i qëndruan kohës dhe u zëvendësuan përsëri nga termat e huaj (si dhe shkronjë me gjeografi, shkronjëtore me gramatikë). Duhet nënvizuar në mënyrë të veçantë se në fushën e terminologjisë rilindësit dhanë shembullin se kundër termave të huaj duhet luftuar në mënyrë ballësore. Me punën që u bë më vonë në luftën kundër termave të huaj u arrit që terminologjia e shkencave bazë në shqipe të vihej mbi themele autoktone.

Me zhvillimin në gjerësi e në thellësi të shkencave dhe të teknologjisë në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar fushat e dijes u shtuan dhe u diferencuan kaq shumë, saqë plotësimi i tyre me terma mund të bëhej në radhë të parë përmes termave të huaj, të cilët vërshuan në masë të madhe sidomos në tekstet mësimore të shkollave të larta, si edhe në dokumentet shkencore e teknike, në doracakët e të gjitha llojeve e deri në thjeshtligjërim. Megjithatë mbështetja mbi një politikë gjuhësore të drejtë në fushën e terminologjisë në vendin tonë , duke zbatuar orientimin bazë të kësaj politike se ndërhyrja e shoqërisë në terminologji është e domosdoshme dhe e mundshme, çoi në krijimin e komisioneve e të organizmave përkatëse për ndjekjen e saj. Kjo dha mundësi t‘u vihej ledh një pjesë të termave të huaj nëpërmjet termave shqip si zëvendësues të tyre të cilat u pasqyruan në fjalorët e shumtë të llojeve të ndryshme, si shpjegues-gjuhësorë, terminologjike, mësimore e përkthimorë. Kjo situatë u mbars me një kontradiktë të thellë, që vihet re edhe në ditët tona, ndërmjet krijimit të një sasie të madhe termash shqip, të pasqyruar në fjalorët e përgatitur nga gjuhëtarë e specialistë, të hartuar mbi bazën e parimeve e kritereve të rrepta shkencore dhe përdorimit të kufizuar të tyre në tekste mësimore, dokumente teknike dhe në praktikën ligjërimore. Termat e huaj kanë mbizotëruar dhe mbizotërojnë edhe sot sidomos në tekstet mësimore të shkollave të larta. Mund të vërehet gjithashtu se në fushat themelore të dijes (matematikë, gjeometri, fizikë, kimi) mbizotërojnë termat me bazë shqipe, kurse në fushat speciale takohen me tepri termat e huaj. Ndërsa për italianizmat e francesizmat në fushën e terminologjisë mund të pohohet se janë arritur rezultate nëpërmjet shqipërimeve të mundshme, çka ka çuar në uljen relative të numrit të tyre, për anglicizmat terma mund të pranohet pa mëdyshje se ata po pushtojnë pothuajse të gjitha fushat e dijes, por edhe po futen thellë në gjuhë, duke depërtuar edhe në zonën librore (masmedia, publicistikë) e deri në thjeshtligjërim, ku dëgjohen në të folurit edhe të njerëzve të zakonshëm terma të përdorur si fjalë nga fusha e informatikës: klikoj, tastierë, maus, monitor etj. Termat përdoren madje deri në kuptime figurative, siç mund të takohen si të tillë: bunker, format, klon, pingpong, në kontekste nga më të ndryshme, si: bunker (nga usht.) në: ‘Shqipja në bunker"(M.Elezi); format (nga inform.) dhe i klonuar (nga gjenet.) në ....formati me famë botërore Big Brother është klonuar pastaj në rreth 60 vende të botës" (Gazeta "Shqip"); pingpong në: "Një pingpong ndërmjet forcave politike" (TV). Zbritja e termave të huaj, sidomos e termave me burim nga anglishtja, në qendër të gjuhës dhe aktivizimi i tyre në ligjërimin e zakonshëm krijon një situatë problematike, sepse u jep atyre të drejtën për t‘u përdorur në kushte të barabarta me fjalët shqipe, çka bën që të rrënjosen në gjuhë dhe të mund të mos dalin më prej andej.

Vërshimi i termave

Duke pasur parasysh masën e madhe të vërshimit të termave me burim nga anglishtja në shqipe, mund të thuhet se anglicizmat terma po e zgjerojnë nga dita në ditë portën e hyrjes së termave të huaj në gjuhën standarde në të gjitha nivelet e ligjërimit. Meqë pjesa më e madhe e elementeve të huaja që hyjnë përmes kësaj porte janë pak a shumë të afërta nga forma dhe përbëjnë modele të përbashkëta nga përmbajtja edhe për gjuhët e tjera (kompjuter, monitor, display), atëherë këto elemente shërbejnë si porta hyrjeje edhe për gjuhë të tjera. Si një rrymë e përbashkët që kalojnë nëpër to, në mënyrë të veçantë termat anglezë, si ndërkombëtare në pjesën më të madhe të tyre, i shndërrojnë këto porta në enë komunikuese me masën e përbashkët qarkulluese (termat të huaj për secilën prej tyre). Terminologjia shqipe, duke u futur në këtë rrymë të përbashkët, duhet ta orientojë lëvizjen e kahun e rrjedhës së saj sipas kësaj rryme, të përbashkët edhe për gjuhët e tjera, sidomos atyre që shërbejnë në fushën e terminologjisë si gjedhe standardizimi e kodifikimi si anglishtja, frëngjishtja, italishtja, gjermanishtja, spanjishtja e rusishtja. Në këtë rrjedhë duhet futur edhe terminologjia shqipe e përdorur në treva të tjera shqipfolëse si në Kosovë dhe në Maqedoni. Kjo do të thotë se shumë probleme të terminologjisë shqipe duhen shtruar e zgjedhur në kuadrin e problematikës së përbashkët edhe të gjuhëve të tjera të botës, të vendeve të mëdha apo të vogla. Kjo i jep një orientim të ri vlerësimit e rivlerësimit të termave të huaj në shqipe, qëndrimit ndaj tyre, vendit të tyre në raport me termat e shqipëruar që konkurrojnë me to duke përshtatur ndaj tyre një politikë gjuhësore më të liberalizuar sa më parë. Ky orientim i ri i politikës gjuhësore për terminologjinë e huaj në shqipe lidhet edhe me realizimin e qëllimit të afërt të futjes së Shqipërisë në BE, ku gjuha shqipe në këtë rast do të luajë rolin që i takon me ngritjen e saj në nivelin e marrjes së statusit të një gjuhe të BE-së. Një ndër shtytësit e rëndësishëm të ngritjes së shqipes standarde në nivelin e gjuhëve të tjera të BE-së do të jetë edhe terminologjia e saj, e cila me njësitë e përbashkëta (ndërkombëtare) të përmbajtjes (të koncepteve shkencore-teknike) dhe vetjake (kombëtare) të shprehjes, të termave do ta sjell më afër shqipen me gjuhët e tjera të Europës. Sigurisht, ndërmjet këtyre njësive të shprehjes (të termave), termat e huaj, sidomos ato ndërkombëtare si fond i përbashkët gjuhësor-kulturor, do të jenë mishërimi i idesë së globalizmit kulturor në fushë të gjuhës.

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë


(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora