E shtune, 27.04.2024, 07:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Shtëpisë së lindjes së Ismail Kadaresë i jepet dora e fundit

E hene, 05.10.2009, 06:18 PM


Nga Bledar Shehu, Korrieri

Projekti për kthimin në identitet të shtëpisë së gurtë në qytetin e Gjirokastrës në cilën ka lindur shkrimtari Ismail Kadare është përfshirë në masterplanin restaurues të UNESCO-s, që po zbatohet aktualisht në qytetin e gurtë. Faza e dytë e punimeve për kthimin në identitet të kësaj banese të gurtë kap një vlerë financimi prej 8.4 milionë lekësh. Sipas përfaqësuesve të firmës restauruese, kjo pjesë e projektit synon përfundimin e punimeve restauruese në këtë banesë të gurtë, duke i dhënë asaj profilin e veçantë arkitektonik dhe ndërtimor. Gjatë viteve të fundit, në shtëpinë e gurtë të Kadaresë janë realizuar një sërë restaurimesh të rëndësishme, si pjesë e projektit për kthimin e saj në identitet. “Projekti i rikonstruksionit të banesës së Ismail Kadaresë është realizuar pas një studimi profesional, duke parë objektin në vend, duke shfrytëzuar dokumentacionin fotografik dhe skicor, ndërkohë që janë marrë edhe mendimet e familjarëve dhe miqve të familjes Kadare, duke iu afruar në maksimum gjendjes që ka pasur ky monument para djegies”, thonë specialistët e monumenteve të kulturës. Sipas tyre, nëpërmjet zbatimit të fazave të veçanta të këtij projekti, synohet një rikonstruksion hipotetik i shtëpisë së gurtë, përshkrimi i së cilës zë një vend të veçantë në veprën letrare të Kadaresë dhe veçanërisht në krijimet e tij që e marrin subjektin nga Gjirokastra e gurtë. Sipas hartuesve të projektit, në dosje përfshihen tri planimetritë, në të cilat kanë kaluar fazat e ndërtimit të kësaj shtëpie. “Duke gjykuar fazat mbi të cilat ka kaluar ndërtimi i banesës, ne kemi bërë projektin e rikonstruksionit, i cili merr parasysh fazat e rëndësishme që ka kaluar kjo banesë, duke i rikthyer pamjen dhe fizionominë që ka pasur shtëpia e gurtë”, shpjegojnë specialistët e monumenteve të kulturës. Gjatë fazave të zbatimit të këtij projekti është realizuar restaurimi i ambienteve, duke u qëndruar besnikë elementeve të restaurimit që ka pasur banesa në gjendjen e saj fillestare. Gjatë këtyre fazave është realizuar restaurimi i ambienteve të tilla, si stera e shtëpisë, rikonstruksioni i katit të parë dhe të dytë, mjediseve të jashtme të banesës etj. Ndërkohë, edhe Kadareja është njohur me projektin e restaurimit të banesës së gurtë, duke dhënë edhe opinionin e vet për maketin dhe skicat e projektit. “Gjatë vizitave që Kadareja ka realizuar në Gjirokastër dhe duke parë nga afër ecurinë e punimeve për restaurimin e banesës, ka shprehur kënaqësinë e tij për zbatimin e këtij projekti”, thonë specialistët e monumenteve të kulturës. Gjatë procesit të restaurimit, grupi i specialistëve është mbështetur në kriteret shkencore dhe profesionale në lidhje me zbatimin e projekteve të këtij lloji. Për t’i qëndruar besnikë arkitekturës origjinale të banesës, specialistët e monumenteve të kulturës kanë mbledhur fotografi të vjetra të objektit, skicime që janë bërë përpara 35 vitesh, të dhënat dhe sondazhin për gjendjen reale të monumentit, duke arritur në pamjen origjinale të shtëpisë. Ndërkohë që faza e restaurimit që pritet të nisë së shpejti, do t’i japë dorën e fundit banesës së gurtë. Sipas specialistëve të monumenteve të kulturës, ky investim i këtij viti parashikon përfundimin e plotë të kthimit në identitet të kësaj banese interesante dhe më vlera arkitektonike për Gjirokastrën. Si pjesë e këtij projekti parashikohet të restaurohet edhe galeria e gurtë me arkadë në pjesën jugore të banesës, e cila zë një vend të veçantë në përshkrimin që Kadareja i bën shtëpisë së tij të lindjes në faqet e romanit “Kronikë në gur”. Ndërkohë, sipas specialistëve, zbatimi i këtij projekti në banesën e Kadaresë nuk synon vetëm restaurimin e shtëpisë ku lindi shkrimtari, por edhe kthimin e saj në një qendër kulturore shumëfunksionale. Falë këtyre ndërhyrjeve restauruese, shtëpia e gurtë në lagjen “Palorto”, e cila u dogj aksidentalisht në nëntor të vitit 1999, pritet të kthehet në një qendër të rëndësishme si për nxitjen e turizmit, ashtu edhe për profilin kulturor të saj. Tashmë ky objekt vazhdon të tërheqë gjithmonë e më shumë interesimin e grupeve të turistëve që mbërrijnë në Gjirokastër, të cilët kanë kërshërinë të shohin nga afër shtëpinë e lindjes së korifeut të letrave shqipe, Ismail Kadare. Ndërkohë, rivendosja në funksion e banesës së gurtë pas përfundimit të projekti restaurues do ta kthente atë në një qendër të rëndësishme kulturore jo vetëm për zhvillimet kombëtare, por edhe më gjerë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora