E merkure, 01.05.2024, 01:05 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Ukaj: Romani Passio i Anton Gojcajt

E diele, 04.10.2009, 01:38 PM


Romani Passio i Anton Gojcajt

Nga Ndue Ukaj

Një studiues i madh frankofon, Tvetan Todorov, në librin Letërsia në rrezik, ndër të tjera shkruan se “si filozofia dhe shkencat humane, letërsia është mendim dhe njohje e botës psikike dhe shoqërore në të cilën jetojmë”. Duke qenë e tillë, letërsia bëhet fusha më e veçantë e komunikimit njerëzor, sepse vepra letrare vjen nga shpirti dhe ka destinim shpirtin, do thoshte esteti e filozofi Friedrich Hegel. Letërsia komunikon të bukurën përmes ndjenjave më sublime të shpirtit. Të bukurën si komponente esenciale të letërsisë e transfiguron në art shkrimtari, Anton Gojçaj, i cili tanimë është emër i sprovuar në shumë fusha të letrave shqipe. Autor që shkruan poezi, që kultivon zhanrin e tregimit, romanin, kritiken letrare, studiues i mirëfilltë letrar e eseist i shkëlqyer, ai ravijëzohet në letrat shqipe, me portretin e një krijuese me tipare të shumëfishta e vlera të gjithmbarshme, që di të mishëroj të bukurën me fjalën artistike, brenda një konteksti specifik kulturor e letrar.

Në romanin Passio (Gjergj Fishta, 2009), Anton Gojcaj ndërton tekstin si një realitet kulturor për të cilën gjë bie në një mendje e gjithë bashkësia e lexuesve (Umberto Eco). Autori shpërthen në këtë tekst letrar me tërë origjinalitetin e tij letrar. Teksti karakterizohet nga një narracion i përpunuar, një stil mjeshtëror, brendapërbrenda një fabule dinamik dhe një gjuhë atributive e konstruktuar me trajta rrëfimtare brilante. Romani ka një titull simbolik, që ngërthen një shënjues të letërsisë së tij, jetën si pasion dhe artin si pasion. Janë këto dy strumbullarë që kombinohen me mjeshtëri dhe që funksionalizojnë tiparet e një proze të realizuar mjeshtërisht, ku vihen në kontrast të thellë krizat identitare të njeriut. Autori empirik, duke u nisur nga jeta prej së cilës rrethohet, shpërthen në shkrimin fiksional, për të pikasur një personazh tragjik, rrugët e së cilit konstruktohen nëpërmjet shenjave dramatike, që vijnë si reminishencë nga ëndrra e personazhit hero të romanit, atëherë kur piktori Jozef Montanara (Zef Gjoni) ishte në kulmet e artit si piktor dhe atij i shfaqet në ëndërr, momenti më tragjik i jetës së tij: vrasja e babait, mu në natën e ngjalljes së Jezu Krishtit, simbolikë kjo e funksionalizuar dhe realizuar me mjeshtri nga autori, madje edhe si dimension filozofik i intertekstit letrar. Diskursi fiksional i autorit, mvishet nga tiparet e fuqishme të diskursit biblik e oral, i cili intencë ka funksionin edukativ të letërsisë, një katharsisi letrar të nënkuptueshëm.

Kodet tematike e ligjërimore, shtresohen rreth plagës së mërgimit, si një temë e lashtë e letërsisë shqipe, trajtuar kurdoherë në nga pena të shumta. Portreti i kryepersonazhit të këtij romani është kompleks. Ai është piktor me famë botërore, jeton në një metropol botëror, sikurse është Neë Yorku. I pamartuar, me disa flirte dashurore, ai bënë jetë prej artisti tipik, madje me dëshirën që të harrojë të kaluarën, mirëpo i ndodh e kundërta, ëndrra e kthen në realitet. Dhe këto lufta identitare bëhet e fuqishme, shpërthyese, drithëmuese, dramatike, me të cilën autori ndërton përplot sekuenca narrative të jashtëzakonshme. Jozefi, i cili Nuk Qesh Kurrë, fillon të trandet, tallazet e shpirtit të tij kërkojnë interpretimin e ëndrrës, ndërsa interpretimi i saj e kthen në identitet, në kërkim të shenjave të tij. Dhe pastaj zëri i fuqishëm, sugjestionues, por edhe melankolik „Zef Kthehu“ ja zgjon kujtimet e fashitura në kohë dhe fillon të kërkon vetveten. Kërkimi i vetvetes në variante të ndryhem narrative, e përcjell personazhin në gjitha nivelet e jetës, pas ëndrrës deri te rikthimi në Malësi, takimi me të ëmën, martesa, lindja e një djali dhe kontinuiteti i vazhdimësisë identitare.  Përmes këtij epilogu moral, autori përveç se përçon ide e mesazhe morale, riciklon dimensionet filozofike të zhbërjes së identitetit dhe rrezikut nga kjo dukuri.

Romani ka një fubulë e cila menjëherë lexuesin e fut në vorbullën e narracionit. Kemi një rrëfim në qendër të ngjarjes, in medias res. Dhe e gjitha në roman fillon me një ëndërr, prej së cilës shtresohet vorbulla e një rrëfimi dramatik. Autori funksionalizon motivet e lashta për ëndrrat si topose sinjifikative, ndërkaq një interelacion komunikues kulturor, teksti e ndërton me ëndrrat biblike, si topose komunikuese që prodhojnë kode të veçanta semiotike e ligjërimore. Jozef Montanara, larg atdheut, tek flinte, i selitet ngjarja më tragjike e jetës së tij, e cila lidhet me gjakun, më familjen, atëherë kur në prag të festave të ringjalljes së Krishtit, i vritet babai, nga armiqtë e Malësisë, që lehtë kuptohet që ishin armiq të etnisë së tij. Për t’ia shpëtuar Qengjin Zefit të vogël, babai i tij vritet. Këtu, figura e Qengjit bëhet shënjues i letërsisë së Antonit, një simbol me kuptime ekoivoke, që si topos tematik e figurë letrare, në variante të ndryshme bartet edhe në zhanrin e tregimit të autorit. Me këtë karakteristika ligjërimore e estetike, ndërlidhet  figura e qengjit të dashur të personazhit dhe në mënyrë implicite, e autorit empirik. Përmes këtyre sekuencave narrative, autori rikontekstualizon diskursin biblik për qengjin biblik, si topos tematik dhe si materie stilistike, e motivueshme për të konotuar idetë letrare. Qengji, në kuptimin e parë, shënjon kafshën e bukur, së dyti simbolikën kristiane, si arkitekt e arkiligjërim biblik që shenjon martirizimin e Krishtit në Kryq, sikurse qengj i pafajshëm për fajet e botës. Si figurë kryetipre letrare, sipas Northrop Frajit, qengji është evokim për Jezusin qe flijohet për mëkatet e njerëzimit. Dhe rikujtimi i kësaj figure nënkupton ringjalljen. Kjo intencë letrare në prozën e Gojcajt del e hapur, autori e sfidon personazhin e tij me një sekuencë jetësore të kahershme, që kishte lënë vragë të hapura diku në qenien e tij. Andaj, pas shumë sfilitjeve dhe tundimeve, personazhi realizon thirrjen që i bëhet në ëndërr dhe kthehet, si një determinim i intencës autoriale.

Nëpërmjet personazhit Jozef Montanaro (Zef Gjoni), autori portretizon njeriun e kohës së tij, të goditur nga plaga e detyrueshme e mërgimit, në të cilën shenjat identitare rrezikohen të shuhen.  Mirëpo, duke e trajtuar këtë temë kaq komplekse shqiptare, e veçanërisht për Malësinë, autori përçon mesazhe të fuqishme, që triumfojnë me epilogun e romanit, ku ndjehet fuqishëm një katharsis letrar sugjestionues. Në këtë roman, autori me një realizëm magjik, përmes një narracioni shpërthyes, të qetë, por dridhmues, e shtreson toposin e mërgimit dhe krizën identitare si temë të fuqishme narrative, përmes trajtave të rrëfimit modern, ku pikasën trajtat e realizimit magjik të prozës.

Ky roman i Gojcajt, ashtu sikurse i gjithë prodhimi i tij letrar, e perceptojnë artin si kulturë, që rolin edukativ e kanë në vete- siç do të shkruante Arshi Pipa. Dhe në këtë roman, ashtu sikurse në gjithë krijimtarinë e tij, Gojcaj përçon mesazhe të fuqishme kulturore e edukative, të cilat realizohen përmes katharsisit letrar, si element i fuqishëm i letërsisë së tij.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora