E premte, 02.05.2025, 08:08 AM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: Shpirtra në hapësirë (Cikël poetik)

E shtune, 03.10.2009, 08:35 PM


Kostaq Duka

Shpirtra në hapësirë
(Miqve të internetit)

Dheu  nuk të braktis
Dheu si dhe ka tendencë të të mbajë….
Të tjerë na shtynë tej detit
Ata …….
Që dheut ngulën thonjtë  
                         U vetshpallën pronarë!

Nga ai çast
U shndrruam në shpirtra të nderë
Në tërë hapësirën e globit,
Shpirtëra që flasin veç gjuhë
                         mirësie e dashurie.
Që për tokësorët
Herë , herë tingëllon marsiane.

Dhe ndodh
Ndonjë nga shpirtrat
Si meteor të ndizet e shuhet
 
Me padurimin
Per të zbritur poshtë
Nën dheun prej mallit përvëluar……

Hiperbolë për naftën

A thua
U tha gjiri i tokës
S’ka më ç’të shtrydhë
S’ka më ç’të pikojë ?!

A thua
Për naftën përralla do të fillojë
Na ishte njëherë
Një lëng i zi
Lëvizte një botë të tërë,
Trena, aeroplanë
Anije, maune,vetura- taksi
Që ngrinte e varroste qeveri?!

S’e di
Profet nuk jam, e as shkencëtar
Veç sa herë në makinë ve pompën e benzinës
Më hapet një humnerë
Ku më ngjan se do rrëzohem me miliona të tjerë…..
                                
Jugor

Shtëpia  ime
Shikonte nga Jugu
Ndaj me diellin luaja si me shokun më të mirë…

Trupin
E laja
Pranë postafit herë me kova
Herë me zorën plastike të ujitjes së luleve.
Lakuriqësinë e nderja
Mbi rezen e nxehtë.

Edhe pse në stomak
Kisha dy patate e dy cironka
Endërroja plazhe oqeanesh me peshkaqenë
Dhe vajza drithëruese si era……

Shtep;ia ime shikonte nga jugu
Në Shoqatën e Jugorve të Botës kishte hyrë përjetësisht.

Si shtëpi bamirëse
Në sofatet e gurtë
Për një dorë diell priste e përcillte
Fqinjët e hijeve.

Shkurt, 2009.
              
Tingujt

Një kërcitje dritareje,
Një gërvishtje dere,
Një e klithur fëmije,
Zhurma rutinore, jete…….

Të njëjta
Në cdo pikë të globit të tokës….

Dhe ndodh
Ndodh sa shpesh !
Tek dëgjoj britma fëmijësh në lodrim
Kur vetë përpëlitem nën kthetra gjumi të pagjumë
Fëmininë ritakoj
Tek  kacavirrej
Mbi muret e shtëpisë  në ndërtim, të fqinjit….

Dhe ndodh
Një gërvishtje dere
Profilin e nënës të më sjellë pranë
Me merakun  a ke fjetur bir ?!.....

Zhurmat
Pastaj përzjehen, andej, këtej….
Zhurmat minore, delikate bashkohen
Me rrapëllimat e autostradës së makinave,
Me jehonën gjëmimtare të avionëve,
Të ngritjes e rrëzimit vrastar të ujit të shatërvanit,
Të  së qëshurës të të rinjvë nga pishina….
Dhe….
Papritur konturet  shpërbëhen
Herë zjarrmohen
Herë zbardhen.

Unë
Pikë e nderë pezull pa drejtpeshim.
Zgjohem
E kuptoj se kam fjetur…
Dhe se është çasti i një dite të re për punë.

2008

Rrëfim nën rrethimin e thinjave

Tani kur të qënit pranë teje
Barasvleresohet qënie jete, kacafytje me shtrigën vdekje
Të rrëfyerit për dashuriza të lëna në ecje e sipër veçse sjell  fllade rinie,
Përtëritje malli e nostalgjish,
Dëshmi jetese,
Sinqeriteti e padjallëzie,
Pasione ndaj të bukurës  që shpirtit i jep dridhje e lëvizje pambarim….

Rrëfim nën rrethimin e thinjave
Rrudhave,
Dhimbjes së krahëve e gjunjëve,
Rrefim që xhelozinë e e shndërron në absurd.

Duaje ç’të përket

Duaj ç’të përket
Pasuri,dhunti, trashëgimi,krijimtari,fantazi e çmenduri,
Virtut e ves.Të gjitha të përbëjnë Ty
Pa to çbëhesh e s’je ti.
Mos u shtir filantrop,modest  sikur veten vret
Në flijim për të tjerët.
Hipokrizia shkëlqimtare është mijra herë më vrastare
Se të shpallurit e Unit edhe pse zili e lakmi mund të mbjellë.
 
Gusht, 2009

Gremisje

Pasi shamë armiqtë e traditës
“Dërmuam e hodhëm tej” armiqtë  imagjinarë
Pasi u grimë me njëri tjetrin duke u damkosur të gjithë tradhëtarë,
Kur mbi tokë e në hapësirë më s’mbeti pa shënjë qënie e gjallë
 Guxuam të rrëzojmë mitet
Heronjtë kombëtarë, legjendat….
Pas kësaj
   ...humnera e rrëzimit tragjiko komik të vetes…….

Shtator, 2009


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx