Kostaq Duka: Shpirtra në hapësirë (Cikël poetik)
| E shtune, 03.10.2009, 08:35 PM |
Kostaq Duka
Shpirtra në hapësirë
(Miqve të internetit)
Dheu nuk të braktis
Dheu si dhe ka tendencë të të mbajë….
Të tjerë na shtynë tej detit
Ata …….
Që dheut ngulën thonjtë
U vetshpallën pronarë!
Nga ai çast
U shndrruam në shpirtra të nderë
Në tërë hapësirën e globit,
Shpirtëra që flasin veç gjuhë
mirësie e dashurie.
Që për tokësorët
Herë , herë tingëllon marsiane.
Dhe ndodh
Ndonjë nga shpirtrat
Si meteor të ndizet e shuhet
Me padurimin
Per të zbritur poshtë
Nën dheun prej mallit përvëluar……
Hiperbolë për naftën
A thua
U tha gjiri i tokës
S’ka më ç’të shtrydhë
S’ka më ç’të pikojë ?!
A thua
Për naftën përralla do të fillojë
Na ishte njëherë
Një lëng i zi
Lëvizte një botë të tërë,
Trena, aeroplanë
Anije, maune,vetura- taksi
Që ngrinte e varroste qeveri?!
S’e di
Profet nuk jam, e as shkencëtar
Veç sa herë në makinë ve pompën e benzinës
Më hapet një humnerë
Ku më ngjan se do rrëzohem me miliona të tjerë…..
Jugor
Shtëpia ime
Shikonte nga Jugu
Ndaj me diellin luaja si me shokun më të mirë…
Trupin
E laja
Pranë postafit herë me kova
Herë me zorën plastike të ujitjes së luleve.
Lakuriqësinë e nderja
Mbi rezen e nxehtë.
Edhe pse në stomak
Kisha dy patate e dy cironka
Endërroja plazhe oqeanesh me peshkaqenë
Dhe vajza drithëruese si era……
Shtep;ia ime shikonte nga jugu
Në Shoqatën e Jugorve të Botës kishte hyrë përjetësisht.
Si shtëpi bamirëse
Në sofatet e gurtë
Për një dorë diell priste e përcillte
Fqinjët e hijeve.
Shkurt, 2009.
Tingujt
Një kërcitje dritareje,
Një gërvishtje dere,
Një e klithur fëmije,
Zhurma rutinore, jete…….
Të njëjta
Në cdo pikë të globit të tokës….
Dhe ndodh
Ndodh sa shpesh !
Tek dëgjoj britma fëmijësh në lodrim
Kur vetë përpëlitem nën kthetra gjumi të pagjumë
Fëmininë ritakoj
Tek kacavirrej
Mbi muret e shtëpisë në ndërtim, të fqinjit….
Dhe ndodh
Një gërvishtje dere
Profilin e nënës të më sjellë pranë
Me merakun a ke fjetur bir ?!.....
Zhurmat
Pastaj përzjehen, andej, këtej….
Zhurmat minore, delikate bashkohen
Me rrapëllimat e autostradës së makinave,
Me jehonën gjëmimtare të avionëve,
Të ngritjes e rrëzimit vrastar të ujit të shatërvanit,
Të së qëshurës të të rinjvë nga pishina….
Dhe….
Papritur konturet shpërbëhen
Herë zjarrmohen
Herë zbardhen.
Unë
Pikë e nderë pezull pa drejtpeshim.
Zgjohem
E kuptoj se kam fjetur…
Dhe se është çasti i një dite të re për punë.
2008
Rrëfim nën rrethimin e thinjave
Tani kur të qënit pranë teje
Barasvleresohet qënie jete, kacafytje me shtrigën vdekje
Të rrëfyerit për dashuriza të lëna në ecje e sipër veçse sjell fllade rinie,
Përtëritje malli e nostalgjish,
Dëshmi jetese,
Sinqeriteti e padjallëzie,
Pasione ndaj të bukurës që shpirtit i jep dridhje e lëvizje pambarim….
Rrëfim nën rrethimin e thinjave
Rrudhave,
Dhimbjes së krahëve e gjunjëve,
Rrefim që xhelozinë e e shndërron në absurd.
Duaje ç’të përket
Duaj ç’të përket
Pasuri,dhunti, trashëgimi,krijimtari,fantazi e çmenduri,
Virtut e ves.Të gjitha të përbëjnë Ty
Pa to çbëhesh e s’je ti.
Mos u shtir filantrop,modest sikur veten vret
Në flijim për të tjerët.
Hipokrizia shkëlqimtare është mijra herë më vrastare
Se të shpallurit e Unit edhe pse zili e lakmi mund të mbjellë.
Gusht, 2009
Gremisje
Pasi shamë armiqtë e traditës
“Dërmuam e hodhëm tej” armiqtë imagjinarë
Pasi u grimë me njëri tjetrin duke u damkosur të gjithë tradhëtarë,
Kur mbi tokë e në hapësirë më s’mbeti pa shënjë qënie e gjallë
Guxuam të rrëzojmë mitet
Heronjtë kombëtarë, legjendat….
Pas kësaj
...humnera e rrëzimit tragjiko komik të vetes…….
Shtator, 2009
Powered by SNE Business 3.3
Copyright © 2005-2018 by sosovn.com. All rights reserved.