Kulturë
Sabit Idrizi: Shtërpinjtë, Aktet e vetëflijimit dhe Pushteti
E enjte, 01.10.2009, 09:25 PM

Ese
SHTËRPINJTË, AKTET E VETËFLIJIMIT DHE PUSHTETI
Jezu Krishti u vetëflijua për mëkatet e të tjerëve, duke zgjedhur, me vetëdije, një vdekje të mynxyrshme. Dhe, derisa po përjetonte çastet e fundit të këtij tmerri, po ata njerëz, për mëkatet e të cilëve po vuante aq shumë, e përqeshnin dhe e fyenin paturpësisht, ndërsa ai lutej: “Fali, o Zot, se s’dinë çka bëjnë!”
Shtërpinjtë
Po të zhvishen nga figuracioni poetik vargjet:
Të tjerët, që vetëm vëzhgojnë nga bregu
Janë shtërpinj të padukshëm
Që nuk i takojnë kurrnjë kohe
do të dilnin kështu:
Të tjerët, që nuk bëjnë asgjë për atdheun e tyre
Janë njerëz të pafytyrë e të poshtër
Që u përshtaten të gjitha kohëve
Dhe, të tillët nuk është fare vështirë të njihen. Në kohë furtunash ata nuk duken, ngase fshihen diku nëpër gëzhojat e mjerimit të vet dhe presin në heshtje. Instinkti i qyqarisë ua ka zhvilluar së tepërmi shqisën e të nuhaturit, kështu që shumë shpejt i hetojnë kthjellimet. Janë brejtës të hatashëm, prandaj të parët bëjnë turr që t’i shijojnë frutat e ëmbla të kohëve që i sjellin të tjerët. Dhunti tjetër e këtyre zvarranikëve është përvjedhja. Dinë të përbirohen e të futen gjithkund, përmes deriçkave që nuk shihen. Po t’u vijë rasti, dinë të kafshojnë tmerrshëm. Nuk skuqen fare as atëherë kur i përdhunojnë e i përqeshin fshehurazi edhe ata që u flijuan e flijohen, përveç tjerash, edhe për qyqaritë e tyre.
Nga zvarritja e tyre tinëzare e hanë shtatin edhe kohët që vijnë.
Aktet e vetëflijimit
Është shumë logjike të thuhet se aktet e vetëflijimit nuk i kuptojnë dhe i keqinterpretojnë vetëm të pamoralshmit. Ne, në këtë rast, qëllimisht po i marrim vetëm këto dy ekstreme, pra ekzekutuesin dhe mohuesin, ndonëse në mes të këtyre dy kategorive është një det i tërë karakteresh, që nuk mund të studiohen as përafërsisht edhe po të hulumtohen gjithë jetën.
Një akt i vetëflijimit, për aq sa është i kushtëzuar nga niveli i ndërgjegjësimit të individit për një çështje madhore dhe shumë sublime, po aq kërkon edhe guxim e gatishmëri fizike e shpirtërore. Andaj, nuk është çudi që aktet e tilla nuk mund t’i bëjë dhe nuk mund t’i kuptojë gjithkush. Niveli i atyre që i kryejnë këto akte është mbimesatar, për të mos thënë hyjnor, prandaj shpeshherë ata keqkuptohen dhe keqinterpretohen edhe nga niveli mesatar i të kuptuarit. Karakteri i mohuesve dhe i atyre zvarranikëve, që i cekëm më lart, është diçka tjetër. Në rastin e tyre s’ke si të mos e përkujtosh përherë aktin madhor të Jezu Krishtit, i cili u vetëflijua për mëkatet e të tjerëve, duke zgjedhur, me vetëdije, një vdekje të mynxyrshme. Dhe, derisa po përjetonte çastet e fundit të këtij tmerri, po ata njerëz, për mëkatet e të cilëve po vuante aq shumë, e përqeshnin dhe e fyenin paturpësisht, ndërsa ai lutej: “Fali, o Zot, se s’dinë çka bëjnë!”.
Përveç vetëflijimit të gjësë më të shtrenjtë, siç është jeta, për një çështje shumë madhore, siç është liria (për këtë arsye dëshmorët janë kategoria më e lartë e ndërgjegjësimit dhe ne atyre u përfalemi për jetë e mot) ka edhe forma tjera të vetëflijimit, me të cilat autorët e tyre përpiqen të arrijnë efekte fort fisnike për çështje shumë madhore. Kështu, ata me vetëdije të plotë heqin dorë nga shumë të drejta dhe të mira që u takojnë ndershmërisht, për t’ua tërhequr vërejtjen atyre që e mbajnë timonin se anija nuk po shkon në drejtimin e duhur. Kjo bëhet vetëm në rastet kur shteren të gjitha mundësitë tjera të bindjes. Pas akteve të tilla, në të shumtën e rasteve, pason zhgënjimi. Dhe ironia e gjithë kësaj është, shikuar tash nga një kënd tjetër, se po ata, për mëkatet e të cilëve bëhet ky vetëflijim, vazhdojë t’i shfrytëzojnë dhe t’i shijojnë padrejtësisht po ato “të drejta” dhe po ato të mira, nga të cilat ka hequr dorë vullnetarisht i vetëflijuari.
Ndëshkimi i kohës për këtë mosdëgjueshmëri të arsyes, herët a vonë, mund të jetë tepër i ashpër për të gjithë.
Pushteti
Në mes këtyre dy karaktereve skajshmërisht të kundërta, që u cekën më lart, ka karaktere e karaktere. Dhe, nga kjo xhungël karakteresh të mesme duhet të ndërtohen pushtetet. Themi nga kjo xhungël karakteresh të mesme, ngase dy kategoritë e para vetë koha do të duhej t’i privonte nga një e drejtë e tillë, për shkaqe krejtësisht të ndryshme.
Kjo, në asnjë rast, nuk duhet kuptuar si diferencim, por si rrjedhojë logjike e proceseve të zhvillimit të shoqërive në fazat e tyre më delikate.
Sukses apo dështim – krejt varet nga aftësia e të kuptuarit drejt të këtyre dy skajshmërive.
Komentoni
Artikuj te tjere
Edison Ypi: Beqir
Arsim Halili: Intervistë me poetin Hasan Qyqalla
Bilall Maliqi: Gërfyejt e njohjeve përmes artit
Cikël poetik nga Hajdin Morina
Mihai Antonescu: Apostuj në tempullin e fjalëve
Demir Krasniqi: Zoti është me ne
Nexhat Rexha: Rrëmbim
Halit Bogaj: Adam Mickieviç “Grazhina”
Shazim Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Lumenjtë e dritës'' (II)
Cikël poetik nga Ekrem Ajruli
Visar Gashi: Emisionet tona humoristike
Kujtim Agalliu: Puthje elektorale
Luan Çipi: Provonjësit e krisur
Përparim Hysi: Pulëbardha
Shemsi Mehmeti- Baca: Bijtë e tokës së djegur
Dhurata Hamzai: Amerikani Tom Sleigh fiton “Unazën Poetika”
Agim Cerga: Një detyrë morale...
Hysen Këqiku: Përmbledhje poezishë me vlera të qëndrueshme poetike
Nehat Jahiu: Sot u hodh fara e diturisë
Albert Zholi: Sot nuk ka shok!