E diele, 28.04.2024, 01:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Agalliu: T'i ndaj apo t'i bashkoj

E merkure, 07.10.2009, 06:26 PM


KUJTIM AGALLIU

T’I NDAJ APO T’I BASHKOJ?

Tregim

E hapa telefonin njëzet minuta para se të hyja në Tiranë.
- Alo, i thashë, Arif, ti je?
- E, unë jam, kush je ti, si e ke hallin?
- Teloja jam, Teloja. Për atë muhabetin që bëmë e kisha fjalën. E kam marr dorëshkrimin e librit me vete. Si thua të takohemi te ndërtesa e Lidhjes së Shkrimtarëve?
- S’qenke në binarë më duket, ma ktheu miku im, Arifi, ku ka ngelur ndonjë shenjë nga Lidhja? Të paska ngelur ora prapa, miku im!
- Nejse, ia ktheva, të mos e zgjasim se më mbaroi edhe karta e telefonit, takohemi te kafe “Llamarina” dhe flasim atje. Të lutem, mos më lërë të pres shumë. Për njëzet minuta erdha.  
Nga Piramida e deri te ndërtesa e Lidhjes eca lingthi për të qenë në orën e caktuar në takimin me mikun tim, Arifin.  Kalova përpara godinës së Lidhjes dhe nuk e njoha fare. Arifi kishte pasur të drejtë. Fasada e saj kishte ndryshuar dhe qe bojatisur taze. Një rrugicëz damasku zbriste së lartmi e përfundonte në fund të shkallëve. Para e anash, për besë, asnjë kafene nuk ekzistonte. Askund nuk pipëtinte këmbë njeriu, përveç një polici trup madh që bisedonte me shitësin e cigareve, te porta kryesore. Në krye të fasadës ballore, me germa të mëdha, ishte shkruar “Ministria e Kulturës”. U pezmatova me pamjen që u përballa. “Kultura ka përjashtuar kulturën”, mendova.  “Gjeneratat e shkrimtarëve për hir të kësaj ministrie shumëzoheshin me zero. Punë e madhe e ç’rëndësi kishin shkrimtarët tani, përderisa nuk po i shërbenin më  sistemit të fuqi si dikur.  Mirë t’u bëhet gjersa grinden, në vend që të bashkoheshin!”, thashë me vete.
Te kafe “Llamarina” Arifi kishte zënë vend para meje. Një tavolinë më tej dy-tre pastruese rrugësh i llastoheshin përgjegjësit të tyre dhe pinin kafe.
E vura dorëshkrimin në tavolinë dhe me dorën e lirë përqafova Arifin.
- E solla romanin, i thashë, kur gotat me raki kishin ardhur përpara nesh në tavolinë.  
- Romanin? – Arifi shqeu sytë. – Me çfarë e ke mbushur?
- Me fjalë. – i thashë, - me se tjetër.
- Kaq shumë fjalë?! Baah! Ku i ke gjetur, bre, Telo.
- S’më duket dhe aq e vështirë, - ia ktheva. – njëmijë e dyqind fjalë mjaftojnë për të mbushur një libër sido - kudo. Mjafton t’i lakosh ato nga njëqind herë në secilën faqe. Apo e kam gabim?
Ai s’më ktheu përgjigje. Vetëm sa vuri pak buzën në gazë si për të thënë se e kuptoi nëntekstin. E krehu dorëshkrimin, sikur të përziente letrat e bixhozit, dhe pa e lëshuar nga dora filloi të ndalej aty-këtu, brenda disa faqeve.
-    Po, mirë, më pyeti, vendose ta botosh, kështu?
-    Po, tani, si të them, nëse ka ndonjë vlerë, edhe mund ta botoj.
Ai m’i nguli sytë.
-    Ti, më flet për vlera? Kështu? Sot, miku im, vlerat e librit janë këtu.
Ndoqa me vëmendje dorën e tij që rrëshqiti deri tek xhepi i pantallonave dhe aty ngeci me majat e gishtave brenda.
- Të kuptova, i thashë, domethënë, libri nuk është pa gjë,  do ta botojmë.
- Epo, po nuk harxhove një çik nuk të njeh njeri. Do blesh emrin, miku im, ndryshe, hë-hë... – Arifi vazhdoi të eksplorojë  dorëshkrimin me nge, ndërsa unë u qepa pas bishtit të kujtimeve, vite të shkuara.

* * *
Kaloi një vit. U binda se s’do të merrja asnjë përgjigje. Ndoshta tregimet e mia s’i kishin rënë në dorë, ose, ku ta dije, mbase s’qenë në nivelin për botim. Por cilado të ishte arsyeja e heshtjes së redaktorit, unë doja ta dija. Ndaj vendosa: Të shkoja vetë në Tiranë e të takohesha me të. Për çdo të papritur, mora me vete kopjet e tregimeve dhe u nisa. Sapo pata filluar lejen e zakonshme. Me këtë rast do të zbavitesha disa ditë në kryeqytet. Një rrugë e dy punë.
Me të arritur, e mora redaktorin në telefon nga posta qendrore dhe i kërkova takim. Më tha se do të ishte i lirë të nesërmen, në orën njëmbëdhjetë. E falënderova dhe ula receptorin.
Ç’rëndësi ka se si ia kalova atë kohë! Në orën e caktuar trokita lehtë në derën e zyrës së tij.
- Hyr! – më tha. Hyra e iu paraqita:
- Jam Teloja, vij nga Elbasani. Ju kam dërguar nja pesë tregime qysh vjet, por, siç duket, s’keni pasur kohë të më përgjigjeni.
Ai ngriti kokën dhe më vështroi ngultas. Pastaj foli si me përtesë:
- Gjatë një viti ndodhin shumë gjëra. Kaq, djalë! Të ishit interesuar më parë! Ç’është kjo mospërfillje ndaj vetes!? Ja, na futni edhe ne në telashe! Kush rri e hap dosje pas dosjesh tani! A nuk i keni kopjet e tregimeve?
- I kam, posi! – ia ktheva me ngut, si të kisha gjetur çelësin e shpëtimit, duke i treguar një tub të mbledhur me gazetë, që kisha nën sqetull.
- Bukur, atëherë! – Fytyra e tij u çel. – Lëri këtu dhe eja nesër t’i shohim bashkë!
U deshën tri ditë që ta takoja.
Ditën e parë sapo kishte dalë me një shok. Nuk e dinin tamam se ku kishte shkuar. Ditën e dytë më thanë ta kërkoja në bar-bufenë afër redaksisë, se kishte zbritur për të pirë një arançatë. Shkova nxitimthi, por s’e gjeta. Të tretën ditë ia fala mundimet që më shkaktoi, se dëgjova që ishte bërë me djalë.
Ditën e katërt e kapa tek ngjiste shkallët e zyrës.
 - T’ju rrojë djali! – i thashë. – Vura re që iu bë qejfi.
 - Aaa, e paske marrë vesh edhe ti, hë! – ma ktheu buzagaz.
 - Besoj se sot mund të bisedojmë pak për ato tregimet e mia! – vazhdova i druajtur.
Ai më vështroi i habitur.
- Si! Për cilët tregime!? – Por u kujtua shpejt. – Ah, po! – Dhe shtoi: - S’kam pasur fare kohë. Megjithatë, s’prish punë! Eja t’i lexojmë e t’i diskutojmë  bashkërisht!
Kur hymë në zyrë filloi të kërkojë dorëshkrimet. S’po i gjente dot. Nxitova ta ndihmoja.
- I kisha të mbështjella si tub në një gazetë.
U përveshëm t’i kërkonim gjithandej të dy. Qenë fshehur nën ca vandakë letrash. Në fillim ai lexoi në heshtje dhe brenda tri minutash tregimin “Plaku”. Eh, si i lëvizte sytë, kur lexonte! Maja e stilolapsit shoqëronte lëvizjen e tyre, ose, më saktë, sytë rendnin pas majës së stilolapsit.
Pas pak, më pa në bebëza:
- Anon nga reportazhi, i mungon konflikti. – më tha si duke shfryrë. – Duhet punë, djalë, punë!
Heshta.
- Ja, të shohim këtë tjetrin! Të mësojmë se ç’na ke gatuar.
Filloi rishtas leximin. Por, nuk pati durim ta mbaronte fletën e parë. Ngriti kokën nga unë.
- Ç’ka, si i mirë më duket! – tha, si për të më çuditur. – ç’është e vërteta, leximi më lodh fort. A nuk ma thua me gojë se si vazhdon?
Ia thashë.
- Ooo, paske rënë në skematizëm! – ma priti. – Domethënë, heronjtë nuk ndahen, kështu? E, pra, s’është e drejtë të mos i ndash!
- Por unë dua t’u ndriçoj rrugën, që të formojnë një familje të shëndoshë, pasi të korrigjojnë të metat e njëri-tjetrit.
- Jo, jo! Po t’i kishe ndarë, tregimi merrte vlera origjinale. Ripunim, djalë, ripunim! – tha prerazi, duke më zgjatur dorëshkrimet. – Shko tani dhe eja kur të duash! Unë të pres. Suksese!
Ndërsa dola mendova: “Përderisa do ai, do t’i ndaj heronjtë dhe pikë! Mjafton të ma botojë tregimin.”
Ç’të bëja? Nga halli e kisha.
M’u bë mbarë të kthehesha në Tiranë pas tre muajsh.
I shkova përsëri redaktorit në zyrë. E lexoi tregimin dhe, si të donte të më luante mendsh, më tha:
- Nuk ke bërë mirë që i ke ndarë ata të dy. Si u ndakan njerëzit kështu, për një fjalë goje? Naivitet!
Mezi sa shqiptova i mbytur në djersë:
- Po ju vetë më thatë që...
- Lëre se ç’të thashë e ç’më the! – ma ktheu. – Dëgjomë me vëmendje! Të jesh më logjik herë tjetër, më logjik!
- Ashtu, por unë...
Ai më ndërpreu prapë:
- E di ç’ke ti, Telo? A nuk ma sjell edhe një herë variantin e parë? Me që ti ngul këmbë, pale ç’do të ketë ndonjë gjë bindëse në atë variant. Kështu, djalë! Shko dhe mos harro të ma dërgosh me postë!
Dola, unë e di se si. Duke ecur marramendësh. Hyra te bufe “Peza” dhe piva i etur një birrë, se më ishte tharë buza.
Mendimet sikur m’u kthjelluan.
“Ja, ç’do të bëj!... – mërmërita. – Dy burra që ishin pas meje kthyen kokat të habitur, tek vërejtën që po flisja me vete, por unë s’ua vara. Vazhdova: - “Do t’i ndaj dhe do t’i bashkoj njëkohësisht! Kështu do të kënaq edhe redaktorin”. Sa vendosa kësisoj, menjëherë m’u hap oreksi për të ngrënë. U shtrova në restorant “Donika”, gjersa u denda mirë. Pasdite i hipa trenit për nga kisha ardhur. Kur treni u nis, nxora kokën në dritare dhe gati sa nuk thirra: “Mirupafshim, shoku redaktor! Mirupafshim pas tre muajsh! Ndahet apo s’ndahet çifti, ta dish se unë nuk do të të ndahem ty!”

***
Arifi ktheu dhe pikën e fundit të rakisë dhe tha:
- Pra, përfundimisht, do ta botosh librin? I ke gati paratë?
Unë u shkunda nga kujtimet dhe në vend që t’i përgjigjesha mendova:
“Vetëm koha ndryshon, gjërat mbeten ashtu siç kanë qenë. Atëherë, ‘recetat’ , sot... paratë dhe...papritur bëhesh shkrimtar.”

Fund



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora