E shtune, 27.04.2024, 02:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Mujë Buçpapaj: Intervistë me shkrimtaren Vilhelme Vranari

E hene, 05.10.2009, 06:35 PM


Intervistoi Mujë Buçpapaj
 
SHKRIMTARJA NGA VLORA, VILHELME VRANARI (HAXHIRAJ),
                
AUTORE VLERASH  LETRARE, E CILA PRANON SFIDEN
 
Në datën 18 prill 2009, në Torino u zhvillua konkursi nacional i poezisë me emrin e heroit tonë kombëtar “PRINCI GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU”. Në këtë konkurs morën pjesë mjaft konkurent, të cilët paraqitën pranë jurisë krijimet e tyre poetike qysh para 6 muajsh. Për herë të parë morën pjesë edhe krijues shqiptarë me banim në Shqipëri.  Pas përzgejdhjes së Jurisë, fituese e konkusit ishte dhe shkrimtarja Vilheme Vranari (Haxhiraj), tashmë e njohur si brenda dhe jashtë vendit. Ishte nder dhe kënaqësi, jo vetëm për autoren, por edhe për ne krijuesit, edhe për çdo shqiptar. Kjo për tri arsye:
   1-Çmimi quhet nacional dhe mban emrin e heroit tonë kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
   2-Vjen për herë të parë ky çmim nga Italia fqinje, si aspekt i këmbimit mes kulturave tona.
   3-Me këtë çmim të nderuar vlerësohet një autore shqiptare, një grua, e cila e ka nisur vonë krijimtarinë letrare.
 Ishin këto arsye që i kërkova këtë intervistë fitueses së çmimit, Vilhelme Vranari (Haxhiraj). Pikërisht për këtë çmim, në datën 13 maj isha i ftuar në studion e TVSH, në emisionin “Zik-Zak”, si njohës i krijimtarisë letrare të shkrimtares Haxhiraj. Takimi në studio, më krijoi mundësinë e një  interviste me autoren.
 
Zonja Haxhiraj  para pak ditësh ju u nderuat me çmimin "Gjergj Kastrioti Skenderbeu " akorduar nga shoqata "Vatra Arbereshe" dhe Ministria e Kulturës e Italisë. Si e vlerësoni këtë rast, duke qënë poetja e parë shqiptare që sillni në Shqiëri këtë titull ?
 
 -Së pari ju falenderoj, për intervistën dhe vlerësimin tuaj në studio si shkrimtare,  megjithatë unë e quaj veten një “Krijuese e Vonuar”. Së bashku jemi takuar në rrethana të tjera, shumë herët qysh në fillimin e ndryshimeve të mëdha politike në vendin tonë. Kurse tani pas kaq vitesh na ritakoi letërsia. Personalisht ju çmoj si publicist, kritik, analist i mirfilltë dhe si autor autentik i poezisë moderne, gjë për të cilën ju përgëzoj.
   Në Itali janë vlerësuar me çmime edhe më parë autorë të tjerë shqiptarë, si Fatos Lubonja, Visar Zhiti etje. Por  ÇMIMI “PRINCIPE GIORGIO CASTRIOTA SKANDERBEG”, është e para herë që vjen në Shqipëri.
E vlerësoj si një rast unikal deri tani. Fati më buzëqeshi mua që e solla këtë emblemë të ndritur. Kjo tregon se edhe shqiptarët e izoluar, të vuajtur dhe të mohuar,  i pranojnë sfidat.
 
Ishte rastësi, fat apo gjurmimi juaj për të marrë pjesë në këtë përballje apo ballafaqim të vlerave letrare
 
-Çdo krijues ka dëshirë të provojë aftësitë dhe arritjet e tij letrare. Unë do të thosha se veç kritikës letrare, analistëve, lexuesve, krijuesi ka nevojë edhe për një vlerësim të personaliteteve të specializuar në këtë fushë, jashtë kufijëve ndikues të njërit apo tjetrit, ose rrymave politike. Por dëshirat janë subjektive, atëherë i ngelet rastësisë. Për mua ishte fat takimi me anëtarët e shoqatës kulturore” Vatra Arbëreshe”, të cilët më ftuan në Torino qysh në vjeshtën e vitit 2008. Mësova se në Piemonte jetonin 10 000 familje arbëreshe. Më kënaqi fakti që ata ruanin ende gjallë gjuhën e lashtë shqipe, traditat, kostumet, pak nga kuzhina shqiptare dhe mbiemrat (Matranga, Durrësi, Scutari, Kuçi, Vrana, Kastrioti,Toçi, Kamberi ( transformuar në Campera)etje. Por ajo që të binte në sy ishin simbolet tona kombëtare që për ta ishin të shenjta. Pikërisht për vazhdimësinë e kulturës së tyre po merrem me një temë studimore.
 
Kujt i lindi ideja për të marrë pjesë në konkurs?
 
-Tommaso Campera, anëtar i këshillit drejtues i shoqatës, poet, përgjegjës i kulturës arbëreshe, i lumtur dhe i bafasuar për librat e mi që iu dhurova, me krenari u shpreh: “Këtë vit ne celebrojmë edicionin e 8-të të konkursit letrar në poezi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Nuk po u besoja veshëve dhe pyeta përsëri. “Mos u çudit, zonjë. Skënderbeu nuk është vetëm i shqiptarëve, por ka përmasa kontinentale sepse ndaloi islamizimin e Evropës së krishtere dhe çmohet si në Itali edhe kudo në Evropë. Ndaj çmimi i poezisë quhet nacional, sepse e ka miratuar Ministria e Kulturës Italiane. Befas më propozuan të merrja pjesë në konkurim. Mora udhëzimet e duhura, u ktheva në Shqipëri dhe aplikova.
Rruga e transformimeve të mëdha politiko-sociale në Evropën Lindore që çeli rënia e Murit të Berlinit, bëri të mundur njohjen mes emigrantëve të rinj, me trashëgimtarët e brezave që kishin mërguar nga Shqipëria shekuj më parë. Kjo ngjalli tek ata dëshirën për të njohur historinë, kulturën dhe traditën e stërgjyshërve të tyre. Kërkesat e tyre, për lëvrimin e gjuhës shqipe, njohjen e historisë dhe marrëdhëniet kulturore me Shqipërinë, bën të mundur që Qeveria e Romës në vitin 2003, t’i njohë ata si pakica kombëtare me të drejta të plota. Prej vitit 2001 “Vatra Arbëreshe” organizon konkursin e poezisë shqipe” Skënderbeg”, ku këtë vit mora pjesë edhe unë.
 
Ç'do të thotë për Vilhelmen çmimi nacional në Torino, e në veçanti ardhja e emblemës së heroit tonë kombëtar nga vendi fqinj?
 
-U nisa për në Itali, me dëshirën e mirë për të marrë pjesë në një aktivitet letrar. Për të shuar kureshtjen dhe për të mësuar diçka më shumë nga organizimi i konkurseve apo festave të tilla. Sa zbrita në Itali, më njoftuan se isha fituese e konkursit letrar, që do të shpallej në datën 18 prill. Fillimisht m’u duk trill. Por emocionet që provova për 7 orë në atë festë, janë të pashlyeshme. Një organizim i shkëlqyer i Shoq.“Vatra Arbëreshe” ku do të veçoja  Presidentin z, Vincenzo Cucci , Zv.presidentin Masimo Rafti si dhe z.Tommaso Campera. Nuk mund të harroj kujdesin dhe praninë e gjithë autoriteteve të pushtetit lokal të Piemontes, Torinos dhe Chierit, duke filluar nga Sindaco, zv/Presidenti Regional i Piemontes, deputetë, personalitetet të kulturës, zyrës së emigracionit, si dhe autoritet tona diplomatike. Ishte prekëse kur në gojën e atyre njerëzve të mrekullueshëm, tingëllonte bukur historia e Skënderbeut. U ndieva krenare për vitalitetin e gruas shqiptare përmes portretit të Donika Kastriotit, që doli në dramën e Prof. Italo Costante Fortino, (ndërkohë Kryetar i Jurisë) që u luajt nga trupa teatrore “Mediteranio”. Kur deputeti i Piemontes më dorëzoi çmimin me emblemën e Heroit tonë kombëtar, m’u duk sikur më dha Kurorën e Skënderbeut që t’ua sillja dhuratë shqipëtarëve. Pavarësisht nga emri, ky çmim nuk më takon vetëm mua, por Kaninës dhe Vlorës sime, letërsisë sonë dhe gjithë Shqipërisë. U ndieva krenare dhe më shumë shqiptare.  
 Falenderoj Jurinë e nderuar të shtetit fqinjë që më vlerësoi, sepse juria e Ministrisë së Kulturës në Tiranë, sa lexon emrin e autorit, nuk i hap fare librat që paraqiten për konkurs.    
Si shumë shkrimtarë të pas viteve 1990 jeni përfshirë në zhvilimet e vrullshme politike të cilat çuan në rrëzimin e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë, cilat janë disa nga momentet më të rëndësishme të këtij aktiviteti të shuqar në Vlorë por dhe në nivel kombëtar ?
 
-Unë nuk kisha ç’humbisja. I mbyturi nuk trembet nga të lagurit. Kush tjetër veç meje, nuk do të ngrihej për të përmbysur diktaturën e egër, dhunën, izolimin gjysmë shekullor. Nuk durohej Shqipëria burg, Parajsa e shndërruar në varrezë që kutërbonte era kufomë, ku në çdo pëllëmb toke gjeje një varr pa emër?  Ishte trimëri të vrisje frikën, por me lëvizjen demokratike realizova ëndrrën time për një grim liri. Ka aq shumë çaste kulmore sa duhet shumë kohë, por vlen të kujtoj:
*Krijimi i P.D dhe i L.D.G Vlorë më 1991, ku më zgjodhën si drejtuese.
*Krijimi i LDG Tiranë me nismëtaret Zana Malaj (Tiranë), Vjollca Ypi (Durrës), Mira Mëhilli (Shkodër), Kozeta Dishnica ( Berat), dhe unë nga Vlora-korrik 1991.
*Konferenca e parë e LDG- më 25 XI- 1992, në Vlorë, me pjesmarrje nga qytetet më të mëdha.
*Takimi im me Prof.Dr Berishën 8 prill 1992( kur u zgjodh President), për problemet e gruas.
*Më 21 prill 1992 i dërgova një peticion parlamentit mbi barazinë gjinore ( lexoi z. P. Arbnori)
*1993 -Takim me Ambasadorin Italian për legalizimin e refugjatëve dhe bashkimi me familjet.
*Më 1993 Flutura Hasko, Ilmie Mara dhe unë drejtuam Kuvendin e parë të LDG.  
* Më 23/XI/1993 sesion shkencor i LDG Vlorë (Shkolla shqipe në Himarë, Himara autoktone shqiptare.)
* Dënimi me vdekje i gjithë familjes sime më 1997.
 
Jeni një nga themelueset e levizjes kombëtare për të drejtat e gruas në shoqëri, për avancimin e të drejtave të grave por edhe për parandalimin e dhunës kundër gruas etj. Si e përshkruani këtë rol të spikatur tuajin qysh prej viti 1992 e në vazhdim ?
 
-Shumica e shqiptarëve hynë në politikë për  një karrike dhe për t’u pasuruar, kurse unë nga që më ishte mohuar dhe privuar çdo e drejtë njerëzore, doja të vija në vend dinjitetin femëror. Kontakti me femrat, më bëri të njoh dramat e jetës sé tyre.  Për këtë arsye nuk kam reshtur së kërkuari të drejtat për barazi gjinore. Përpilova një sër kërkesash: Pjesmarrja e gruas në legjislativ, ekzkutiv dhe drejtësi me të drejta të barabarta;Leja e lindjes 3 vjet; Heqja e turnit të tretë për femrat ; Java e punës 5 ditë; Vlerësimi dyfish kur punohet ditën e pushimit apo turni i tretë; Legalizimi i refugjatëve dhe bashkimi me familjet; Kundër dhunës në familje (ndaj gruas dhe fëmijëve); Ndalimi i trafikut të qenieve njerëzore, drogës, se kështu i pritet rruga krimit dhe prostitucionit; Si dhe integrimin e shtressë s së përndjekurve politikë. Këto i kam pasqyruar në krijimtarinë time. Janë dramat e jetës sonë që do të zilepsnin tragjedianët, të cilët do të ngriheshin nga varri për të shkruajtur tragjedinë më të dhembshme atë të vendit të shqiponjave. Politika më bëri të jem vetvetja.    

Një nga pasionet e fuqishme  tuajat ka qënë arsimimimi dhe arsimi.Keni një histori të dhimbshme të përpjekjeve për t'u shkolluar, disa herë u është ndërprerë shkolla, dhe disa herë e keni rifilluar atë. Më se fundi keni arritur të ushtroni të drejtën e mesimdhënies pas viteve 1990. Çfarë kujtoni nga ky kalvar vuajtjesh ?
 
-Pinjolle e një familjeje të lashtë, atdhetare dhe me kulturë. Familja Vrana kishte një nga 3 bibliotekat më të mëdha të Vlorës, e cila si gjithë pasuria, u sekuestrua. Trashëgimia kulturore, dëshira për të qenë e arsimuar edhe pse e dija që nuk do ta ushtroja profesionin tim të dashur, bënë që unë ta kërkoja të drejtën për arsimim. E arrita, u diplomova, por pa të drejtën e ushtrimit të profesionit. Jam pushuar dy herë, më 1966 dhe më 3 shtator 1997 si person politik i PD. Ju kujtoj se nga 1997 nuk më është ofruar më asnjë  punë, kur doja edhe 7 vite të plotësoja moshën dhe vitet e pensionit. Marr një pension gjysmak. Nuk e harroj dot dhunën morale, mohimin e vlerave, kur mund të bëhesha dikush qysh në rini, por nisa të shkruaj në moshën 52 vjeçe. Askush nuk mund të ma kthejë rininë, buzëqeshjen, ëndrrat dhe dëshirat që m’i vranë pa mëshirë. Veçse kjo më bëri më këmbëngulse në kërkim të së mirës njerëzore.
 
Jeni një shkrimtare erudite, me shumë kulturë dhe me shumë hapësirë. Keni lëvruar të gjitha gjinitë letrare dhe ato publicistike , si prozën e gjatë dhe të shkurtër, poezinë, fejtonin deri tek skica letrare, keni lëvruar të gjitha gjenitë e publicitëikës, nga reportazhi, komenti, analiza,  lajmi, kronika etj. Pyetja jonë është se cilën gjini lëvroni më shumë dhe si e vlerësoni letërsinë në krahasim me gjinitë e tjetra të artit, muzikën, kinemtagrofinë, artet figurative, kërcimin etj ?
 
-Krijuesi filimisht provon në disa gjini deri sa gjen shtratin ku ndihet më komod. Mua më pëlqen proza, ku do të veçoja romanin, pa lën pas dore skicën letrare, tregimin dhe novelën. Fakti flet vet. Kam 2 vëllime me tregime, novela, skica dhe 10 romane.  Më pëlqen edhe letërsia për fëmijë.
Bibla thotë se e para lindi “Fjala”. Më pas lindi shkrimi. Më parë lindën tingujt pastaj muzika, apo lëvizjet dhe veprimet pastaj teatri. Duke veçuar artet pamore, asnjë nga gjinitë e artit: muzika, kërcimi, kinematografia, nuk mund të realizohen pa letërsinë. S’ka këngë pa vargje; S’ka oper klasike që nuk mbështet mbi një romancë. Edhe pse për mua baleti klasik, baleti në akull janë gjinia më e lartë e artit, nuk kanë domethënie, nuk kanë arritje, do të jenë pa kuptim, kur mungon skenari. Nëse çdo degë arti ka qelizën e vet, letërsia është bërthama e qelizës. Ndaj është e pazëvendësueshme. Për fat të keq, futja e internetit, ka humbur dëshirën për ta prekur librin, për ta shijuar me të gjitha shqisat gjë që nuk ta ofron asnjë mjet komunikimi, sado i sofistikuar që të jetë.
 
Si e vlerësoni letërsinë e pas viteve '90-të ?
 
-Pas viteve 90 ka një prurje të madhe në letërsi, sidomos në poezi. Kam vënë re se shumë autor nuk shkëputen dot nga metodologjia e realiznmit socialist. Vetquhet shkrimtar një bejtexhi. Kjo krijimtari hyn në folklor, ndaj i duhet kritikës apo përpilimi i një antologjie, duke i specifikuar krijimtaritë. Më parë duhet një përzgjedhje selektive sipas vlerave letraro-artistike dhe psiko-sociale té veprave. Nuk pretendoj se e njoh gjithë krijimtarinë e këtyre viteve, por nuk mund të quhet “vepër letrare” dhe as autori “shkrimtar”, nëse shkruhet si kronikë jeta e babait apo e X personi. Sot shkruhet edhe letërsi të mirë e cila pasqyron dritë-hijet  e jetës shqiptare, si në dikaturë edhe sot. Dikush është shprehur se Shqipëria provincë, ka letërsi provinciale. Nëse do të shkruhet një letërsi ndryshe, ku të paraqitet realitati ynë me të gjitha ngjyrat e jetës, letërsia jonë nuk do të quhet më e tillë. Letërsia nuk matet me metra katrore, por sa është në gjendje ajo t’i vijë në ndihmë shoqërisë, ç’vend zë ajo në kulturën botërore. Nëse kultura shqiptare përfaqësohet në botë nga 3-4 a autorë, Shqipëria nuk mund të integrohet. Letërsia duhet të jetë oponenca e parë e politikave të mbrapshta që sjellin probleme të rënda sociale.  
 
Cilat i konsideroni si ndikimet më të mëdha në  krijimtarinë tuaj ?
 
-Çdo libër të ri e pres si lindjen e një fëmije. Dashuria për ta është e njëjtë. Kur libri i parë motohet ,shërben si udhërrëfyes për atë që do të vijë pas. Secili mbart një aspekt jetik, kurse të gjithë sé bashku plotësojnë tablon e jetës. Ato që kanë lënë vragë tek lexuesi apo kritika, janë romanet dhe novelat, ku do të veçoja romanin e parë “Dhembje Nëne”,që më bëri të besoja në vetvete. Sipas kritikës, ai që i bënë autopsinë realitetit tonë të hidhur, kalvarit të vuajtjeve që përjetoi një popull vital, një letërsi ndryshe, me tematikë të palëvruar më parë është trilogjia “Vështroni Meduzën”, të cilin, edhe pse e kanë quajtur të tipit “Sagë”, do ta quaja “Jetë shqiptare”, ku të shohim se  ku ishim, ku jemi dhe ku duhet të shkojmë.
 
Per interesin e lexuesve tanë, ku konsiston tematika e letërsisë tuaj ?
 
-Tematikën e marrë nga jeta e përditshme, nga realiteti shqiptar, sigurisht e ngritur në art. Për këtë arsye analiza dhe kritika e kanë quajtur “Realizëm real”, ose “romane psiko-socialë”. Personazhi kryesor është femra, e parë në këndvështrime të ndryshme: si nënë, gjyshe, vajzë, motër dhe bashkëshorte etje. Në gjithë krijimrtarinë time vë në dukje dhe mbaj qëndrim ndaj problemeve sociale që e shqetësojnë shoqërinë dhe mua si krijuese.
 
Jeni shkrimtare mjaft cilësore,  por edhe shumë prodhimtare. Si e organzoni punën si zonjë shtëpije me shumë detyrime të përditshme,  me krijimatrinë letare? Kujt ia dedikoni suksesin tuaj?
 
-Nëse nuk do ta organizoja kohën, s’do të bëja asgjë. Çohem në orën 5 të mëngjesit, bëj ecje-vrap në bregdet deri në Ujë të Ftohtë (vajtje- ardhje 8,5 km), një dush, shoh postën elektronike, pimë kafenë me bashkëshortin, pastaj si çdo grua, bëj punët e zakonshme dhe gatuaj, laj rrobat,hekuros... Nganjëherë qep edhe ndonjë veshje timen. Nuk kam mundësi financiare të marrë një punëtore, së paku për punët e lodhshme. Pasi kam një pensoion vetëm 100 €. Pastaj ulem punoj në kompjuter. Orët më të frytshme janë 15-17 dhe 20-23. Ka edhe ditë që nuk punoj fare. Kjo varet nga rrethanat. Jetojmë me djalin dhe nusen e tij. Kur ajo ka pushim unë nuk bëj asgjë. Kjo është një rrethanë shumë lehtësuese në krijimtarinë time.
Suksesin ia dedikoj akumulimit të ngjarjeve për dekada të tëra. Familja ime i është përkushtuar krijimatrisë sime, e cila nuk është mjet jetik. Kam pasur fat që kam punuar me Prof. Odhise Grillo dhe punoj me Prof.Dr. Adriatik Kallullin. Një rëndësi të veçantë që reklamon krijimatrinë time, është iniciusi dhe menaxheri, bashkëshorti im Fitim Haxhiraj. Nuk duhet të mohoj rolin e madh tè medias, shjkrimtarèt tanè dhe lexuesit.
 
Gazeta "Nacional" ka pak kohë që ka dalë. Cili është mesazhi  juaj per lexuesit e saj në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi , ku ajo shpërndahet
 
-I uroj suksese dhe jetë të gjatë gazetës “Nacional”. Do ta quaja një prurje të re në Media. Së pari ka rëndësi se shkon tek lexuesi shqiptar në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Do të shërbejë si mjet komunikimi mes trojeve shqiptare sidomos në fushën e letërsisë. Një media që reflekton arritjet e kulturës kombëtare, është mjeti më efikas për integrimin e shqiptarëve.
Suksese dhe ju faleminderit, z. Mujo!


(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora