E diele, 28.04.2024, 09:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Duro Mustafaj: Poezia, burimi i shpirtit të tij

E merkure, 07.10.2009, 06:32 PM


POEZIA, BURIMI I SHPIRTIT TË TIJ

-Disa mendime për një libër me vlerë


Nga Duro Mustafaj

Shpesh kam pyetur veten ç’e bën njeriun poet?...,dhe e kam pasur të vështirë për të dhënë një konkluzion të saktë. Se, veç predispozitave natyrale ( asaj që i themi dhe dhunti e lindur) që doemos ndikon, por nuk është ajo përcaktuesja, në fëmijërinë e poetit ka dhe faktorë të tjerë. Disa thonë që poet të bëjnë vuajtjet. Kur dëgjova këtë përgjigje nga një miku im, mendja më vajti tek miku ynë i përbashkët Reshat Kripa. Ai njeri i mirë, pas qëndrimit shumë vjeçar brenda hekurave të burgut, për faje që s’ishin faje, pas vuajtjeve të shumta, tani në liri, pena e shpirtit të tij të mërzitur thur vargje aq të bukura, që do ta kisha të pamundur  ti besoja, se ai, shoku ynë i fëmijërisë, mund të bëhej ndonjëherë poet. Po ai u bë poet. E poet, si duket e bënë vuajtjet dhe hidhërimet që kaloi në jetë. Këtë e vërteton dhe Betoveni, kur pyet e përgjigjet vetë:”Pse shkruaj? Ato që kam
 në zemër kërkojnë të shpërthejnë, pikërisht për këtë shkruaj!” Thonë që dhe Migjenin, “poeti i dhimbjeve”, fati i keq dhe kushtet e këqija e bënë “poet të mjerimit”.
Po të tjerët, që nuk patën këtë fat, ç’mund të themi për ta? Një zë i kumbueshëm më troket në kujtesë: Poet bëhesh edhe nga lumturia. Ngazëllimi shpirtëror edhe ai kërkon të dalë e të pasqyrohet në fletët e bardha, në vargje e në këngë. Dhe historia e letërsisë botërore jep shembuj të panumërt. Këta “poet fluturakë”, të ngopur nga jeta, që shpesh s’u besonin të uriturve, kanë shkruar titiramke e poemat e gëzimit, duke mbjell shpresë se lumturia është në zemrat e  të gjithëve dhe asaj duhet ti këndohet, që të mos vritet shpresa. Po të gjitha këto që përmenda dhe të tjera kanë një burim ushqyes siç ka lulja tokën, me rrënjë e saj mbështesë tek ajo. Dhe kjo është jeta, ku marrim frymë e ku jetojmë, e që asaj nuk i shkëputemi dot. Sidoqoftë ajo disa i ushqen me vuajtje e hidhërime dhe disa të tjerë me gëzime, duke i bërë të ecin mbi shtratin e poezisë në rrugë të
 ndryshme.
Po Luan Çipin kush e bëri poet? Ai nuk i jetoi të dy ekstremet e jetës, nuk u radhit në “brezin e të humburve” dhe as fluturoi në krahët e “gëzimit letrar”- Po miku im i mirë, me pamje e zemër fisnike, me një shpirt gjithnjë të ndjeshëm e sy vëzhgues, pa dhe dëgjoi shumë gjëra të mira dhe të këqija në këtë jetë- dhe doemos ato “pronë” e shpirtit të tij, s’mund ti mbante për vete. Dhe i bëri “pronë” të shokëve të tij dhe të lexuesve. Veç fakteve të tjerë, ndoshta, Luanin e bënë poet edhe shokët e tij të mirë, që jo vetëm e nxitnin dhe e frymëzonin, por u bënë dhe burim temash për të.
Shpesh, në biseda midis shokëve, tek Luani kemi parë fjalën e mençur me ngjyrë poetike. Dhe poezia ka qenë burimi i shpirtit të tij. Dhe ai ka shkruar për gjërat që i ka njohur, njerëz, fakte, fenomene që i ka përjetuar. Në qendër të krijimeve kanë qenë shokët e tij. Për ta ka shkruar e i ka kënduar zemra me thjeshtësi e sinqeritet, duke i futur ata ne faqet e librit si personazhet më të dashur e simpatikë. Është Vlora, vendlindja, që e njeh aq mirë. Është ajo, që e ka bredhur në të gjitha rrugët edhe në fshatrat. Janë mbresat jetësore, kujtimet e përjetimet që kanë zënë vend në poezitë që kanë një tematikë të larmishme.
Autori zbulon të vërtetat në fatet e njerëzve dhe në udhët e tyre të jetës- dhe në disa vargje bën portretin e tyre, sidomos të atyre që i ka miq të vjetër. Këtë e bën aq mirë në vargjet kushtuar “shokëve”, ku secili është skalitur me tiparet e veta më të qenësishme:
Për krahë renditet Laveri,
Mesaplikas mjaltë e kripë,
Që s’u nda nga revolveri
Dhe kapela “republikë”

Krenar na bën Lul Golemi,
Pedagog, akademik.
Si nuk i shteron “mademi”
Shkencëtarit simpatik.
Poetin të gjithë e duan
Delikat, si lule shelgu,
Mediton, krijon e shkruan.
Krejt i freskët Irfan Bregu.

Dhe në këto vargje shprehen epitetet e goditura si: Axhem Gjoni “energjik, optimist e zemër det” -Perlat Rama “tym e flakë” -Nga Papajorgjët Llazari “duket më autoritari”. Në  këto vargje të sinqerta e plot dashuri për shokët, hera herës, rrjedh këndshëm humori, që i shkëlqen, thuajse, në të gjitha faqet e librit.
Po, Luan Çipi, që është një vëzhgues i vëmendshëm i fakteve, ngjarjeve e fenomeneve në jetën e atyre për të cilët shkruan, mediton për to duke zbuluar kështu përpara lexuesve shpirtin e tij të mbushur me ndjenja të holla lirie, dashurie e burrërie. Kur lexon disa poezi kushtuar njerëzve më të dashur për të si nënës, gruas (Hanëmes) e fëmijëve, diku të duket se ngashërehet e derdh lot mallëngjimi, diku tjetër shprehet nostalgji për vitet e fëmijërisë e rinisë, për vendet ku ka punuar e jetuar, siç merë zjarr e shpërthen me urrejtje ndaj të këqijave e fenomeneve negative që na rrethojnë. Po midis shumë poezive, ajo më e veçanta, që të bën për vete e të rrëmben është poezia “Mendoj për ty”, kushtuar Hanëmes, pasuar nga një poezi tjetër brilante “ Dita më duket një muaj”. Në të parën poeti evokon çastet vendimtare në lidhjen e martesës me atë që do, me atë dilemën e natyrshme:
 Jepe pëlqimin, \në se më do \shtoma gëzimin \mos u vono. Që përfundon me shpërthimin ngadhënjyes të shpresës e të vendosmërisë dhe me një betim përcaktues:” Jo, jo nuk mundet \ më shumë të pres. \ O fjala sot, \ o nesër vdes!
Kurse në poezinë e dytë, që plotëson idetë e poezisë së parë, me interval gati 50 vjet, Luan Çipi, paraqitet si një djalë i ri- dhe i këndon dashurisë së gruas ashtu si 50 vjet më parë. Ai, tashmë, shkruan si një poet me një përvojë të gjatë, të pjekur e të frymëzuar.
Njerëzit, për te cilët shkruan poeti nuk i ndan nga mjediset që jetuan, nga natyra dhe kushtet, por dhe nga qëndrimi i tyre në momentet me rendësi historike. Këtu shpërthen edhe ndjenja e atdhedashurisë së poetit, ndihet fryma e lirisë dhe e dashurisë për çdo vlerë atdhetare e njerëzore qe ka prodhuar vendlindja e tij. Poezitë  “Duke lexuar Isuf Luzin”, “Një burrë i rrallë”, “Atdheu”, “O sa mirë më kenë Shqiptar” e shprehin fare qartë këtë. Poezitë për Milto Shukën, Minella Kostandinin, Llambi Konën skalisin qartë figura që të bëjnë ti duash dhe ti respektosh, njerëz me shpirt të lirë e zemër të pastër, paqësor e mendjendritur. Të duket se poeti, duke qenë midis shokësh u ka dhëne personazheve cilësitë më të mira që fsheh zemra e tij dhe ka marrë prej tyre ato që janë vlera dhe u shërbejnë të gjithëve, duke u shprehur tërthorazi përcaktimin popullor:”Më thuaj me kë ri, të
 te them cili je”. Dhe për ata për të cilët shkruan poeti janë aq të mirë e aq të dashur sa dhe autori i librit, të këtij libri që është me vlera edukative njerëzore njohëse.
Atëherë ç’e bëri poet Luan Çipin? Ndoshta jeta e tij e lidhur aq ngushtë me jetën dhe fatin e të tjerëve, me gëzimet dhe hidhërimet e tyre. Këtu ka lindur frymëzimi poetik, këtu lindin temat me subjektet interesante dhe këtu ndodhi ajo qe ndodh me poetet: shpirti i tij u bë burimi i poezisë së tij.
Libri “Vjershat e mia”, që mund të kishte dhe tituj të tjerë si: “Vargje për ata që dua”, ose “Personazhe në jetën time”- është një libër plotë ndjenjë e dashuri. Kur hyn në fletët e librit të duket sikur ke hyrë në një dhomë shtëpie, ku gjen njerëz të moshuar të ndryshëm që i ke njohur më parë  e tani të rishfaqen ashtu siç i ke njohur, ndoshta 40 a 50 vjet më parë në rrugët Vlorës, në ndërmarrjet, zyrat apo kafenetë e qytetit, sikur bisedon me ta e rikujton të kaluarën e largët, po që na qëndron gjithnjë pranë. Po këtu, takon në këtë dhomëz plotë dritë edhe të tjerë, që ndonëse nuk i ke takuar asnjëherë po të bëhen miq të dashur, për ato bindjet e njëjta për jetën, për dashurinë për qytetin e lindjes dhe për gjithçka të bukur që mbart shpirti i tyre. Luan Çipi në këtë mënyrë bëhet edhe poet i portreteve të skalitur, me pak fjalë, me shumë vërtetësi. Atë e
 tërheqin pejsazhet, që i paraqet të lidhura me personazhet, e tërheqin deti dhe gjelbërimi i një qyteti me diell, siç është Vlora. Në këtë mënyre poezitë dallohen për lirizmin, por edhe për epizmin e tyre. Ky libër ka një dedikim, që ndonëse nuk është shpallur në kopertinën e tij, kuptohet lehtë: Është një libër i çmuar për qytetin e lindjes dhe bashkëmoshatarët e autorit, që dikur ishin si ai fëmijë, por tani janë bërë burra, prindër e gjyshër, që kanë nostalgji për hapat e para që hodhën në jetë dhe atje nën ullishtat edhe në valët e detit dhe që ende ëndërrojnë, shpresojnë e meditojnë edhe për të ardhmen më të mirë të fëmijëve, nipave e mbesave të tyre, të vlonjatëve e të mbarë shqiptarëve.
Ky libër me  poezi u duhet vlonjatëve në bibliotekat e tyre, për të njohur, akoma më mirë, Vlorën dhe njerëzit e saj, në periudha të ndryshme të historisë së saj, me të cilët krenohet mbarë Shqipëria.
Dhe për këtë libër ka një meritë të padiskutueshme autori i tij, Luan Çipi, që ka derdhur në të burimin e pastër të ndjenjave të tij, të dashurisë e mirësisë.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora