E hene, 29.04.2024, 07:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: Njeriu vlen aq sa i vlen puna që bën

E premte, 09.10.2009, 07:01 PM


Njeriu vlen aq sa i vlen puna që bën

(Homazhe për mjekun Gëzim Kotorri, monografi e shkruar nga poeti dhe studiuesi Ylli Hoxhaj)

Nga Kujtim Mateli

Duke lexuar librin e poetit dhe studiuesit Ylli Hoxhaj “Njeriu vlen aq sa i vlen puna që bën” për njërën nga figurat më të shquara të mjekësisë, jo vetëm në rrethin e Përmetit, por edhe këtu në Tiranë ku punoi dhe jetoi kohët e fundit, të përforcohet bindja se ka njerëz që kënaqësinë e gjejnë jo kur bëjnë diçka të mirë që u përket vetëm atyre, por kur ajo që bëjnë u sjell kënaqësi dhe të mira materiale edhe të tjerëve. Pse ka njerëz të tillë qëndron në këmbë shoqëria njerëzore. I tillë ka qenë mjeku Gëzim Kotorri.
Në këtë libër është takuar poeti me studiuesin, duke na dhënë një monografi të përkryer në llojin e vet. Aty është jeta njerëzore e një njeriu me emrin Gëzim, është jeta e një qyteti, është jeta njerëzore në përmasat e saj filozofike. Aty nuk është vetëm Doktor Gëzimi. Aty janë familjarët e tij, është Frashëri që është bërë simbol i atdhetarizmit, është Përmeti dhe qyteti i Përmetit që kushdo do të kishte dëshirë ta shënonte si vendlindje në identitetin e tij, është Gjirokastra ku Gëzimi la gjurmët e një njeriu që nuk do t`i përkiste vetëm vetes së tij. Aty është Tirana, ku figura e mjekut do të lartësohej dhe do të merrej si model i mirësisë.
Libri është ndërtuar nga kujtimet e miqve dhe dashamirësve. Copëza nga jeta dhe puna e tij në spitalin e Përmetit dhe këtu në Tiranë ku jetoi dhe punoi vitet e fundit. Secili e kujton mjekun me emocion. U nda nga miqtë dhe shokët, kolegët e tij të punës më 2 nëntor 2008.
Në libër përshkruhet mjeku model që nuk iu nënshtrua virusit të korrupsionit. Ai e nisi dhe e mbaroi punën e vet si mjek i përbetuar i Hipokratit, si mjeku i përkushtuar dhe i talentuar i fëmijëve.
I dashur dhe i papërtuar, duke shërbyer me devotshmëri kudo që ai punoi: në Frashër të Përmetit dhe në Skrapar, kudo ku e kërkonin dhe që njerëzit ndiheshin të lehtësuar nga dhimbjet, posa shihnin mjekun të shkelte në oborrin e shtëpisë së tyre. U shqua për përkushtimin e tij ndaj profesionit të mjekut në spitalin e Përmetit dhe të Gjirokastrës, si dhe në spitalin e Tiranës ku punoi vitet e fundit.
Por nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh kështu me të gjithë mjekët. Ndaj Gëzimi ishte shembull dhe kolegët e tij e mbanin si modelin e pastërtisë së figurës së mjekut.
Në libër na jepet fëminia e mjekut Gëzim Kotorri. Atje, në lartësitë e Frashërit të Përmetit, në Kreshovën e njerëzve fisnikë e bujarë, më 20 korrik 1952 u lind Gëzim Kotorri, mjeku që do t`i jepte emër jo vetëm vetes së tij, por edhe fshatit Kreshovë.

Personeli mjekësor i qytetit të Përmetit shprehet se ishin me fat që punuan bashkë me mjekun zemërbardhë. Ai kishte një shpirt të madh dhe zemra e tij buronte mirësi për të gjithë. Vasil Jorgji, Doktori me famë në spitalin e Gjirokastrës, që i përmëndet edhe sot emri me admirim( apo siç njihet në të gjithë Jugun si Vasili i Vogël) do do të shkrunte kështu në vlerësimin që i bëri praktikës së tij në klinikën e vet: “ …është i përsosur… Me kulturë të plotë mjekësore… Ai duhet të punojë në një klinikë të madhe.”

I tillë ishte Gëzimi. Po ai ka mbetur i paharrueshëm  tek të gjithë kolegët e tij: Doktor Petrit Rexhepi do të shprehej për të: “ Tani që nuk është midis nesh që prej 6 muajsh dua ta tipizoj si dikur, kur ishte gjallë: “ Gëzim,o ëngjëll i arratisur, ku je?!... Pse Ëngjëll i arratisur?! Sepse ai erdhi në këtë botë me misionin e ëngjëllit: Punoi e jetoi, mjekoi e bëri mirësi si ëngjëll.”

I gjithë personeli në spitalin e Përmetit tregon diçka që e ka bërë pjesë të jetës së tij.

Plot emocion e dhimbje përcillen kujtimet e mjekut pediatër Faik Pashollari dhe endokrinologut Rustem Keko.
 Mbresa të pashlyeshme ruan mjeku otorinolog Landi Stathi dhe kirurgu Janul Barxho. Mjekët Koço Tanku dhe Jonuz Hoxhaj.

 Për përkushtimin e tij ndaj pacientëve tregon kryeinfermierja e apasionuar e pediatrisë, Xhire Dhamo dhe Mjaftoni Marko, ndihmësmjeku Myrteza Ago dhe shumë të tjerë që dikur kishin qenë pacientë të Doktor Gëzimit.
Të afërmit e Gëzimit na sjellin një mozaik kujtimesh: Janë kujtimet e motrave dhe vëllait të tij.
Shkëputim një pjesë nga libri: Kafetë e fundit për nënat e Kreshovës…
” Një javë përpara se të ndërronte jetë, Gëzimi takoi në Tiranë bashkëfshatarin e tij Gramoz Ferati, që banonte ende në Kreshovë. E kishte marrë malli Doktorin për tërë ato vise e për njerëzit. U gëzua shumë, pinë ndonjë birrë e bënë një bisedë të gjatë. E pyeti për të gjithë, sidomos për Nënat e Kreshovës…”Sa janë akoma në fshat, si janë, si rrojnë, me kë rrinë, a janë plakur, etj…” Pasi hyri në dyqan, bleu tetë pako kafe dhe e porositi Gramozin: “Do të shkosh tek të gjitha plakat e Kreshovës, do të m`i puthësh dhe do të m`i përqafosh nga ana ime dhe do t`u japësh secilës një pako”
I tillë ishte Gëzim Kotorri.
Më 29 prill 2009 Këshilli i Komunës Frashër i dha titulin: “Nder i Frashërit” me motivacionin: “Pediatër i shquar i mjekësisë shqiptare, që iu përkushtua shëndetit dhe mbrojtjes së jetës së njerëzve kudo ku punoi, që shpalosi vlerat intelektuale e njerëzore, duke lartësuar emrin e nderuar të Frashërit, e duke ruajtur të papërlyer figurën e mjekut përmetar.”


(Vota: 22 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora