E diele, 28.04.2024, 08:12 PM (GMT+1)

Kulturë

Hajdin Morina: Sintezë artistike e luftës sonë çlirimtare për liri e bashkim kombëtar

E premte, 09.10.2009, 07:59 PM


SINTEZË ARTISTIKE E LUFTËS SONË ÇLIRIMTARE PËR LIRI DHE BASHKIM KOMBËTAR

(Babai i Shpendit, “Krahët e Shpendit”, poezi, botim i pestë, Albpaper, Tiranë 2009)

Nga Hajdin Morina

Vepra letrare “Krahët e Shpendit” e autorit Bardhyl Llagami-baba i dëshmorit Skerdijald Llagami (Shpendi)- është një realizim poetik, ndër më të rrallët që janë shkruar deri më tash për dëshmorët e lirisë, për dëshmorët që ia dha Flamurit shqiptar, Lirisë dhe Shqipërisë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK-ja), Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit (UÇPMB-ja) dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare që luftoi për çlirimin e tokave shqiptare nën Maqedoninë (UÇK-ja).
Ka diçka që e bën të veçantë këtë vepër ndër veprat e tjera që janë shkruar për luftën e fundit çlirimtare që bëri populli ynë, në fund të shekullit XX, për çlirimin e tokave shqiptare në Kosovë, në Kosovën Lindore dhe në trojet shqiptare nën Maqedoninë, prirë nga UÇK-ja, UÇPMB-ja dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare. Kjo vepër është e veçantë për nga autorësia, sepse autori i saj është baba i dëshmorit, të cilit i kushtohet kjo vepër. Veçori dalluese përmban edhe forma e veprës, sepse autori, për të arritur efekte emocionale dhe stilistike, vargjet i ka shoqëruar me fotografi llojesh të ndryshme që shprehin dhe shpalosin pamje të shumta shpirtërore në funksion të përmbajtjes dhe të mesazhit të veprës. Përpos fotografive, autori ka futur në vepër edhe shkrime që përmbajnë fjalime të bashkëluftëtarëve, vlerësime dhe evokime për figurën e dëshmorit. Në funksion të përmbajtjes dhe të mesazhit janë edhe hartat e ndryshme, hartat e copëtuara të Shqipërisë (këto harta janë si gjymtyrët e invalidëve të luftës). Pjesë e veprës janë edhe mirënjohjet që i janë dhënë figurës së dëshmorit nga shoqata, nga figura të dalluara të luftës çlirimtare kombëtare dhe nga institucione shtetërore. Përpos kësaj, për të arritur efekte tingullore dhe emocionale të fjalës, autori shkruan kuq e zi, i përdor drejt shenjat e pikësimit, krijon emra dhe ide nëpërmjet akrovargjeve etj.
Shenja motivuese e veprës “Krahët e Shpendit” është lufta heroike dhe rënia ballëlartë e dëshmorit të Kombit Skerdilajd Llagami, por ky realizim artistik nuk është vetëm sintezë poetike e këtij heroi, por është sintezë poetike e krejt luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë, Preshevë, Medvegjë, Bujanovc dhe në tokat shqiptare nën Maqedoninë.
Figura të kësaj vepre janë shumë dëshmorë të Atdheut, shumë emra të personaliteteve tona kombëtare, të periudhave të ndryshme të historisë sonë. Nga nënteksti dhe nga përmbajtja kuptojmë se pjesë e këtij realizimi artistik janë të gjithë ata që u flijuan në altarin e lirisë së Shqipërisë. Argument për këtë janë edhe fjalët përkushtuese në fillim të librit, mbi fotografinë e monumentit të Nënë Shqipërisë: “U kushtohet atyre që ndonëse ndënë dhe të rënë, lanë flamurin në këmbë”.
Duke shkruar për dëshmorë të tjerë të Atdheut, për figura të çmuara të historisë shqiptare, të krenarisë dhe të dinjitetit tonë kombëtar, duke krijuar dhe duke e madhëruar figurën e Shqipërisë në këtë vepër, autori Bardhyl Llagami e ka shpërndarë kudo nëpër Atdhe dhimbjen dhe krenarinë për djalin e vetëm që ia fali lirisë së Shqipërisë, ka shpërndarë kudo nëpër Atdhe mesazhin se duhet të bëhet Liria, duhet të bëhet Shqipëria, sipas amanetit të dëshmorëve, sipas vijave të hartave që bënë ata me rrjedhat e gjakut të tyre nëpër tokat shqiptare, sipas vijës së gjakut që doli nga zemra e Skerdijald Llagamit.
Vepra letrare “Krahët e Shpendit” burim frymëzimi e ka pasur dhimbjen princore, krenarinë për djalin dëshmor, por energjia krijuese e autorit, realizimi estetik i veprës, efektet që arriti ajo ndër mijëra lexues, gjithandej ku luftoi Shpendi për lirinë e shqiptarëve- të gjitha këto duket se kanë bërë që të zvogëlohen përmasat e dhimbjes dhe të rriten përmasat e krenarisë princore dhe të krenarisë kombëtare për përkushtimin, heroizmin dhe flijimin e dëshmorit të kombit Skerdilajd Llagami.
Në shumë vargje të kësaj vepre autori ka përshkruar dhe ka zbërthyer pamje shpirtërore të nënës së Shpendit, e cila bëhet figurë që simbolizon të gjitha nënat e dëshmorëve, krejt dhimbjen dhe krejt krenarinë e tyre. Në vargjet e tilla ndihet fryma e përmallshme e legjendave shqiptare, përjetohet fryma e njëjtë dhe e pandryshueshme e Nënës, dhimbja e saj për të vetmin djalë, dhimbja për bijën e vet që do ta bëjë jetën pa vëlla. Ajo pret Shpendin e zemrës së saj. E pret në derë, e pret në ëndërr. Një e kishte. Mirëpo autori, mbi dhimbjen e nënës së Shpendit dhe mbi dhimbjen e të gjitha nënave ndërtoi mesazhin artistik për të përforcuar filozofinë e flijimit për Lirinë, për të sendërtuar mendimin dhe bindjen se duhet vepruar sipas kësaj filozofie të vjetër sa vetë historia e njerëzimit, sepse Liria nuk është diçka që mund të krijohet nga fuqia e mendjes dhe nga përmasat e politikës, të paktën jo deri më tash, Liria bëhet vetëm me gjakun e djemve të nënave, qoftë edhe me gjakun e djemve të vetëm të nënave, ashtu siç ishte djalë hasreti dëshmori i kombit Skerdilajd Llagami-Shpendi.
Mendime, ndjenja dhe ide të tilla reflektojnë poezia “Shtatorja” dhe “Lutja”, në të cilat është skalitur figura e Nënës, dashuria e saj qiellore, dhimbja dhe fuqia ripërtëritëse e saj. Këto dy vjersha po ia vë fundit të këtij shkrimi për dëshmorin Skerdilajd Llagami, që të përhapet, që të fryjë më shumë era e dashurisë, fryma e Lirisë ndër trojet shqiptare.

SHTATORJA

Veshur nënat me të zeza,
Mbi një kodër, në varreza,
Një shtatore, si kurorë
E ka ngritur njërën dorë.

Ne, na duket sikur thotë:
“Njerëz mbani ata lotë.
Këtu prehet djalëria,
Me ta mburret Shqiptaria!”

LUTJA

U përleshën retë,
Malet vetëtinë.
I palosi pemët
Era suferinë.

Luti Perëndinë:
“Merrmë mua, tretëm,
Ma shpëto delinë,
Se... e kam të vetëm!”

Ashtu, nuk u bë...


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora