E marte, 30.04.2024, 01:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Hija e rrapit... (Esse për Kadarenë)

E diele, 11.10.2009, 06:58 PM


Megjithëse poeti Përparim Hysi e ka shkruar këtë esse përpara se te vendosej për dhënien e cmimit Nobël të këtij viti në letërsi, ai është tepër aktual dhe u përgjigjet zërave të "korbave" që sa vijnë e veniten përpara madhështisë së shkrimtarit tonë të madh mbarëkombëtar, Ismail Kadare. E përgëzojmë autorin për këtë esse të frymëzuar dhe tepër të arrirë, të shkruar nga Florida e SHBA.
 
Redaksia e Zemra Shqiptare

Hija e rrapit...

Nga Përparim Hysi

(Esse për Kadarenë)

Përsëri iu riktheva Kadaresë. Dhe kam arsye përse. Kur marrë të flas për Kadarenë, më vijnë parasysh dy vargje nga Çajupi që thotë, mes tjerash, "Margaritari nuk gjëndet buzë detit a mbi shpellë; kërkoje në det, thellë. "Dhe margaritari Kadare duhet këkuar thellë. Sado që është i dukshëm dhe konkret, ai për t'u dhënë i plotë, me ato përmasa që ka, duhet kërkuar thellë. Thellë në detin e kohës që me baticat dhe zbaticat e tij, ndonjëherë ka vërvitur edhe dallgë mbi këtë madem të letërsisë Shqiptare dhe jo vetëm shqiptare, por, pa menduar se po hiperbolizoj, këtë madem të letërsisë botërore. Lexuesit i lutem vetëm për një gjë: të më falë që nuk do jem në gjëndje të them, ashtu siç duhet, atë që pse iu ktheva Kadaresë. Se, në s'jam i zoti të shkruaj si duhet (ka plot që më bëjnë që të skuqem deri në majë të veshëve në këtë "zejen" e të shkruarit), ama për të lexuar di mirë. Dhe për ç'ka lexoj, edhe reflektoj. Reflektoj me aq sa di. Dhe dituria nuk ka fund. Apo jo? Lexoj në një të përditshme për Kadarenë (ndoshta edhe në Web site) që shkruhet, mes tjerash, ... " Kadare nuk ka qenë anëtar i partisë, por ka qenë i pëlqyer i Institutit m-l, të drejtuar nga Nexhmie Hoxha. "E lexova dhe e rilexova dhe mendova se dikush do t'i kundërvihet autorit. Por hiç. Kaloj si thika kur futet në gjalpë. As kundërshtim dhe as pohim nga askush. U çudita se jo më vonë, pashë një intervistë të vet Kadaresë tek "Panorama", më duket. Kjo, ç'ish shkruar, nuk iu zu në gojë, por diçka tjetër. Por dhe atje do ndalem. Po pak me radhë. Kadare ka qenë komunist, por asnjëherë nuk ka qenë punonjës i atij instituti famkeq që drejtohej, nga "Delikatja" e Tar(r)asit aliaz Shpati. Delikatja që qe "aq e mirë" sa ç'është kollë e mirë. Delikatja i them autorit që ka shkruar atje (qe "The guardian") jo vetëm s'e ka patur punonjës të saj Kadarenë, por ka patur një urrjetje proverbiale kundër tij. Dhe këtë e ka bërë ashtu "urtë e butë e plot tiganin", kur i thonë fjalës. Midis anëtarit të partisë, Kadare, dhe punonjësit të institutit m-l, ka një dallim aq cilësor, sa ka dita me natën. Komunist Kadareja është bërë nga "zorbelaja", në mund të shprehem kështu. Më kujtohet për një çast, se Noli kur u vesh prift (në vitin 1908, në mos gaboj), paskësh thënë: - Perëndia të më falë, që nuk e kam besuar. Analogji pak e largët, por ia vlen. Si i talentuar që qe, Kadare e dinte që as mund të gjente veten pa u pranuar në parti. Pranimi në parti (vërtet nuk qe i detyrueshëm), qe si një gurprove besnikërie. Ndryshe një i talentuar (i talentuar dhe rrebel), se a nuk qe Kadareja promotorri i të shkruarit ndryshe? Dhe për këtë të shkruar ndryshe, pati aq e aq debate se e vjetra, konservatorja, nuk lëshonte pe. Në këto shina ku Kadare qe promotorr, hipur në një tren së bashku aso kohe, qe edhe Dritëroi, Fatos Arapi për të mos vazhduar dhe me të tjerë. Po qe rrebelim ama. Dhe nga rrebelimi tek ndëshkimi, një fije e ndante. Këtë fije e mbante në dorë "Zeusi" që nuk qe në Olimp, po aty ca çape larg Lidhjes së Shkrimtarëve. Duket "Zeusi" (nënkutpo Enveri) mbështeti të renë, pa mohuar traditën dhe letërsia shqiptare zuri të merrte frymë. Ama mushkëria e kësaj frymëmarrjejj të re, qenë këta promotorrët, ku Kadare, padyshim, qe më i talentuari. Këto, pothuaj, dihen nga të gjithë, po unë kam arsye që t'u kthehem. Këto arsye që do t'i zhbiroj pak nga pak, marrin shkas, veç tjerash, edhe nga një pohim i madh. Pohim që vjen nga vet Kadare. Pohim që nuk e ka thënë asnjëherë tjetër. -Donin të më zhduknin. Mundësisht me ndonjë aksident.
Dhe vërtet që kështu ka qenë. Unë nuk jam hetues, por si, lexues, kam hasur në ca fakte që, po t'i analizosh me gjakftohëtsi, i jep plotësisht të drejtë hamendjes së Kadaresë.

* * *

Duke hyrë në "makazinën time pa inventar", hasa, mes tjerash, edhe një fragment të romanit të Kadaresë "Përballë pasqyrës së një gruaje". Ky roman është me tri pjesë: "Kalorësi me skifter" (ku trajothen ngjarje të gjatë dhe pasluftës), "Historia e shkrimtarëve shqiptarë përballë pasqyrës së një gruaje" dhe "Ikja e shtërgut". Natyrisht, nuk marrë përsipër të analizoj këta tri romane të shkurtër", por për të dalë atje ku dua, do më lejoni që të bie një pasazh pikërisht për "Lidhjen e shkrimtarëve". Është një kohë kur partia u ka bërë thirrje (ka urdhëruar, - më drejt) që shkrimtarët dhe artistët duhen të shkojnë të edukohen në gjirin e kllasës punëtore dhe fshatare. Natyrshëm, që të përkëdhelurit, vetëm do solidarizoheshin, por do u thuhej: -Bravo u qoftë, por na duheni këtu, në Tiranë. Të tjerët: në esfel! -kur thonë turqit. Po të ishte Kadare nga ata të pëlqyerit të kupolës (nënëkupto Enverin e Delikaten), natyrisht që nuk do linte Tiranën. Përkundrazi, e sollën në një fshat të Libofshës (nja 20 km larg Fierit). Por, para se të kaloj tek ky "transferim", le të njihemi se si e përshkruan Kadare atë "lëvizje" të madhe.

.... "Kryetari i Lidhjes bashkë me sekretarin e partisë i prisnin të gjithë për t'i dëgjuar se në ç'vënd mendonin se do të qarkullonin. Ishin të bindur se pavarësisht nga zotimi i njëzëshëm për qarkullim, vetëm një pjesë do të iknin nga kryeqyteti. Të tjerëve do t'u thuhej: -Ju lumtë për gatishmërinë, por kemi nevojë për ju, këtu, në Tiranë. Në zyrën e kryetarit, pasi u tregonin katundin ose qytetin ku ishin gati të shkonin për të njohur jetën, njerëzit rrëfenin hallet e tyre, ato që i pengonin tani për tani të iknin nga shtëpitë, me shpresën që Partia, me zëmërgjërësinë e saj do t'i kuptonte.

Hallet e të fshehtat që ndynin shtëpitë e shkrimtarëve dhe artistëve ishin nga më befasuesët. Ngjante e pabesueshme që vepra aq të shëndetshme e plot diell pranvere, që përbënin krenarinë e realizmit socialist shqiptar, ishin krijuar nga njerëz me aq sëmundje e cene trupore. Prostati, majasëlli, dhjamthi, shurrimi në shtrat, dukeshin sëmundje të nderuara në krahasim me lëngata të tjera, ca puçërra e pezmatime zorrësh e lloje zgjebjeje të papara që nga koha e mbretërisë.

Zakonisht, ata që vinin një herë këkonin të dëgjoheshin përsëri. Hera e dytë ishte ajo kur rrëfenin dhe zezonat më të mëdha, ato që për "shkak të sedrës së mallkuar mikro-borgjeze" i kishin fshehur në takimin e parë. Kishte nga ata që zbërthenin pantollonat për të treguar pllanga të frikshme ekzeme, herdhje që vareshin sidozot e të tjera lemeri. Njeri e niste rrëfimin me hallin e gruas që nuk i pillte, për t'u zhgrehur pastaj në vaj e për të thënë se gruaja e tradhtonte me fqinjin; tjetri rrihej nga djali dhe një i tretë vërtettimn se ishte i metë nga mëndja... "

Vetëm ky pasazh u vë notën të gjithë atyre karagjozëve që na kanë ngopur me ato "paçavrat që zunë myk në tempuj", duke marrë hua nga Migjeni. Ja një arsye më shumë për ta dashur Kadarenë. Se ai jo vetëm nuk qe nga ata, nga të përkëdhelurit, por, pse u bënte hije, e qarkulluan në Myzeqe në një fshat 20 km larg Fierit.

Erdhi Kadare në fshatin "Agim" (më parë është quajtur Çflig-Grëm!) dhe u vëndos aty. Erdhi..., po ai kishte ardhur me kohë atje. Se Libofsha, vërtet, është larg nga Fieri, por në fshatrat e Libofshës ka patur qytetërim. Prej kohësh: Shkolla e parë shqipe në Libofshë është hapur në vitin 1908 dhe "Agimi"-e them pa e tepruar-është një nga fshatrat më të emancipuar. I njoh mirë ato treva se kam qenë mësues për tri vjet dhe, postdemokracisë, kam qenë inspektor arsimi për nja 4-vjet. Kam plot miq dhe dashmairë andej dhe një nga ata, ka qenë dhe kryetari i kooperativës, Zoi Grëmi, (ndjesë pastë se ka vdekur, tanimë!), që më tregonte për Kadarenë: "Erdhi, po qemë në hall. E sitemuam si mundëm dhe, sado që unë e dija pse e kishin prurë tek ne, bëra ç'ishte e mundur t'i krijonim kondita. Unë vet e doja. Po e donin më shumë të rinjtë. Dhe askush nuk u ankua, kur të vetmin televizor që kishim si kooperativë, e vendosëm atje: për Kadarenë. Ai qe si një rrap. Dhe rrapi ka hije të madhe. Edhe gazin tim, sa herë që donte të shkonte në Fier apo dhe kur shkonte në Tiranë, ia vura në dispozicion."

Tek shkruaj këto radhë, për këtë "hijen e rrapit", tak dhe më shkon mëndja tek një "hije" tjetër. Edhe kjo "hije" është e një poeti (unë e dua shumë) të dëgjuar. Të dëgjuar, por që nuk e donte partia dhe pushteti. Më vjen ndërmënd, poeti Ali Asllani. I thoshin Ali Efendi! Kish shkuar për në vizitë tek një i afërm Ali Efendiu, por, befas, tek ky i afërm do vinte për vizitë (ndoshta qe për ngushëllim) vetë kryemnistri Mehmet Shehu. Do vinte, por brënda qe Ali Efendiu. Duhej dikush t'i thoshte që ky që po vinte, s'donte ta shihte. Duhej, po kush guxonte, se... Se qe "hija e rrapit" që lëshonte Ali Asllani. Hyri Kyreminsitri dhe në qoshen tjetër pa atë: "hijen e rrapit"... Shkëmbyen muhabete dhe, mysafiri, ra nën hijen e atij burri të mëçur. Ke se ç'mëson nga Ali Eefendiu, - tha.

U zgjata, pakësa, ç'është e drejta, por të vërettatduhet thënë ashtu siç janë. Tani le të vimë e të hapim siparin se sa i afërt ka qenë me kupolën Kadare. Të gjithë e dinë se Kadare e ka "çarë klonin e zi" jo me shpatë në dorë, po me penën e tij, "GJenerali... " i dha atij pasaportën ndrëkombëtare. Dhe "Gjeneralin... " e shkroi Kadare jo sipas kuotës së kohës, po me një kuotë vetajke dhe unike. Ai e tregoi veten se qe mbi të tjerët. Këtu nuk ka vënd as për ekuivoke dhe as për superlative. Privimet e tij kanë qenë nga më të ndryshmet, por gjyslykët e tij, shihnin si në rontgen se ç'bëhej kundër tij ku sheshit dhe ku pas kuintave. Kush si ai mund ai kalonte "ujtë nën rrogozë" censurës (kupolës-thuaj) duke shmangur heroin pozitiv socilaist. Veprat e tij janë shkruar në mënyrë të tillë, sipas një kodi vetja dhe unik: më shkon mëndja tek një kod pak Davinçian. Hiq "Dimrin e vetmisë së madhe" (një titull që bën mu, por u detyrua ta kthej në "Dimir i madh"), nuk ka libër tjetër ku aluzionet e tij janë shumë domethënës. Po kupola? Mos po flinte gjumë? Jo. Ajo e ndiqte, por, sado që s'e donte, i lipsej. Aq më tepër që "strehë" e botimeve qe bërë Franca dhe ndë Francë, kish bërë shkollë Enveri që qe frankofon. Mos po prrallis kot. Jo. Kupola nuk e ka dashur Kadarenë. As me Enverin dhe as pas Enverit. Kam në "arshivën time" (po ta quaj kështu) një dokument që e tregon açik këtë "dashuri". Po jua sjell edhe juve.

Ka qenë viti 1986. Enveri kish vdekur. Bëhej një takim për letërsinë balkanase në Danimarkë. Duhett të vinte nga një përfaqësues i kësja letërsie. Për Shqipërinë dhe Bullgarinë ftesa ishte me emër. Për Shqipërinë ështe ftuar Isamil Kadare dhe për Bullgarinë, Blaga Dimitrova. Kjo, Blaga Dimitrova, edhe tregon. Se, ndërsa asaj, pas shumë peripecishë, me ndërhyrjen e fortë të një mikeje të saj initme, iu dha e drejta të merrte pjesë, Kadare, u shmang nga kupola e kohës (epo e donte kupola dhe, veçanërisht, Nexhmia dhe Ramizi). A ka shëmti më të madhe se kaq? U bënte hije rrapi. Rrapi: Kadare! Dhe nuk shkoi dot. Shkoi kryetari i Lidhjes. A ka gjë më qesharake dhe dramatike, njëherësh? Por vallë, herë e parë që i bëhej kështu? Po të ndodhte ty, o ti që s'e do Kadarenë, çfarë do thoshe? Janë të njëjtë sistemet totalitare dhe yrnekun e kanë të njëjtë. Kur pashë me llahtar këtë mënjanim mospërfillës të Kadaresë, me mëndje shkova nja 50-vjete më parë, kur në Paris mbahej një takim shkrimtarësh, dhe kur kërkohej me çdo kusht që në atë takim të ishte dhe shkrimtari Isak Emanualoviç Babel, atij si persn "non grata" s'i qe dhënë viza. Këmbëngulja e tyre bëri që të vinte me dy ditë vonesë. S'ka turp më të madh. Por më vonë, ky, Babeli, e pagoi me kokë. e pushkatuan. Për ta riabilituar, mandej, në vitin 1954. Vdis pa ngjallu!

Por kur flas për Kadarenë dua të shtoj dhe diçka: i është propozuar nga të gjithë krahët e politikës që të bëhet presidenti i vëndit, dhe nuk pranoi. Duke ndënjur atje në llogoren e shkrimtarit. Dhe këtë llogore e lë vetëm atëherë kur fatet e atdheut janë në rezik apo më mirë: ai di ta ngrejë zërin atëherë kur duhet. Futni këtu Çështjen e Kosovës, për Nënë Terezën, për Skënderbeun. Dhe i vë pikat mbi i. Duke e mbyllur këtë përsiatje time, them se "Hija e rrapit" Kadare është aq e madhe, sa ky rrap bën hije në letërsinë e përbotshme. Unë shpresoj që nën "hijen e këtij rrapi të madh", sivjet, të vijë e të "hijëzojë" çmimi Nobel! Se ai e meriton.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora