Kulturë
Sevdije Rexhepi: Simfoni e Heshtur (Cikël poetik)
E merkure, 14.10.2009, 07:08 PM

Sevdije Rexhepi, përveç poezisë, shkruan edhe prozë dhe merret edhe me gazetari kryesisht shkruan reportazhe dhe udhëpërshkrime. Ka bashkëpunuar me shumicën e shtypit shqiptar që botohet në Kosovë dhe mërgim.
Kjo poete, përveç gjuhës shqipe zotëron mirë edhe anglishten e frëngjishten, kurse poezi shkruan në gjuhën amtare dhe në anglisht.
Si natyrë; Sevdije Rexhepi është një poete sensitive, e ndjeshme ndaj dukurive jetësore, mbron me dashuri jetën e të tjerëve, adhuron lirinë njerëzore dhe përherë poezinë e saj e përcjell një mesazh kuptimplotë përplot melankoli e vlera letrare.
Është prezantuar në këto antologji:
1. “Mozaik të një portreti”, Tirane, 2004.
2. “Gjuha e dashurisë poetike”, Tirane, 2006.
3. “Nënës”, Tirane 2007.
Veprat letrare:
1. “Simfoni e heshtur”, poezi, Gjilan, 2003.
2. “Orët e mungesës”, poezi, Gjilan, 2004.
3. “The Sounds of Waterfalls – (Tinguj ujëvarash)”, poezi, Gjilan, 2004.
Sevdije Rexhepi, jeton në Gjilan, kurse momentalisht punon në Kopshtin e Edenit, në Irakun Qendror.
E-Mail: sevdije_r@yahoo.com
(Shefqet Dibrani)
SEVDIJE REXHEPI

SIMFONI E HESHTUR
Ditë vjeshte...
Bie shi i ftohtë ngadalë
Nuk dëgjohet tjetër veçse ushtimë dhe ritëm
Të shndërruar në melodi që përsëritet
Me nota nostalgjike
Deri në mbarimin e kësaj simfonie
Mendoj,
Kujtoj,
Dhe pyes mendjen:
Pse diçka të qetë s’më lë?...
Nuk e di pse shpirti im nuk pushon,
Pse nuk fle?!
TË LODHUR NGA PRITJA
Kjo erë e ftohtë dimri
Shprish pa mëshirë flokët e mia
E më mbyll sytë si për inat
Me pluhurin e qytetit tim,
Por edhe me një sy shoh
Turmë njerëzish me fytyra enigmatike
Të lodhur nga pritja
Se ndoshta orët e kësaj dite do t’i shesin
Dhe do të blejnë pak shpresë,
Vrapojnë pas atij
Që ka grushtin plot
Dhe ndalen,
Presin...
A thua, cili do ta triumfojë dëshpërimin?
Zbrapsen zemërthyer
Në heshtje lexojnë vuajtjet e njëri-tjetrit,
E ditët ecin me hapa të rëndë
Si duket edhe nesër do të shfaqet falas
Ky film i shkurtër metrik
Me personazhe të tjerë, njëjtë të uritur
Për një ditë të ngrohtë, pa erë.
ME MALL
(Gjyshit-Babokit)
Kujtoj me mall
Një lis plak që kurrë nuk u tund
As pas stuhive të përgjakura
Me degët që nëpër stinë lulëzuan
I fortë qëndroi ndër vite
Me vullnetin e jetës
Nga ky trung i rrahur çdoherë
Lindën fidanët e reja
Ripërtërinë shpresat e brezave,
Por habitem me kohën
Dhe me shtigjet që ai kaloi
E kurrë s’u lodh
Por nguli rrënjët në ne
Dhe në ata që këtupari kaluan
E ia patën zili
Por e deshën se aromë u fali
Sa herë lëshuan sytë tek ai.
MOMENTI...
Në këtë ditë të pakohë
Në pikën e njëjtë qëndroj
Mbi valët e momentit mundohem të fluturoj
Bashkë me kohën që nuk pret
Dhe me tingujt e ndezur të një kënge
Që vargjet nuk i di
Por melodia e saj më përkund ngadalë
E më ngjallë një ndjenjë të pastër fëmije
Që mundohet
Të ecë...
Të flasë...
Dhe ushqehem
Me fjalët që rrjedhin
Nga fundi i një fillimi të pafund!
PRES
Pres,
Çfarëdo thirrje...
Thirrje të parëndësishme
Me fjalë boshe e pa kuptim
Për çdo ditë
Dhe kot të pres ty
Të dëgjoj zërin
E pastaj të lind ylberi
Në qiellin e syve të mi
Me fjalë të ëmbla:
-Mirëmëngjesi e dashur!
STUHIA
Fluturoj si një pulëbardhë
Mbi oqeanin e mendimeve të mia
Të gjej ishullin
Pastaj të ndalem
Të pushoj
Dhe të vazhdoj prapë rrugëtimin tim
Nëpër shtigjet e panjohura
Që kurrë më parë shkelur s’i kam
Por erdhi stuhia
E mori gjithçka me vete
Furishëm më rrëmbeu,
Trupin tim rrahu
Më humbi
Më largoi nga kaltërsia
Por prapë
Në një moment tjetër
Do të kthehem bashkë me diellin!
TRIO
Veshët më ushtojnë
Nga qetësia e kësaj nate
Vetëm tik-takun e orës përcjell
Se gjithçka tjetër ka rënë në gjumë
Jemi vetëm, Unë dhe Terri
Që bisedojmë nën dritën e Qiriut!
SHOKU IM BESNIK
Ky shi që bie e nuk ndalet dot
Gëlltit pa mëshirë orët e kësaj dite
Dhe e mbështjell me monotoninë e saj
E nuk e kthen më,
Por unë pres mbrëmjen
Që të gjej shtratin tim
Trupin dhe mendjen t’i pushoj
E me duart e ftohta
Të pushtoj jastëkun
Shokun tim besnik
Pastaj fort ta përqafoj, shtrëngoj
E të tretem në botën time
Dhe të fluturoj diku larg
Shpirtin tim ta shëtis
Ndoshta gjumi do të më vijë
Në sytë e mi të mërzitur...
PIKAT E SHIUT
Sa shumë pika
Në dritaren time
Nuk mund t’i numëroj
Dhe as që mundohem fare
Bien shumë ngadalë
Dhe qetë-qetë rrëshqasin
Deri në pakufi
Ngase fundin e këtij udhëtimi nuk e di,
Sodis me kureshtje
Humbëm në thellësinë e imagjinatës sime
Papritur ylberi shfaqet
Dhe në dritaren time troket
GJUHA E ZEMRËS
Erë e ftohtë fryn
Ditë e marrë marsi
Më mërdhin zemrën
Ngase nuk e di ku je
Të të kërkoj
Dhe të them
Se i takon një ëndrre të mirë
Edhe pse zemra çdoherë flet një gjuhë
Pa dallim,
Se kur shikimet ndeshen
Sytë flasin bashkë me zemrën.
YLBERI I JETËS
Shikoj nga brenda
Shiun e furishëm
Që bie pareshtur
Në tokën e etur
Dhe më shpie në nostalgji
Për një ylber
Me ngjyrat e jetës
PSE SOT... KËSHTU?
Ndoshta pse diell nuk jam
E të lëshojë rrezet
Pse s’mund të shndërrohem në re, në shi
Të shpërndaj freski
Apo pse jam dikush tjetër
Se gjithçka që ndiej vë në letër
Apo pse jam shumë e marrë
Që pëlqeva në shikim të parë
Ndoshta pse i besoj çdo fjalë që shkruan miku
Që rrjedhin nga brendësia apo kotësia
Nuk e di
Por e di se sot ndihem si fëmijë.
VALËT E LUMTURISË
Mundohem të shëtis lirshëm
Në hapësirën ku imagjinata jeton
Sepse sa herë që bëj hapin e parë
Takoj edhe udhëkryqet e saj
Pastaj merr frymë thellë
Dhe forcë gjithashtu
Kthehem nga fillimi
Ngase rrugën nuk e di
Zotohem që prapë të vazhdoj
Derisa përballë të jem
Me valët e lumturisë
Që të më përkundin ngadalë
Si nëna fëmijën e saj
Pastaj dielli do të shfaqet
E do të ngrohë me rrezet e arta.
MBUROJË SHPIRTI
Sa bukur do të ndihesha
Po të isha gjethe në degë
E degët përreth do të ishin miq
E trungu zemra e miqësisë
Dhe era do të më përkundte për çdo natë
E shiu do të më rrihte nganjëherë
Do të isha mesi i botës
Ku lumturia mbretëron
Me këngën e zogjve
Do të kënaqesha me pipthat në pranverë
E në verë me lulet
Në vjeshtë shoqet do të iknin bashkë
Por dimri i ftohtë
Me mua, me ty!
PA TITULL
Më këshillove njëherë
Jo moti, miku im
Të mos kërkoj ylberin vetëm me sy
Pranova dhe ndryshova...
Nisa të kërkoj me fjalë e zemër
Përgjigja jote sillej vërdallë
Bashkë me erën
I ngjante natës pa yje
E errët
E shkretë...
LOJTARI
Topi ishte në anën tënde
Më propozove të luaj
Edhe pse rregullat e lojës
Nuk i dija
Kur fillova të mësohem
Të luaj më mirë
Godite aq fort
Sa lojën e mallkova...
MIQTË
Thuhet:
Ndjenja më e ëmbël është
Të kesh miq të sinqertë
E fortë është kjo ndjenjë
Si një themel shtëpie
Apo si dashuria
Për shpirtrat e vegjël
Të lumtur dhe plotë jetë
Ndihen mes veti
Miqtë e vërtetë
Të vërtetë si vetvetja
NËNA
Një fjalë pa halë
E ëmbël si mjalti
E çmuar si diamanti
E dashur si fëmija
E freskët si puhia
E hareshme si dita
E ndritur si drita
E gjallë si lumenjtë
A thua
Ka fjalë më të shtrenjtë?
ME SHIUN
Dua të jem shoqe me shiun
Të fillojmë rrugën së bashku me retë
Dhe të shpejtojmë teposhtë
Deri në pikën ku etja pret
Pastaj dhe të më përpijë
E të udhëtoj drejt lumenjve të gjatë
Deri në pafundësinë e deteve
Dhe prapë nga e para
Jetën të nis.
MALLI
Nuk të shoh me ditë të tëra
As zërin s’mund ta dëgjoj
Të më shërojë shpirtin
Që pyet për ty.
Nuk e di si gjete rrugën
Deri në thellësinë e zemrës sime.
Tash si t’i mbys ditët që nuk kalojnë
Deri në përqafimin e ri...?
TË VAZHDOJ...?
Bie shi tërë natën
Si lotët nga shpirti im i vrarë
Mendoj në ty
Dua të të shoh...
Nuk e di a më do?
Zëri yt më vjen nga larg
Si një ushtimë...
Ç’thua ti?
Të pres dashurinë tënde
O të nis kërkim të ri?!
PIKËQËNDRIMI
Mundohem të numëroj flluskat e borës
Nuk arrij dot
Tretem shpejt
Sikur ditë që ikin
Dhe falin lindjen e një të nesërmeje të re
Nuk e di
Pse shtegtimi është aq i ngadalshëm
Nëpër valët e jetës
Jo!
Nga ndrojtja nuk zbehem/
Vetëm dua
Nëpër gjurmët e mia të arrish
Në pikëqëndrimin ku unë pres...!
NATË ME YJE
Në barin e njomë të kësaj stine
Të shtrirë jemi të dy
Ti lehtë më shprish flokun
Më përqafon dhe më puth ballin
E unë ndiej aromën tënde
Të quajtur dashuri
Ashtu të qetë qëndrojmë
Jemi mysafirë të kësaj nate me yje
Sonte
Fjalët hedhin valle në vargje
Dhe treten në qiellin e pafund
Në heshtje
Sytë e tu dhe sytë e mi flasin
Luten të vazhdojë ëndrra!
TI MË FALE STINËN
(Babait)
Me lulet e para të pranverës
Dhe rrezet e ngrohta të diellit
Ti më fale stinën dhe krahët
Bashkë me zogjtë tjerë
Përballuam sfidat
Fluturuam tej horizonteve
Nga ti mësova këngën
Këngë që nuk i ngjan vajit
Erërat e dimrave me acar
Na rrahën nëpër mote
Sa herë u rrëzuam
Ti na dhe dorën të ngritemi
Si engjëll na shoqërove nëpër shtigje
Në piedestal kur erdhëm
Diçka ndriste
Zgjova yllin që më priste
Dhe mora dritën prej tij...
JAM KËTU
Nëpër agimet e para
Kur rrezet ballin tim lëmonin
E më zgjonin
Eca ngadalë nëpër vite
Dhe thura vargje
Të mbështjella me ëndrrat e mia
Kur qielli ishte i ngrysur
Retë pa mëshirë luftonin
E sillnin shiun rrebesh
Pas këtij rrugëtimi me shtrëngata
Bashkudhëtare me ylberin u bëra
Ia fala ngjyrat e arta
Dhe ngrohtësinë e diellit...
Sot sërish jam këtu
Në këtë Tokë
Me Ty...
Zgjodhi dhe përgatiti: Sh. Dibrani
Komentoni
Artikuj te tjere
Shefqet Dibrani: Dashuria lind bashkë me poezinë
Halit Bogaj: Militanti
Gjon Keka: Malli i vjetër dhe sloganet e reja
Vangjush Ziko: Mosha e poetit
Cikël poetik nga Lumnie Thaçi-Halili
Cikël poetik nga Arsim Halili
Bilall Maliqi: Intervistë me shkrimtarin Engjëll Koliqi
Cikël poetik nga Gentjan Banaj
Ejup Ceraja: Esetë metaforike të një poeti të talentuar
Shazim Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Lumenjtë e dritës'' (III)
Xhenc Bezhi: Bënë kryeplaku lanë katundi
Ndue Ukaj: Tingëllima e dielës
Halit Bogaj: Shtatë gratë
Arbnori, letrat e burgut - Ju rrëfej spiunët e dënimin e dytë
Mueller: Kurre nuk kam ndryshuar qendrimin per Kosoven
Këze (Kozeta) Zylo: Çmimi Nobël dhe shqiptari Kadare
Baki Ymeri: Kosova me vlera të reja shqiptare në gjuhën rumune
Cikël poetik nga Xhemë Karadaku
Viron Kona: Drithërimat e Yjeve (III)
Përparim Hysi: Një Poet që nuk njeh plakje