Kulturë
Demir Krasniqi: Nxënësit këndojnë himnin kombëtar - arsimtarët kërcejnë valle me tupanë e surlja
E enjte, 29.10.2009, 03:04 PM

NXËNËSIT KËNDOJNË HIMNIN KOMBËTAR – ARSIMTARËT KËRCEJNË VALLE ME TUPANË E SURLJA
Nga Demir KRASNIQI
Me të kuptuar se inaugurimi solemn i Shkollës së re Fillore në lagjen “Zabeli i Sahit Agës” në Gjilan, (e cila aktualisht vepron si paralele e ndarë fizike e Shkollës Fillore “Abaz Ajeti” e po këtij qyteti) , do të bëhet më datën 07 Tetor 2009, Drejtori i shkollës amë, z. Hetem Kosumi angazhoi arsimtarin e Kulturës Muzikore , që ta përgatis një program modest cilësor me nxënësit dhe korin “Tefta Tashko” të kësaj shkolle , enkas për ditën e inaugurimit të shkollës së re .
Arsimtari i Kulturës Muzikore , duke e zbatuar urdhrin e Drejtorit të shkollës dhe duke i realizuar ëndrrat e qindra nxënësve të talentuar , nuk e kurseu mundin , as kohën për të ushtruar me ditë të tëra rreth përgatitjeve sa më të mira të këtij programi .
Por çka ndodhi më pastaj?
Me të kuptuar për fillimin e përgatitjeve të programit artistik me nxënësit e kësaj shkolle, ithtarët e ish Drejtoreshës së kësaj shkolle dhe kundërshtarët permanent të Drejtorit të tanishëm, si dhe të arsimtarit të Kulturës Muzikore , menjëherë i filluan aktivitetet e tyre nëntokësore për t’i penguar në çdo mënyrë provat e nxënësve dhe sukseset e reja të shkollës?!
Grupi i njerëzve të këtillë, duke e ditur se instrumentet elektronike muzikore të cilat shfrytëzohen gjatë provave për përgatitjen e programit kulturor , nuk mund të funksionojnë pa rrymë elektrike – ata disa herë u angazhuan tinëzisht për ta ndërprerë rrymën elektrike , mu në kohën e caktuar për ushtrime me korin e shkollës dhe atë, jo në krejt shkollën , por vetëm në sallën ku po mbaheshin provat?!
Përveç ndërprerjes permanente të rrymës elektrike, grupi i kundërshtarëve të Drejtorit dhe arsimtarit të muzikës, disa herë në mënyrë tinëzake i ka demoluar edhe instrumentet muzikore , pa të cilat është e pa mundur mbajtja e provave të korit të shkollës! Madje, ka pasur edhe arsimtarë të atillë, të cilët janë angazhuar që as nxënësit e klasave të tyre , të mos i lejojnë që të vijnë në provat e korit të shkollës?!
Pas këtyre kurtheve dhe pengesave të njëpasnjëshme , arsimtarit të muzikës nuk i mbetet rrugëdalje tjetër, pos që t’i sjell në shkollë instrumentet e veta personale , të cilat mund të funksionojnë edhe pa rrymë elektrike, vetëm e vetëm që të mos dështojë programi festiv i shkollës dhe të mos shkojë huq puna e më se 70 nxënësve pjesëmarrës të rregullt të provave në korin e shkollës.
Çka ndodhi në ditën e inaugurimit të Shkollës së Re?
Në ditën e inaugurimit të Shkollës së Re Fillore, në lagjen “Zabeli i Sahit Agës”, ithtarët besnik të ish Drejtoreshës së Shkollës Fillore “Abaz Ajeti” dhe kundërshtarët perfid të Drejtorit aktual, bashkë me arsimtarin e Kulturës Muzikore , kishin bërë me kohë skenarin dhe regjinë e tyre, për ta prishur programin e Korit të Shkollës, me qëllim që ta diskreditojnë punën dhe mundin e arsimtarit të muzikës, bashkë me 70 nxënësit e Korit të shkollës ,e në kuadër të kësaj , ta diskreditojnë edhe autoritetin e Drejtorit aktual të shkollës!
Për ta arritur këtë qëllim, grupi i arsimtarëve të tillë, me kohë kishte angazhuar një grup tupanxhinjësh dhe surlaxhinjësh , me qëllim që sa po të fillojë programi artistik i përgatitur me nxënës të Korit të Shkollës – ata t’ua prishin disiplinën duke i detyruar tupanxhinjët dhe surlaxhinjët që t’iu bien me sa fuqi që kishin , për t’ ua prishur programin nxënësve të shkollës dhe me këtë , për t’ ua humbur koncentrimin edhe publikut të shumtë që kishin ardhur atë ditë për ta përcjellë programin e fëmijëve të tyre.
Në momentin e caktuar sipas agjendës , kur pritej të prehej shiriti dhe të inaugurohet Shkolla e Re - nxënësit e Korit të Shkollës, bashkë me arsimtarin e tyre, ishin rreshtuar në mënyrë solemne përpara tribunës dhe publikut të pranishëm, të gatshëm për ta shfaqur sa më mirë programin e tyre artistik .
Grupi i arsimtarëve kundërshtarë të Drejtorit dhe të arsimtarit të muzikës, në vend që të angazhoheshin për mbajtjen e rendit dhe të qetësisë publike, me qëllim që t’ i mbrojnë nxënësit e Korit të Shkollës, pa i shtyrë dhe shkelur huliganët të cilët kishin ardhur me numër të madh nga lagjja dhe qyteti, ata iu ndihmonin këtyre të fundit që të bëjnë edhe më shumë trysni dhe çrregullime të rendit?!
Para se të filloi ceremonia e programit zyrtarë dhe prerja e shiritit të Shkollës, përfaqësuesi i Zyrës së Komisionit Evropian, që ishte edhe donator i ndërtimit të kësaj shkolle , ishte caktuar që ta bënte prerjen e shiritit.
Përfaqësuesi i ZKE-së, para se ta priste shiritin , e kishte urdhëruar Drejtorin e Arsimit Komunal të Gjilanit, z. Ismajl Kurteshin, që në këtë program nuk guxon të intonohet as Himni Kombëtar Shqiptar, e as të valojë Flamuri Kombëtar Shqiptar?!
Madje, ai vet doli në tribunë dhe i vendosi Flamurin e UE-së dhe atë të UNMIK- Kosovës!
Pas një raundi fjalimesh dhe ndarjesh të mirënjohjeve për zyrtarët dhe donatorët, pasoi ceremonia e prerjes së shiritit, kurse gjatë tërë kësaj kohe, Kori i Shkollës ngeli në këmbë duke pritur urdhrin për fillimin e programit kulturo – artistik !
Duke e parë se po injorohet në çdo mënyrë puna dhe mundi i nxënësve dhe duke i parë tendencat që programi i nxënësve do të injorohet në përgjithësi, atëherë dikush nga zyrtarët e shkollës dha urdhër që të vazhdoi programi i përgatitur me nxënësit e shkollës.
Pika e parë e programit të Korit të Shkollës, ishte ajo e Himnit Kombëtar Shqiptar.
Po sa dha shenj arsimtari i muzikës që të filloi Himni, përnjëherë kërcitën tupanët dhe surlet , të cilat i kishin urdhërua ithtarët e ish Drejtoreshës dhe kundërshtarët e Drejtorit aktual, si dhe të arsimtarit të muzikës! Gjatë tërë kohës sa zgjati këndimi i Himnit nga më se 70 nxënës pjesëmarrës të Korit të Shkollës, grupi kundërshtarë i disa mësimdhënësve të shkollës, hidhnin valle mu përpara Himnit Kombëtar, me ç’ rast publiku i pranishëm që ishte ngritur në këmbë për t’i bërë nderim Himnit dhe Korit, nuk dinte se çka është duke u bërë në ato momente, ku gjendeshin në mes të Korit të Shkollës , në njërën anë dhe tupanxhinjëve e valltarëve në anën tjetër?!
Kështu vazhduan këtë tollovi gjatë tërë kohës sa zgjati programi kulturo-artistik i nxënësve, me ç’ rast u krijua një pasqyrë tepër e keqe në publik dhe një rast i pa parë deri më sot , në historinë e intonimit të Himnit Kombëtar?!
Një gjest i këtillë , i pa presedan , i organizuar dhe i aranzhuar nga një grup mësimdhënësish të papërgjegjshëm , nuk vihet në dyshim se është bërë me këto qëllime:
- që ta injorojnë punën dhe autoritetin e Drejtorit aktual të Shkollës,
- që ta injorojnë punën dhe autoritetin e arsimtarit të Kulturës Muzikore, bashkë me Korin e Shkollës,
- që ta injorojnë Himnin Kombëtar Shqiptar , bashkë me të gjitha këngët patriotike shqiptare dhe
- që t’ ia mbarojnë qejfin përfaqësuesit zyrtar të Zyrës së Komisionit Evropian , duke ia bërë me dije atij, se ne jemi popull lojal ndaj çdo sundimtari të huaj i cili vjen këtu për të na sunduar dhe për të na dhënë urdhra se si duhet të veprojmë e punojmë ne, në tokën dhe atdheun tonë!
Komentoni
Artikuj te tjere
Hasan Qyqalla: Reprizë Dekadash
Xhenc Bezhi: Cili jam
Sokol Demaku: Shpesh ne harrojmë të shijojmë momentet e vogla të lumturisë, sepse presim vetëm gjëra të mëdha
Agim Vuniqi: Ora e lirisë
Besim Muhadri: ‘’Romani për Kosovën’’apo libri i dëshmisë artistike
Edmond Shallvari: Kriza në Kritikën e Krijimtarisë-KriKriKri
Nuri Plaku: ‘’Gjeometria’’ e hapësirës në poezinë e Moikom Zeqos
Sevdije Rexhepi: Simfoni e Heshtur (Cikël poetik)
Shefqet Dibrani: Dashuria lind bashkë me poezinë
Halit Bogaj: Militanti
Gjon Keka: Malli i vjetër dhe sloganet e reja
Vangjush Ziko: Mosha e poetit
Cikël poetik nga Lumnie Thaçi-Halili
Cikël poetik nga Arsim Halili
Bilall Maliqi: Intervistë me shkrimtarin Engjëll Koliqi
Cikël poetik nga Gentjan Banaj
Ejup Ceraja: Esetë metaforike të një poeti të talentuar
Shazim Mehmeti: Cikël poetik nga libri ''Lumenjtë e dritës'' (III)
Xhenc Bezhi: Bënë kryeplaku lanë katundi
Ndue Ukaj: Tingëllima e dielës