E merkure, 01.05.2024, 12:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Dëgjo, floriri im

E shtune, 31.10.2009, 04:21 PM


KRISTAQ TURTULLI

DËGJO, FLORIRI IM

Fragment romani
    
Kapitulli i dhjetë

... përgjohet puthja...?!

Shtëpia jonë e madhe shkëlqente nga dritat e shumta, hareja dhe gëzimi. Mua nuk më shkoi ndër mend të merrja kitarën. Nëna e vendosi në musandrën e vogël, së bashku me librat, në krahun e majtë të shtëpisë, në katin e dytë, kur bëri pastrimin e madh në prag të dasmës.
Unë nuk e kisha menduar se do të mblidheshin gjithë ata njërëz në dasmën time. Korridoret e dy kateve, dhomat, gumëzhinin nga të ftuarit. Ardhur pothuajse të gjithë shokët e shoqet e ish maturës, ish studentë, të afërt, farefisi, të njohur dhe plot vetë nga mëhalla. Prindërit e mi kishin bërë një organizim të shkëlqyer në shpërndarjen e të ftuarve, nëpër dhomat e shtëpisë, sipas afërsisë familjare dhe moshave. Të afërmit dhe të moshuarit ishin vendosur në katin e dytë, ata zakonisht janë më të qetë dhe nuk do të bënin zullume. Nëna e kishte shumë merak dyshemenë e katit të dytë nga ndonjë shembje e paparashikuar, përgjatë valleve të shfrenuara.
Më të rinjtë, të njohurit dhe komshinjtë ishin vendosur në katin e parë. Aty rinia le të bënte qejf sa të dëndej. Dërrasat e dyshemeve të dhomave ishin të forta,  ndërsa korridori ishte shtruar me pllaka të mëdha guri e nuk donte t’ja dinte për kërcimet e papërmbajtura të ftujakëve.
Irina dhe unë qëndronim në katin e dytë, ishte një ritual i pandryshueshëm tradicional që nusja dhe dhëndri duhej të nusëronin e dhëndëronin  mes të afërmëve dhe të moshuarve. Seriozë, me kostum dopiopet të mbërthyer dhe nusja me fustanin e bardhë, e ngrirë si kallëp akulli aty në cep të dhomës së madhe, nën mbikëqyrjen e pandërprerë të plakave. Mua nuk më mbante vendi që të mbërthehesha në një vend me një seriozitet naiv mes qejfit të madh të të tjerëve. Siç duket kisha diçka, vlagë, apo prush nga gjyshi im Rubin. Kështu që unë merrja Irinën për dore dhe bridhja shpenguar nga një dhomë në tjetrën, duke takuar, qeshur, e argalisur me të ftuarit, miqtë dhe shokët. Irina ishte bërë e mrekullueshme, e magjishme. Fustani i bardhë i rrinte shumë bukur mbas trupit sikur të ishte prerë e qepur enkas për të. Irina vështronte gati e hutuar mizërinë e dasmorëve, herë mbas herë qeshte pa të keq dhe vështronte nga unë, nga që nuk kuptonte se çfarë i thoshin të tjerët, ngaqë gjuha e dasmorëve ishte e përzierë me mbllaçitje të pandërprerë. Ajo ishte e përskuqur e gjitha.
    Nëna nxjerri fustanin e bardhë të nusërisë të familjes, një muaj përpara se unë të shkoja me babanë të merrnim Irinën në aeroport. Ishte një traditë fisnike e familjes sonë dhe ishte detyra e grave të familjes, ruajtja e mirëmbajtja e fustanit të bardhë të nusërisë. Fill mbas përfundimit të dasmës, nëna thërriste nusen pranë, duar dridhur ajo hapte kapakun e sëndukut të madh, bërë enkas për fustanin e nusërisë. Me durim, me shumë dëshirë, ndoshta edhe me nostalgji të fshehur, i tregonte nëna nuses së re, se si palosej fustani i bardhë, si mbështillej dhe si ruhej në brezni fustani i trashëguar i nusërisë. Nëna e shtëpisë e mësonte nusen gjithashtu, se kur të vinte koha që djali i saj të rritej e të bëhej burrë gati për t’u martuar, të nxirrte fustanin prej sënduku ditë më parë, ta lante me ujë të freskët burimi, duke e fërkuar ngadalë, butë, lehtë. Më pas të mblidhte dhe ziente lule mali dhe me lëngun e luleve të malit,  shpëlante fustanin e bardhë të nusërisë. Lëngu i kësaj luleje i jepte fustanit të bardhë freski dhe bardhësi. Disa ditë përpara dasmës nëna e djalit e dërgonte fustanin në shtëpinë e nuses. Nënat zakonisht janë të papërtuara në porosi nga meraku i madh, sepse ai fustan bardhë u kujtonte atyre rininë dhe momentin e mrekullueshëm të jetës së tyre, nusërinë, pikën kulmore, midis vajzërisë së shpenguar dhe gruas familjare. Më pas në rrjedhën e viteve, shpinat e tyre kërruseshin nga pesha e mundimshme e punëve, halleve dhe lodhjeve. Nënat me zë të thellë, gati misterioz, duke marrë frymë me vështirësi, këshillonin nuset, se lulja më e mirë e malit është një lule ngjyrë ari me gjashtë fletë që rritet dhe harliset e lirë pranë burimeve shkëmborë.
    Doli, vajza e Veronikës, si çupa e mirë e mamasë, i u afrua pranë Irinës duke luajtur kokën sa andej këndej. Ajo zgjati trupin përpara, ngriti pakës këmbën majtë si të kërcente për të luajtur me plloçkë dhe puthi Irinën në të dy faqet. Veronika mbas së bijës mërmëriste zë ulët:
    - Ua,ua,ua. Mashalla, goxha nuse, goxha, mashalla!-Veronika i zbrazi puthjet së largu pa e përqafuar Irinën, duke përplasur buzët dhe u largua duke marrë pas të bijën për në vendin e tavolinës që kishte caktuar nëna për ta.
    Plaka Polë doli befasisht përpara nesh nga qoshja e dhomës së krahut të majtë. Ajo vështroi Irinën, buzëqeshi, nga xhepi i fustanit të saj të gjatë dhe me shumë pala, nxori me një shpejtësi të habitshme për moshën një trëndafil të madh të kuq. Plaka iu afrua fare pranë nuses e dëshironte që t’ja vendoste në fustanin e bardhë. U mundova t’a shmangja me kujdes ngulmimin e Plakës për të shpuar fustanin e nusërisë për një trëndafil. Pola u përkul dhe puthi cepin e fustanit të bardhë sy përlotur. Ajo filloi të fliste me zë të zvargur, se unë isha lindur dhe rritur përpara syve të saj dhe më kishte dashur pothuajse si djalin vet. Sipas saj unë isha fëmija më i bukur i mëhallës dhe ajo qysh atëherë kishte filluar të rriste trëndafilat më të bukur të mëhallës duke pritur dasmën time. Ajo vazhdoi t’i thoshte se të gjithë trëndafilat e kopshtit i kishte prerë pa mëdyshje...
    Pola i ishte afruar shumë pranë Irinës dhe po e spërkaste me pështymë. Irina nuk po kuptonte asgjë çfarëdo që thoshte plaka Polë. Fytyra e  mprehtë e plakës gjithë rrudha po i kallte asaj frikën. Ajo mundohej të shmangej, por nuk ishte e lehtë. Irina vështroi nga unë dhe hodhi një hap prapa, për të realizuar shkëputjen prej saj. Por plaka Polë kishte gishtërinj të fortë të cilët ishin mbërthyer mbas fustanit të bardhë. Shikimi i Irinës ishte lutës.
    -Teto Polë,- ndërhyra me kujdes, ajo ishte plakë dhe fyhej lehtë, duke i hedhur krahun në sup,-Irina të është shumë mirënjohëse për trëndafilat, ajo të falënderon nga zemra.
    Irina aprovonte me kokë si t’a kuptonte se çfarë i thosha plakës. Me buzëqeshje të gjerë i a largova gishtërinjtë nga fustani, e përqafuam të dy, e gjithashtu e shoqëruam gjithë përkujdesje tek vendi i saj në qoshe të tavolinës. Plakës i u bë qejfi shumë, ajo fshiu lotët dhe filloi të llomotiste me shoqen që kishte ngjitur. Sipas saj ishte nder i madh që e shoqëroi çifti dhe i kushtoi rëndësi. Ndoshta për këtë pakëz ngrohtësi ajo kishte pritur gjithë jetën.
    Në dhomën tjetër disa nga shokët e mi po këndonin, ishte një serenatë e mrekullueshme dhe unë u kujtova për kitarën, por ishte shumë vonë. Musëndra ku ishte vendosur kitara dhe orenditë e tjera, ishte bllokuar nga stolat dhe të ftuarit. Irina buzëqeshte lehtë, melodia për të ishte e njohur, unë e fërshëlleja shpesh herë kur isha me të. Dikush nga shokët, Çapi, njeri i qetë, serioz, më afroi gotën për t’a bërë gëzuar me të. Unë e falënderova për pjesëmarrjen e tij në dasmë, trokëllita gotën e vogël të rakisë dhe e vendosa ngadalë në buzë. Piva vetëm një gllënjkë të vogël. Kisha vendosur të mos dehesha. Çapi nuk ngulmoi t’a pija gotën e rakisë me fund, ai piu rakinë e tij dhe u ul duke më përshëndetur me dorë. Çapi punonte në fabrikën e lëkurë-këpucës, montonte këpucë, i kishte duart e arta. Ishte Çapi ai që më ndihmoi të bëja këpucë me porosi për vete dhe për Irinën.
    Zallahia, gazmendi, hareja, zhurma, muzika, emocioni i dasmës më krijonin pakëz marramendje. Shkova krahun në mesin e hollë të Irinës dhe e tërhoqa mbas vetes. Ajo u ndje mirë nga veprimi im, ndaj u mbështet e gjitha tek unë. Ajo kundërmonte erë mali. Më dehu. Fustani i bardhë fëshfërinte dhe trupi i saj fërgëllonte. Dy ditë para se të nisej, prindërit e saj kishin organizuar një drekë të vogël me një rreth të ngushtë njerëzish. Ata nuk kishin bërë dasmë.
    -Irina,- i fola ngadalë.
    Ajo ngriti kokën e më vështroi në sy.
    -Doja të dija si ndjehesh Irinë.
    Ajo hapi pakëz sytë e kaltër dhe më foli ultas:
    -Në ç’kuptim si ndjehem.
    Unë luajta kokën, preka butë mjekrën e bukur dhe vazhdova:
    -Dasmë e zhurmshme, muzikë, gjithfarëlloj moshash, zakone të tjera, fytyra të panjohura për ty, të pa para kurrë. Me pak fjalë një botë tjetër, mos ndoshta shpërqendrohesh ose ndjehesh paksa e huaj?
    Sytë e kaltër, të thellë më vështruan ngultas, disi habitshëm.
    -Aspak,- foli ajo me zë të plotë,- aspak.
    -Je e sigurtë?- i thashë dhe tunda kokën ngadalë.
    Ajo vuri buzët në gaz, qeshi lehtë me ndrojtje duke vënë pëllëmbën e vogël përpara buzëve të plota dhe të kuqe. Pastaj ajo qeshi plotësisht pa hequr pëllëmbën nga goja.
    -Sigurisht, - ja bëri ajo,- sigurisht. Të gjithë janë njerëz të mirë dhe shumë të dashur. Duan të pinë, të këndojnë e të kërcejnë si në vendim tim. Me sa kuptoj çdo fjalë e tyre është e ngrohtë, inkurajuese, si ajo plaka që më dhuroi trëndafil të kuq, por që çuditërisht kishte një vështrim shumë të trishtuar, gati të zbrazët.
    Unë doja t’i thosha Irinës se plaka Polë jeton vetëm dhe është pak e krisur, ajo jeton me hijet e mureve, por ndryshova mendim. Plaka Polë nuk po na i ndante sytë dhe Irina i buzëqeshi.
    -Ke uri Irina? - e pyeta pas pak.
    Ajo luajti kryet lehtë.
    -Nuk e di. - Ne ishim disi të hutuar nga lumturia. Ajo u fërkua mbas meje lehtë si lepurushe dhe foli me zë disi misterioz, - Doni të dini të vërtetën? Kam uri, kam shumë uri për ty! Dua të jemi së bashku, vetëm, në botën tonë intime, në universin tonë, larg zhurmave, rrëmujave dhe rrëmetit. Mos e thashë gabim?
    -Jo, jeni plotësisht e saktë. Edhe unë kam uri si ti dhe uria jonë është e mrekullueshme. Unë dua  Irinë të mos kem ngopje, sepse ndryshe mbjell trishtim.
    -Si ajo plaka me sy të trishtuar,- i a bëri Irina si me shaka.
    Tunda kryet paksa me nervozizëm. Ku dreqin na mbiu ajo dreq Polë përpara.
    -Jo Irinë, absolutisht jo.
    Irina zgjati buzët dhe unë e putha gjithë afsh. Mrekullia dhe aroma e luleve të malit, të arta, e me gjashtë fletë, ishin përqendruar në ato buzë të dashura. Sa karagjozë bëhen njerëzit ngandonjëherë kur mundohen të injorojnë mushtin e jetës.
    -Sidoqoftë, mund të hash diçka,- i thashë Irinës,- ja, këtë biftek mish viçi, është vërtet i shijshëm. Nëna ka përdorur gjatë gatimit të gjitha erërat kundërmuese.
    Irina buzëqeshi dhe luajti kokën me bindje:
    - Nëna jote është e artë,- tha.
    - Sikundër dhe nëna jote,- i a bëra.
    Qerpikët e Irines u drodhën dhe ajo ktheu kokën nga ana tjetër.
            -Kam pak zjarr të vogël këtu në gjoks e më përvëlon fytyra, - tha ajo pas pak.
    Sytë e mi dalluan trupin e imët të nënës, ajo po zbriste  me nxitim shkallët prej dërrasa të korridorit. Nëna vështrimin e kishte të ngulur tek ne. Ajo u afrua pranë nesh. Në xhepin e fustanit të saj mbante gjithmonë një shami të pastër të bardhë, që e përdorte kohë mbas kohe për të fshirë buzët ose cepat e syve. Nëna na hodhi një vështrim serioz. Nëna nxori shaminë e bardhë dhe fshiu cepin e buzës.
    -Arbi të lutem, largoje nusen një copë herë,- më pëshpëriti nëna duke fshirë duart me shaminë e saj.
    -Irina ndjehet shumë mirë këtu ,- i thashë nënës pa e pasur mendjen plotësisht aty. Shikimi im ishte ngulur tek një grup të rinj që kërcenin një valle tradicionale dhe që ngjante aq shumë me valët e detit. Valltarët ngriheshin dhe uleshin ritmikisht dhe pastaj rrihnin dyshemenë me këmbët e djathta.
    -Arbi,- dëgjova zërin ngulmues të nënës,- merre nusen të thashë dhe çoje në kuzhinë të hajë diçka dhe të qetësohet.
    -Nënë të dhimbset nusja, hë, - i thashë me shaka, ja përktheva edhe  Irinës e cila buzëqeshi  kënaqur.
    Nëna luajti kokën a tha:
    - Më dhimbset nusja pse të mos më dhimbset, është nusja e djalit tim, nusja jonë. Veçse kam merak për tjetër gjë djalë. Nuk shikon ca lanetër i kanë zgurdulluar sytë si të dacit. Hajt pra çoje nusen në kuzhinë!
    Unë ngrita supet dhe vështrova nga Irina. Ajo vështronte buzagaz herë nga unë e herë nga nëna.
    -Nëno, nusja për t’u parë është, prandaj është nuse, - fola sa për t’a ngacmuar nënën time të mirë.
    Nëna tundi kokën me rrëmbim dhe foli me zë të prerë:
    -Biro, të lutem mos bëj lodra fjalësh me mua. Ju rinia e sotme dini vetëm të zbardhni dhembët. Veri veshin zemrës së nënës. Sepse po u përskuq fytyra e nuses, arëza e qafës dhe kërci i veshit, syri i keq është zgjuar. Ty mund të mos të pëlqejë, por dëgjoje nënën, çoje nusen në kuzhinë! Hajde bijë e nënës.
    Nëna pa e bërë të gjatë, zgjati krahun e lodhur e gjithë damarë dhe mbërtheu dorën bardhoshe e topolake të nuses. Irina e kishte përvetësuar shumë mirë fjalën bijë e nënës. Ajo vështroi nga unë, ajo kishte kuptuar diçka nga biseda me nënën dhe luajti kokën në shenjë aprovimi. Nëna eci e para duke vazhduar të mërmëriste me  vete:
    -Bijë e nënës, bijë e nënës, mos i lëmë rast gazit të marrë të na rrëmbejë, të na shpjerë në vorbullën e vet. Të bën mirë një pushim i shkurtër.
    Kuzhina ishte pothuajse ashtu siç e pat ndërtuar gjyshi im  Rubin. Në pjesën e prapme të shtëpisë, e madhe, e bollshme, në qendër të saj me dy banakë të mëdhenj  shtruar me mermer të trashë, të bardhë. Dikur përballë derës, në faqen e murit të trashë funksiononte vatra e madhe, ndërtuar anash hijshëm me mozaikë shumëngjyrësh. Dikur kjo vatër qëndronte përherë ndezur dhe të kërdiste nga drutë. Pak më vonë, mbas luftës së dytë botërore dhe ndryshimit të sistemeve, gjithçka filloi të funksiononte me triska dhe tallon, kështu që vatra heshti dhe mbeti në kuzhinë si një sy i madh e i verbër. Pranë vatrës ishte vendosur një stufë e madhe me dy furra dhe me gjashtë syze. Për të hyrë në kuzhinë duhej të kaloje nëpër një korridor katror dy metra të gjerë që nëna e kishte mbuluar me një perde të trashë.
    Nëna hyri në kuzhinë së bashku me Irinën, unë i ndoqa pas.  Aty gjetëm babanë. Ai ishte ulur mbi një stol të ulët, kishte liruar kravatën e pinte ujë të freskët. Ai u gëzua kur na pa, fytyra i ndriti.
     -M’u tha fyti për një pikë ujë,- tha dhe na ftoi të uleshim.
    Nëna i afroi Irinës një pjatë me kos, mish shqerre dhe disa veshulë me rrush të bardhë. Unë futa në gojë diçka shpejt e shpejt dhe mbajta vesh matanë ku dëgjohej muzika, hareja dhe zhurma, ndërsa kuzhina ishte e qetë, e freskët dhe ishin vetëm ne të shtëpisë. M’u krijua përshtypja sikur njeriu ka nevojë për një moment qetësie, t’i bien veshët rehat. Ndërsa të tjerët, matanë, të ftuarit, hanin, pinin, këndonin, kërcenin. Ata ishin të gëzuar, pakëz të dehur, të shkrehur, për dikë që martohej. Kishte diçka paradoksale. Ata, të ftuarit, ishin të lumtur që martohej dikush, apo jetonin jetën e tyre, plotësonin një variant të lezetshëm, në monotoninë dhe rutinën gjithëpërfshirëse. Më pas, një ditë më vonë, ose e shumta dy, gjithçka do të lihej pas, do të harrohej, si zakonisht do të mbeteshin të huaj, ndoshta më tepër se më parë.
    Babai u ngrit prej stolit, shtroi kostumin, rregulloi kravatën, më vuri dorën në shpatull dhe më tha të dilnin së bashku, ishte krejt pa kuptim të qëndronim kështu të mënjanuar në dasmën tonë, si miu prapa poçes. Unë qesha lehtë, doja t’a kundërshtoja pak, por m’u duk e tepërt. Babai eci me kujdes anës murit,  të mos pengonte kërcimtarët që kishin pushtuar pothuajse të gjithë hapësirën e korridorit, ai mori të ngjiste shkallët duke u mbajtur mbas parmakut. Unë eca drejt, u përzjeva me të rinjtë, ata ishin vrulli dhe lezeti i dasmës. Një hop mendova të futesha në valle e të kërceja edhe unë, por papritmas dikush m’u afrua shumë, gati sa nuk u çikëm hundë më hundë dhe më zgjati një gotë të mbushur plot me raki. Ai ngulmoi t’a pija me fund. Ishte një i njohuri i familjes tonë, qejfli rakie dhe nipi i Dule Imonikut. Ai ishte  njeri pa të keq, punonte në fabrikën e qelqit, në repartin e rërës. U ndodha krejt bosh, i papërgatitur, isha në lojën e mendimeve. U mundova të tërhiqja kokën prapa. Ai duke qeshur, më shtyu gotën drejt gojës dhe lëngu i zjarrtë kaloi menjëherë në stomak, e kisha pirë me fund. Më përvëloi fyti, m’u mbushën sytë me lot. Lëviza shpatullat me mërzi. Nipi i Dules qeshi pa të keq. Atëherë e kuptova sa e fortë ishte rakia e përgatitur nga babai. Ndërkohë ai po më afronte një copë mish viçi, por unë nuk pranova. Ai më kërkoi të falur, duke më thënë se në familjen e tyre kështu e kishin, e detyronin dhëndrin të pinte gotën me fund.
    -Më fal, - i a bëri ai përsëri disi i mërzitur.
     I thashë se nuk kishte ndodhur asgjë, përderisa e kishin traditë familjare dhe eca pak më tej duke fshirë lotin që më kishte shkaktuar djegia e rakisë. Disa miq të punës, po më thërrisnin që të shkoja dhe të rija një copë herë me ta. Luajta kokën në shenjë pranimi dhe bëra drejt tyre, në krahun e djathtë të tavolinave. Befas dikush më mbërtheu nga shpatullat dhe përpiqej të më kthente drejt vetes. U nervozova, me siguri do të ishte ndonjë tjetër maniak me traditë familjare për të detyruar dhëndrin të pijë gotat me fund, për t’a dehur. Por këtë herë isha i përgatitur, nuk më hante meraku për t’i thënë jo.
    U ktheva vrulltas duke pasur kujdes të mos i derdhja rakinë, ishte rakia e dasmës sime. Një pëllëmbë larg fytyrës sime qëndronte fytyra e mbufatur e Kurrillës, vjeshtakut të pavdekshëm, bashkë studentit, por asnjëherë miku im. Ai rrumbullakosi buzët e përlyera me gjithfarë elementesh të vogla mezesh, për të realizuar puthjen duke më hedhur në fytyrë një duhmë të rëndë rakie dhe hudhër. Tërhoqa kokën prapa me nxitim dhe gati sa humba ekuilibrin. Mblodha veten menjëherë, i a rrëmbeva kokën, e tërhoqa pranë vetes, por me kujdes të mos më përlyente kostumin e dhëndërisë, duke i dhuruar një buzëqeshje klasike, si për t’i treguar që u gëzova që e pashë. I shtrëngova dorën dhe bëra të largohesha. Kurrilla nuk ishte nga ata tipa që të shqiteshin lehtë, ishte tutkall, ngjitës i fortë. Atë e zuri lemza duke tundur kokën si rosak dhe foli me zë të ngjirur:
    -Dasmë e famshme, të trashëgohesh!
    -Faleminderit, Kurrilla.
    -Irina sot është një mrekulli,- ai lëpiu buzët dhe vazhdoi,- Arbi ju jeni njeriu më me fat në botë, peshkove gjithë atë alamet femre.
    Ai m’u var në gjoks dhe unë e mbajta me kujdes nga mjekra, e largova pak nga vetja. Ai puliti qerpikët dhe unë kujtova se atë do t’a zinte gjumi mbështetur tek unë. Njëherë e kishte zënë gjumi në qoshe të korridorit, në çimento, mbledhur kutullaç, atë e kishte zgjuar pastruesja duke e qëlluar me fshesë. Vonë ai shante dhe mallkonte, jo për gjumin në korridor, por për goditjen me fshesë të asaj vromës, pastrueses, që mbante erë përç një kilometër larg. I rashë lehtë në shpatulla për t’a përmendur duke i thënë:
    -Mirë Kurrilla, të ka zënë pak rakia. Shko jashtë në oborr shpëla fytyrën, qetësohu.
    Ai largoi kokën me vrull dhe gati sa nuk bërtiti:
    -Kujt, mua më ka zënë rakia, Kurrillën! Hëm, Kurrilla nuk dehet kurrë.
    -Shumë mirë kur nuk dehesh kurrë, shko argëtohu, - i thashë dhe bëra të largohesha. Shokët vazhdonin të m’a bënin me dorë të shkoja tek ata. Ai lëvizi djathtas, m’a preu rrugën.
    -Dale, prit,- më tha. Sytë i kishte të kuq, të ënjtur. Në cepin e xhaketës së tij dallova një njollë të madhe, të bardhë. Kurrilla e pikasi shikimin tim. Ai ngjeu gishtin e madh në njollën e bardhë dhe qetësisht, ngeshëm filloi t’a lëpinte me vrull. Me siguri duhej të ishte gjizë ose salcë kosi.
    -Mjaft Kurrilla se m’a shpife, - i thashë me neveri, gati për të vjellë.
    Ai vazhdonte t’a thëthinte gishtin si biberon e me këmbëngulje të marrë, si për të më acaruar nervat.
    -Mjaft Kurrillë, mjaft e lëpive atë dreq gisht, do t’a mpish, do t’a bësh hoshafkë. Gishti i  madh të nevojitet, është shumë i domosdoshëm për një specialist të mirë.
    Ai e largoi menjëherë dhe e vështroi gati i nemitur e gjithë llahtari gishtin e zbardhur. Ai e fshehu menjëherë, e futi në xhep.
    -Nuk po shoh Irinën, - i a bëri ai duke vështruar rreth e rrotull.
    Ngrita supet, si ktheva përgjigje.
    -Arbi,-foli zë ngjirur ai, -ku është nusja?
    -Me siguri diku rrotull,- i a ktheva.
    Ai u lëkund dhe lëpiu buzët, sytë i mbante gjysmë të mbyllur.
    -Arbi, -foli ai me zë të zvargur,- dua të puth Irinën. Sot kushdo mund të puthë nusen, apo jo?
    U kapërdiva. Nuk dija çfarë t’i thosha. Ai dreq Kurrillë i përziente qëllimisht gjërat. Ne kishim qenë ndër të pakët bashkë studentë, shumë larg vendlindjes, në një vend të huaj. Kurrilla ishte student nën mesataren, ai pothuajse të gjitha provimet i përsëriste në vjeshtë. Ai mësonte me inat, duke mbajtur këmbët në ujë të ftohtë, hante makarona të pjekura në skarë, ose peshk të blerë lirë në lagjen e hamejve. Ai ishte vjeshtaku më shembullor i fakultetit. Ai ishte mjeshtri i kopjeve dhe pasionanti i prapaskenave. Ai shpesh herë ndjehej inferior, i lënë mënjanë nga rrethi shoqëror studentor, sidomos prej femrave. Kurrilla fajësonte nënën e vet nga kishte ngjarë; fytyrë gjerë si kulaçe, flokët e verdhë, të shpëlarë si qime derri. I ati punonte zjarrmëtar në minierë dhe jetonin në një qytezë të vogël minatorësh. Babai i tij ishte martuar me kuzhinieren e mensës së minatorëve. Ajo dikur i jepte të atit të hante mëngjezin dhe drekën pa paguar duke i a dhënë pjatat me fasule ose pilaf nga dritarja e vogël. Ajo nuk ishte e bukur, por ishte kuzhiniere e mirë. Kaq i duhej një minatori me përvojë.
    Shpesh herë shprehja e fytyrës së Kurrillës ndryshonte çuditërisht; në trishtim, në mbetje provimesh, fytyra e tij rrudhosej tjetërsohej bëhej si surrati i një plaku, balli i ngushtohej, si një monopat i pjerrët, ndërsa faqet i futeshin brenda e të dukej sikur ishte pa dhëmbë. Ai gjatë kësaj kohe murmuriste me vete: askush nuk bëhet i keq me dëshirën e vet. Në ndonjë gëzim të lezetshëm prapaskene, balli i pastrohej, mollëzat i fryheshin, flegrat e hundës i hapeshin, dukej si një kulaç i plotë, mirëdashës.
    -Në dasma lejohet të puthet nusja,- vazhdonte të llomotiste Kurrilla me zërin e tij të zvargur.
    Unë ndjeva një dhembje koke, u pendova që kisha ftuar Kurrillën në dasmë. Nëna ngulmoi t’i dërgoja ftesë. Kur ishim studentë, ai kishte operuar apendisitin dhe pat marrë disa javë pushim dhe pa i thënë unë kurrgjë, kishte shkuar për vizitë në shtëpinë time. U kishte thënë prindërve se jemi shumë shokë. Nëna e gëzuar përgatiti lakror me presh dhe me gjizë, gjysmën t’a hante Kurrilla dhe gjysmën të m’a sillte mua. Mua nuk më ra në dorë asnjë fije preshi. Ai e pat përlarë të gjithë, porsa kapërceu pragun e shtëpisë sime. Të gjitha këto i mora vesh më vonë, në letrën që më dërgonte nëna. Vonë, Kurrilla zbardhte dhëmbët duke më thënë se nuk kishte ngrënë në jetë lakror më të shijshëm. Ai ishte i paturp.
    Kurrilla vazhdonte të më ndukte nga mënga e xhaketës. Unë për t’a hequr qafe i thashë, puthe. Ai buzëqeshi i kënaqur dhe futi një copë sallam në gojë. E kafshoi sallamin me forcë dhe duke u përtypur vazhdoi:
    -Arbi, ti e di mirë, unë e kam puthur Irinën në një mbrëmje orgjie. Sot është krejt ndryshe, është nuse. Puthja, pasuria dhe pozita nuk u hyjnë në punë të vdekurve.
    Kurrilla po më acaronte nervat gjithnjë e më tepër. U përpoqa të mos e bëja veten. Sajova me shumë vështirësi një buzëqeshje vertikale, pranova shtrëngimin e dorës së tij, ndërkohë u bëra me shenjë miqve të mi, t’a mbërthenin nga krahët dhe t’a nxirrnin jashtë në oborr, ndoshta të gjenin ndonjë makinë e t’a nisnin në shtëpi. Era e freskët do t’i bënte mirë, megjithëse nuk m’u duk plotësisht i dehur.
    Dreq Kurrilla! Në vitet studentore, ai ishte gjithashtu përgjuesi i pasionuar i puthjeve. Ai vërtitej, qëndronte si skuth prapa ferrave ose dritareve. E atëherë kur çiftet ishin në ekstazën e puthjeve, ai shfaqej befas përpara tyre si një urith, duke u zgërdhirë. Kurrilla më i zellshëm ishte në përgjimet e puthjeve tona. Irinën e nervozonin zbardhjet e dhëmbëve të tij. Së paku mos shfaqej, le të vazhdonte përgjimin, le të bluante në heshtje marrëzinë e tij. Ai i ndërpriste puthjet tona, duke kërcyer si djall, ulërinte dhe pantallona lëshuar, vraponte tutje, humbiste në errësirë. Ne ktheheshin gati të hutuar, vështronim atë, nën dritën e hënës përgjatë zgërdhitjes. Ne shquanim vetëm dhëmbët e mëdhenj dhe xhufkën e flokëve të shpëlarë, të verdhë. Ai na ngjante si një këlysh ujku, që ulurin i trishtuar nën dritën e mekur të hënës. Të ishin lajthitje veprimet e tij apo çmenduri.
    Unë nervozohesha, isha gati të turresha mbas tij, t’a pengoja nga prapa, t’a rrëzoja përdhe. Irina më ndalte, më qetësonte, ajo ndjente njëfarë dhembshurie për të, aq më tepër që ishte nga vendi im. Ai nuk kishte përse të lëpihej me vetveten, të masturbonte, kur të tjerët putheshin, apo bënin seks. Femra kishte si t’i doje të bardha, brune, zeshkane, të verdha, sa mund t’i mblidhje me lopatë. Mos ndoshta ishte ndonjë trill, kompleks dobësie, apo sëmundje e largët e fëmijërisë së vështirë, mes maleve, në një skaj të humbur. Veprimet që ai kryente i kalonin kufijtë e normales të një djali të ri. Çfarë dreqin kënaqësie provonte ai në përgjim, kur të tjerët bënin seks! Një herë i thirra me zë të lartë, gjithë maraz:
    -Shko Kurrillë, gremisu, gjej një femër dosido, puthe, thëthije si të të vijë për mbarë! Shko, nxire inatin, dufin, epshin e grumbulluar, bëj seks deri në çmenduri! Veç bëhu def Kurrillë, na i thave, na i rrudhose puthjet më të bukura, si era e shkretëtirës.
    Një nate të ftohtë shkurti nuk u morr vesh se kush kishte hyrë në dhomën e tij, por i patën lyer fytyrën me spermë. Gjithashtu i bënë dhe një foto të përkryer, në gjumë, gojë hapur dhe me spermën që i varej ankueshëm në mjekër. Fotografinë i a varën në derë dhe shkruar nën të me germa kapitale të shtrembra:
    ” SPERMA ME FYTYRE  TE VREROSUR”
    Kurrilla bënte gjumin e parë, të rëndë dhe nuk kishte ndjerë asgjë. Në prag të mëngjezit i dukej sikur fytyra i ishte ngurtësuar, si e lyer me dyllë. Me përtesë ishte ngritur nga shtrati, shtriqur trupin, krahët dhe ishte përpjekur  të tendoste lëkurën e fytyrës. Befas sytë i shkuan tek dera, ku shqoi në fotografi fytyrën e tij të tjetërsuar me fjalët e tmerrshme nën të. Ai  klithi si t’i kishin rënë me kopaçe prapa kokës, kishte bërë fotografinë copa dhe më pas kishte vrapuar i llahtarisur në çezmën e banjës. Një derë diku në korridor u mbyll me forcë, e më pas u dëgjuan disa të qeshura të mbytura. Kurrilla shau me zë të lartë, hapi me nxitim rubinetin e çezmës, futi kokën në ujin e ftohtë e të rrjedhshëm dhe filloi të kruante fytyrën gjithë neveri dhe nervozizëm. Ai pështynte, shante, mallkonte dhe kruante dhe kruante fytyrën pa ndërprerje.
    Kurrilla shtoi një tjetër përgjim, të gjente spermë hedhësin, ose spermë vënësin e mistershëm. Ai m’a tregoi ndodhinë në nxitim e sipër, me vështrim të egër, të shpërqendruar. Ai bëri një veprim të ashpër me dorë si të çirrte me thonj natën e thellë. Ai ishte i ndërkryer, sy shqyer, sy skuqur dhe iku me vrap drejt pyllit të vogël prapa fakultetit. Më erdhi për të qeshur, por edhe keq njëherësh. U mundova të shquaja atë tek kërcente prapa drurëve, me trupin gjysmë të përkulur, me shpatullat e rrëzuara, krahët e varur, si në përrallat e shtrigave.
     Përgjimet e tij ishin intensive, diku larg dhe jo afër nesh. Unë e përfytyroja një hop Kurrillën duke u zvarritur këmba doraz, kërcyer si kangur ose si lepur  gjatë përgjimeve të tij të mundimshme, netëve me hënë, në kohë të vranët me shi, ose në netët e akullta me dëborë. Ai po humbiste, po tretej në sfond sikur të mos ekzistonte dhe puthjet tona ishin më të qeta, nuk dëgjonim më zhurma bezdisëshe ferrash.
    Një mbrëmje teksa po zhvishesha, po përgatitesha të flija, dëgjova disa trokitje të lehta në derë. Kush dreqin do të ishte. Kisha mësuar gjithë ditën, kokën e kisha daulle. Në mëngjes më ishin marrë mendtë, ndoshta kisha pasur tensionin e ulët.
    -Kush është,- thirra.
    -Arbi hape, jam unë, Kurrilla, - dëgjova zërin e ngjirur të tij.
    -Lërmë të fle Kurrillë, jam tmerrësisht i lodhur,- i fola zë ulët,- nesër kam provim.
    -Arbi, hape të lutem,- bërbëliti ai,- mos më lerë të kalbem në lotët e mi.
    U ngrita me përtesë. Për çfarë kërkonte ky Kurrillë tek unë në prag provimesh? Unë ndjehesha i qetë, pa telashe kur nuk shikoja hijen e Kurrillës përqark, edhe Irina po kështu. U pendova vërtet që fola, më mirë t’a lija të trokiste në derë deri sa të lodhej e të largohej vetë, të hiqej tutje. Përgjimet e tij të njëpasnjëshme më kishin cingërisur nervat. Ai trokiti përsëri gjithë padurim. Vesha ngadalë pantallonat, këmishën dhe hapa derën. Ai hyri me nxitim brenda. M’u duk i përlyer me të kuq, nuk ishte edhe koha e karnavaleve. Ai eci  duke u lëkundur drejt dritës së dhomës. Atëherë kur do t’i thosha, qenke rrumbullakosur paq Kurrillë, dallova që ai ishte i përgjakur dhe një curril po rridhte në dysheme. Unë e vështroja i shtangur. Ai nuk mundi t’i afrohej stolit që ishte pranë tavolinës, gjunjët i u përthyen më dysh e ra në dysheme sa gjatë gjerë. Ndjeva dhembshuri për të, e flaka tutje mërinë. Gjakosja në vend të huaj është tërësisht e tmerrshme. I hodha ujë në fytyrë të përmendej. I fshiva  gjakun dhe i mjekova plagën me kujdes. E çara ishte e hollë gati një centimetër e një gisht poshtë syrit, në mollëzën e majtë. Syri i ishte mavijosur, me siguri duhej të qe shkartuar nga ndonjë goditje e fortë grushti. E ndihmova të zhvishej, të hiqte këmishën e gjakosur e të shtrihej në shtratin tim.
    -Kujtova se nuk do të m’a hapje derën,- dëgjova zërin e mekur të Kurrillës.
    Nuk i ktheva përgjigje. Shtira ujë në gotë, hapa kutinë e vogël plastike dhe prej andej nxora një aspirinë dhe ja zgjata Kurrillës.
    - Pi, - thashë pa vështruar nga ai,- aspirina do të bëjë mirë dhe do të  bësh gjumë të qetë.
     - Ashtu thua-, i a bëri ai dhe kapsalliti sytë, lëvizi qafën ngadalë me fytyrë të deformuar nga dhembja, -  a do të mund të fle?
    Unë ndjeva akoma më tepër dhembshuri për të. Unë gjithmonë kisha ëndërruar dhe dëshiruar për një mik e shok të mirë nga vendi im i largët, t’i ndodheshim pranë njëri tjetrit në të mirë e në të keq. E në djall të vinin mëritë e vogla foshnjarake. Në fund të fundit ne ishim një gjak e një farë, siç thoshin dikur rilindësit e mëdhenj.
    - Po, - i thashë dhe e mbulova me kujdes. - Fli tani.
    - Ah,- i a bëri ai me fytyrë të deformuar nga dhembja.-Ah. Të poshtrit, maskarenjtë, të pamëshirshmit, vrastaret e shekullit të njëzetë. Ata kërkonin të më përlyenin sërish. Unë kundërshtova , luftova me grushte dhe këmbë. Ata nuk mundën t’a bënin sërish atë veprim të ndyrë. Të pashpresë më qëlluan disa herë me grushte, në fytyrë në kokë, në trup, ku të mundnin. Unë do t’i raportoj të gjithë në dekanat. Ata kujtojnë se do t’a hedhin aq lehtë. Ata do të përballen me urrejtjen time të tmerrshme.
    - Fli,- thashë përsëri me zë dashur. Ai gati sa s’qante. Ai ishte djalë i vetëm i familjes së madhe me gjashtë motra. Ato gumëzhinin si grerëza rreth tij. Minatori i vjetër nuk mund të linte familjen pa djalë. Ai m’u duk një i pafajshëm i mjerë. Një adoleshent i vonuar, që ndoshta aksidentalisht ishte dërguar me studime, - cilët ata?
    -Ata spermë vënësit, studentët e artit, -klithi.
    Ai vazhdonte të dërdëlliste, të zbrazte mllefin, duke vazhduar, se ai ishte një i pafajshëm i mjerë dhe asgjë më shumë. Më në fund heshti, por nuk flinte, vërtitej në shtratin tim sa andej këndej, duke bërë mbulesat rrëmujë. Befas ai u ngrit në bërryla dhe më vështroi ngultas.
    -Unë do të hakmerrem kundër tyre, - foli  me zë të egër.
    E çara në mollëz lëshoi një bulëz gjaku. Ndoshta ngaqë e kishte fërkuar me vrull mbas jastëkut, duke e njollosur atë. Në djall të vinte këllëfi i jastëkut, do t’a shpija nesër tinës në lavanteri. Shtypa një aspirinë, e bëra pluhur, mora një leukoplast nga rafti dhe e mjekova me kujdes.
    -Fli,-i thashë për herë të tretë,- gjumi me siguri do të na i freskojë damarët.
    Ai tundi kokën i bindur, preku me kujdes leukoplastin dhe rrëzoi kokën në jastëk, duke më falënderuar zë ulët. Më duhej të kaloja një natë të gjatë ulur në stol, në vigjilje të gjumit të vjeshtakut shembullor, ndërkohë mbas dite kisha provimin e vështirë. Ai filloi të gërhiste mbuluar kokë e këmbë në shtrat tim. Mua më këputej koka mbi gjoks nga lodhja dhe njëherë u përmbysa nga stoli, kur desha të rrotullohesha, të shtrihesha.
    Atëherë kur mendova që e gjeta më në fund një mik nga vendi im, ndodhi grindja me Irinën, në një mbrëmje të madhe studentësh. Unë isha i gëzuar mbasi më kishin nderuar me medalje për rezultate të larta vjetore. Irina shkëlqente nga kënaqësia. Ne ishim ulur në krahun e djathtë të sallës, duke pirë cigare dhe vodkë të përzierë me lëng limoni. Kurrilla i urrente mbrëmjet, ai nuk kërcente kurrë, ndaj u habitëm kur pamë atë që të drejtohej drejt nesh. Ne nuk ishim takuar më, qysh atë natë kur trokiti në derën time i gjakosur. Ai iku me nxitim në mëngjes herët. Kurrilla na përshëndeti me kokë dhe u ul në krah të Irinës, duke u mbështetur i gjithi në stol dhe fërshëllyer. Ai si zakonisht do të përsëriste provimet në vjeshtë. Ai dukej krejtësisht indiferent. Befas për habi të të gjithëve ai  i u drejtua Irinës duke i thënë që të ngrihej e të kërcente me të. Ajo u ngrit me përtesë. Ata ecën mes tavolinave për t’u drejtuar në ambjentin e madh të vallëzimit.
    Gjatë vallëzimit Kurrilla i tha Irinës se do t’i tregonte të renë më të fundit, të panjohur...
    -Medaljen e Arbit,- e ndërpreu ajo e gëzuar dhe gjithë sinqeritet.
    Ai tundi kokën me nervozizëm.
    -Sigurisht që jo,- i a pat, ai u përtyp një copë herë dhe vazhdoi- medalja e tij tashmë nuk është e panjohur. Por për puthjen e tij të ndezur me atë zeshkanen që i qëndron në krah. Ju jeni vajzë shumë e sinqertë Irina dhe ti e di që unë i gjuaj puthjet. Të lutem, kjo që të thashë dua të mbetet mes nesh.
    Irina ndaloi, e vështroi ngultas e vrenjtur në sy:
    -Çfarë, - i a pat ajo,- çfarë thatë?!
    -Ishte një kërleshje e mrekullueshme, ndoshta më e rralla që më kanë parë sytë deri tani.- Kurrilla nuk u kushtoi rëndësi klithmës së saj. Ai vazhdoi t’i jepte hollësi me një kënaqësi makabër.- Gjithçka ndodhi mbrëmë natën, nën dritën e hënës. Trupi saj i zhveshur dukej si i bronxtë nga rezet e hënës dhe ai ishte i eksituar.
    -Je i sigurtë për çfarë po thua,- foli ajo me nervozizëm.
    -Sigurisht,- i tha ai, dhe vazhdoi me zë përdëlluës- ju jeni aq e mirë dhe do të ishte mëkat t’u mashtroja, jo si ai...
    Irina ishte shkëputur prej tij dhe ishte sulur drejt meje, ndërkohë unë vazhdoja i shkujdesur të pija cigare dhe vodkë përzierë me lëng limoni me disa shokë dhe shoqe të kursit. Pranë meje ishte një zeshkane nga Kuba. Irina qëndroi përballë meje, më vështroi ngultas, duke fërkuar me vrull faqen e majtë, hapi gojën të fliste, befas ndryshoi mendje dhe bëri me shenjë të ngrihesha dhe të shkoja me të. Unë e vështrova i habitur, pa lëvizur nga vendi. Çfarë ishte ky inat i beftë me të zgjedhurën time? Ajo ngulmoi që të ngrihesha pa m’i ndarë sytë dhe unë me përtesë eca mbas saj. Dolëm jashtë. Ajo ishte e rrëmbushur, dridhej. Një lot i vogël i kishte ngelur në cepin e syrit të majtë.
    -Unë mund të largohesha, të zhdukesha pa të thënë gjysmë fjale, por ti ma ke robëruar zemrën, prandaj dua të pyes vetëm kaq,- filloi të fliste ajo me zë të dredhur,- Çfarë nuk keni gjetur tek unë që më tradhton me atë shalë madhen nga Kuba?! Të m’a thoshe së paku, unë do të hiqesha mënjanë pa bërë zë.
    Irina fliste me gulç dhe unë qëndroja gojë hapur si kaqol përpara saj. Isha i shtangur nga habia. Gëzimi i medaljes u tret menjëherë si kripa në ujë! Më dukej sikur hëna si kosore, ishte këputur prej qiellit dhe më kishte prerë damarët e duarve. Hëna po lëvizte drejt qafës, për të m’a këputur kokën si kungull dhe flakur përdhe. U mundova të shquaja currilat e gjakut që binin mbi tokë, përqark këmbëve të mia. Lëviza më tej i hutuar. Toka ishte e errët, e lagur dhe nuk munda të shquaja asgjë, ndoshta gjakun tim e kishte thithur menjëherë toka. Ajo hapi krahët dhe tendosi kokën drejt meje.
    -Hë fol, ç’do të thuash tani! Shenjtori i botës së çmendur! Do të thuash që ishte aksidentale. E ti do të kthehesh përsëri tek unë kokë ulur me erën e asaj zeshkanes ende ndër hundë....
    -Dale moj se më çmënde,- thashë me zë të ngjirur, më në fund e mblodha disi veten dhe shtyva me bërryl hënën kosore që ajo të qëndronte tutje, lart në qiell e të mos vërtitej përreth nesh për të na prerë damarët e fundit.- Pa më thuaj një  çikë, kush t’a ka shtënë në mendje këtë mëkat të lemerishëm që paskam bërë me atë zeshkane, kur në të vërtetë unë nuk i kam prekur as dhe fijen e flokut!
    -Kurrilla, miku yt i ngushtë,- i a bëri ajo me një kënaqësi të egër dhe shtoi,- dhe ai nuk gënjen.
    M’u ndal fryma një moment, me shumë vështirësi hapa gojën dhe mbusha mushkëritë me ajër, pastaj fola me zë të lartë të çjerrë:
    -Kurrilla!
    -Po Kurrilla,- i a bëri ajo.
    -Nuk e di në është miku im apo jo, veçse ai gënjen si djalli me brirë! Unë mbrëmë kisha lidhur kokën me shami, ngaqë isha shqepur së mësuari dhe ëndërroja të kisha ty pranë të më lehtësoje damarët e qafës. Dhe ti e besove atë?!
    Doja të shtoja, gati me mëri se, do të ishte ndoshta një rast i mrekullueshëm të kisha atë të imagjinuarën kubane, në shtratin tim për të më çlodhur, larguar lodhjen dhe dhembjet. Por nuk thashë gjë, ajo me siguri do të ishte tërbuar dhe do të besonte akoma më tepër intrigën e shëmtuar  të  Kurrillës.
    Ajo më vështroi një hop pa lëvizur dhe folur. Unë zgjata krahët t’a merrja pranë, t’a qetësoja, të pajtoheshim, të putheshim. Por ajo lëvizi krahët e bezdisur, e mërzitur dhe plot dyshim. Me shpinën e dorës fshiu lotët. Eci dy hapa, qëndroi, më vështroi, në dritën e hënës ajo dukej e zbehtë. Ndoshta unë isha shumë më i zbehtë se ajo.
    -Mbrëmë hëna ishte e plotë dhe ti me atë...,-murmuriti ajo,- unë mbrëmë ëndërroja për ty...ndërsa ti me atë...
    -Pyet Kurrillën më mirë, meqenëse i beson atij. – i a ktheva me inat. Ajo ishte e trishtuar, por, edhe unë nuk mund të qyrravitesha, të lutesha, të justifikohesha. Më dukej vetja si një kalorës i kohës së mesjetës, i plagosur, i varur në kalin e tij të ëndrrës, që nuk mund të ngrejë dorashkën e flakur përdhe nga një Kurrillë. -Unë mbrëmë shqyeja sytë nën dritën e zbehtë të llambës dhe nuk kisha nge të vështroja as hënën.
    Ajo ngriti supet, kryqëzoi krahët në gjoks dhe eci me nxitim në rruginën e ngushtë. Mua më ishte tharë gjuha dhe nuk munda t’i thosha asnjë fjalë, ndoshta ngaqë më ishte vrarë sedra dhe gëzimi bashkë. Mbase ajo priste që unë t’a thërrisja, ose t’a ndiqja nga pas, si një dashnor i fandaksur dhe i penduar. Ajo iku dhe mua nuk më bëhej të kthehesha përsëri në mbrëmjen e vallëzimit. U enda nëpër rrugicat midis lulishtes duke pirë cigare njëra mbas tjetrës, duke sharë Kurrillën me vete. Nuk e kuptoja çfarë interesi kishte ai duke më prishur me Irinën! Hëm, po të më dilte përpara, isha  gati t’a shqepja me shkelma, sepse e dija, ditën e nesërme s’mund të bëja kurrgjë kundër tij. Kur e ndjeva që u lodha, u ktheva në dhomën time. Flaka çelësin e dhomës mbi tavolinë, u zhvesha me përtesë dhe u mundova të kërkoja gjumin duke mbuluar kokën me kuvertë, por më kot.
    Irina si për t’u hakmarrë kundër meje u kthye përsëri në mbrëmje. Kurrilla ishte qenë në pritje të saj mbas derës. Ai i doli përpara si një hije vjetër, e shkëputur prej murit, me fytyrë të trishtuar, të penduar që tregoi një sekret e që ndoshta do të kishte qënë mirë t’a mbante për vete. Ai vërtet ishte mik me Arbin, por nuk mund të bëhej bashkëpunëtor në gabim, faj, mbase dhe në tradhti. Ai ishte njeri i ndershëm dhe ajo ishte e mrekullueshme, e dëlirë, në këtë botë të ndyrë të mbarsur me pabesitë më të ulëta. Ajo u tremb, vuri dorën përpara gojës për të mos klithur, bëri disa hapa prapa. Ajo gati sa nuk u gremis në stolat e sallës. Hija i dukej e rëndë e gjithë lagështirë, me myshqe të gjelbër. Hesht, qetësohu, të lutem! Ti nuk ke lindur të ronitësh shpirtin. Fatkeqësisht nuk ka asgjë të barabartë mes gjallesave fatkeqe, por më shumë mes njerëzve. Ai i pamëshirshmi plagosi zemrën e një vajze të pafajshme dhe duhet të ndëshkohet nga gjithë rrufetë e qiellit e të tokës. Ajo e dëgjonte e shpërqendruar, e hutuar, e pështjelluar. Ajo ishte apatike. Kurrilla i tha të dilnin jashtë, me siguri zallahia e mbrëmjes e ç’orientonte, e acaronte akoma më shumë. Ai e tërhoqi nga krahu, gurët e murit lëvizën pa zhurmë dhe ajo kaloi në mes tyre, si përmes dhëmbëve të një përbindëshi, ajo u gjend në mesin e honit. Nata ishte e errët, gjithë lagështirë dhe ajo ndjente të ftohtë. Rrugina ishte e ngushtë dhe fletët e gjetheve si gjuhë të yndyrshme lëpinin shpatullat e saj të zhveshura. Ajo nga nxitimi dhe inati kishte harruar në stol xhaketën e hollë, të bardhë, punuar me shtiza nga nëna e saj. Ajo fërkonte krahët me vrull dhe ngulmonte të kthehej, të largohej prej aty. O zot çfarë nate  e çmendur, ndërsa ai papritur, e mbështeti mbas murit dhe e puthi me forcë, gati sa nuk i mori frymën! Mos, çfarë bën! Ikë! Largohu! Shporru! Siç më tha më vonë Irina, nuk ishte puthje, por babëzi, thëthitje. Buzët e tij ishin si ngjitës i trashë, të shkulnin me dhimbje lëkurën, një tmerr i vërtetë. Ndërsa duart e tij ishin si kthetra, që kërkonin t’i çirrnin lëkurën e bardhë. Ajo u shkëput me vështirësi prej tij dhe iku me vrap e llahtarisur...
    Dreq Kurrillë! Unë isha tërësisht në mëdyshje përpara kutisë së postës me zarfin në dorë ku kisha ftesën e tij. T’a grisja ftesën dhe t’a flakja tej, apo t’a hidhja në atë vijë të vogël ndarëse të kutisë së vogël, që thëthinte zarfet e më pas i shpërndante gjithandej nëpër atdhe. Unë i isha ndodhur pranë, kur të tjerët e përbuznin, e tallnin, e injoronin. Përnjëmend kujtoja se, në kalimin e viteve njeriu ndryshon, piqet, hedh prapa marrëzitë, ligësitë dhe sheh përpara për t’u fisnikëruar, për t’u bërë njeri. Gjithsesi unë nuk besoja që ai të vinte. Ai më mbiu në dasmë njëlloj si më parë. Psherëtiva, ndoshta nuk kisha për t’a parë më kurrë dhe do të ishte një gjë e mirë. Me siguri miqtë e mi e kanë nisur drejt shtëpisë së tij të largët, në veri lindje.
    Të ftuarit kishin filluar të largoheshin me zhurmë. U ula në tavolinën më të parë. Shtira pak raki në gotë, piva dhe futa një copë djathë të bardhë në gojë, për të rregulluar midenë. Ora po kalonte tre e mëngjezit. Irina erdhi dhe u ul pranë meje dhe mbështeti kokën në shpatullën time. Ajo ishte e lodhur, të gjithë ishim të lodhur, por ishte një lodhje e bukur, e papërsëritshme. Një grup të rinj vazhdonin të kërcenin në korridorin e katit të parë, ishin djemtë e mëhallës. Nëna i tha Irinës të shkonte në dhomën e madhe, të qetësohej. Në orën tre e gjysmë muzikantët mblodhën veglat muzikore. Babai i pagoi. Ata ndanë paratë mes tyre dhe u larguan duke marrë edhe nga një shishe me raki. Rreth orës katër u largua ngadalë edhe i ftuari i fundit. Ai ishte i dehur dhe mundohej të fuste një shishe kilëshe me raki në xhepin e vogël të pantallonave. Ishte një fytyrë e panjohur, nga ata që enden rrugëve për të gjetur ndonjë dasmë të vonë, për t’u dendur e vazhduar festivalin e të pirit.  Babai nxori me kujdes të dehurin jashtë, për të mos krijuar shqetësime dhe i vuri llozin derës. Më pas shtëpia ra në qetësi. Ndërkohë kishim mbledhur pjatat, gotat, furkulicat, lugët dhe shpënë në kuzhinë. Mbeturinat e shumta i  mbledhëm në një qese plastike dhe i futëm në një kazan të madh, duke e mbuluar me kapak, për të mos i shpërndarë macet dhe qentë e rrugës. Nuk e kishim menduar që do të pihej gjithë ajo raki.
    -Shko biro, fli, -më tha nëna. Ajo më puthi në ballë dhe më uroi,- le të jeta jote e bardhë dhe e gëzuar përherë!
    -Faleminderit nënë!
    Babai mbushi dy gota të vogla me raki, një e mori për vete dhe tjetrën m’a zgjati mua dhe tha:
    -Gëzuar bir, mbarësia të shoqëroftë përherë!
    -Faleminderit baba!
    Pimë gotën me fund, i urova prindërve natën e mirë dhe ngjita ngadalë shkallët. Përpara derës së dhomës së gjumit qëndrova një hop. Mora frymë, mbrapa derës dikush më priste. Dukej shumë e thjeshtë, por në realitet ishte e mrekullueshme. Dikush të pret dhe ti ndjehesh i tërë. Njeriu vërtet ka nevojë që dikush t’a presë ose të jetë në pritje të dikujt. Lëviza dorezën ngadalë dhe hyra brenda. M’u duk sikur një dritëz fosforeshente depërtonte butë nëpërmjet hapësirave të perdeve të dritares së madhe.
    -Mos e ndiz dritën, të lutem, - dëgjova zërin e ulët dhe gati misterioz të Irinës,-eja zhvishu dhe futu në rrobat.
     Zëri i saj m’u duk i dridhshëm si ajri që ishte ndehur në dhomë. Ajo qëndronte ndenjur në shtrat dhe kishte mbuluar trupin me kuvertë. Unë hoqa kostumin, kravatën, këmishën, pantallonat dhe bëra të futesha në shtroje. E putha në buzë, ajo mbylli sytë si të përjetonte më shumë shijen e mrekullueshme të puthjes. Më shkoi dorën rreth qafës dhe më shtrëngoi fort.
    -Zhvishu, fare, lakuriq, - foli ajo me zë të thekshëm,- dua të ndjej së thelli rrahjet e zemrës tënde! Dua të përvëlohem nga dëshira, afshi! Të shkrihemi së bashku në magjinë tonë! Është nata jonë!
    -Është mëngjezi jonë,- i thashë.
    U zhvesha me nxitim dhe trupi im u njësua me trupin e saj të ngrohtë. U drithërova! Trupi im i zhveshur u mbush me mornica. Kurmi i saj më dehu menjëherë. Trupi i saj, fytyra, buzët, kishin marrë erën e luleve, të lëndinave të mrekullueshme dhe ajrin e freskët të malit. Dora ime shkoi poshtë e më poshtë, shkau butë, preku pyllin e vogël, të butë, të kadifenjtë, gishtërinjtë lëvizën fare pak më poshtë, u ndalën një copë herë në petalen e seksit, që ishte lagur nga burimi i zjarrtë! Fillova t’a puthja atë me nxitim, me afsh, në ballë, në sytë, në hundë, në buzë. Trupat tanë u lakuan, u drodhën si  mështeknat nga era e fortë. Yjet harbonin nëpër qiell dhe ne poshtë në shtëpi pranë një rrugicë me kalldrëm ishim të përfshirë nga ekstaza...


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora