E merkure, 01.05.2024, 11:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Rrustem Geci, “Këngë për Çamërinë” nga libri i shekullit “Kanuni poetik”

E shtune, 31.10.2009, 04:12 PM


Rrustem Geci

LIBRI I TOKËS

Ne historinë  e  mësojmë
të  mbushemi  me  frymë
të   njohim  të  kaluarën
vlerat e saj në të sotmen

Ne historinë  e  mësojmë
nga  njeriu   i  njerëzimit
nga shpirti betejave , nga
nevoja për  të  kundërtën

Ne historinë  e  mësojmë
që të jemi vetja , vetvetja
trashigimtarë   të  krijimit
trashigimtarë  të përvojës

Ne historinë  e  mësojmë
nga mëndjet  e  luftërave
nga bashkësia e  gjërave
nga pika e gjakut të rënë

P R E V E Z A

Kam  një  lutje   Çamëri
Kam  një   fjalë  amanet
Kam  një   lutje  Çamëri
Zot  të fatit  të jemi vetë

Kam  një   lutje  Çamëri
Kam  një   fjalë  amanet
Kam  një  lutje kombi im
Shqipëri jam tokë  e  det

Kam  një  lutje   Çamëri
Kam  një   fjalë  amanet
Babë  dielli  dhe flamuri
Çamërisë i jepin shëndet

Kam  një   lutje  Çamëri
Kam  një   fjalë  amanet
S´ ka  Greqi  në  Çamëri
Tokë e Çamit shqip  flet!..

Trokitje Çame

Në këngët me Çamëri
Fjalës  i  bien drithma
Djersë  të  ftofta kohe
Të  rëna të përgjakëta

Në këngët  me Çamëri
Populli  i  vogël  çam
Çdo  ditë i bie daulles
Se toka  e  tij nuk flë

Në këngët me Çamëri
Të  trojeve  të  ilirisë
Çami  tregon Greqinë
Lirinë e  tij të shkelur

Në këngët me Çamëri
Prej  ku  nis Çamëria
Plot  lule  gjaknxehta
Me këngë  çame çelin

A R V A N I T Ë T
 
Unë  flas gjuhën  shqipe
i pat  thënë mikut të  tij  
Aristidh  Kola  - Arvaniti
para se grekët ta vrisnin

Asgjë  nuk  ka  mbaruar
më duhen  4 shekuj jetë
për  ta  kthyer mbarë, të
kaluarën tonë të shkelur

Nën atë qiell G r e q i e
të të  vërtetave përmbys
gjuha  bën luftën  e  saj
Çamëria  të  mos  bjerë
   
Homeri shkruante në shqip
në shqipen  e  pellazgëve
në   pellazgjisht  Odisenë
lexuar  e  kam  këtë verë

 Ç   A   M   Ë   T

 Çame ,  Çame,  Çamëri
 ke  kraharorin me  flori
 I ke  krojet bar me vesë
 tek bie dielli  po të pres

 Çame , Çame ,  Çamëri
 plot  të  vrara  ke  në gji
 tri të korra në një pemë
 tri të korra në  një lëmë!

 Çame , Çame ,  Çamëri
 tremijë vjet moj  i l i r i
 populli ynë  është burrë
 është  gjaku  në  flamur
 
 Çame , Çame ,  Çamëri
 ti moj je  njëmijë hijeshi
 këngën mos  e lë të qaj
 jepi  gjakun të mos thaj

Kënga e K´lumshtit

Mëmë e gjakut  
Mëmë Shqipëri
Shpirti më digjet   
Të jem me ty

Loti i diellit  
Në pemë pikon
Çami e çamja   
Gjëmë lëshojnë

Qiellit të gjerë
Ndodhë ka re
Jo rrallë erërat   
Fshehin rrufe   

Në tokën çame
Homerit plak
Emri e sytë  
I kullojnë gjak

2  )

 Shkruan Janina
 jam Prishtinë
 jem Tiranë
 e jem një himn

 Trapi i çamit
 traget  me  nam
 mijëra vjet
 lundron n´këto anë

 Qan Janina
 gjakun e saj
 nën Greqi
 pema do thaj

 Dheu i çamëve
 një ( dhe ) flori
 sa jam  Çam
 aq jam Shqipëri

J  A  N  I  N  A

Në  pemët  e  çamit
koha  nuk  ka  rënë
ajo  nuk   ka   tharë
po aty  këtu e vrarë

Në  pemët  e  çamit
pjesë të  kohës sonë
vetëm  janë  holluar
ato  do  shëndoshen

Nën pemët e  çamit
edhe  (  hija )  qan
luftohet  me  veten
edhe  me  të  tjerët

Në  pemët  e çamit
koha   s´ vjetërohet
ajo  do  rinohet, me
gjallesa   të  gjuhës

LUTJA E ÇAMIT

A  më  lë  o  tokë  të  qaj
unë  dua  tek  t´i  një varr
unë  dua  këtu  të  vritem
gjaku   im   të   mos  thaj

Gurë  gjyshi   kam   këtu
në  beteja  i  ka  mbjellur
brenda   ka   disa  këngë
gjyshi  im  i   ka  shkruar

A  më  do o tokë për vete
a më pranon të  vdes këtu
të  betohem   jam   ardhë
tek  shtëpia  ku  kam jetu

A më lë  o  tokë  të  dua
gjaku  i  varreve më troket
guri  gjyshit   atje  brenda
ngritu  o  bir,  më  thërret!..

P   O   E   T   I

   Kam  edhe  pak  gjak
   kam  edhe   pak  jetë
   që  letrën  ta  mbushi  
   me muzikë  të  fjalëve  
 
   Kam  edhe  pak  gjak
   kam  edhe  pak  jetë
   të pi edhe pak ujë, të
   marr edhe  pak frymë
   
   Kam  edhe  pak  gjak
   kam  edhe  pak  jetë
   që  shenjtin  e pa zot
   ta flaki  tej  n´errësirë
   
   Kam edhe  pak   gjak
   kam  edhe   pak  jetë
   që  dritën  e ëndrrave
   ta   shkrijë   në  fjalë

Këngët e shtëpisë

   Prej këtu  fillon  populli
   Intonimin  e h i m n i t
   betimin e  tij  për veten
   betimin  para   flamurit

   Prej këtu  fillon  populli
   rendjen e tij nëpër kohë
   ngjitjen  e  tij tek vetja
   vrapin për  të  ardhmen

   Prej këtu fillon  populli
   me  duar dhe me thonj  
   të  mos humbas kohën
   ëndrrën e  tij  të  ardh

   Prej këtu  fillon populli
   të  jetë zot i fatit të tij
   luftëtari i  tëra betejave
   heroi i të gjitha fitoreve

 2  )

Prej këtu  fillon  populli
ti  flakë  targat e huaja
ti prish muret që ndajnë
ti hap portat që ndalojnë

Prej këtu  fillon  populli
të  jetë  vetja , vetvetja
të  hap  malet  me diell  
të  hap fushat me rreze

Prej këtu  fillon  populli
të  shprehë  fuqinë e tij
lëvizjen e tij përpara, të
drejtën  e vetëvendosjes

Prej këtu  fillon  populli
të  jetë  trim i betejave
lideri  i  të gjitha fateve
bashkimi  i  shqiptarëve

3  )

   Prej  këtu  fillon  populli
   ti bie me grusht të keqes
   drejtësisë   së   padrejtë
   dhe mizorisë  së fqinjëve

   Prej  këtu  fillon  populli
   këngën  e  tij të shtëpisë
   t´i  marrë ditës  d r i t ë
   dhe t´i  japë kohës  kohë

   Prej  këtu  fillon  populli
   gjeninë  e  tij  krijuese
   që  lirinë  ta  armatosë
   me kohën e  tij  historike
 
   Prej  këtu  fillon  populli
   marshimin e tij  të madh
   ndërtimin  e  tij  të  lirë
   ëndrrën e gjithë  brezave

4)

Prej  këtu  fillon populli
të mbushë  gojën thirrje
që këngët e shtëpisë, të
shumëzohen   gjithandej

Në  këtë  ditë  të diellit
toka, ajri, uji, z j a r r i
katër  rrënjët  e  arbërit
prej  këtu nisin të rritën

Prej  këtu  fillon populli
fëmijët e  tij të luftës, ti
kthej në shtëpinë e tyre
në një betejë krejt ë re

Prej  këtu  fillon populli
heroikën   e   këngëve
mesditën e  tij  të ardh
bashkimin e dy Drinëve

GJEGJ ELEZ ALIA

   (  Sipas motivit popullor )

 Ndali  shpurat  bajloz  i   zi
 ndali  shpurat  ku  ke  mësy
 unë  nuk  kam  prona për ty
 tokat e mia s´merren me  sy!

 Gjergj Elezi flet me  popullin
 qehajasë  unë do t´ i tregojë
 se  zullumi   mbi  shqiptarët
 në  mejdan   do  të  mbaroj

 Arma e Gjergjit flakë me  ar
 Arma e Gjergjit prush e zjarr
 Kot  rreh flatrat  bajloz i  zi
 unë  nuk  kam motër për ty!

 Motra  Gjergjit, vëllain veshë
 Ia veshë armët  me u ndesh
 Mbi ( 9 ) plagët ngritet  trimi
 Gjerg  Elezi  nis  tek  himni!

 Gjergj  Elezi  trim  mi  trima
 I ngul shpatën mu tek sqima
 kurrë mos  mësy në Shqipëri
 se  s´të lënë shqiptarët e mi

K R I J U E S I

Jam  mësuar   të   jetoj
edhe ku fryn  era, edhe
ku bie shi, edhe  ku bie
borë. Kjo është jeta ime
shtëpia   ku   unë  vuaj
udha nëpër  të cilën eci
Jam   mësuar  të   jetoj
me  idetë  e  kësaj kohe
që  i  thërrasin mëndjes
të jetë më  krijuese, më
e  lirë  dhe më i lumtur
Jam   mësuar  të   jetoj
me kohën  e  panginjur
me  vetminë  kumbuese
dhe kundërthëniet e saj
Jam  mësuar  të   jetoj
edhe  aty  ku  fryn  era
edhe aty ku  bie rrufeja
edhe aty ku  bëhet luftë

PRITJA GJENIUT

Ku  është  fshehur  gjeniu
Ai  që  f l e t  si  populli
Ai që  qan si p o p u l l i
Ai  që  di të këndoj si  ai

Ku  është  fshehur  gjeniu
Pyesin n ë n a t,baballarët
Gratë e veja, fëmijët  jetim
Pyetë e gjithë K o s o v a

Ku  është  fshehur  gjeniu
Ai më i  bukuri i këngëve
Ai më i bukuri i  betejave
Ai më i bukuri  i  fitoreve

Ku  është  fshehur  gjeniu
Më  i  gjakshmi dhimbjeve
Pyetë  vullneti  i  popullit
Pret  vullneti   i   popullit

I burgosuri i idesë

  Jam gur i pandarë  i  kohës
  I burgosur  i diellit dhe ajrit
  Jam fjala  e  gjerë  e poetit
  Jam zëri juaj  i më të vrarit
 
  Në  flakët  që  vetëm rritën
  goditem nga valë të ashpra
  nga  përsëritjet   monotone
  të  zhurmave   thuaja   koti

  Jam një i burgosur  i  idesë
  një  i  burgosur...i  pafjetur
  jam dhimbja  e  së bukurës
  jam  loti juaj  i  përbashkët

  Në këtë botë të përplasjeve
  kam plot  të  pashpërthyera
  jam  arti  që nuk  mburrem
  jam arsyeja  që  nuk jepem


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora