E marte, 30.04.2024, 10:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Dibran Demaku: Patrioti

E shtune, 31.10.2009, 02:25 PM


Dibran Demaku

PATRIOTI

Tregim

Studenti po zbriste shkallët në dalje të fakultetit kur dy njerëz të panjohur i thanë se ai duhej të shkonte me ta.I dolën përanash dhe duke e zënë nga të dy krahët e detyruan që të shkonte me ta.Ata ishin aq të shpejtë sa studenti nuk arriti as t`i pyeste se kush ishin dhe as pse duhej të shkonte me ta.Reagimi i të panjohurve ishte aq i shpejtë sa studentit i bëhej se po shihte një skenë filmi.Apo ishte duke ëndërruar.Por,jo,jo! Gjithçka po ndodhte në pikë të ditës dhe  në dritë të diellit.Ata dy të panjohur po e shtrëngonin aq shumë saqë ai po ndiente dhëmbje në të dy duart.Kishte përshtypje se nuk do të kalonin shumë sekonda e ai nga dhëmbja do të bërtiste me të madhe.Do të bërtiste aq shumë saqë do ta dëgjonin të gjithë studentët dhe qytetarët e shumtë që shkonin e vinin.Filloi të dridhej.Nuk e dinte se nga i vinin ato të dridhura kur dita ishte e nxehtë.Ditë qershori.Ditë vere.Apo këto të dridhura i vinin nga frika apo nga inati?!Ndërkohë dy të panjohurit po e shtynin përpara.Atij ju bë se nuk po i ndjente këmbët e veta. Thuase po lëviznin ashtu në mënyrë mekanike dhe nën presionin e shtyerjeve të dy të panjohurëve.Ndërkohë kishin lënë pas oborrin e fakultetit dhe që të  tre tashmë ndodheshin në njërën nga rrugët e qytetit.Në njërën nga ato rrugë që të qonte drejt qendrës së qytetit.Në rrugën nga ai po kalonte i mbërthyer nga dy të panjohurit,kishte edhe shumë kalimtarë të tjerë.Disa iknin nga qendra e qytetit e disa të tjerë lëviznin drejt qendrës.Dy të panjohurit nuk nxirrnin zë nga goja,por me studentin në mes,shpejtonin.Për ku po shpejtonin kështu?! Mos vallë do të udhtonin me ndonjë autobus dhe si të vonuar që ishin,shpejtonin?!Apo shpejtonin që të vëreheshin nga sa më pak njerëz?!Mos këta dy të panjohur ishin hajdutë?! Mos po e vidhnin atë në pikë të ditës?!Por çfarë u duhej studenti?! Po të ishte vajzë hajde,de?! Por kështu?!
Pak pa arritur tek qendra,aty ku ndodhej hoteli i madh dhe i njohur i qytetit,ata dredhuan majtas.Hynë në rrugën që të dërgonte në ndërtesën ku ndodheshin ata që punonin  për sigurimin e shtetit!Vetëm tash studenti e kuptoi se ishte i arrestuar.Se dy të panjohurit që e shtrëngonin fort për krahësh,do të ishin punëtorë të sigurimit të shtetit.Por,pse po e arrestonin?!Çfarë kishte bërë ai që të arrestohej?!...
Pas pak çastesh studenti ndodhej në njërën nga dhomat e shumëta që kishte ajo ndërtesë.Ndërtesa e sigurimit të shtetit.Përballë tij ndodhej një dyzetë e pesë-pesëdhjetëvjeçar.Me një kokë tullace me ca flokë të rrallë dhe të thinjura rreth veshëve që ngjanin në ca fija të thara bari.Kokëtullaci po shkruante diçka në një fletë që ndodhej para tij sipër një tavoline të madhe.Po shkruante me nge dhe në një mënyrë të papërfilshme për përsonin që ndodhej përballë tij.E bënte këtë me qëllim,apo vërtet nuk i interesonte fare prania e tjetrit?!Papërfilshmëria apo injorimi i tjetrit po e bënte nervoz studentin.Bile njëherë i shkoi ndërmend që ta pyeste se pse e torturonte në këtë mënyrë?!.Kush ishin ata dy të panjohur që pa paralajmërim dhe pa dëshirën e tij e kishin sjellur atë para kokëtullacit?!Para këtij kokëtullaci injorant?! Por,fill pastaj në mendje i bëri dritë mendimi tjetër:Do të ishte më mirë që ai të heshtte.Dhe të fliste vetëm kur ta pyesnin!...
Kokëtullaci e ngriti kokën dhe si me habi shikimin ia drejtoi studentit.Shikimet e tyre u takuan.Kokëtullaci sikur të zgjohej nga gjumi,pasi hapi gojën duke e mbyllur pjesërisht me dorën e majtë,ndërkaq me të djathtën fërkonte sytë,filloi bisedën...
-A s`më thua se cili je ti dhe përse ndodhesh këtu?!-dhe një buzëqeshje ironike ia përfshiu fytyrën
-Do të ishte më mirë të më tregoni ju,sepse unë vërtet nuk e di se pse ndodhem këtu!-ia ktheu studenti.
-Aha!-bëri si me habi kokëtullaci.Pasi i fërkoi sytë edhe njëherë vazhdoi:-Do të thotë se ti nuk e di vërtet se përse ndodhesh këtu!...Interesant!...Jo, vërtet interesant!...Sepse nuk e di as unë!...
-?!...
Studenti nuk po fliste.Ai vetëm po heshtte.Priste që tjetri të vazhdonte.Por edhe tjetri nuk po fliste.E shikonte atë përciptazi dhe nganjëherë e lëvizte kokën herë në një anë e herë në anën tjetër.Kjo të jepte të kuptoje se kokëtullaci bënte sikur habitej,apo vërtet habitej! Apo ishte kjo një nga lojërat e tij?!...
-Në fakt unë kam kërkuar që të të takoj dhe të të njoh!-e theu heshtjen kokëtullaci.-Kam dëgjuar fjalë të mira për ty si një student i mirë në mësime! Ky fakt të të them të drejtën më ka gëzuar dhe më gëzon!Suksesi i studentëve tanë,ne gjeneratën më të vjetër,na gëzon.Ju jeni e ardhmja  jonë dhe e këtij vendi!...
Studenti po e dëgjonte.Dëshironte të dinte se ku do të dilte.Ashtu siç e kishte nisur,ai patjetër do të dilte atje ku dëshironte...
-Fjalët e mija sikur nuk po ta mbushin mendjen!-vazhdoi pastaj kokëtullaci.-E kuptoj nga shikimet e tua! Por,unë e kam me të vërtetë,besove ti ose jo!...
-“Ku do të dalë me këtë kjo dhelpër?!“-po mendonte me vete studenti.
-Desha që për këtë të të përgëzoj!-tha pastaj kokëtullaci.Dhe së bashku me përgëzime të të pyes edhe për diçka!Diçka fare të thjeshtë!Desha të di se a njihesh me studentin me emër...ju studentët e quani Patriot?!...
-“I paskan rënë në gjurmë Patriotit!“-mendoi me vete studenti.Dhe u dridh paksa.Tjetri nuk e vërejti dridhjen e tij.Apo u bë sikur nuk e vërejti?!...
-Po e njoh!-ia ktheu studenti.
-Bukur,shumë bukur!-sikur u entuziazmua kokëtullaci.Pastaj me një shikim të përqëndruar tek studenti vazhdoi:-Kam të dhëna se edhe ai është student i mirë!Bile i shkëlqyeshëm!Do të doja që të njihesha edhe me të!...
Studenti po heshtte.Dëshira e kokëtullacit që të njihej me Patriotin po e habiste.Jo për tjetër gjë,por për arsyen e vetme se pse këtë dëshirë po ia thonte atij,studentit.Ai mund të takonte Patriotin kur të donte dhe pa treguar fare!...
-Besoj se një ditë do ta takoj edhe atë Patriotin siç e quani ju dhe do ta përgëzoj edhe ate!-tha kokëtullaci dhe e shikoi studentin me vëmendje se si  do të reagonte pas kësaj...
Përpak çaste në mes mbretëroi heshtja.Ata nuk po thonin asgjë vetëm po e gjuanin njëri tjetrin me shikime.
-Unë kaq kisha!-e theu heshtjen kokëtullaci.-Tash je i lirë dhe mund të shkosh.U gëzova që të njoha.Mos harro që po pate ndonjë nevojë kthehu lirisht tek unë!Do të mundohem të të ndihmoj!E tash ditën e mirë dhe mirupafshim!-përfundoi kokëtullaci dhe duke u përshëndetur me studentin e përcolli ate deri tek dera e daljes...
Kthimi i studentit në konvikt u prit me gëzim të madh.Gjatë mungesës së tij ishin përhapë fjalë se atë e kishte arrestuar sigurimi i shtetit dhe mbase do të dënohej me vite!Disa nga studentët kishin filluar të flisnin për të si për një patriot të madh e disa të tjerë,më të vogël në numër,kishin filluar që ta quanin me emrin e urryer: Spiun!...Të gjitha këto i mori vesh nga Donika,një shoqe e studimeve në të njëjtën degë me studentin.Ajo të gjitha këto ia tregoi me një shqetësim që i dallohej si në fytyrë ashtu edhe në ngjyrën e zërit.Studenti e vërejti shqetësimin e saj.Dhe në njëfarë mënyre edhe u gëzua!Shqetësimi i saj për të do të thonte se Donika për të ndiente diçka më shumë përtej raporteve shoqërore.
E qetësoi duke i thënë se ai nuk kishte qenë i arrestuar.Se po të kishte qenë i arrestuar nuk do të ishte kthyer aq shpejt!I tregoi të vërtetën se dy të panjohur e kishin dërguar në qendrën e sigurimit shtetëror dhe aty kishte biseduar me një kokëtullac.Bile kur e përmendi kokëtullacin ai shpërtheu në një qeshje të madhe.Dhe kur Donika e pyeti se përse qeshte në atë mënyrë ai u përgjegj se kokëtullaci ashtu siç e kishte kokën duket se të tillë fare tullace e kishte edhe mendjen.I tregoi se kokëtullaci kishte dashur që ta përgëzonte për sukseset në studime dhe krejt në fund e kishte pyetur se a e njihte Patriotin!Pasiqë ai i ishte përgjigjur pozitivisht tjetri kishte shfaqur dëshirën që ta njihte edhe Patriotin!...
-Megjithate edhe krejt pa gjë nuk qenka kjo punë!-ia ktheu Donika me një fytyrë krejt të verdhë.-Fakti se kokëtullaci që thua ti e paska përmendur Patriotin,aty po i zieka diçka! Unë mendoj se për këtë gjë duhet ta njohtojmë Patriotin.Në mos për asgjë tjetër,ta këshillojmë që të ketë kujdes!Njerëzve të sigurimit të shtetit nuk u zihet besë! Të ftojnë për një gjë që në shikim të parë të duket shumë e thjeshtë,e pastaj!...
-Mos ekzagjëro,Donika!-ia ktheu studenti.-Mbase është një dëshirë për ta njohur Patriotin ashtu siç kishte pasur dëshirë të njihej edhe me mua!...
-Megjithate Dren duhet të kemi kujdes të shtuar!ia ktheu Donika me një zë melankolik e që thonte shumë...
Të gjitha ato që i bisedoi me Donikën,në mbrëmje studenti i bisedoi edhe me Patriotin.Dhe atë në dhomën e Patriotit.Me porosinë që të kishte kujdes sepse siç dukej organet e sigurimit të shtetit kishin rënë në gjurmë të veprimtarisë së tij...
Ditët tjera kaluan pa ndonjë shqetësim të theksuar.Kur thuaja se studenti kishte harruar fare atë ngjarjen me kokëtullacin,ata dy të panjohurit u lajmëruan sërish.
Si edhe herën e parë studentin e takuan sapo ai po dilte nga fakulteti.Vetëm se kësaj here nuk e zunë fare nga krahët,por i thanë se ai duhej të shkonte me ta.Mirësjellja e tyre sikur e qetësoi paksa studenrin nga tronditja që kishte pësuar pak më parë kur i kishte parë.Dhe pa as më të voglin kundërshtim shkoi ma ta.
Për të dytën herë ndodhej tashmë në të njëjtën dhomë.Dhe para të njëjtit njeri.Para kokëtullacit,i cili si edhe herën e parë,serish po shkruante diçka në fletën e letrës që kishte përpara.Sjellja e tij ishte tmerrësisht e ngjashme me të parën.Studenti po priste që e njëjta bisedë të përsëritej sërish.Dhe po të ndodhte kështu ai do të argëtohej me këtë kokëtullac të shkretë që siç dukej edhe nga mendja ishte i tillë...
-Shpresoj se sot e di se përse je këtu dhe para meje!-e theu heshtjen kokëtullaci me një tonë të zërit aspak miqësor.Ky fakt e bindi studentin se duhej të kishte më shumë kujdes.
-Të them të drejtën as sot nuk e di pse ndodhem këtu!Ata dy të panjohurit sërish më morën sapo dola nga fakulteti dhe më sollën këtu!...
-Duhet ta kuptosh,djalë i mirë se për asgjë ata nuk do të sillnin këtu!Sepse këtu as nuk është sallë e koncerteve e as vend për pushime!
Zëri i rreptë i kokëtullacit e tronditi studentin.Ju kujtuan fjalët e Donikës.Ajo i kishte thënë me me njerëzit e sigurimit të shtetit duhet pasur kujdes!Ata nuk të ftojnë as në dasëm dhe as në ndonjë aheng tjetër...
-Duhet ta kuptosh se ndodhesh para personit që përfaqëson sigurimin e shtetit!Duhet ta kuptosh se sigurimi i shtetit nuk është lojë!Dhe as nuk të fton që të bësh lojë! Do të jetë në të mirën tënde që për çdo gjë që do të pyes të përgjigjesh qartë dhe drejt!...
-Nuk e di se për çfarë duhet të përgjigjem shoku...!-dhe studenti pushoi se nuk e dinte emrin e tij.
-Kokëtullac!...Më quaj edhe këtu ashtu siç ke folur për mua para shokëve të tu!...
Studenti u drodh dhe u struk edhe më në karrigen ku ishte ulur.E kuptoi se dikush kishte treguar krejt bisedën.
-Fol tash e mos u struk si një mi në karrige!
-Më vjen keq,por unë nuk kam thënë diçka të tillë!Dikush ju ka keqinformuar!
-Keni thënë,keni thënë!Keni thënë edhe shumë të tjera në adresën time!Keni thënë se ashtu siç e kam kokën tullace ashtu e kam edhe mendjen!
-“O zot sa injorant dhe idiot jam treguar!“-ia bëri bëri vetë studenti.
-Por këto gjëra nuk të nderojnë!Këto vetëm të rëndojnë!Të rëndojnë aq shumë sa ti as nuk do të mund t`i ngreshë!...
-?!...
-Ti nuk më ke fyer vetëm mua.Ti ke fyer edhe njerëzit e tjerë të shtetit!Ti i ke fyer edhe udhëheqësit shtetërorë!Ti e ke fyer edhe Udhëheqësin e Madh!...
-Më falni,por këto që thoni nuk janë të vërteta!-ia ktheu studenti me një fytyrë krejt të skuqur dhe ku lehtë mund të vërehej ndjenja e fajësisë.
-Domethënë se unë po gënjej!-ia ktheu kokëtullaci duke ia ngjeshur një grusht në fytyrë.Studenti u rrëzua nga karrogeja dhe nga hunda e skuqur filloi t`i rridhte gjaku.
-Nëse nuk të kujtohet se çfarë keni thënë kundër Udhëheqësit të Madh,ta kujtoj unë!Kur Patrioti ka folur keq për Udhëheqësin e Madh ti ke qeshur!Ke qeshur në mënyrë ironike!Në mënyrë fyese! Je zgërdhirë!...
-“O zot sa injorant dhe idiot jam treguar!“-ia bëri sërish vetës studenti.-“E kam nënçmuar këtë njeri e ky i ditka të gjitha!Ja ku e tha edhe vet! Po kush i paska treguar?!...Patrioti?!...Jo,jo nuk është e mundur!...Do t`i ketë treguar dikush tjetër!...“
-E shef tash se si po heshtë! E shef se unë i di që të gjitha?!...Prandaj siç të thash edhe në fillim,po ta përseris:Tregohu i arsyeshëm dhe do të kalosh më lehtë!...
E çfarë të thonte studenti?!Të pranonte se të gjitha këto ishin të vërteta?!T´i pranonte ato që deri tash i kishte mohuar?! Jo,jo kjo ishte gjë që s`bëhej...
-Të gjitha do t`i falja! Ama që të gjitha!...Vetëm një nuk mund të ta fal:Të qeshurën ironike dhe fyese ndaj Udhëheqësit të Madh!... Jo,jo ajo nuk falet!...
Studenti vendosi të kundërshtonte. Të mohonte.
-Edhe për këtë ju kanë keqinformuar.Unë asnjëherë nuk e kam fyer dhe përqeshur Udhëheqësin e Madh!...
-E ke të kotë ta mohosh! Informatën e kam nga njeriu ynë i sugurtë!...Informatën e kam nga Patrioti!...
-Kjo nuk është e mundur! Patrioti është....!
-Patriot!...Bashkëpunëtor yni!...Sikur mos të ishte i tillë do ta arrestonim atë e jo ty!...
-Por ai vetë ka folur keq për Udhëheqësin e Madh!...Ai!... Ndërkaq unë!...Vetëm një e qeshur!...Patrioti!...A është  e mundur o zot!...
-Lëre zotin në vendin e vet dhe me punët e veta!Merru me të tuajat se të dalin e të teprojnë!...
-Një e qeshur!...Vetëm një e qeshur!...A është e mundur që njeriu të akuzohet vetëm për një të qeshur!...
Kokëtullaci po e shikonte me urrejtje...


(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora